E enjte, 19.05.2022, 10:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Nebi Dragoti

E premte, 26.10.2012, 07:15 PM


Nebi Dragoti

VERE KORRJESH

Bulat e vesës
në fijet e kashtës tantellë
në muzikë kërcimesh e gëzime korrjesh.

Kam parë nga ditët e mëngjeseve fshatarake
nën zhurmën e kombajnave,
gëzueshëm kam parë
plot lëmenjtë e fshatarëve.

Vendlindjes me grurë,
me bashkëfshatarët,
me këngë në buzë
unë korr
margaritarë…

MERMER HËNOR

Ia di kuptimin asaj rruge pakthim,
se kurrë nuk e takoj më nënën;
varri si varr,sipër me lule plim
dhe si pllakë mermeri i ul hënën.

Mermer hënor me yje të zjarrtë
shkruar si epitaf vargjet e mia;
ç’t’i bësh?Dhimbja qënka për të gjallë,
me shi lotësh u lehtësoka pak dhimbja.

NËN SAZET E ERËRAVE

Lozin pemët në vjeshtë
nën sazet e erërave
me duart e vjelseve, degë më degë,
me gishtrinjtë si sqep zogjësh.

Guduliset vjeshta e dehur,
e qeshur,
e zverdhur,
e zhveshur
dhe me duart plot ëmbëlsi
qan
apo qumësht kullon krejt?!

KURBATKA

Kurbatka gastore me kurbatin ngrehur
dehur ç’ja hedhin valles të qeshur,
në dasmat e fshatit e djegin në valle
nën hënën vjeshtore me vashat fshatare
kurbatka gastore me kurbatin e dehur.

Në dasmat e vjeshtës gëzimet fshatare,
oborret fshatare me nuse,me dhëndrra,
me inxhitë e yjeve joshur nga kënga
mbi fustanet e bardha nga loti të lara,
në dasmat e stinës ç’përdridhet kurbatka!

Kurbatka shejtane me kurbatin sarhosh,
kurbatka me këngë kurbatësh ç’la nam,
shami zbret kashtën e kumtrit në dorë,
shami ndezur flakë vjeshte mbi kokë
kurbatka me këngë kurbatësh merr fame!

KONSTRUKT POETIK

Lëng fjalësh erëmirë
me vezullime e prarime
ndjenjash ylberore
-forma;
palcë idesh në shtyllë kurrizore
e rruaza të kuqe,rruaza të bardha
-përmbajtja…

Forma dhe përmbajtja
-e thurur një gërshetë
me qipariza poetikë të lartë,
të blertë…

ERA-VIOLINË DASHURIE

Dëgjo: për ty,për mua era violinës i bie
kësaj mbrëmje dimërore gjithë fjalë xhelozie;
ne përqafuar fort mes fushës me blire,
qielli me sheqerosje dëbore çarçafët na shtron
e na bëhet për mua, për ty era-violinë dashurie!

***
E di?Jemi kalimtarë në jetë,
se kush kalon flitet më pas,
kjo jetë s’matet veç me vjet:
ka fitore ,po ka dhe disfatë.

Unë e ti baresim në fushë,
ti folmë, shpirt,më buzëqesh,
se unë memecët i përbuz
dhe llafazan bëhem shpejt.

Fluturon fazani në zallishtë,
ti dehna me gëzime,moj jetë;
a humbim dhe ne  në shelgjishtë
të thonë pastaj:”Ai,ajo u çmend!

Sa shpejt ikën jeta,sa shpejt
dhe dashuria është sa je gjallë;
folmë,puthmë me zjarr e shend
që me ty mos të bëhem llafazan.

PEIZAZH FUSHOR

Pellgjet dridhen,përthyhen nën erërat dimrore,
vetëm eci me poezinë time nën sqetull:
kopetë e dhenëve-blegërimë e qilim i bardhë,
me barërat fushore lopët buzët  krehin;
ç’ansambël këmborësh e melodish baritore
derdhen,dridhen,ngrihen tutje si mirazh…

KALI  IM

Kali im
ndër kuajt më i çuditshëm;
e kam shaluar verës me gas
edhe dimrit në ngricë,
kur ngrinte jelet dallgë
e nëna qante:
“M’u mbyte,bir!”…

Kali im
në revan e pakthim,
më azgani
ndër kuajt që ka bota;
jeleshkumbëbardhit
unë i mbillja rakita,
por dot s’e pengoja…

Kali im dhjetorëve,janarëve
ua rrëmbente drutë maleve.
drutë unë ia mirrja,
stivë i bëja në oborr
dhe prapë rakita
mbillja e mbillja,
por,ah,s’e ndaloja dot.

Ah,s’e ndaloja dot
një natë në shtëpinë time të rrinte
e sanë si kalit t’i hidhja
e,plot ëndrra,të flinim tok…

Kali im
-Lumi im!

TRILL

Në pellgje floriri,ja,dita u dogj;
e vura në gjumë unë natën me zogj.

Qava për hënën në liqen,kur u lag,
qesha me të,kur nuk munda ta kap.

Më quajtën të marrë,atje,në fushë;
s’u mërzita.Lirika erës i vara në gushë.

***
Dalka hëna si mëshqerrë,
nuse në serm veshur krejt;
ar liqeneve u jep,u merr
dhe me poetë tinëz qesh.

Kodrave kurorë të Dumresë
me nuse hënën,oh,ç’net!
Po më çmend dhe ti,o vjeshtë,
brenda shpirtit magji më derdh…

Dhe floku im korb izi
u rrallua,ra, u zbardh;
mosha s’mbetka veç rini,
i dashuruar  jam sa gjallë.

Dalka hëna si mëshqerrë
në serm e veshur krejt,
me vargje yjesh liqene ndez
dhe dashuri bëka me poetë.

TRUMPETË  PRANVERORE

Trumpeta sinfonie pranverore:
shi gjethesh mbi pemë frutore,
mbi dardha-berreta me borë…
Për vello të bardhë nusërie
kumbulla vjedh lulet hënore…

PËLLUMBA

Pëllumba,me nga një degë ulliri në sqep,
pëllumba, nga dy gjysmë hënëza,
hënëza bukurie merrni për flatra,
ngjituni qiellit,lart,
të bardhë,të bardhë
sfidues
dhe ,nëpër Botë,
ngado
përcillni këngë e shpirt  shqiptari
me rreze e mesazhe të mëdha!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora