E premte, 19.04.2024, 07:45 AM (GMT+1)

Faleminderit

Adriatik Kallulli, ky shërbëtor fisnik i artit

E shtune, 19.04.2008, 04:58 PM


Adriatik Kallulli
Nga Fran Lleshi

"Personalitete e kulturës dhe të dijes mund t'i njohësh prej veprave që kanë dhënë, por mund të kesh fatin ti njohësh edhe drejtpërsëdrejti, si njerëz të gjallë, përmes kontaktit që ke me ta". Të dyja mundësitë e mësipërme të cituara nga Adriatik Kallulli në librin me kritika dhe ese të titulluar "Pema e Jetës" mu dhanë mua fatmirësisht që në moshë të re, kur u njoha me profesor Dr. Adriatik Kallulli.

Atëherë punoja dhe jetoja në Kurbnesh, duke ardhur shpesh në Tiranë për probleme shtypi, pata rastin dhe fatin e madh të prezantohesha nëpërmjet regjisorit Gjergj Doçi ish student i tij.

Që në takimin e parë më bëri për vete thjeshtësia, ngrohtësia dhe pasuria e madhe shprehëse e tij prej një dijetari të çuditshëm. Dhe s'kisha si të mos mbetesha mik me këtë njeri të nderuar, jo pse ai delte shpesh në ekran e fliste për letërsinë dhe artin, apo që botonte herë pas here në shtypin e kohës kritika dhe ese, por sepse më ofroi në mënyrë dashamirëse vlerësimin për krijimtarinë poetike që i isha paraqitur, fillimisht më dhuroi një libër të R. Bërnsit, në atë kohë s'kisha mbaruar universitetin dhe dëshira e madhe e pasioni për letërsinë më digjnin si zjarri. Por unë nuk ngutesha për të botuar poezi, përveçse artikuj, skica, reportazhe në organet e shtypit, ndihesha i lumtur kur ballafaqohesha me shënimet kritike të tij rreth poezive të mia, në faktin se ai kish zbuluar si të thuash një farë talenti te mua. Një mbushje gëzimi që më jepte kurajë për të punuar në pasurimin tematik dhe përpunimin artistik, që do të vinte si rezultat edhe i leximeve për të cilat më kish dhënë aq porosi. Nuk më harrohet kurrë përgjigjet e tij, që mi dërgonte me një qartësi të theksuar kaligrafike atje në shtëpinë e kulturës së Kurbneshit. Më vonë do të më dhuronte librin "Pema e Jetës", që është për mua dhe për të gjithë një pemë më shumë fruta, me vjelje të pafund mendimesh, konceptesh, idesh jo vetëm në fushën letrare e shoqërore por edhe politike.

Të qenurit altruist

Të qenurit altruist për ti ndihmuar krijuesit e rinj pa kurrfarë interesi, flet për një shpirtmadhësi e respekt për njerëzit. Por gjestin më human ndaj meje do ta tregonte i nderuari Profesor Adriatik Kallulli në rastin, kur në spitalin e Rrëshenit kisha në gjendje kome të ndjerën vajzën time 6 vjeç, për të cilën u vura ndjeni që të interesohesha pse nuk po më vinin mjekët e spitalit të fëmijëve, që i kishin kërkuar për ndihmë ata të Rrëshenit. Adriatik Kallulli la çdo punë të tij duke ndërhyrë shoqërisht, dhe ekipi i ndihmës mjekësore erdhi ndonëse s'qe i mundur shpëtimi i saj. Shkas për këtë shkrim nuk janë vetëm këto gjeste humane të këtij fisniku të madh të pajisur me virtytet më të larta prej artisti dhe prindi të vërtetë, por edhe të shpallurit e tij "Qytetar Nderi" i bregdetit, dhe sinqerisht u ndjeva shumë i lumtur sepse ai meriton plotësisht një nderim të tillë, e kur të nderon vendlindja, të ka nderuar i gjithë vendi. Mirënjohje të madhe edhe për ju o njerëz fisnikë, që nderoni fisnikë të tillë si Adriatik Kallulli njeriun e vërtetë, Profesorin e veçantë të adhuruar nga dhjetëra breza studentësh, kritikun letrar, mjeshtrin e eseve, lëvruesin e shumë artikujve, autorin e disa librave, parathënësin e shumë poetëve e shkrimtarëve, njeriun e respektuar jo vetëm nga njerëzit e artit. Mençuria e tij e skalitur me një dashuri të madhe ndaj njerëzve të artit, është pasuruar në shumë ese kushtuar Nolit të madh, Naim dhe Sami Frashërit, Çajupit, Migjenit, Fishtës, Poradecit, Petro Markos e Konicës, Gurakuqit, Paskalit e Jup Kastartit.

Nuk gjej dot fjalë më të qëlluar për Profesor Adriatik Kallullin se ajo e profesorit të ndjerë Jup Kastarti: "Ju, ju ka pajisur natyra me aftësinë e njeriut që ka si dhunti të vetën të paimitueshme forcën e shprehjes, ekspresivitetin, leksikun adekuat e të larmishëm, formën tërheqëse, të bukur, elegante, stilin energjik konician me brendi të shëndoshë me përmbajtje plot me brumë, me logjikë të mprehtë, me inteligjencë jashtëzakonisht të rrallë".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora