E enjte, 05.12.2019, 06:26 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: ''Vargje të këputura''

E enjte, 25.10.2012, 06:25 PM


Doli nga shtypi libri më i ri me poezi “Vargje të këputura” i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA

VEPËR QË PËRMES VARGUT JETËN E SHNDËRRON NË HISTORI E ISTIKAM, NË KËNGË E NË FILOZOFI JETE...!

(Sejdi BERISHA: “Vargje të këputura”-poezi, botoi Club Kultura-Pejë, 2012)

Në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë, këto ditë doli nga shtypi vepra më e re me poezi, “Vargje të këputura” të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA. Kjo është vepra e katërmbëdhjetë me poezi dhe e tridhjeta me radhë e këtij krijuesi të letrave shqipe dhe punëtorit të mirëfilltë të kulturës nga Kosova.

Ky libër, ngërthen në vete ndijimin më të thellë shpirtëror të autorit, duke shprushur vetveten dhe çdo rrugëtim të njeriut në situata e pozita të ndryshme, gjëra këto të cilat shprehen e reflektojnë fuqishëm përmes këndimit shpirtëror dhe gjithnjë duke i dhënë peshë e kuptim vargut, por edhe duke e lënë atë përherë të “këputur”, në mënyrë që etja për të thënë plotësisht atë  që e rëndon dhe e shqetëson, të ngelet si shpresë e synim për ta prekur e përjetuar dritën dhe ngrohtësinë e lirisë dhe të frymëmarrjes lirshëm të njeriut, të tokës, të natyrës mbase edhe të universit.

Kjo, ngase në jetë kurrë nuk këndohet deri në fund, kurrë asgjë nuk shndritë deri në fund, kurrë nuk arrihet plotësisht deri në cak. Për këtë arsye edhe rrugëtimi e ka peshën e dhembjes, të pritjes, të lumturisë mbase edhe të dritares së hapur, nga e cila mund të hyn e të dalë gjithçka, nga e cila dëgjohet kënga e klithma, nga e cila depërton drita dhe hyn flladi, e në xhamin e saj, shpeshherë troket zogu i ëndrrave dhe i lajmeve që quhen peshë jete e shprese, e përcjellë me ëndrrat më të bukura por edhe më të llahtarshme në të njëjtën kohë.

Për këtë arsye, autori i veprës “Vargje të këputura”, Sejdi Berisha, provokon dhe ushqen mendjen e lexuesit duke na ofruar mesazhet dhe metaforat që i ngjajnë etjes karakteristike për fatin e njeriut, për lumturinë e tij, për vuajtjet dhe kënaqësitë, të cilat shpeshherë apo gjithnjë ndodhen apo edhe kapërthuren si një tërësi hieroglifësh, të cilat, sikur autori na detyron që përmes vargut t’i përjetojmë por edhe t’i përcjellim edhe si mesazh të veçantë, nëse është nevoja.

Për këtë arsye, “Vargje të këputura” të lënë pa gjumë, duke medituar, por edhe duke e ushqyer shpirtin me gjërat më të mira të cilat i kërkon mendja, zemra dhe shpirti i njeriut, e të cilat gjëra, me decenie e me shekuj i përjeton por edhe i kërkon kombi e atdheu mbase edhe njerëzimi. Andaj, kjo është gjithnjë “dhuratë” që yshtë për ta jetuar jetën, për ta menaxhuar atë.

Pra, duke mos elaboruar më gjatë për vlerat e librit më të ri, “Vargje të këputura”, mund të thuhet vetëm se, poezia e autorit, Sejdi Berisha jeton, rrugëton, vuan, krenohet e përcëllohet bashkë me poetin, bashkë me njeriun, të cilin, autori, më të vërtetë, edhe atë e shndërron në varg e në këngë, e shndërron në histori e istikam, në rrëfim e filozofi jete, që rrallë mund ta hasësh gjëkundi tjetër. Për këtë, më së miri dëshmon edhe mesazhi e metafora e vetë titullit, “Vargje të këputura”...!

Andaj, me të drejtë mund të thuhet se vepra me poezi “Vargje të këputura”, të autorit, Sejdi Berisha, për lexuesin është dhuratë e veçantë në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë, për çfarë provokojnë edhe vargjet: “...Duke të kërkuar/Ty Atdhe në jetën time/Dhe jetën/ Në Ty Toka ime/Kam ngelur/Vetëm duke kënduar...”.

Librin, “Vargje të këputura” e botoi Club Kultura – Pejë, 2012.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT