E marte, 16.04.2024, 11:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Istref Haxhillari: Gruaja që nuk e meritonte dashurinë

E hene, 29.10.2012, 08:03 PM


Istref Haxhillari

Gruaja që nuk e meritonte dashurinë

(Tregim)


Kim Zhaka u shtrua në spital nga dhimbje të befta e të forta barku. Mjekët diagnostifikuan peritonit akut të zorrëve.

E operuan atë ditë në mbrëmje.

Sava i ndenji te koka pa u larguar asnjë minutë. Trupi i dobësuar i të shoqit shtrihej pa

 fuqi mbi shtrat. Pamja e zakontë qe shpartalluar në dy orët e operacionit. Katandisur në gjendje vegjetale të pashpresë, përngjante kufomë e pakallur në varr.

Keqardhja kapërceu përfytyrimet e saj. Më shumë ndjesi e zgjatur faji si t’i kërkonte të falur për jetën e pavarur e të fshehtë. Për herë të parë kuptoi me qartësi të habitshme se bashkëjetesa e gjatë nuk kaloi pa lënë gjurmë. Sido që e pati shpërfillur, madje urryer kushedi sa herë, ai nuk e bënte veten, mundohej t’i përshtatej natyrës së saj të hedhur, pak çapkëne, siç u shprehej të tjerëve.

E gërryen parandjenja të errëta. Ndoshta burri i transformuar çerek njeriu nuk

do të kthehej në gjendjen e mëparshme, as do të  përmendej kurrë. Një valë dhembshurie e bëri të reflektonte për vitet e shkuara. E donte të shoqin në mënyrën e vet si pjesë të jetës prej njëzet vitesh. Sa herë kthehej në shtëpi, ai e priste me ankth. Ndodhte të nxehej e bërtiste, po vinte çasti  pajtoheshin si të mos kishte ndodhur asgjë. Në periudha të gjata mirëkuptimi lëshonin pe, i besonin njëri-tjetrit.

Duke vështruar me sytë e dhimbjes trupin e të shoqit mendoi se jeta e tyre e përbashkët

nuk qe aq e keqe. Nëse pati të çara, faji qëndronte në anën e saj. A nuk ka të drejtë burri t’i kërkojë llogari gruas kur vonohet orëve të vona të natës? A nuk duhet të bërtasë kur dyshon në ndershmërinë e saj? Ai pati plot dyshime të tilla. Njerëzit priren të mos e mbajnë gojën mbyllur, i zmadhojnë edhe ato që mendojnë vetë. Disa çaste nuk mundi të mendojë asgjë, ngashërimet ia dridhmuan trupin, derisa e lehtësuan disi.

Nga mesi i natës i shoqi rënkoi lehtë.

-Sava, - pëshpërit me zë të shuar.

-Jam këtu, - nxitoi të  përgjigjej, i ledhatoi dorën e dobësuar, damarët jeshil të kërcyer, i rregulloi çarçafin.

-Si është puna?

-Operacioni doli shumë mirë, s’ka përse të shqetësohesh, - i tha me indiferencë të

shtirë, pa kthyer kokën. Sido që i dobët mund ta pikaste.

-S’më besohet, jam kaq i lodhur.

Ajo i shkoi dorën mbi ballë, e fërkoi butësisht.

-Ndodh gjithnjë kur operohet njeriu, - i tha në formë sentence.

-Do të ngrihem në këmbë?

-Doktori më siguroi se do të përmirësohesh shpejt.

- Si zor më duket.

-Do t’ia hedhësh, ke organizëm të fortë, - e inkurajoi, po zëri iu drodh dhe nuk kaloi pa u

vënë re. Ai buzëqeshi hidhur. Dhëmbët e bardhë, të ngrënë e tregonin të përçudnuar.

-Je gënjeshtare e lindur, - e shikoi përvujtërisht.

-Ndonjëherë edhe gënjej, - qeshi, - por tani jo.

-Faleminderit.

-Përse?

-Që kujdesesh për mua.

-Jam gruaja jote. Kush do ta bënte tjetër?

-Se si më vjen, nuk jam sjellë aq mirë me ty.

-Kam gabuar, Kimi. Domosdo burri inatoset, këshillon. Mendoj se je sjellë shumë

 mirë, jam e kënaqur.

Ai tentoi të kthehej në krah. Nuk ia doli dhe bërtiti nga dhimbje të forta në fund të

barkut. Sava e ndihmoi të zinte pozicion të përshtatshëm, ngriti mbulesat, futi cepat e çarçafëve nën dyshek.

            -Duhet të flesh, - i tha, - gjumi të bën mirë.

-Nuk je larguar fare? - pyeti.

-Deri sa të përmirësohesh do të rri këtu. Më ke mua, - u mburr.

-Faleminderit, - i tha përsëri. Pas një minute zuri gjumi.

E shikoi tek flinte dhe sikur u lehtësua. Operacioni e mundoi ngaqë ishte i dobët, prandaj

dukej aq i patakequr. Me siguri do t’ia hidhte. Si e qetësoi veten në një farë mënyre, vetvetiu mendja i shkoi pas te ngjarjet e asaj dite, padashur i ndaloi te portreti i ëmbël i Ned Aganit.

Nën përqafimin e tij dëgjoi zilen e aparatit celular, po nuk lëvizi nga vendi.

            -Telefoni, - e kujtoi Nedi.

            -Le të bjerë, - gërhiti nga kënaqësia e peshës së krahut të tij mbi gjoks.

            Ai e mori nga tavolina ia afroi te veshi.

            -Dikush të kërkon, - ngulmoi.

Sava shtypi butonin, dëgjoi menjëherë një zë të njohur e të transformuar.

-Kimi është keq.

Kujtoi të gjithë skenën, ambulancën, vëllain plak të Kimit, komshinjtë e mbledhur me ngut, spitalin, mjekët. Dhe ja tani përgjonte tërë shqetësim të shoqin në një dhomë të ngushtë e të pa ajrosur, ku të mbysnin aromat e forta të medikamenteve.

Sapo i ra ndërmend i dashuri, një shqetësim i brendshëm ngriti krye, gati e harroi të sëmurin. Pati qenë ëndrra e saj të lidhej me një burrë të vetëm, ta donte gjer në fund të jetës, t’i përkushtohej. Ned Agani ishte dashuria që kërkoi gjatë duke kaluar nëpër peripeci gjithfarësh. Për vete nuk dyshonte, e kishte arritur. Për Nedin s’qe e sigurt. Shfaqte shenja ftohtësie të pakuptueshme, sido që sillej normalisht.

Zemra e gruas kupton shumë gjëra më parë se të ndodhin.

Ktheu kokën nga Kimi dhe u habit që hidhërimi për të zinte pjesën më të vogël të brengave. I erdhi turp. A thua meraku për burrin lidhej vetëm me sëmundjen? Apo ngaqë ishte babai i djalit të vetëm? Mbase kishte të bënte me egon. Falë pronave të Zhakave, jeta e saj dhe e të birit ishte e garantuar.

Sidoqoftë nuk e pranonte vdekjen, nuk donte të mbetej pa mbrojtje. Kimi ishte imuniteti i saj, një lloj çadre e sigurt. Nedi i pati thënë dikur se pamja e jashtme rrit kreditet e gruas së bukur, por nuk mjafton pa injeksionin që neutralizon sjelljen e saj.

I sëmuri u zgjua mbytur në djersë. Nuk dilte dot jashtë dhe barku i fryrë, zorrët e bllokuara e torturonin. Kur mbërriti mjeku bashkë me një infermiere të shkurtër topolake, Sava u ngrit në këmbë, vështroi e alarmuar. Mesoburri me flokë të dendura, të pakrehura dhe bluzë hedhur me nxitim krahëve i bëri shenjë të ulej. Kapërcyer të gjashtëdhjetat, plot tul lëvizi me vështirësi, tërë besim në vetvete. Tërhoqi karrigen përballë shtratit, ndezi cigaren e radhës me të mëparshmen dhe futi duart në truoin e të sëmurit.

-Përgatit klizmën, - urdhëroi infermieren dhe iu drejtua Savës duke nxjerrë me potere tymin e duhanit. Përpiqej t’i zgjidhte fjalët.

-Duhet t’iu sqaroj disa rrethana të sëmundjes, - i tha. - Burri juaj ka pësuar peritonit ose ngatërrim të zorrëve, siç thuhet rëndom. U detyruam t’i presim një të tetën e zorrës së hollë, pjesë e vdekur nga mosqarkullimi i gjakut për rreth katër orë.

Sava dëgjonte e përqendruar, rrekej të perceptonte sa më shumë hollësi.

-Nga kjo anë nuk ka ndonjë komplikim, gjithçka shkoi mirë, - vazhdoi bluza e bardhë, -  pas klizmës duhet të fillojnë gazrat dhe zorrët do të funksionojnë njëlloj si më parë.

-Oh, doktor, më gëzuat, - u nxitua ta falënderonte.

-Ne dyshojmë për masë të huaj në ezofag si shkak i peritonitit, - vazhdoi mjeku, pa marrë parasysh entuziazmin e saj. - Nuk e dimë nëse është beninj. Morëm kampion, e vumë në vegjetacion, po duhet të presim disa ditë të marrim përgjigje të saktë. Vetëm pasi të përjashtojmë këtë rrezik mund të flasim për shërim të plotë.

-Çdo të thotë kjo? - pyeti e merakosur.

-Peritoniti është pasojë e tumorit në stomak.

Sava vështroi e hutuar, lëvizi buzët pa nxjerrë zë. Mjeku e kuptoi se ajo nuk do ta merrte vesh kurrë, as do ta pranonte të vërtetën e frikshme, prandaj u nxitua t’i binte shkurt.

-Hë për hë asgjë,- i tha, - më tej të shohim.

-Si i bëhet për dhimbjet, vuan shumë.

            -Mbaje me kompresa, do të përmirësohet shpejt, - sqaroi së fundi dhe u largua.

Pas tre ditësh Kimi u ngrit në këmbë. Priste ta nxirrnin nga spitali, kur Savën e thirri infermierja.

-Ju lutem ejani pak me mua.

Ajo u tkurr përnjëherë, i shkoi mendja te analizat. Pothuaj i pati harruar, vinte me shpresë se qe procedurë rutinë për të sëmurët. Aq më tepër që i shoqi e mori veten. Sapo dolën në korridor e pyeti infermieren.

-Si është puna?

-Të kërkon mjeku në zyrë, - tha.

-Pse?

-Për analizat.

Deshi ta pyesë përsëri, po arritën përpara derës gjysmë të hapur. Mjeku u ngrit me vështirësi nga kolltuku, i afroi karrigen. Sava u ul, priti e ngrirë.

-Më duhet t’u  jap lajm të keq, - i tha pa e shikuar në sy.

Asaj nuk i duhej më asgjë tjetër, hollësirat nuk do t’i bënin punë. Fundja përse duhet t’i dinte?  Jashtë çdo dyshimi jeta e të shoqit po shteronte.

-Sa i ngelet? - pyeti për t’i dhënë fund çastit të rëndë.

-Gjashtë muaj, e shumta, - i tha.

- Ju kuptova, doktor.

-Bëni ta kalojë sa më natyrshëm kohën e mbetur.

-Faleminderit, - mezi mundi të thotë dhe u largua gati me vrap. Në korridor shpërtheu në të qara, vuri dorën mbi sy, u mbështet pas murit.

-Nuk bën kështu, - e solli në vete zëri i butë i infermieres së shërbimit, - duhet të bëheni e fortë.

-Nuk dua të bëhem e fortë, - iu plas në krahë. Dridhej nga e keqja.

-Nuk u beson askush, - i tha infermierja me një dritë djallëzore në sy, - mos bëni kot.

Asgjë  nuk do ta ngushëllonte sa këto fjalë, lotët iu terën si me magji. Iu duk vetja hipokrite e pashoqe, a thua tjetra e dinte jetën e saj. Pastaj u kujtua se nuk e njihte.

-Ç’thua moj, - u egërsua.

-E dëgjove, - buzëqeshi ajo dhe u largua qetësisht.

Për familjen Zhaka shkelën ditë e net të rënda, ngarkuar me tmerrin e sëmundjes pa shërim. Shpresat u shuan, gjithçka mbetej ishte ankthi i stërgjatë. Sava nuk i tha askujt, e mbajti  peshën e plumbtë për vete gjashtë muaj rresht. Të tjerët ende shpresonin.

Morfina u bë mjekimi i vetëm, asnjë medikament tjetër nuk hynte në punë. Sapo kalonte efekti qetësohej pak kohë, pastaj fillonte sërish kriza. Dridhej, ulërinte.

Atë mbrëmje, sapo mori dozën e përditshme, u ndje më mirë, kërkoi ujë. Sava u afrua pranë shtratit me gotën e mbushur, i ngriti kokën, e ndihmoi të pinte. Pas dy gllënjkave ai e largoi, u shtri i rraskapitur si të kishte kryer punë të vështirë. Mori frymë thellë, pastaj në një mënyrë intime të beftë i tha:

-Bëhu e fortë, grua.

-Unë e fortë jam, ti forcohu, - deshi ta anashkalojë nënthënien.

-E kupton çfarë dua të them.

-Jo, - pëshpëriti dhe zemra i rrahu fort.

-Edhe tri ditë më kanë mbetur.

-Mos fol ashtu, do të shërohesh, - i tha pa bindje. Ai e pikasi nga zëri.

-Ti e kupton po aq mirë, - vazhdoi, - e kotë të fshihemi më.

Sava e vështroi turbull përmes qerpikëve të lagur.

-Ti e dije, apo jo?

-Po, - u përgjigj ngathët me zë të këputur.

-Duhet të ma thoshe.

-Ç’vlerë do të kishte?

Ai u mendua disa çaste të fitonte kohë. E kishte vështirë të thoshte ato që po mendonte.

-Jam me fat, Sava.

-Pse?

-Jetova si duhet, të kam ty, djalin, tani mjaft.

-Të lutem Kimi, lëri këto.

-Dua ta dish, isha njeri me shumë fat. Kur sëmuresh e vuan kështu vdekja është më e mirë. Edhe ju shpëtoni nga ankthi.

Sava u drodh ngaqë ai foli në kohën e shkuar. E quante veten të ikur tashmë, sikur fliste nga bota tjetër. Fshiu me kujdes sytë, nuk foli. As dinte çfarë t’i thoshte, vetëm një i marrë nuk e kuptonte si po rridhte puna.

-Kam qenë i dashuruar me ty, mburresha sa herë e sillte puna. Gjithnjë kisha një gëzim të bukur, fshehur këtu brenda.

-E di, Kimi, e kam ndjerë.

-Jo tamam.

-Nuk e kam merituar dashurinë tënde.

-Dashuria vjen vetë, nuk kërkohet me zor, është e kotë.

E pa zonja të vijonte bisedën, e mbytën ngashërimet, lotët i përplaseshin nën mjekër.

-Gabimi ishte imi, - tha ai me zë gjithnjë e më të mekur, - të mora në qafë.

-Jo, Kimi mos e mundo veten, unë jam fajtore.

-Mos më ndërpre, s’kam shumë kohë.

-Nuk mundem më.

-Edhe pak e do të mbaroj. Nedi është njeri i mirë, e kam vënë re.

Dreq, kjo i kaloi kufijtë. E dinte dhe nuk ia zuri kurrë me gojë. Pa pikë gjaku në fytyrë ajo shikonte dhe nuk e perceptonte, dëgjonte po nuk kuptonte.

“Zot, më ndihmo, - u lut me gjithë shpirt.”

-Martohu me të, Sava.

-Jo, o Zot!

-Është amaneti im, - tha me forcat e fundit. Pas këtyre fjalëve nga fytyra iu zhduk çdo shprehje, u fik siç fiket drita duke kthyer një çelës.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora