E enjte, 25.04.2024, 11:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Namik Selmani

E merkure, 31.10.2012, 07:40 PM


Namik Selmani
 
AH, BOTA!

 
Mbllaçisim fjalët si çimçakizë të hedhur
Teksa mallkojmë mjegulla, gurë, ferra,
Mbesim udhëkryqeve pa patur semaforë  të gjelbër
E mbushim tavolinat me urimet krahëprera.
 
Ngrejmë avionë kur tufanet godasin qiejt e murrmë
Hedhim fjongo pranverore ku mungojnë aroma
Ah, bota, flasim si hamletianë të pagjumë
E sherrohemi mes vedi, edhe kur na thërret nevoja.
 
Ofshama jonë pjek shkëmbin në malin e thinjëruar
Thinjet kënga e ngjiz balada, legjenda, elegji.
Po kur, kur, do të heshtim si fëmijë të urtuar
E kohës që prekim t’i falim mençuri?
 
Ah, bota , klithmojmë si kreshnikë të rilindur
Teksa lumenjtë thahen kur del lumi i fjalëve tona
Diogjeni fshihet dhimbshëm me qiririn e fikur
Dhe ëndrra jonë filizë të rinj kërkoka.
 
TUPANET E FJALËS MIGJENIANE

1.
Të hapura
mbetën kanatet e këngëve liridonash migjeniane.
Antivirusi i Harresës
na e ka rrekur lumnueshëm memorjen e Kryepoetit lavërtar
Një dorë pendëartë
zgjatet drejt kështjellarëve nëpër gurët e bedenës flakadane.
E padurimthi
fort po hapka fletët e lavdisë, bash si përqafen valet mbi valë.

2.
Shkërmoqshëm
mbeti grushti qëndrestar e i gjakuar i poetit kah Mali.
Kishat e xhamitë
rizgjueshëm puthkan fjalësertat, fjalë të pathëna poeti.
Dandanget këmbanore
Si flutura ëndrrash flatrojnë qiejve gazmuar nga flladi.
Një copë bukë
në duar lypësish të rinj koha dhimbshëm e thau dhe e treti.

3.
Ani, poet gjokspikëllima
ku ylberet hyjnorë të shpirtit munden pagjakshëm nga tufanet.
Ani, Kalorës i Dhimbjes,
që vrullon e vrullon pa u ndalë në udhët mërgimtare.
Po si s’u theqaf
kjo kreni e shtirur poltronash, prostitutash, kjo kohë vrastare?
Po si s’u tha
ky pikëlot syve të Lulëve dhe Zenelëve, shpesh me duar pa shkronjat amtare?

4.
Dielli u venit,
E kaltërisisë ia hoqën qilimat e odës së laahtë të maleve.
Tupanet e Fjalës tënde
si s’i dëgjojnë shkëmbinjtë që hepohen ndër humnera njëherësh.?
O Ditëvdekje migjeniane
që terratiseni mes një karvani këngësh majëkrahu, telash bjeshkatare
Mes testamenteve gjyshërore
mos mbetshi si fletëvolante të një fushate në tribunat pa njerëz.

5.
O Fjalë poeti
me mërmërima pëllumbash, me mëmësi lehonore ndër qelizat gjakblerta
Ku Ora e Kohës
nuk njeh çirakë të ndërrimit, udhëtarë të një kthimi tragjik
Një turme
mund t’i thahen në duart e lodhura lulet për idhujt pa krena
Po kurrë, kurrë,
s’i thahen fjalët e lume të POETIT që riçelin rreze, filizë….

6.
Tupanet e Fjalës së Rrejshme
u bafshin lëmashk për guva e për hapa të hedhur!
Kollë e Kohëkrisjes
Ta kallë kollën e poetit në turravrapin parajsor.
Në ditëvdekjet migjeniane,
sup më sup, e gojë më gojë, e duarmbështetur
Dhe tingullin e fundit të këngës
Në katarakt ta kthejmë për gjakun e frymën që vlon.
 
PRANVERA E TETOVËS
(Vëllezërve shqiptarë në Maqedoni)

Hej, ç’më dehe gjer në palcë, moj pranverë e Tetovës
Për stinët e moshës sime ngrite dolli me parfume urimesh
Në dasmat e reja po m’i hidhke të tjerë margaritarë kurorës
Në ezanet e mbrëmjeve të tua më dhuron pa fund fjalë mençurie .

Hej ,ç’më bëre div përrallash, moj pranverë e Tetovës
M’i zgjate krahët e sytë ç’m’i bëre çerdhe dallandyshesh
Mund të shkel i menduar anekënd në viset e Botës
Po mbi barin tënd më vetë Perëndinë dashkam të ulem.

Hej, Mixhë, më trego si e kaluat Acarin e Dimrit
Si e bëtë theqafjen e Kuçedrës së Bardhë?
Për t’iu gëzuar lules e barit, blegërimës e zgjimit
Më jepni një kalë të pres në rudina agimin. e artë

Dashkam të ulem këmbëkryq në këtë qilim malesh
Ku trëndafili i gazit çelka dhe në bukën e sofrës së vjetër
Një valle flladi më bëka plak me moshën e Sharrit
Një këngë trimash më merrka në duar si fëmijë i përjetshëm.

Hej, Pranverë e Tetovës, mos m’i mbyll Portat e Blerimit!
Në vargjet e poetëve të tu më lër të prek gjurmët që do të shkel nesër
Në se një ditë, gjer në qiell telat e doganës do t’i shtrijnë,
Me Kodin e Bashkimit do t’i rilidh zemrat njëra pas tjetrës.

Heeeej, o Pranverë e Tetovës…!
 
ANËS LUMIT TË VARDARIT

Anës lumit të Vardarit
Do të bëhem kalë pa fre.
Plis i vetëm i ugarit
Grurë e misër do të jem.
Ç’do të ish Luginë e Blertë
Pa një hap e pa një varr”
Pa një lule mbirë në bjeshkë
Pa një këngë e lahutar?

Ç’do të ish rrjedhë e Vardarit
Pa flamurin me shqiponjë?
Kur të thahet palcë e barit
Do të thahet ëndrra jonë.
Nëpër lule Gostivari
Do të bëj me mijëra pena
Do të gdhend me shkronja zjarri
Shqipen tonë fjalëbuqeta.

E do shkruaj gjithë këngët
Mos i kalbë kurrë harresa.
E do zgjoj lavdinë e rëndë
Për një lumë me zëra brezash.
Nëpër shpate rreze dielli
Do ta zgjoj Ahun edhe Lisin.
Që më shpejt ta gdhendim djepin
Për fëmjët që do lindin.

Anës Lumit të Vardarit
Do të zgjoj këngë e legjenda
Nëpër duar flamurtari
Të blerojë nga mot kujtesa.
Në m’u ngectë grykës një fjalë
Nëse hapi më ndalon.
Nga Vardari merrni valë
E më bëni një kurorë

Shënim

Kjo poezi u krijua dhe u recitua në mjedisin e sallës së komunës së Çairit në Shkup. Aty ishin ftuar drejtorët e shkollave shqipe të Maqedonisë nën kujdesin e kryetarit të komunës Izet Nexhipi dhe të ekipit të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare (Tiranë) për të diskutuar për njësimin e teksteve dhe të programeve të shkollave shqipe në trojet amtare dhe në diasporën shqiptare. Për të gjithë delegacionin e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare u dorëzua Mirënjohja “Skënderbeu” nga kryetari i Komunës.



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora