Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Ndërroi jetë Ramazan Turdiu

| E premte, 26.10.2012, 05:22 PM |


NDËRROI JETË RAMAZAN TURDIU

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi në shtetin Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara ndërroi jetë  në moshën  87-vjeçare Ramazan Turdiu, njëri nga nacionalistët dhe intelektualët më të dalluar të emigracionit të pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe njëri prej aktivistëve dhe eksponentëve kryesorë të Ballit Kombëtar.   Të ndjerin Ramazan e kam njohur gjatë 70-ave dhe 80-ave, pasi për një kohë të shkurtër ishte në marrëdhënje pune me seksionin shqip të Zërit të Amerikës, ku së bashku me të tjerët përpiqej që me shkrimet e tija të jepte sado pak dritë në errësirën komuniste  që kishte pllakosur Atdheun.   Ai nuk fliste shumë për veten dhe as për vuajtjet e familjes së tij.   Ishte një intelektual dhe atdhedashës i flakët, i cili gjithë jetën e tij, me zotësi dhe dedikim punoi për lirinë e kombit shqiptar.  Ishte shumë i paqët dhe shkonte mirë me të gjithë.   Në të vërtetë, me sjelljet e tija intelektuale dhe humane, të lente përshtypjen  se ishte një pjesëtar i një shoqërie fisnike shqiptare,  një aristocrat  në kuptimin e mirë të fjalës.

Në njoftimin zyrtar të vdekjes së tij thuhet se Ramazan Turdiu lindi në Tiranë në një familje të njohur të kryeqytetit  shqiptar, ku më 1944 ishte maturant, siç thuhet , në një klasë me ish-udhëheqsin komunist Ramiz Alia, dhe njëkohësisht punonte në farmacinë e të vëllait  Dr. Bilal Turdiut.   Në njoftim thuhet gjtihashtu se megjithëse familja e tij, përpiqej të qëndronte  larg politikës, duke marrë parasyshë situatën tepër të tensionur dhe të  politizuar të asaj kohe - Ramazani i ri, madje edhe kundër këshillave të babait i cili dëshironte të qëndronte jashtë politikës, rrjeshtohet në radhët e Ballit Kombëtar dhe punon me këmbëngulje dhe passion për të mirën e Atdheut deri ditën kur mbylli sytë.

Me ndërgjegjen e tij të lartë  kombëtare, si dhe të shumë bashk-kohësve të tij, për të punuar për të mirën e Atdheut dhe të lirisë kombëtare,  ai i përgjigjet thirrjes për shpëtimin e Kosovës, duke u radhitur në batalionin ''Besnik Cano'',  dhe shkon në Kosovë për të mbrojtur tokën shqiptare me armë në dorë nga pushtuesit sllavo-komunistë, një luftë këjo që ai nuk e ndërpreu as nuk ndaloi gjatë gjithë jetës së tij, me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion.   Në njoftimin mortor thuhet se flamurin e batalionit shqiptar ''Besnik Cano'',  të qëndisur mjeshtërisht nga motrat e Besnik Canos, e ka gjithnjë në shtëpinë e tij.

I riu Ramazan Turdiu, më 1944, së bashku me udhëheqsit më të lartë të Ballit Kombëtar, përfshirë  Midhat Frashërin dhe Ali Këlcyrën, largohet me varkë nga Shkodra për tu arratisur për në Itali.   Eventualisht, përfundon në Itali  ku ai ndjekë studimet e larta për doktor në degën e farmacisë, për t'i vazhduar ato në Universitetin Kolumbia në Nju Jork.  Për pesë dekada, Ramazan Turdiu punon në degën e kërkimeve dhe hulumtimeve farmaceutike për firmat e mëdha  amerikane në këtë fushë, ''Ciba'' dhe Warner Lambert''.

Si anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, Ramazan Turdiu ishte një nacionalist dhe anti-komunist i përkushtuar.   Ai ishte anëtar aktiv i komunitetit shqiptar në Amerikë dhe merrte pjesë në seminare, kremtime, kongrese dhe në çdo rast ku e kërkonte nevoja dhe interesi  i Atdheut.   Ai bashkpunonte ngushtë dhe u qëndronte  afër udhëheqsve  historikë të parties Balli Kombëtar,  Midhat Frashërit dhe Vasil Andonit.   Ramazan Turdiu ishte ndër ata intelektualë dhe nacionalistë, të cilët Midhat Frashëri i mblidhte rreth vetes në përpjekje dhe në saje të luftës për shpëtimin kombëtar.   Në një prej fjalimeve të tij me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Midhat Frashërit,  Ramazan Turdiu e vlerësoi kështu bashkpunimin e intelektualëve si ai dhe të shqiptarëve të tjerë me Midhat Frashërin, duke thënë:

''Si në Shqipni, ashtu edhe në mërgimin e padashun, nepër kampe refugjatësh, anëtarët e Ballit Kombëtar, Shqiptarët , u grumbulluan rreth Midhat Frashërit, punuen me të, e ndihmuen me ç'u vinte për dore, për ta mbajtë  gjallë flakën dhe veprimin çlirimtar.   Me memorandume nepër qarqe të naltë dipllomatike, me botime dhe nisma të guximshme, me takime të papreme,  ai ia hapi sytë botës për gjendjen e Shqipnisë,  për vuajtjet e Kosovës, për çfarosjen e Çamerisë, dhe për veprimet shtazore të komunizmit të ardhun nga jashtë.''

Në këtë frymë atdhedashurie dhe veprimtarie ishte i brumosur edhe Ramazan Turdiu.  Ishte ndër ata që besonin në vetveten dhe në një të ardhme më të ndritur për kombin shqiptar.  Ishte ndër ata që si parime bazë kishin realizimin e një Shqipërie me Kosovë e Çamëri,  të lirë, demokratike dhe e lumtur në paqë me të gjithë.   Ky ishte karakteri dhe botëkuptimi i brezit të këtyre burrave,  i çështjes shqiptare.   Ndonëse i qetë nga natyra, ishte trim dhe i vendosur - si shumë të tjerë të brezit të tij - të cilët me zemër e shpirt besonin në një Shqipëri, ashtu si është e drejta, prej Tivarit e deri në Prevezë, e nderuar dhe pjesë e asaj bote, të cilës i përket historikisht dhe gjeografikisht - Evropës.   Brezi i tij besonte se për arritjen e këtij qëllimi duhej luftuar për të pëmbysur komunizmin dhe për të bashkuar kombin.   Lufta e tyre ishte sy patrembur, dhe e konsideronin atë si një detyrë për të cilën i thërriste Atdheu, në lirinë e të cilit kishin një besim të patundur për një ardhëmëri  demokratike dhe për një Shqipëri pro-perëndimore.   Vet Ramazan Turdiu mori pjesë në stërvitje të organizuara nga anglo-amerikanët në fillim të ’50-ave për tu futur në Shqipëri me qëllim për të rrëxuar regjimin e dikatatorit komunist të Enver Hoxhës.

Gjatë regjimit enverist, Ramazan Turdiu pësoi fatin e shumë familjeve anti-komuniste.   Lidhjet me familjen e tij në Shqipëri qenë prerë,  sepse regjimi komunist kishte vendosur emërin e tij në ''listën e kriminelëve'', të ''tradhëtarëve''  dhe ''të armiqëve të vendit''.   Ndonëse ishte krahu i djathtë i udhëheqësve të Ballit Kombëtar në mërgim dhe si i tillë i rrjeshtuar në frontin e nacionalizmit shqiptar anti-komunist,  familja e tij - si edhe shumë familje të tjera anti-komuniste shqiptare -  këtë gjë e pagoi shumë shtrenjtë.

Me vdekjen e Ramazan Turdiut, diaspora shqiptare në Amerikë dhe shqiptarët kudo humbën një burr i cili ishte i pajisur me traditën e shpirtit patriotik dhe i cili kurdoherë dhe sipas rrethanave u gjënd aty ku e kërkonte zëri i Atdheut për liri, si dhe nderi i kombit.   Ideali i tij si besnik ndaj kauzës kombëtare mbeti i paluhatshëm.   Ashtu të mbetet edhe kujtimi i tij.