E premte, 19.04.2024, 03:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Marjan Sebaj-Sopi: Intervistë me Don Lorenc Sopin

E enjte, 01.11.2012, 08:55 PM


“…kahdo që kam shkuar vendlindjen dhe dashurinë ndaj saj e kam bartur me vete, duke kujtuar shumë njerëz të mëdhenjë që ka dhanë, sidomos të parët tanë martirë.“

Intervistë me Don Lorenc (Ndue) Sopi, famullitar në Klinë

Nga Marjan Sebaj-Sopi

Shfrytëzuam rastin dhe mirësinë e tij që në këtë numër të fletushkës sonë ta kemi  bashkëbisedues Don Lerenc Sopi-n, meshtar modest, i përvuajtur, i urtë, i thjesht, por bujar, zemërgjerë, i dashur, i afërt e largëpamës… Ai edhe pse i zanun me punë të shumta këto ditë, para festave të fundvitit, si gjithmonë me zemërgjerësi, dashamirësi dhe dashuri iu përgjigj ftesës dhe dëshirës sonë.

Biografia e shkurtër

Don Lorenc Sopi, u lind me; 21. 05. 1959 ne Binçë, nga prindërit Ndue dhe Tereze, lind Llukes, është fëmija i pestë me radhë nga nentë sa ishin. Shkollën fillore e kreu në Viti. Pas mbarimit të shkollës fillore vijon gjimnazin klasik në seminarin “Paulinum” në Suboticë, në përgaditje për meshtar, ku pas mbarimit të suksesshëm të maturës vazhdon fakultetin filozofiko-teologjik në Zagreb, në Kaptol. Don Lorenc Sopi, shugurohet xhakon me; 29. 06. 1985., në katedralen e Zagrebit, kurse, me 12. 07. 1986., shugurohet meshtar në Binçë.

1. Marjan Sebaj-Sopi: Don Lorenc, do t’na lejoni që gjatë kësaj bisede t’ju thrrasim don Lenc siç jemi mësuar nga dashuria dhe afërsia ndaj Jush. Ju jeni nga famullia e Binçës përkatësisht nga fshati Binçë. Çka mund të na thoni për fshatin Binçë, nga historiku i saj, mbi jetën e të parëve tanë në përgjithësi, në pika të shkurtëra?

Don Lorenc Sopi: Për fshatin Binçë kanë shkruar dhe folur shumë njerëz më të mëdhenj dhe ma të dijshëm se unë. Ajo çfarë do të thoja shumë shkurt është kjo: jeta e të parëve tanë më së miri ilustrohet në thirrjet e shumta të meshtarëve dhe motrave që ka dhënë kjo famulli, e që pa dyshim janë fryt i flijimit dhe sakrificës së madhe të të parëve tanë, për ideale të mëdha e të shenjta që ata kishin për fe dhe atdhe. Gjaku i tyre ka ujitur këtë famulli martire me hire dhe bekime të shumfishta duke veçuar në rend të parë thirrjet e shenjta.

2. Marjan Sebaj-Sopi: Çka kishit veçuar, ndonjë përvoj apo përjetim Tuaj që keni në kujtesë, që iu ka lënë më tepër mbresa që atëherë si psh. nga jeta fëmijërore në familjen dhe fshatin tuaj, në rrethin ku u lindët…, përvoj me shokët nga banka shkollore etj? Ndonjë përvoj apo përjetim?

Don Lorenc Sopi: Edhe pse si fëmij në moshën 15 vjeçare jamë larguar nga vendlindja, megjithatë në memorien (mendjen) time janë të regjistruara shumë gjëra që kanë të bëjnë me jetën në familje dhe në famulli. Do të potencoja gëzimin e madh që mbretëronte në familje me rastin e përgaditjës për festa, me theks të veçant Krishtlindje dhe Pashkë. Edhe sot ndër vesh të mi jehon lutja plot përshpirtëri dhe gëzim i gjyshit Mhill. Ky lutjet i thoshte me aq shumë dashuri dhe përjetim saqë nuk mund ti përfundonte pa qarë nga gëzimi i madh për hiret e mëdha dhe të shumta që Zoti i dhuronte familjes dhe famullisë. Si fëmij nuk e kisha të lehtë ta kuptoja as unë e as të tjerët përse qanë, kur ne të gjithë gëzoheshim; por ja se më vonë e kam kuptuar. Pastaj, kujtoj rrethanat e vështira të asaj kohe për jetë dhe shkollim, edhepse ndonse familja kishte kushte ma të mira, por jo edhe të gjithë të tjerët. Kjo ka bërë që të mësoj shumë për bamirësinë ndaj të tjerëve, jo me fjalë, por konkretisht, duke parë veprat e pleqëve tanë bamirës, sipas shembullit të Krishtit: “Mos ta dijë e majta, ç’farë bënë e djathta“. Ndërsa sa i përket bankave shkollore, më duhet ta kujtojë Dodën e Gapit (Dodë Dodaj) fqiun, i cili punonte si nënpunës në Viti, dhe shpeshherë më kapte (merrte) për dore nga shkolla e deri në shtëpi. Isha në klasën e dytë, në ndërrimin e pasditës, dita ishte e shkurtër e shok jo edhe aq sepse bashkëmoshatarët e mi vijonin mësimin para dite.

3. Marjan Sebaj-Sopi: Juve jeni pasardhës i një familje të martirizuar për fe e atdhe, një familje me ndjenja të larta fetare dhe kombëtare dhe kuptohet nga një edukim i tillë fetar është më se e kjartë se ajo ndikoi në zhvillimin, perceptimin dhe përcaktimin tuaj shpirtërorë dhe nga kjo Ju qysh në moshë të re, të njomë, keni ndier thirrje për të ndjekur rrugën e meshtarisë, dhe kësaj ftese të Zotit iu përgjigjët menjëherë. Çka ishte ajo vendimtare për përcaktimin dhe pranimin e këtij zëri, Zëri i cili ju ftoi të jeni nxënës i tij?

Don Lorenc Sopi: Thirrja nuk mbin (nuk del) mbrenda natës, por ajo mbjellët, kultivohet dhe përpunohet më mësim dhe shembull të mirë. Kjo nuk ka munguar kurrë në familje. Nuk ka mësim të veçant për thirrje, është ai i vetmi, i Krishtit, për mirësi dhe dashuri, i përcjell me flijim për të arritur këto synime. Krahas kësaj, ishte edhe shembulli i mirë i meshtarëve dhe motrave që shërbenin në famulli, por edhe ai i axhës Imzot Markut dhe meshtarëve të tjerë që kishim në gjirin familjar. Me një fjalë thirrja është diçka që ndjehet e jo vetëm zë që ndëgjohet, sepse ka shumë që ndëgjojnë për thirrjen, por nuk e ndjejnë në vete. Pas një edukimi të mirëfillët veshët janë ma të gatshëm të dëgjojnë e zemra të pranojë.

4. Marjan Sebaj-Sopi: Don Lenc, pas mbarimit të suksesshëm të shkollimi tuaj për meshtar, u shuguruat dhe menjëherë morët përgjegjësi e dëtyra si meshtar i ri. Cilat ishin sfidat me të cilat u ballafaquat si kapelan, meshar i ri, dhe ndoshta ende i papërvojë, e në një mentalitet krejt ndryshe nga ai ku u shkolluat thuajse për një dekatë?

Don Lorenc Sopi: Vërtetë mentaliteti ishte krejt ndryshe jo vetëm nga vendi ku u shkollova, por edhe nga vendi ynë Binça. Mirëpo, për fat të mirë nuk ishte ky mentalitet i panjohur për mua, sepse në atë famulli nga viti 1974., shërbente si famullitar Don Mark Sopi, nga i cili kisha mësuar edhe më parë për këtë famulli të cilën kohë pas kohe edhe e kisha vizituar. Mirëpo, tjetër është të dëgjosh e tjetër të ballafaqohesh me atë realit. Unë sikur edhe gjithë meshtarët e rinj kisha përparësi, sepse lehtë është të veprohet kur je pas lisit të sigurtë që të mbron. Ky lis ishte don Marku i cili kishte dashuri, durim dhe respekt për bashkëpunëtorë të cilët porsi një babë i mirë i mësonte dhe këshillonte për të gjithat. Edhepse isha para shumë sifdave dhe realiteteve të reja, mirëpo nën përkujdesjen atërore të famullitarit ishte kënaqësi të veprohet dhe të tejkalohet gjithçka.

5. Marjan Sebaj-Sopi: Në famullinë e Pejës ishit të pranuar dhe dashur nga të gjithë, veçmas nga rinia e saj. Këtu siç cekët shërbyet për dy dekata radhazi. Çka mund të na thoni për këtë famulli e cila gjindet krejt në veri të Kosovës? A kishit vështirësi në pastoral e në kryerjen e obligimeve tjera fetare dhe cilat ishin ato?

Don Lorenc Sopi: Pas 15 muaj shërbimi e udhëzimi në famullinë e Zllakuqanit, Imzot Joakim Herbut-i në shtator të vitit 1987., më dha dekretin për kapelan në Pejë. Me famullitarin don Gjergj Gjergjin bashkëpunova për 15. muaj me rradhë. Pasi që më njohtoi me famullinë dhe punët e saj, ai u largua dhe shkoi për të vazhduar punën në Itali. Në nëntor të vitit 1988., ipeshkvi ma besoi detyrën e famullitarit. Ishte famulli shumë atraktive, jo me shumë besimtarë, por të shtrirë në gjithë qytetin dhe paralagjet e saj. Në famulli kishte pak Pejan, famullinë thuajse e përbënin besimtarët e ardhur nga i tërë rrafshi i Dukagjinit, disa për arsye të punësimit e disa për arsyra të problemeve të ndryshme si ngatresa, vrasje etj. Ma hapjen e liqenit të Radoniqit, fshati Rakoc është dashur të dislokohet, kështuqë një numër është vendosur në Gjakovë, por numri ma i madhë i tyre është vendosur në paralagjen e Pejës, në Dardani. Emërimi për famullitar ishte një sfidë e madhë për mua. Si meshtar i ri mu besua një famulli me një të kaluar të shndritëshme dhe të lavdishme, ku kishin vepruar më herët klerik të shquar si psh: Pater Lorenc Mazreku, P. Bernard Llupi, P. Luigj Palaj-Sopi, P.Shtjefen Gjeçovi, Don Marjan Glasnoviq, Don Rrok Matej e shumë të tjerë që me sukses kishin kryer detyrat e veta meshtarake dhe atdhetare. Këta emra ishtin edhe një motiv shtesë për një përkushtim dhe veprim të tërsishëm për të mirën e Kishës. Ndoshta jo mjaft të vedishëm, por ishëm para një periudhe të vështirë për mbarë Kosovën, poashtu edhe për Pejën. Koha e kërkonte shtrirjen e veprimit edhe jashta asaj shpirtërorës. Duke parë rrezikun e asgjësimit të çdo gjëje shqiptare nga pushteti i atëhershëm jugosllav, me maturi u deshë të veprohej për ruajtjen e identitit si dhe vlerave fetare e kombëtare, në mënyrë të vaçant për ruajtjen e kulturës dhe arsimit shqip. Me një maturi dhe urti bashkova rreth vetës njerëz, të rinjë e të moshuar duke organizuar dhe duke vënë në shërbim objektet përcjellëse të Kishës, të cilat do të shërbejnë për vendtakime të stukturave të ndryshme shoqëroro-politike të shtetit tonë Kosovës, të atyre karitative, shëndetësore, sportive, organizim i të rinjëve për pajtimin e gjaqeve, kurse pak më vonë këto godina të Kishës u bënë edhe vendarsmimi-shkolla e brezave të rinjë, të bijve dhe bijave tona. Ishte kjo një periudhë tejet e vështirë dhe rrezikshme, rreziqet kanoseshin nga të gjitha anët e në mënyra të ndyshme, mirëpo falë Zotit me një urti, me përkushtim e dashuri, gjithnjë në shërbim të Zotit dhe vëllaut e motrës njeri, iu shmangëm me dinakëri shumë të këqijave e rreziqeve që i kanoseshin rinisë e popullit në përgjithësi. Kjo gjendje tensionuese dhe mungesa e sigurisë e bënte të vështirë veprimin, sikur edhe mungesa e objekteve përcjellëse. Në pastoral kryenim veprimet e nevojshme si ndarjen e sakramenteve me rregull, mbanim mësimin fetar (besimin), takimet e të rinjëve, organizimet e ndryshme për festa të mëdha si Krishtlindjet, Pashkët dhe festa e famullisë, si dhe festat tona kombëtare.

Kisha (objekti) kishte nevoj për një renovim të tërsishëm. Në periudhën 1992 – 1995., u bë renovimi i Kishës për mbrenda dhe jashtë, duke ju kthyer këtij vendi të bukur në rrënjët e Bjeshkëve të Bekuara një bukuri e rrall, dhe duke i‘u dhënë qytetit dhe Kishës së bukur pamjen e dikurshme që kishte komunarja (kompanjeli).

„… Pa dyshim se Zoti kishte planin e vet për ne.“

6. Marjan Sebaj-Sopi: Përveq punës pastorale, meshtarake, që beret në këtë famulli të lashtë, ju kontribouat shumë e gjithnjë edhe në çështjen kombëtare. Ishit gjithnjë e në çdo rrethanë pranë popullit dhe me popullin pa dallim feje. Kontriboutin tuaj e dhatë me vitet të tëra në edukimin e gjeneratave të reja si në arsim, pastaj çështje humanitare (kujdesi për skamnorë, për të moshuar, për të smuar…). Ishit i palodhshëm, dhe nga në ju e gjithë ajo forcë, i gjithë ai vullnet, dëshirë dhe dashuri për gjitha këto aktivitete?

Don Lorenc Sopi: Po, ishte tejet e nevojshme të mbahej jo vetem gjall ky popull dhe ndjenjat e tij; por gjithnjë e më shumë të përforcohej në fe dhe dashuri mes vete. I tërë mekanizmi i atëhershëm shtetërorë ishte i mobilizuar dhe vepronte për futjen e urrejtjës ndërfetarë ndër shqiptar, gjë që edhe botës i servohej argumenti i pranisë së fundamentalizmit islamik të cilën pushteti serbojugosllav gjoja po e lufton. Në këto rrethana të vështira dhe të rrezikshme lypsej që populli të jetë i urtë dhe i bashkuar që të mos bie pre e propagandës së plasuar, por të bashkohet edhe ma fuqishëm. Për të arritur këtë qëllim bashkimi, natyrisht se duhej të hapeshin dyer e kishës dhe objekteve përcjellëse për ta përjëtuar atë si të veten. Fëmijtë luanin tërë ditën në oborrë, poashtu edhe të rinjët me lojë e takime të ndryshme, intelektualet me takime dhe tribuna shkencore, kurse të varfërit e të sëmuarit Kishën e kishin si vend ngushëllim, shprese dhe shërimi. Pa dyshim se Zoti kishte planin e vet për ne, andaj nga këtu rrjedhte edhe forca dhe fuqia për të kryer atë çfarë Zoti dëshironte.

7. Marjan Sebaj-Sopi: Këtë famulli të madhe e udhëhoqët në kushte e rrethana të vështira, të ndërlikuara dhe të rrezikshme historike (meqë i dimë ngjarjet e fundit 1998/99 në Kosovë). Peja si qytet i madh Kosovar ka shumë intelektual, shumë studentë etj, dhe juve me urti ia arritët që të jeni njëri ndër pikat kyqe, umbrella apo urëlidhëse në mesin e tyre, atë shpirëtërorë e vëlla i të gjithëve? Na thuani recetën me të cilën ia arritët këtë?

Don Lorenc Sopi: Dëgjoni, unë nuk di recetë, një gjë mund t’ju thëmë se asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk kam dashur ti shoh, të dallojë apo klasifikoj shqiptarët në baza fetare, të pasur apo të varfër, të dijshëm apo padijshëm, të një partie politike apo tjetëres, të një frakcioni apo grupimi tjetër por të gjithë i kam pranuar dhe konsideruar vetëm si vllezër të një gjaku, gjuhe, kulture dhe tradite të cilët kanë aspiratat dhe synimet e përbashkëta.

8. Marjan Sebaj-Sopi: Peja e dalur nga lufta, siç duket pësoi mjaftë. Juve përveq kujdesit shpirtërorë në shërimin e plagëve të shumta në popull, menjëherë pas lufte u morët edhe me një sërë aktivitetesh tjera siç janë tribuna të ndryshme, ligjerata, takime me politikaj vendor e ndërkombtar, aktivitete karitative (humanitare), sportive, ndërtime objektesh të shumta… Cilat projekte mund të na veçoni?

Don Lorenc Sopi: Me përfundimin e luftës në Kosovë, prapë hapen dyert e shtëpisë, por tani për shumë organizata të ndryshme humanitare, bëmirëse për të përfitua donacione të ndryshme që na ofroheshin për të mirën e gjithë qytetarëve në nevoj, gjersa nevoj thuajse kishin të gjithë. Lypsej shumë për rikthimin e dinjitetit dhe jetës normale të qytetarëve, të cilët sot e gjithnjë janë mirënjohës për kontriboutin e madh dhe të çmuar që erdhi më kërkësën time. Menjëherë pas luftës filluan ndihmat në ushqim, veshmbathje, në gjëra higjijenike, shtretër, shtroj, mbuloj, shtufa e shporet…, të cilat u shpërndan me tonelata. Ndihmat vazhduan edhe në ndërtim, rindërtim dhe rënovimin e shumë shtëpive në qytet dhe fshatra për rreth pa dallim feje.

Projektet ishin vërtetë të shumta, por do të veçoja ndërtimin në kuader të kishës, ku Caritasi i Venedikut ndërtoi zyret e Caritasit të famullisë dhe depot, qendrën rinore me objektet përcjellëse si dhe palestrën sportive të cilat objekte sot janë një vend i edukimit të mirë dhe të shëndosh por edhe vend argetimi për të gjthë të rinjët e qytetit të Pejës. Ky vend hapi mundësinë për mbajtjen e ligjeratave dhe tribunave të ndryshme shkencore dhe edukative.

Nuk mungoj angazhimi as në ndërtimin dhe rregullimin e shumë institucioneve arsimore; si kopshte, çerdhe e shkolla, pastaj qendra të ndryshme rekreative e të të rinjëve dhe edukimit të tyre, sikur edhe në spitalin regjional të Pejës.

Vlen të përmendët edhe ndërtimi i kishës në bjeshkët e Rugovës së lashtë dhe kreshnike, në Kuqishtë. Ndërtimi i saj filloi në vitin 2004., për ta përfunduar dhe bekuar në  vitin 2005., pikërisht në festën e Shndërrimt të Krishtit (të cilit edhe i është kushtuar kjo kishë e bukur), nga ipeshkvi i devotshem dhe udhëheqesi i matur, tashmë i ndjer Imzot Mark Sopi. Ky investim ishte i banorëve të vendit dhe i besimtarëve të shumtë.

9. Marjan Sebaj-Sopi: Dhe pas të gjithave ipeshkvi i administraturës së Prizrenit ju dekretoi famullitar në Klinë, famulli kjo e cila kishte në përfundim e sipër kishën madhështore kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, apo siç di ta quaj unë Kishë “bukuroshe e Kosovës”. Përfunduat me punën e saj dhe punët rreth këtij objekti madhështorë? Keni në plane apo ju prêt edhe ndonjë ndërtim tjetër në këtë famulli?

Don Lorenc Sopi: Po në shtator të vitit 2007., sipas urdhërit të ipeshkvit Imzot Dodë Gjergji më besohet detyra e famullitarit në Klinë, por njëkohësisht edhe e dekanit për dekanat të Pejës. Klina për kah numëri i besimtarëve por edhe për kah sipërfaqja gjeografike është famullia e dytë me madhësi në Administraturën Apostolike të Prizrenit. Pas punës së madhe dhe madhështore në kishën e filluar pas luftës nga Don Franë Sopi, mua më takoi rregullimi i mbrendshëm në tërësi, si dhe rregullimi i ambijentit për rrethë Kishës, pra oborrit, punë kjo të cilën për çudi, me një organizim dhe mobilizim të famullisë përfunduam për një kohë relativisht të shkurtër, kuptohet pranë kësaj duke mos lënë anash asnjëherë detyrat dhe obligimet tjera pastorale (baritore) dhe jetën sakramentale në famulli.

Kjo punë madhështore u kurorëzua më Shugurimin e Kishës me 22. maj 2011., nga Ipeshkvi Imzot. Dodë Gjergji në prani të shumë miqëve, bamirësve, e mijëra besimtarëve të ardhur nga të gjitha viset e trojet shqiptare dhe diaspora, si dhe në prani të instancave e individëve, krerëve shtetërorë e dashamirësve të kësaj famullie. Edhe pse është bërë shumë, sigurisht se ende ka çka për tu bërë. Dëshira ime por edhe nevoja e madhe është të ndërtoi një qëndër rinore për të rinjët e famullisë, sikur edhe shtëpinë e banimit për meshtarë. Ndërsa në filiala renovimin e Kishës në Dobërdol, dhe në Deiq ndërtimin e një kapelës së re. Shpresoj në ndihmën e Zotit dhe mbështetjen e besimtarëve dhe njerëzëve vullnetmirë.

“…secilen herë kisha bërë përzgjedhjen e njetet, TË JAM MESHTAR.”

10. Marjan Sebaj-Sopi: Kur jemi tek famullia e Klinës, ju para disa muajve pikërisht me datën 22. tetor po në këtë famulli siç jemi njohtuar edhe përmes shumë masmediave dhe mjeteve të informimin, kremtuat 25. vjetorin e shugurimit tuaj meshtarak. Vite jo edhe të pakta të kushtuara Zotit e popullit. Ishte vërtetë një festë e madhe familjiare, me shumë miqë tuaj, me shumë dashamirë dhe njerëz të fesë, të skenës politike (vendore si kyeministri i Kosovës e ndërkombëtare), të kulturës… A vërejtët se e gjitha kjo ishte një mirënjohje për jetën e punën tuaj meshtarake? Duke parë shumë sakrifica, shumë vuajtje e mundime në jetën tuaj, dhe po të jeni në pozitë të para 25 viteve, prapë do të zgjidhni thirrjen meshtarake?

Don Lorenc Sopi: Po, me 22. tetor 2011., kremtova 25 vjetorin e shugurimit tim meshtarak, kushtuar Zotit dhe popullit. Për mua ishte kjo një ditë e rëndësisë së veçant në jetën time. Ndihesha tejet i vogël para gjithë atyre miqëve dhe bashkëpuntorëve të mëdhenj, dhe të shtrenjtë për mua.

Ishte kënaqësi dhe dhuratë e veçant e Zotit të jesh në ketë rast në mes prindërve, familjarve, thuajse të gjithë vëllezërve meshtar, rregulltar e regulltare në krye më ipeshkvin, si dhe me numrin e madhe të ardhur nga famullia e lindjes, Binça. Ky ishte një shpërblim i madh për punën që jam munduar ta bëjë gjatë këtyre viteve. Vitet kalojnë, nuk ke kohë për arsye të angazhimeve të shumta të bëjsh rekapitulime të punës dhe përkushtimt në të kaluaren; por këtë më kanë dëshmuar besimtarët e Klinës dhe vendeve të ndryshëm ku Kisha atë ditë ishte e vogël për ti pranuar të gijthë, e dëshmuan poashtu edhe të tjerët me fjalimet e tyre, duke filluar nga predikatari don Albert Krista, Ipeshkvi Dodë Gjergji, Mons. Damjan Kurti, Kreministri Hashim Thaqi, z. Riza Lluka sikur edhe shumë të tjerë.

Natyrisht që mëritat i takojnë në radhë të parë Zotit por edhe gjithë atyre që me lutje më kanë qëndruar afër. Unë nuk do ti harrojë kurrë.

Jo edhe një herë, por edhe njëqind herë të më jepet mundësia të jam në pozitën e para 25 viteve, secilën herë kisha bërë përzgjedhjen e njetet, TË JAM MESHTAR.

11. Marjan Sebaj-Sopi: Don Lenc, jeni edhe nip i të ndjerit Imzot Mark Sopi, ipeshkëv i cili udhëhoqi ipeshkvinë në rrethana të vështira dhe ndërlikuara po edhe ato të luftës. Siç e dimë juve keni qenë i lidhur ngusht me te, dhe thuajse përcjellës i takimeve të shumta të Tij. Na veçoni ndonjë përshtypje apo urti të tij, që iu ka mbetur si udhërrfyese dhe orientuese në jetë?

Don Lorenc Sopi: E tërë qenia dhe personaliteti i Tij, e sidomos virtytet e shumta që posedonte më janë udhërrëfyes për jetë, sidomos për shërbim Zotit dhe vëllaut njeri, duke veçuar kujdesin ndaj të varfërve, të sëmuarve, të nëpërkëmburve dhe të gjithë njerëzëve pa dallim. Vërtet ishte i madh, e të madh e bënte dashuria për Zotin dhe Kishën, thjeshtësia, urtia, devotshmëria, bujaria, diplomacia dhe shumë e shumë virtyte tjera që rrezatonin në jeten e Tij. Për mua ishte privilegj të mësoj shumçka duke qenë afër tij në jetë dhe në momentet e fundit të kalimit të tij në amshim.

12. Marjan Sebaj-Sopi: Don Lenc, ju e doni famullinë e lindjes, që është e natyrshme, na thuani si duket rinia e kësaj famullie në sytë e juaj, përshtypjet tuaja? Dhe ju lutem, një porosi për rininë që ende gjindet në hamendje dhe e papërcaktuar në përgjithësi e në veçanti çka i përket thirrjes meshtarake, meqë famullia e Binçës siç cekët edhe vetë në fillim, njihet për dhënien e shumë thirrjeve shpirtërore?

Don Lorenc Sopi: Është shumë e natyrshme të duash vendlindjen, famullinë. Edhepse qysh i ri apo kushtimisht të them si fëmijë kam dal nga Binça, megjithatë kahdo që kam shkuar vendlindjen dhe dashurinë ndaj saj e kam bartur me vete, duke kujtuar shumë njerzë të mëdhenjë që ka dhanë, sidomos të parët tanë martirë. Andaj kemi për çka dhe me çka të mburremi dhe krenohemi. Por, nuk duhet harruar se mburrja tërhjek me vete edhe përgjegjësi të shumta. Prandaj, të rinjëve duke ju rikujtuar vlerat me të cilat mburremi, i ftojë që ato vlera të vazhdojnë ti ruajnë, kultivojnë dhe ti aplikojnë në jetë. Për fat të keq sikur edhe shumçka tjetër edhe rinia e famullisë është shpërndarë gjithkah nëpër botë, por më gëzon fakti se sikur ata në Binçë poashtu edhe të tjerët kahdo që gjinden dinë ta ruajnë dhe dëshmojnë fenë e të parëve, martirve tanë. Nuk kanë nevojë të hamenden por ti përvjelin krahët për të marrë përgjegjësitë për jetë, pamvarsisht se ku i fton Zoti. Do ti porositja që të mbajnë hapur veshët shpirtërorë dhe zemrën për të ndëgjuar dhe pranuar zërin e Zotit dhe për t’ju përgjegjur Atij (edhe në këto ditë tona) në përkushtim të përjetshem në meshtari apo rregulltari. Krishti na thotë:”Mos keni frikë…”

13. Marjan Sebaj-Sopi: Dhe për fund, një porosi për lexuesit tanë, për besimtarët e për rininë tonë në vendlindje e diasporë, për të gjithë ne, meqë tani jemi edhe para festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri?

Don Lorenc Sopi: Ruane dhuratën e madhe të fesë dhe dëshmoni para botës vlerat e shumta të trashëguara nga të parët. Ju diaspora, jini përfaqësues të denj të vendit tonë Kosovës dhe të famullisë sonë të shtrenjtë, Binçës. Mos harroni se Ju jeni ambasadorët tanë, fëtyra dhe nderi i të gjithë neve. Ju rini kujdes! Mos u jepni pas lakmive e ngashnjimeve të kësaj bote, dhe rrugëve që ju qojnë në shkatërrim të shpirtit, trupit dhe familjes. Pra, vazhdoni të jeni mburrje dhe krenaria e famullisë.

Rinien në famulli e porosisë të jenë sikur gjithëherë të bashkuar, të mbështesin, përkrahin dhe ndihmojnë Kishën, meshtarët dhe motrat në gjithçka të mirë që bëjnë  për ta. Me këto fjalë uroj për shumë mot Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Krishti i Vogël ju sjelltë bekim, paqe, dhe dashuri në familje dhe ju përcjelltë të gjithëve në jetën Tuaj.

Marjan Sebaj-Sopi: Biseda me ju ishte shumë e këndëshme, shumë e dashur dhe afërt dhe për ketë ju jemi mirënjohës. Ju faleminderit nga zemra për kohën që ndarët për gjithë ne, për lexuesit tanë. Në emër tim, në emër të gjithëve ju falenderoj dhe uroj festat e fund vititi, ju uroj shëndet, suksese e jetë të gjatë dhe të frytshme baritore si deri tani. Dhashtë Zoti të kremtojmë të gjithë së bashku edhe jubileon e 50 vjetorit të shugurimit tuaj meshtarak.

Don Lorenc Sopi: Ishte kënaqësi e veçant edhe për mua që përmes kësaj bisede të shpreh falenderimin tim për kujdesin, respektin dhe lutjet tuaja për mua.

Bisedën e zhvilloi;

Marjan Sebaj-Sopi

Dhjetor ’2011

PS. Intervista është zhvilluar vitin 2011, me rastin e 25 vjetorit të veprimtarisë meshtarake të don Lorenc Sopi



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora