E enjte, 19.05.2022, 09:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Një udhëtim në të gjitha trevat shqiptare

E enjte, 25.10.2012, 07:45 PM


Një udhëtim në të gjitha trevat shqiptare ku kanë çelur  trëndafilat e besimit.

Nga Kujtim Mateli

Poezia e Namik Selmanit ushqehet në një truall të pasur ku kanë lindur mitet dhe legjendat e para në këtë hapësirë ballkanike. Ky truall vlerash të larta është vendlindja e poetit të talentuar Bilal Xhaferri dhe tani së fundmi, vendlindja e një poeti tjetër po ashtu të talentuar, Namik Selami.
Namik Selamani vjen para lexuesit me vëllimin poetik “Pesha e qiellit të vendlindjes”, pasi ka botuar mbi 20 vepra të llojeve të ndryshme letrare në prozë, monografi, botime pedagogjike, të cilat kanë një shtrirje të gjerë në kohë, ndërsa për hapësirë: gjithë trojet shqiptare. Vëllimi poetik “Pesha e qiellit të vendlindjes” vjen pas shtatë vëllimeve poetike të cilat profilizojnë artistikisht poetin Namik Selmani si zërin tingëllues të trevave Jugore.
Hapësira Jugore e Shqipërisë ku bën pjesë dhe Çamëria është djepi që lindi mitet dhe legjendat, ku njeriu i hapësirës ballkanike për herë të parë iu drejtua tempujve dhe krijoi tempullin e famshëm të Dodonës. Aty, në ato treva jugore, njeriu kuptoi se përtej vetes, diçka tjetër e drejtonte fatin e tij, që ishte përtej fuqisë dhe mundësive të një qënieje njerëzore. Njeriu i parë i këtyre trevave iu lut kësaj fuqie që ta ndihmonte e të përparonte.
Dëshminë e kemi që nga segmenti kohor i shekullit XII para erës sonë,  kur Odisea para se t`i dretohej vendlindjes së vet, Itakës, gjatë kthimit nga Lufta e Trojës, shkon aty në ato treva ku ka vendlindjen poeti dhe i kërkon ndihmë perëndisë. Dhe orakujt ndaj ishin krijuar që të ndihmonin njerëzinë, t`u hapnin sytë e të mos bënin marrëzirra. Orakujt ishin produkt i mençurisë njerëzore.
Aty, në ato treva ku poeti ka shtëpinë e vet të braktisur, vinin nga të gjitha anët e botës të dëgjonin një fjalë të mençur nga stërgjyshi i poetit Namik Selami. Vinin pa shpresë e largoheshin me besim te jeta e te fjala njerëzore. Aty, për herë të parë njerëzit mësuan si të mblidheshin bashkë e të kërkonin më tepër se sa u jepte jeta në tokë. Në ato treva Jugore njerëzit iu drejtuan qiellit e diellit. Ndaj qielli në ato treva është i shenjtë dhe i rëndë. 
“Pesha e qiellit të vendlindjes” që poeti Namik Selamani i jep publikut shqiptar, është një vëllim që mbart nëpër vargje shpirtin e mirësisë e të dashurisë së shqiptarit.
Libri është ndarë në disa cikle poetike, ku secili prej tyre trajton një tematikë të caktuar. Në to shpaloset bota emocionale e poetit, por edhe e popullit shqiptar kudo që ndodhet deri në kontinentin e largët amerikan. Meditime e shpresa, ardhmëri e lumtur e zhgënjime, arritje e mosarritje, histori dhe aktualitet, mitologji dhe realitet, depërtim në thellësi të dukurive a përshkrim i sipërfaqshëm i tyre, është materiali me të cilin janë ndërtuar poezitë e këtij vëllimi.
I
Cikli poetik: “ Bëj të zë, po të merr era”  që hap këtë vëllim poetik, është i ndërtuar me motive çame. Për poetin janë motivet e vendlindjes së tij, ndërsa për shqiptarët janë motive që përbëjnë një plagë të pa mbyllur për shoqërinë. Pullazet e lagur nga pikat e shiut të kujtojnë lotët e nënave çame. Poeti Çamërisë, Bilal Xhaferi, i pranishëm tek shqiptarët me vargun e tij brilant, është sjellë nga poeti Namik Selamani në sfondin e realitetit të sotëm:
 “ Koha jonë daulleshpuar,
Gurgullon me gaz e derte,
Zërin tënd kurorëmbuluar,
Po përcjellin kontinente”. (Poezia, Klithma e dhimbjes çame, fq. 21)
Poezitë “Ngjalëro, moj pikëlore”, “ Për ty, moj sy purtekë” “ Kur e bëj hi dhe malin” “ Bëj të zë, po të merr era…” apo “ Për ty u thanë lulet” e të tjera, jepet portreti i vajzës çame.  Pranë saj djali ndihet princ. Pranë saj djali ndihet mbret. Ajo është vetë bukuria e Çamërisë.
Po Çamëria ka dhe anën e saj të dhimbshme. Poezia “ Makrabiteti i pabesisë” është mbështetur mbi një fakt real. Në Selan të Paramithisë u vranë 72 burrat më të zgjedhur të kësaj krahine. Ishte viti 1913, vetëm pak kohë pas përfshirjes së Çamërisë në territorin grek. Pasi lexon poezinë ndihesh i tronditur. Të duket sikur nuk ke lexuar vargje poezie, por të shtëna armësh. Të duket se në Çamëri pranvera nuk rrëzon petale lulesh, por trupa njerëzish nga një dorë mizore. Po mbushet një shekull, po njeriu nuk mund t`i shlyej nga kujtesa fatkeqësi të tilla. Kushdo që ka lexuar këtë poezi ngre një monument dhe e vendos  aty në Selan, ku duart e tyre mbetën përjetësisht të ndera drejt pragjeve të shtëpive e fjalët e pathëna mbetën amanete për të gjallët.
*****
Poezia “ Hapma derën Kumanovë” na flet për lidhjet shpirtërore të shqiptarëve, për atë ndienjë brilante e të pastër si bardhësia e borës së maleve. Dëshira e shqiptarëve për t`u bashkuar fort me njëri-tjetrin kudo që ndodhen, mbetet përherë e blertë si ullinjtë e vendlindjes së poetit, e zjarrtë si vetë shpirti luftarak që është shenja jonë dalluese.
Poeti ka shkuar në Kumanovë për të çuar atje lotin e nënave çame, trëndafilin e këputur në murranën e pragjeve të shtëpisë që pret të ringrihet përsëri nga duart e bijve të saj.
Poeti ka shkuar në Kumanovë. Gjithë mallin dhe dhimbjen e Çamërisë e ka mbledhur dhe ngjeshur në një poezi të vetme, ashtu siç mbledh bleta polenin dhe nektarin duke na servirur produktin mjaltë për tryezat tona. Në një vjershë e mblodhi poeti Çamërinë. Kryelartë  për punën e vet dhe të parëve të tij që ditën të identifikohen fort tek vlerat e Atdheut, lëshon thirrjen e njeriut që nuk ka kohë për të humbur: “Hape derën Kumanovë, ka ardhur Çamëria!”.
Ishte zëri i stërgjyshërve të poetit që vinte nga brigjet e Jonit. Ndaj banorët e Kumanovës i dëgjonin këto vargje me kureshtje e vëmendje. Ishte 11 marsi i vitit 2010. Midis atyre dhjetra poezive që konkuruan, poezia e poetit Namik Selmani u nderua me çmimin e festivalit.
Poeti u largua duke marrë me vete çmimin e vlerësimin më të lartë që i bënë miqtë dhe vëllezërit e tij, por la pas jehonën e vargjeve që ende ushton përreth Kumanovës:
“ Do të doja
të ngre me këngët e trimave dolli në brigjet e Pragës.
Këtu në Kumanovë, vallen e Osman Takës të hedh.
Hej, poetë zëmençur të Kumanovës!
Ndihmomëni me urti të mund Kuçedrën e Shtrëngatës!
E shqiponjën ta rigdhend me duart tuaja në djep.
He, Kumanovë,
a po më dëgjooon??? (Poezia “ Hapma derën Kumanovë”, fq 40)
II
Një vend të rëndësishëm në këtë vëllim zënë edhe poezitë e ciklit “ Trëndafilat e Prishtinës.  Aty, në Gjakovë, poeti ndihet si një kalorës që mëngjesi i ditës së re do ta gjejë në një llogore lavdie. Aty, në Gjakovë, poeti e mbush gotën me musht gëzimesh, aty vajzat shpërndajnë shporta të mbushura me buzëqeshje, aty ndien se dikush t`i ka përzënë thinjat e bardha. Ndaj poeti kërkon t`i bjerë cep më cep Kosovës e të vërejë kupës qiellore se si zogjtë kërkojnë të afrohen me diellin...
Ja dhe Prishtina me trëndafilat e saj. Ja dhe urimi i poetit: “ Në këtë truall të paqtë bisku i blertë kurrë mos u thaftë”! Shtegton poeti e pasi takon heronj e luftëtarë kërkon të shkojë atje,  te Ura e Ibrit. Udhëton e  mendon për një cast: A ta sjellë një gur së largu, nga Ura e Prevezës e ta vë nën qemerin e Urës së Mitrovicës…? Udhëton e i duket se është ende larg për të mbrritur atje:
 “ Po ku je
e ku më dukesh e më zhdukesh , moj Urë e Ibrit?
Ma beko këngën e lume
e mos ia thaj asnjë cast këngës, bistakun e filizit”! (Poezia, Po ku je moj Urë e Ibrit fq. 60).
III
Vlerën këtij vëllimi poetik ia shton edhe cikli “Sytë e Amerikës” Është një kontinent i largët, por i dashur dhe i afërt për shqiptarët. Aty jetojnë disa qindra mijëra shqiptarë që, më mirë se në çdo cep tjetër të botës, realizojnë ëndrrat e tyre. Në këtë hapësirë të re poeti kërkon të bëhet pjesë e kësaj shoqërie, të matet me arritjet e saj dhe të vendosë në detin e blertë të dijes një fjalë të mençur që të përfaqësojë denjësisht popullin të cilit i përket. Aty, nga Ura e Bruklinit, në Nju Jork, poeti kërkon të mos ndihet si një vizitor i vetëm, por t`i thërrasë e t`i ketë pranë të gjithë: edhe Osman Takën e Çamërisë, edhe karvanin e krushqve dibranë, edhe zërin magjik të Vaçe Zelës, edhe Pagarushën e Prishtinës, edhe Laver Bariun e Përmetit. Poeti i do të gjithë aty e të niset bashkë me ta në flatrat e ëndrrës. Aty në Amerikë nuk ndihesh i huaj, kur sheh  fëmijët me abetaren shqipe ndër duar. Nuk ndihesh i huaj kur shikon flamurin shqiptar të valëvitet. Aty në Amerikë nuk ndihesh i huaj, kur në mbrëmjet e Bostonit shikon Nolin tek mëshon shqip mes tingujve paqësorë të këmbanave, ndërsa fryn një aromë e freskët shqiptare.  Aty në Amerikë…..
“ Ja, këtu në Bruklin
Si në qoshen më të nderuar të Odës
Dua të ngre një dolli
Për gëzimet që jep liria, puna dhe balli i mençur”. (Poezia, Frymë amerikane, fq.64).  
IV
Cikli poetik “Drita e agimit” u kushtohet disa prej figurave më të dashura për poetin e lexuesin. Duke dëgjuar Nexhmije Pagarushën, njeriu ngjitet shkallëve të bukura të qiellit dhe pastaj zbret e bëhet semafor rrëzëllitës në udhëkryqet njerëzore. Nënë Tereza, aq e dashur për shqiptarët dhe për të gjithë popujt e botës, na lumturon, teksa e kujtojmë atë në ditë të shënuara e përvjetorë. Por, deri dje…., teksa fluturonim mbi qiejt tanë mbi ca avionë prej letre, nuk arritëm ta preknim ëndrrën, dhimbjen dhe shpresën e Nënës së Madhe.  Poeti u ka kushtuar poezi njerëzve të thjeshtë të punës, atyre që thurrnin ëndrra, teksa ballin ua rrihte butësisht flladi ullishtor e erë e portokalleve.
“Si bujq hyjnorë të hapim brazda
të vijnë pas nesh breza të lumtur,
Kur në pranverë të mbillet fara
Të vish dhe ti me sytë e bukur”. (Poezia, Baladë për Laton, fq. 104)
V
Cikli poetik “Rituali i udhës” 
përshkrohet nga vargje plotë ndienjë që të marrin me vete e të shpien larg. Qëndron bashkë me peshkatarët pranë rrjetave, kur syri i diellit lë brigjet  e radha u vjen yjeve dhe hënës të ndriçojnë varkat në detin e pa anë.  Ndalesh në Stamboll, aty ku Naimi bëri poezinë dhe mëkoi atdhedashurinë. Vështron me kureshtje lejlekët e Strugës, që mbajnë në sqep një fije bari të virgjër.
Poezia “ O, ç`më piku dritë e këngës” ndërtuar sipas një motivi matjan, na paraqet atë bukuri natyrore dhe shpirtërore që krijon një nga krahinat më të spikatura të vendit tonë, siç është ajo e Matit.  Aty njeriu ndien fisnikërinë  e shpirtit që matjanët e shfaqin gjithmonë në tavolinat e tyre sa herë bashkëbisedojnë me mysafirë; aty ndihesh si kryekrushk edhe pse ke shkuar për të pirë një kafe a për të shkëmbyer një mendim a përvojë. Aty rrethohesh nga fjalë urimi që të krijojnë atmosferën e pranverës ku gjethojnë lisat e lartë e hijerëndë.  Aty, ato fjalë të çiltërta të matjanit, beharojnë dhe stinën e dimrit, aty:
“ Bashkë me miq zbraz kupa vere, tej në Dejë, ndë Allaman,
Dielli hedh bistakë me rreze në kurorën tingujartë.
O, çmë pik kjo fjalë mentari, më bleron djerrina shpirti,
Kush u mat me valle Mati e nuk mori hije princi”. (Poezia, “ O, ç`më piku dritë e këngës”, fq. 136)

Poezia “ Për ty…!” na e ndal atë vrullin që na  kanë dhënë  vargjet e Namik Selmanit dhe ndalemi për një çast e vështrojmë të dashurën e zemrës.
Ç` kërkon një zemër e dashuruar? Atë fjongon e blertë që të qetojë shpirtin e plagosur, atë dorën e butë ku çelin të gjitha lulet e botës, zjarrin e gjoksit ku do të shohë se digjet pafajësisht një flutur.
Ç` kërkon një zemër e dashuruar? Gërshetat për t`i shthurur me duart që i dridhen muzgjeve të kaltër e në ballë të vendosë një gjerdan me xixëllonja maji. Pak ujë që rrjedh nga kroi i buzëve, si dhe detin e flokëve. Pastaj… të lundroj si kapedani.
Ç` mund të bëjë një zemër e dashuruar?  Për të sjellë një rreze…, do të dëbojë dhe shtëllungat e reve, gurët e shpateve të thikta do t`i zbresë e t`i bëjë karafilë në duar vajze. Pastaj, të dy do të prekin qiellin e ngrohtë me duar e do të valëvisin një shami me parfum lëndinash. E pastaj:
“ Me atë zë të magjishëm dua të prekë udhët e jetës që më presin,
Të kthej si një div në blerim maji gjëmbaçët e frikshëm
Dhe kur hesht, besomë, flas me ty e më dëgjon vetëm qielli,
E më duket se me ty vallëzoj si një ëngjëll në detin e Dritës”. (Poezia, Për ty…!, fq 158).
*****
Poezia e Namik Selamanit është e ngrohtë e ledhatuese si vetë erërat e vendlindjes së tij. Ajo të duket sikur të thotë : “më mbaj pranë… se kam nevojë për ty” dhe ti, i kthen të njënjtën përgjigje: “ po të mbaj unë pranë se më krijohet një boshllëk pa ty”. Me poezinë e Namik Selmanit, e vështirë është sa të njihesh. Në ato vargje gjendet enciklopedia e botës shpirtërore.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora