Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël me vjersha nga Janaq Pani

| E hene, 29.10.2012, 06:08 PM |


Janaq Pani
 
LISI NË BRINJË
 
Mblodhi lisi erën
Dhe zogj fluturuan,
Nga larg ata erdhën
Shpirtin ia gufuan.
 
Ndaj lisi u tha:
"Gjë tjetër nuk pres."
U këput e ra
Pa zbardhur mëngjes.
 
S'ka kush e mbledh erën
Tani te kjo brinjë,
Zogjtë, rrallëherë
Këputen e vijnë...
 
OAZ SHPIRTI
 
Oazin blerimtar
E ngriti shpirti im,
Fëmija kureshtar
T'afrohet plot gëzim.
 
Bri leheve me lule
Rruginave të shkelë,
Më tej në stol të ulet
Mahnitur kur të ngelë.
 
Së thelli unë e ndjej
Sërish ai do kthejë,
Oazit gjithandej
Dhe shpirtin tim do gjejë.
 
THËLLËZA E GURIT
 
Një thëllëzë guri
M'u qas këmbë-këmbë,
Burrërinë e burrit
Pa frymë e ka lënë.
 
Pa frymë e pa gojë
Ngurosur i tëri,
Unë që kalërojë
Me çap të një drëri...
 
Qe ëndërr e tëra
Nuk ish e vërtetë,
Në ëndërr i bëra
 Të qanin dhe retë.
 
E KA NË DORË
 
Lulja e përzgjodhi farën
Fara e përzgjodhi arën
Ara e përzgjodhi orën
Ora e përzgjodhi dorën
Dora, në dorë e ka vetë
Edhe për ta ndritur
Apo dhe shkrumbitur
Për ta lënë arën shkretë.
 
DY PAMJE
 
Trotuari, sheshbeteja e hapave të mi
T'i shkel orvatem përditë,
Përkitas përbiroj me sy
Tek trokasin hapat bukuritë.
 
Ka ndodhur ndonjëherë me gjasë
Njeriut të mençur t'i kaloj pranë,
Por padija ime ka mbetur në klasë
E rrugë s'i lëshova të bëj mënjanë.
 
Po të mëdhenjtë nuk lypin vëmendje
Nga lart nuk shohin askënd,
E di, mund të ndjejnë dhëmbje
Për respektin e bjerrë te ky vënd.
 
NË RRUGËTIM
 
Në sponte makinash të kapur fort
U ramë rrugëve kryq e tërthor
Të kapnim një ëndërr
Që nuk e mbërritëm dot
Ndaj ndjejmë sëmbim në krahëror.
 
SI XIXËLLONJË
 
Si xixëllonja nuk pres buzëmbrëmjen
Të ndez fenerin e Muzës
Erërat që fryjnë
Çdo çast dhimbjen
Ma sjellin si elegji në cepin e buzës.
 
U LUTEMI REVE
 
U lutemi reve të vijnë
Me shtama të derdhin shiun
Kur pyllin flakët e përpijnë
Të vëna nga një dorë njeriu.
Toronto Tetor 2012