E marte, 16.04.2024, 11:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Dumitru Velea: Zana në poezinë e Sali Bashotës

E enjte, 01.11.2012, 08:00 PM


Vlera kosovare sipas eseistëve të huaj

ZANA SHQIPTARE NË POEZINË E SALI BASHOTËS

Erosi ekspanziv i tyre, që shëmbëllen me moshën adoleshente të autorit „rimon” me adoleshencën e Zanës, si një kurorë mbi ballin e saj të çiltër, që shkëlqen me shëmbëlltyra parajsore. Erosi shtrihet si mundësi dhe lulëzon për t’i vënë gjërat në një vend, dhe për t’u shndërruar në një platformë të shëndetshme për njeriun e hapur ndaj qenies dhe bukurisë divine/hyjnore. Ndarja rrugëve të terratisura të historisë duhet përmbysur mbi rrugët e ndritura të njeriut dhe divinitetit. Është misioni i poetit, i dashurisë nga zemra e zhuritur për ndjeshmëri. Atij i është dhënë të plasojë kontrastet sipas rendit, pjesët e ndara në një vend, drejt njëfarë përmbushjeje, shpëtim, shëlbim dhe shugurim.

Nga Dumitru Velea

Duke admiruar poezinë e këtij shqiptari të shquar, kuptojmë se të njëjtat besime e motive të stërlashta shtrihen, që nga trojet rumune e deri në brigjet e bekuara shqiptare, disa nga to duke mos patur parasysh relievin apo gjendjet e kohës. Nëse nga kthimi nga varrimi nis të bie shi, do të thotë se qan qielli që do të thotë se ai njeri i shkuar në botën e hijeve ka qenë njeri i mirë dhe i drejtë. Kurse, nëse ndodh të ketë qenë njeri që s’e ka përjetuar botën, dmth. beqar apo beqareshë, varrimi gërshetohet me dasmë, vdekja me nusërim, natyrisht për të mos ndodhur kurrfarë çrregullimi në Botën e Poshtme dhe asfarë mospërmbushjeje në Botën e Epërme. Vajtimi shumëfishohet pa masë, duke u dukur se si brenda një çasti gërshetohet ajo që dihet e ndarë, por dhembja shkarkohet porsi qielli përmes shiut. Një katarsis poshtë, një tjetër lart, një katarsis i ditës së përgjakur në nivelin e një komuniteti në Kosovë, është edhe lamentoja për vdekjen e pakuptimtë të Zanës, e shkruar nga poeti shqiptar Sali Bashota.

Kemi fat që librin „Shiu pa Ty” (Editura Do-Minor, Bukuresht, 2008), të na e bëjë edhe neve të njohur Baki Ymeri, duke i rikënduar me një mjeshtëri të rrallë artistike dhe profesionale, tekstet respektive në gjuhën rumune. Autori na ofron shprehje impresionuese që „shpërthejnë” nga ngjarjet e ndezura në brigjet kosovare, trauma që kanë kaluar përmbi jetëra njerëzish që s’e kanë përjetuar jetën, duke na prurë edhe disa poezi të shkruara në fazën e parë të krijimtarisë së këtij shqiptari të famshëm. Erosi ekspanziv i tyre, që shëmbëllen me moshën adoleshente të autorit „rimon” me adoleshencën e Zanës, si një kurorë mbi ballin e saj të çiltër, që shkëlqen me shëmbëlltyra parajsore. Erosi shtrihet si mundësi dhe lulëzon për t’i vënë gjërat në një vend, dhe për t’u shndërruar në një platformë të shëndetshme për njeriun e hapur ndaj qenies dhe bukurisë divine/hyjnore. Ndërmjet kësaj ndjeshmërie qëndron peshorja e drejtësisë. Dezekuilibri vjen nga jashtë, duke e ndarë atë që duhet të bashkohet. Kështusoj lindin vetmitë, shakmisjet e dhembjet. Sali Bashota e shpalon matricën gjenetike të realitetit të poezisë së vet, madje mu në këtë eros të plagosur.

Plaga parandjehet në çdo nivel dhe horizont të realitetit problematik, në çdo shpalim të vetvetes personale dhe kolektive. Prej këtu buron një lamento konkrete dhe subjektive, korale dhe objektive, reale dhe magjike, njerëzore dhe kosmike, prej njeriut dhe tejmatanë njeriut, nga vendet e hapura për përmbushjen e tij. Fazat e këtij transformimi mblidhen dhe bashkohen, duke „thurur” këto dy pjesë të librit (Bukuri e fjetur dhe Zjarri i afshit), dhe shpalohen deri në linjën e hollë, memzi të perceptueshme, që synon tonin dhe harmoninë. Më parë vjen determinacioni që ndërlidhet me titullin e librit Shiu pa Ty, dhe i shndrit horizontet tokësore dhe Hyjnore, nga e tanishmja dhe nga aurora magjike: Ajo dritare me xhama të thyer, vazhdimisht e rikrijojnte imazhin se shiu kurrë nuk do të ndalej dhe toka kurrë nuk do të ngopej nga uturima e piklave që e formonin atë pellg të çuditshëm të ujit. Megjithatë, qielli ishte i lumtur sepse e zbrazte në tokë pjesën e lotve të tepërt, ngrakuar me dhembje, mëkate, frikë, trishtim, vetmi… (“Shiu pa Ty”).

Ky libër tubohet nga lotët e qiellit për shpirtin e një komuniteti, në vdekjen e vashës së pafjashme, e quajtur Zanë. Ajo lartësohet si një lamento nga klithjet e erosit të plagosur. Meqë u arrit deri te ndarja nga ajo që kërkon të jetë e bashkuar, bashkimi duket i shembur me pjesët e rëna në zonat e ftohta të vetmisë. Vetmia merr pamje të shumëfishtë me tentativat e tërësisë, e hapur në brendinë e realitetit, apo në të dyja njëkohësisht. Ndarja rrugëve të terratisura të historisë duhet përmbysur mbi rrugët e ndritura të njeriut dhe divinitetit. Është misioni i poetit, i dashurisë nga zemra e zhuritur për ndjeshmëri. Atij i është dhënë të plasojë kontrastet sipas rendit, pjesët e ndara në një vend, drejt njëfarë përmbushjeje, shpëtim, shëlbim dhe shugurim. Kështusoj vepron edhe Sali Bashota, duke afruar të dy pjesët e librit me bukurinë e fjetur dhe zjarrin e afshit me vdekjen me jetën, duke e gërshetuar njërën me tjetrën, falë dashurisë që jep jetë. Koha e kalim/përjetimit, e ardhur arbitrarisht në shpinë të njeriut, është  prekur pranë shiut të artë, pranë vjeshtës e shiut, edhe nga “shiu i zi i mërisë” ku “zëri qan”, pra, e prekur nga uji e loti.

Ndërsa aksioni, shkurtimisht thënë, është i determinuar nga kalimi përmes vdekjes i bukuroshes së fjetur, pra, nga zjarri e zhuritja, nga zhuritja deri në shkrumb dhe topitje/shkrirje. Nga shpirti i poetit, pra, në shpirtin e komunitetit. Kontrastet që vijnë njëri pas tjetrit, të befasojnë gjatë librit, të hapura e të mbyllura nga njëri-tjetri, shkrirja duke mos qenë tjetër veçse zjarr i pashuar. Përmes ujit e zjarrit ndriçohen dhe purifikohen shpirtërat: përmes projeksionit erotik, të një çifti virtual; përmes lamentosë për Zanën e një populli të lashtë, trim dhe besnik. Përmes vdekjes së saj kalon shpirti i poetit dhe shkrihet. Përmes jetës së tij ngjitet shpirti i saj „i shkrirë”, dhe e ndez zjarrin e dashurisë. Fjalët e poetit shqiptohen si këngë djepi. Një ninullë të këtillë ia pat kushtuar edhe Perr Gynt-i nënës së tij,  Åse, kur pat kaluar në botën tjetër). Pra, përkundja e tyre „lulëzon” erotikisht:  Tashti fli/ Në shtratin e butë me pupla zogjsh/ Fytyrën mbuloje me fildishin e papërshkruar/ Faqet të skuqen kur rrëshqet buzëqeshje e pjekur/ Flokët shtrijë mbi jastëkun plot ëndrra fati/ Buzët oh buzët lehtësisht mbyllen me një të puthur/ Gjinjtë digjen zjarr në aktin e parë të përqafimit (Por mesnata vret gjumin dhe çdo yll në qiell)/ Tashti fli/ Në kopshtin e vetmisë këputet lulevjollca/ Lind dashuria vijnë njerëzit e gjallë/ Me melankolinë e pritjes së lajthitur/.../ (Por mesnata vret gjumin dhe çdo yll në qiell)/ Tashti fli/ Shpirti im i tretur (“Bukuroshja e fjetur”).

Përmes vdekjes së saj, dashuria që përçon jetën, e thotë edhe ajo fjalën e saj, porsi te „Kënga e Këngëve”, që është më e fuqishme se vdekja. Në hipostazën e projeksionit, dashuria prek horizonte hapësinore dhe temporale (kohore), të përmbysura dhe të rikthyeshme, të tmerrshme e të ndritura. Kështusoj ngjet që poezitë paraprake palohen në latent, porsi petalet në një lule. Zjarri i sjell pranë dhe i purifikon, ndërsa shpirti i saj i çiltër, i pastron dhe bekon përmes shiut: A s’të thashë se do të dashurohemi/ Poemë vjeshte do të shkruhej atëbotë/ Ndërmjet shkrumbit tim e buzëve të tua/ Sepse ti çdo gjë të shëmtuar/ Çuditërisht nga gjakimi e largon. (“A s’të thashë e dashur”).

Ekziston te Sali Bashota një ngjitje kontinuitive në drejtim të dritës dhe një shkrirje e shumëfishtë në këtë. Qarja gërshetohet me dritë. Simbolika e zjarrit ngarkohet me kuptime të ngjashme me ato që i pat paraparë Efesi në Obskuritetin e Madh, duke na transmetuar në një lëndinë fjalësh vështirë pë t’i kuptuar përmes mospërfshirjes së tyre. Sali Bashota na e ofron fytyrën e përgjakur të gjërave, duke e zhytur në subjektivitetin e tyre dhe të botës, dhe pastaj e shndërron në dritë: Ti je zemra ime e zhuritur/ Në një kohë shqetësimesh të mëdha („Pritmë pak”). Apo: Ti as që beson/Se syri im të jep dritë („Për syrin tim për Dritën”). Te ai, drita dhe dashuria gjenden në një ekuacion të shenjtë, secili është refleksi dhe mirësia e tjetrës. Njësoj si drita, dashuria nuk ndahet: Nëse sall pak më ke dashur/Kthema jetën e amshuar/Shtigjeve deteve brigjeve („Lojë pa hile”). Ajo mbetet, për mahnitje të çdokujt dhe çdo gjëje, atdheu i premtimit: E ruan tash e dymijë vjet/Tokën e premtuar për dashuri/kur regëtin mot i ligë („Dashuritë”). Ajo e siguron çdo gjë, porsi jeta, njohjen dhe dritën: Çdo gjë ka kuptim të thjeshtë/ Vetëm të grisësh është ditëvdekje// S’të lë në pyllin e panjohur/ Ndonëse qyqja mund të këndojë/ Këngën që të vret për së gjalli// As pa diell s’të lë/ Fëmijët do të vijnë pas/ Vetëm e tëra të mos thërrmohesh (“Edhe pak dashuri”).

Sali Bashota është një poet vlerash të mirëfillta që di se ç’do të thotë fqinjësia e vdekjes dhe mallkimi i historisë. Ai shkruan thjeshtë, njësoj siç loton syri, pa „lojërat e lazdruara” të poezisë që s’ka dëgjuar për çarjet mes manifestimeve dhe sfondit të botës, apo për faqet e bardha të cilave u mungon historia. Dashuria që ai e ndrit me shpirtin e rij, ka kaluar përmes ujërave të vdekjes. Shumë të fejuar e të fejuara, kanë arritur në varr duke lënë përsipër dritën e tjetrit: Mërgon e Vluara plot hirësi/ Shtrydh dashurinë përmbi varr/ Në vend lotsh pikon shi/ Trupi i martirit mbështillet me zjarr// Me ninulla përkundet dhembja/ Peizazh ekzili i kuq i zi/ Prehet shtatë pashë thellë zemra/ Këndon e Vluara për nusëri (“Martirja e dashurisë”).

Ai zbret së bashku me poezinë përmes çarjeve ndërmjet manifestimeve dhe fundit të botës në vend të viktimës dhe kompensimit. Pastaj, e risjell në sipërfaqe, kur është e butë, e ngrohtë dhe e bekuar. Një katarzë – kanë thënë ata që ishin para nesh, që patë parë shumëçka mes jetës e vdekjes, dhe të cilët patën dëgjuar kore të hidhura për këtë. Po kështu e pagëzon edhe Sali Bashota një poemë nga kjo lamento për Zanën, një poemë që do të ligjërojë edhe për barrën e poezisë në këtë kohë pothuajse të pakohë. Në këtë kohë të trubullt të mbështetur për muri/ Ti ma vret tronditjen në orën pesë të mëngjesit/ Kur fjalosemi për lirinë e lidhur në pranga/ Ngushëllohemi duke i bastisur ëndrrat  kobzeza/ Për piklat e gjakut në shtratin e Prokrustit/ Ti ma vret tronditjen në orën pesë të mëngjesit. (“Katarzë”).

Në këtë drejtim, për poetin ora e daljes nga nata është „ora pesë e mëngjesit”. Ajo është ora kur poezia duhet të anulojë autonominë falso ndaj reales së dehur e të lazdruar nga ligësitë, është ora kur e vërteta duhet ta thithë për ta bekuar me shëlbim, duke e mbështjellur me dashuri, ngase asgjë nuk mund të triumfojë pa dashuri. Ajo vjen nga horizonti i pranverës, së bashku me Fjalën: Njëqind vjet e kam dashur kurrë s'e preka/ Gjinjtë i kishte të verdhë si loti i dhembjes sime / Po ajo ishte vetëm një ëndërr e zmadhuar/ Në melankolinë e trishtimit. (“Ajo ishte vetëm një ëndërr”). Dhe shkëlqen mbi njeriun si bukuri dhe liri. Njësoj si shpirti. Dashuria gjithmonë ka fytyrë, si në dukshmëri, poashtu edhe në padukshmëri. Sali Bashota e përshkruan dhe i lartëson himne të njohjes dhe lamentosë së tij, me shkallë të dukshme: Kur të pashë kur të njoha kur ti shkëlqeve/Përnjëherë të gjithë zogjtë e robëruar fluturuan/Mbi simbolin e bukurisë tënde/Përqafimin më nuk do ta ndëshkojnë frikacakët/A je Zanë mali apo vetëm dhembje/Që e fsheh shikimin e përlotur mbi bebëza/Himnin e dashurisë s'mund të gozhdojnë më nëpër mure/Lëre dritaren hapur vetmia të mos krimbe/ Lulet të mos copëtohen nëse ndodh zhgënjimi/Në parajsë purgator ferr takohemi si hije të gjalla/Pritja shndërrohet në shekull/Ti je Zanë mali apo vetëm dhembje/Që papritmas përjetësohesh nga bukuria/Kur ëndërron kur buzëqesh kur flet (“Zanë Mali apo vetëm dhembje”)

Nga fanitjet e padukshmërisë shkulet një forcë magjike që shndërrohet një një veprim të gjallë në spektrin e ndjeshmërisë dhe dukshmërisë. Kjo vërehet konkretisht në poezinë „Zana apo figura e ëndërruar” apo me vargjet tjera, si: Tani shoh fytyrën e saj/ në qiejt e mbushur me lot („Fytyra tjetër”). Në sfond, ky veprim gërshetohet me atë të poetit dhe poezisë, duke e transformuar kuptimin e vdekjes: Nëse vdes poeti/ Mbi Malin e Shenjtë/ Duke e shkurtuar flokët e Zanës/ Vdekja do të ketë kuptim tjetër/.../ Sepse nuk vdes poeti („A vdes poeti”).

Në pjesën e dytë të librit Zjarri i pasionit, rimerret në prozë poetike lamentoja për Zanën, këtë herë, nga niveli i komunitetit. Që nga shikimi i realitetit, deri te evidencimi i irealitetit. Për shembull: Çuditërisht, të gjithë e shikuan se si i buzëqeshi fytyra dhe si u skuq nga ajo heshtje e vrarë. Ishte një çast i zjarrtë i shikimit, i përplasur midis jetës e vdekjes. Pas pak, Zana u shndërrua në engjëll. Oh, sa bukur, engjëlli po qesh- thanë vetmitarët. Po afrohet drejt njerëzve. Po i kafshon buzët. Pastaj, ajo dalëngadalë filloi të rrokullisej me tërë fuqinë e shpirtit të vet, drejt parajsës. Më vonë, vrapuan fëmijët për ta zënë bukurinë e saj, në një shesh të madh, të mbushur me lule të bardha. Ajo fluturoi. Ajo u shkri e tëra.  Ajo u shkri e tëra në hapësirë. (“Bukuria”).

Rrudhat e gjëra të kësaj proze poetike prekin gjurmët e përgjakura të Zanës së shembur mbi dhe, dhe njëherit, përmes tyre shihen duke shkëlqyer yjet e qiellit. („Ajo ishte gruaja më e bukur në qytetin e pushtuar”). Duke mbajtur dhe ruajtur metaforën, ato ndjenja fluturojnë mbi trupin plot dritë të një vashe, që për shkak të ligësisë së vdekjes së poshtme, na kundron nga Lart me dritë dhe jetë, duke na e përkujtuar vazhdimisht erosin e plagosur: Ka shumë net, kur nisi të shfaqej fytyra e saj, si hënë e plagosur në qiellin plot yje („Hëna”). Dhe poeti Bashota e shikon, e ndjen dhe e di këtë.

Përfundimisht duhet thënë se poezia dhe proza e tij poetike reflektojnë universin dako-dardan apo trako-ilir të sivëllezërve tanë „të të njëjtit gjak”, siç shprehej Hashdeu për shqiptarët. Ato janë popullore në kuptimin se fjalët e tyre mund të rrokullisen në gjuhën e çdonjërit në komunitetin e poetit, ngase dhembja nuk ka emër, por vetëm britmë dhe e vërteta e saj është unike për të gjithë. Në të njëjtën kohë, zëri i Sali Bashotës dëgjohet si një lamento. Jo vetëm për Zanën kosovare, por për jetën e çdokujt. Dhe ne e ndjejmë, e kuptojmë dhe pranojmë në çdo kuptim.

BOX

SHUGURIMI

Ishte dita e nëntë e shugurimit të Zanës, në qershorin e vitit 1996. Një zgjim i kobshëm i ëndrrave, sikur bënte dyluftim me vetveten, në dhomën e errët, të mbushur me flokë të thinjura, të atyre njerëzve ende të gjallë. Çdo gjë i përngjante pamjes ogurzezë apo  piklave të bardha të pikëllimit, të shkrira në një pikturë abstrakte, apo duarve të përgjakura dhe syve të verbuar, apo madje përndezjes së ndjenjave mbi trupin femëror, ku shkëlqente bota e blertë e dashurisë, apo marshimit të ushtarit me armë në dorë, duke i kapërcyer Bjeshkët e Nëmura, apo krijimit të portretit madhështor të një mbretëresheje, rrethuar me mëndafsh të kuq dhe ulur në karrige të zezë, apo krimit të panjohur, i cili e formësonte dhe e ndjente instinktin e hakmarrjes për atë vrasje të dyshimtë në muzgun e çmendur, gjithsesi, përbrenda asaj ulërime të rëndë nga depërtonte drita verbuese, duke sunduar natën e therur plot faje, apo krijimit të  rruzullimit tjetër mbi lëkurën e djegur të mashtrimit plot parandjenja të liga, apo prapë se prapë ai zgjim i kobshëm i ëndrrave u shënua vetëm në ditën e nëntë të shugurimit të Zanës, në qershorin e vitit 1996.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora