E enjte, 28.03.2024, 07:01 PM (GMT)

Kulturë

Ejup Ajdini: Misteret e shpirtit

E diele, 28.10.2012, 05:51 PM


Ejup AJDINI

Nga MISTERET  E  SHPIRTIT


***
Me gjethe  ftoi
zogu me vjeshtën  vonë
lëpihen të dy.

***
Një mollë vere
brendia me krimb të kuq
gabim historik.

***
Pa lindur hëna
nuk mundesh të stolisësh
atë që dashuron.


***
Andej qelqit shi
këndej piktura në vaj
brenda  fatziu.

***
Ca dallëndyshe
me vjeshtën vallëzonin
ku janë çerdhet.

***
Lotët për verën
u derdhën gjatë vjeshtës
dimri i ngriu.

 

 

***
Nuk dihen stinët
shumë i duheshka shi
tokës së djegur.

***
Shirat pushuan
lypësi, qeni, macja
tek një kontejner.

***
Deti rri karshi
hëna varur mbi kokë
një puthje kujtim.

***
Një re e bardhë
posi kali pa samar
kulloste tokën.

***
Sharri rënduar
mbuluar me dëborë
kujtim në verë.

***
Rëra e nxehtë
plazhi vlonte  nga zhurma
hijeza digjej.

***
Natë e errët
Pikturat edhe hëna
Rrinin lakuriq.

***
Qershitë piqen
skuqen sikur dielli
krimben nga brenda.

 

***
Taverna, yjet
melodi e këputur
këngë vajtimi.

***
Kur lind dielli
toka buzëqesh sërish
lisat përkulen.

***
Eh, Toka  ecën
njerëzit mysafirë
bota e virgjër.

***
Shi dhe vetëm shi
gështenjat që në shtator
trokasin tokën.

***
Lumi ulërin
shpirti ruan misterin
lotët lakuriq.

***
Ajër i ftohtë
do ketë vdekur nata
një qeshje gjallë.

***
Bie kambana
zogjtë ikin nga kisha
prifti  rri brenda.
***
Terri gjithandej
nata po bënte gjumë
hëna me mua.

***
Jetoj i vetëm
me gjarprin nën gurë
dhe lumi vajton.

***
Van Gogu u çmend
me gjak bëri pikturë
s’e pa dielli.

***
Kur t’vijë fundi
hëna t’mi mbyllë sytë
e  jo dielli.

***
Në majë  mali
trimat e ndreqin varrin
e dinë fundin.

***
Furtuna në Sharr
plaste lisat e gjatë
nga shpirti tërmet.

***
Toka e lodhur
natën bënte ca gjumë
pa bukariet.*

***
Vjeshtë në një park
me disa pika shiu
gërsheti loton.

***
Pesha e mollës
ngarkuar me dëborë
zbardhte pranverën.

 

Bukariet = xixëllonjat- bukurezat.

 


***
Atje mbi bjeshkët
hënëza si pikturë
qeshte me gjethin.

***
Gjithçka sot u dogj
hi u bë tërë vendi
nën hi djeg zjarri.

***
Kur dashnorëve
hëna u bëka roje
gjethet fërkohen.

***
Afër gjumit tim
te qelqi i dritares
zgjohej mëngjesi.

***
Qershitë  çelin
bleta i puth e para
krimbi i fundit.

***
Dimër i ftohtë
sot digjemi në verë
përjetim stinësh.

***
Nëpër mjegulla
kali i bardhë ecë
nusja në shalë.

***
Një shpend cukati
te xhami i dritares
haberi i ri.

 


***
Kumbull me lule
zbukuruar si nuse
lakmi shtatzënat.

***
Stinët kaluan
vjeshta  kujtim i rrallë
lagur qerpikët.

***
Skamnorët tanë
e kërkojnë Migjenin
t’i qajnë hallet.

***
Bletët mikesha
mbi ca lule të mollës
vetë  madhështi.

***
Ditët e verës
panaire të para
këmbët e grave.

***
Sa ranë gjethet
e pashë një shtëpizë
ku rriten zogjtë.

***
Zogjtë në verë
bënin dashuri fine
gjethet si çarçaf.

***
Kur qanë foshnja
në dorë apo në djep
plas ornamenti.

 


***
Studenti u vra
Shipkovica në flakë
indeksi kujtim.*

***
Ajrin nga Zoti
ujin e pimë nga toka
pse urren djalli.

 

* Abdilxhemil Hiseini


***
Mitingu u krye
parullat  i lag shiu
qentë mbi foto.

***
Bujku me kalin
bënte  gjumë në ara
kursente barin.

***
Zogjtë në valle
këngë  thurnin për malin
lisin dirigjent.


***
Plaka me furkën
tjerrën dalëngadalë
kujton rininë.

***
Nata e errët
përqafimi i thellë
cigarja dëshmi.

 

***
Varfëri pata
lirinë e kërkova
kur lind dielli?

***
Tërfil me lule
duke kositur Barin
këmishë bolle.

***
Vajza e bukur
lëndohet para kohe
si lulja në park.

***
Kur nis dëbora
pemët sa kokulura
sikur vdesin.

***
Vjeshta rëndoi
drurit i ranë gjethet
pret petkun e ri.

***
Djali im piktor
më i rritur se unë
peizazh i ri.

***
Sa kisha dashur
që në livadhin tonë
ta rris haikun.

***
Rrugës në qytet
ikte qeni me litar
pronari i keq.

 


***
Koprraci  ligaç
sa po i kushton vdekja
e bënte  hesap.

***
Kur vdiq maleve
Ylli- Sadudin Gjura
mallkim epoke.

***
Bregdeti qetas
sillte ngrohtësi jete
fjalën mushkonjat.

***
Gjethet po thahen
Nga  fjalët trishtuese
pushon durimi.

***
E qetë nata
një gjethe ra nga druri
si një melodi.

***
Aty te parku
ku luajtëm me lumin
sot më merr malli.

***
Fëmija luan
me rërën ndërton kullën
dallgët e prishin.

***
Burri si lisi
rri krenar para gruas
me një rezervë.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora