E premte, 29.03.2024, 08:16 AM (GMT)

Kulturë

Thani Naqo: Maja e kosit dhe termometri

E hene, 29.10.2012, 07:29 PM


HUMOR-ESSE PËR MAJANË E KOSIT DHE TERMOMETRIN

Nga Thani Naqo

Nuk ta plotësoj dot dëshirën, miku im...Në demokraci është shenjtëruar liria e fjalës dhe, pikërisht shenjtëria, është ajo që më pret vrullin e guximit për të "mprehur" syrin kritik ndaj artit në përgjithësi.

"A mundesh të veçosh të shkruarit letërsi me grafomaninë - pyet ti.

Më mirë mos i përgjegjem direkt kësaj pyetje pasi unë e parandjej se ty do

të të përdridhen vetullat me këto që do të pohoj më poshtë. Ti ke krijuar përshtypjen se unë jam "kokëkrisur" (kur vjen çasti) për të dhënë mendim personal, por sot, që ta dish, edhe krisjet riparohen dhe nuk meren vesh ku janë ngjitur apo qepur. Ti pret me padurim që unë të shpërrthej me gjuhën e ashpër të kritikut të artit; mirëpo nuk mundem. Ja përse nuk mundem: nuk kam asnjë lloj ideje e njohje mbi skemat kompozicionale si trajtohet arti i politikës, ai i estetikës dhe as për vepra letrare. Kjo nuk është për fajin tim; autodidakti i druhet përballjes me diplomatë dhe kritikë të mirëfilltë; porse kjo drojtje mua nuk më pengon të shfrytëzoj shenjtërinë e fjalës së lirë: sa ja hedh sytë një tablloje, bëj dallimin kujt rryme i përkasin ato ngjyra; ashtu siç dalloj edhe një lajm gazete se nga cila parti politike e tërheq kërraba autorin e saj. Di të dalloj realen nga irealja; siç di, gjithashtu, ç'është racionalja dhe iracionalja. Kjo e fundit, (iracionalja,) më vjen për shtat. (S'kam ç'bëj, miku im: fantazinë nuk e vë dot në fre!) Këtu fillon e mira dhe e keqja ime: më pëlqen të shfaqem iracionalist më shumë sa jam në të vërtetë, kurse ti lëshon dyshimin "mjer" unë që jam formuar i tillë. Të formohesh në rrugën e vetmisë autodidakte, do të thotë të shtosh "dozat" e përjetimit gjer aty ku nuk mban më "emëruesi i përbashkët", përndryshe rezultati i thyesës del = 1. I dredhoj me marifet fotonatyralizmit, miku im! Bëre mirë që ma përmende "rrezikun e natyralizmit" dhe të falenderoj; por unë nuk e kam shtrydhur ndonjëherë trurin për të "peshuar" parametrat e iracionalizmit tim, por mos mendo se nuk e kam ditur që iracionalizmi i tepruar të ngre në havadan dhe nuk i shërben as politikës dhe as artit. Që të të mbush mendjen ty, fillimisht po të kujtoj fenomenin me qumështin kur e kthejmë në kos. Ti ke punuar në baxho (fabrikë bulmeti) dhe e di më mirë se unë pse majanë e kosit ia hedhim qumështit me pikatore ose me lugën e vogël të kafes. Pse enën e mbështjellim me rrobë që ta mbajë ngrohtë dhe të zhvillohen enzimat. Mirëpo, të dy çuditemi: si është e mundur që me disa pika a, me një lugëz kafe maja, kthehet i gjithë qumështi në kos?

Ti më bën pyetje (provokuese sh.im) "çdo të ndodhë sikur majanë e kosit të deles t'ja hedhim qumështit të buallicës, të elefantit, të gomarit" dhe dyshimi yt shkon gjer tek qumështi i pelës, që akoma e përdorin mongolët jo vetëm për kos, por edhe për verë. Këtyre çudirave unë s'kam idenë si t'u përgjigjem, përveçse t'ja shkrep të qeshurës, ashtu siç më vjen për të qeshur sa herë lexoj poezi moderne shqiptare me injektim "maja" persiane, franceze, amerikane, ruse, etj.

"Si është përcjellë në shekuj midis kombeve majaja e kosit?!"

Unë t'u përgjigja: "majaja e kosit e ka zanafillën që në lashtësi, asokohe kur e gjithë lëkura e njeriut ishte e mbjellë me lesh, bishti nuk i qe rudimentuar dhe një grusht thëngjijsh të ndezur përcilleshin si dhuratë e vyer nga guva në guvë." (Shënim: kjo frazë e futur në thonjza nuk është nga mendja ime, por atë e ka trajtuar me humorfilozofik Lenini i Vogël, tani nuk më kujtohet se në ç'libër e kam lexuar.) Por unë, që të ta mbush mendjen ty, jam i detyrar që, thënies së mësipërme të Leninit të Vogël, t'i shtoj një të vërtetë tjetër; (jo ç'ndodh kur fërkohen dy re), por çfarë ndodh nga fërkimi i lodhshëm midis dy drurëve, gjersa njëri prej tyre zë e lëshon tym...Gjersa syri i njeriut, miku im, shkoi tek eshka e thatë mbi shelg, kaloi goxha kohë. Ai e kuptoi se eshka digjet ngadalë dhe i dha mundësinë që zjarrin ta çonte ca më larg se sa trasporti me thëngjij... Pastaj eshka "kërkoi" masatin që bën xixa... Ehu, miku im, kaluan mijravjeçarë gjersa u shpik çakmaku me fitil e vajguri. Ma thotë mendja se, pas çakmakut, doli shkrepsja, (nuk po përmend barrutin kinez), ama, sot, në shekullin XXI, zjarrin e ndezim me një prekje butoni elektronik! Më fal se u zgjata... Kjo nuk është për fajin tim dhe "fajin" ia hedh mënyrës didaktike dhe përjetimeve reale.

Mirëpo mua, miku im, nuk më preu meraku si u shpik zjarri, por si u shpik majaja e kosit. Që kur erdha në mentë e mia më ka munduar enigma: në ç'kontinent është zënë (bërë) për herë të parë kosi i vërtetë, kos si ky që shijojmë sot? T'i këmbëngul për në Ballkan, kurse unë po e supozoj se kosi është shpikur diku, përqark Mesdheut. Mos gjë me këto pandehma të tuat e të mijat po çuditim botën? Atëherë, që nga Mesdheu dhe gjer në Amerikë si erdhi e freskët maja e kosit kur e dimë se udhëtimi (asokohe) bëhej me anije me vela dhe duheshin të paktën gjashtë muaj? Që të mos hidhemi hu më hu, si laraskat, atë, që të shqetëson ty, unë po i bije shkurt: i njëjti fenomen, (si ky me "majanë e kosit") ka ndodhur edhe me rrymat në art, por, ca më shumë me të të shkruarit të letërsisë; për të cilat edhe ti edhe unë tani kemi filluar të "kruajmë kokën". Ti u binde kur unë të thashë se qumështi, kur vjetërohet, pavarësisht se e mbajmë në frigorifer, prishet. Më thuaj të vërtetën miku im: ke provuar të pish, pa dashje, qumësht të prishur? Mos e dhëntë Perëndia të gëlltitësh një gllënjkë! Menjëherë do të të shkojë mendja, njëlloj si mua, se kështu, (i njëjti fenomen), ndodh edhe me rrymat e "thartuara" të artit në përgjithësi, por, ca më shumë me ato letrare... Unë kam "gëlltitur", padashje, qumësht të thartuar dhe thartësira më kujtoi se "si me të qeshur" fillohet çdo gjë në këtë botë: dashuria, urrejtja, luftërat dhe paqja. Në fund, çdo gjë analizohet seriozisht dhe me kokë të ftohtë. "Si me shakaqëllimore" lëshon ndonjë sinjal-dritë-enigmë Kulla Eifel dhe sot, artistët e rinj, vrapojnë drejt këtyre sinjaleve. U gëzohen atyre siç gëzohen fëmijët me xixëllonjat, gjersa dallojnë se ato sinjale nuk janë xixëllima yjesh...Hahaaa, si me shaka dhe me të qeshur, për hatrin tënd, (ke qenë baxhoxhi,) mori formë edhe kjo esse e majasë të kosit. Mirëpo... ku humoresseja dhe ku humorkritika?! Humorkritikën, miku im, unë e kam provuar dhe nuk jam penduar. Ka të mirën e madhe: fillimisht "cimbis" vetveten, bën miq të rinj, pastaj, duke u marë, (sadopak) me humorkritikë, përmirësohesh për së mbari dhe të rikthehet e qeshura. (Besomë: përmirësohesh dhe zgjat jetën tënde e të humorit, pavarësisht se ai që qesh, zemra e tij qan më shumë. P.s: kjo diçiturë, e atij që qesh dhe qan, nuk është e imja. por Ma përcolli në vesh njëri nga miqtë e rinj.) "E keqja e vogël kush është," më pyet ti, miku im dhe unë, përsëri për hatrin tënd, e lashë të pa mbaruar essenë për "majanë e kosit" dhe shfletova Tabelën e Mendelejevit. Ktheva e përmbysa në epruveta të gjitha elementët e tabelës, i vura mbi prush eshke, gjersa veçova zhivën. Elementi më çudifantastik! Të betohem: Zhiva ja mer edhe majasë të kosit! (Po të tregoj sekretin në vesh: "të gjithë artistët, por sidomos shkrimtarët dhe poetët janë më të ndjeshëm se zhiva! Këtë sekret mos ia trego tjetër kujt. Mjafton (një fjalë lavdëruese, edhe e pa merituar...) ore, një çerek gradë të ngrihet temperatura dhe zhiva ndron përmasën! Prandaj ajo, zhiva, miku im, mbeti e pazëvëndësueshme me ndonjë element tjetër më të ndjeshëm ndaj temperaturave të motit dhe lavdkritikave të artit.)

Shpesh fantazia e shkrimtarëve kalon në ekstrem: njeriut të tejpolitizuar, (nga ata që quhen "duartrokitës" dhe që lexojnë me ankth gazetat politike duke gjerbur kafen e mëngjesit), u ngjeshin nën sqetull termometrin me zhivë dhe... termometri mer të krisur...Por fantazia ime shkon ca më larg: termometrin me zhivë unë nuk ua ngjesh nën sqetull personazheve të mi, por ua mbërrthej në gjuhë dhe... termometri pëlcet!...

Këtu, në studio, miku im, kam dy termometra: një me zhivë dhe një me sustë.

Sa afër janë majaja e kosit me zhivën, aq larg është humoresseja me humorkritikën, por, shumë, shumë larg, miku im, të çojnë parametrat e termometrit me zhivë nga ai me sustë!

Mirëkuptim!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora