E enjte, 25.04.2024, 10:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Nikollë Mini: A jemi popull i nemun

E merkure, 24.10.2012, 07:46 PM


A JEMI POPULL I NEMUN

Nga Monsinjor Nikollë Mini

Thonë se i nemuri nuk sheh ditë. Sa më tepër që të nemet aq më tepër i ngjitet nema. Nëna nem të birin e saj ose bijën e vet... nema e babës, nema e të vobektit, nema e të ligshtit: kur hyn në hak të huaj atëherë nemin. Më parë të shohim se shka është NËMA ose të nemurit. Latinisht i thonë i m p r e c a t i o, që do të thotë me ia dëshirue ndokujt të keqen ose vdekjen. Me trua, latinisht m a l e d i c e r e, që do të thotë me i folë keq kujt, prandaj e folmja e të truemjes është më e rëndë. Me trua do të thotë me i ofrua ose kushtua kujt ndoj gjë. Prandaj kur turajm, na ja kushtojmë, ofrojmë djallit, s’keqes birin, bijën, ushqimin, shpirtin etj. Kështu që me gojën tonë ia falim s’keqes ose diallit atë shka kemi në mendjen o njetin për t’ja kushtuar ose falur.

Në popullin tonë ka zënë kryet e vendit nema, dukuri jashtëzakonisht e keqe, shka është edhe më keq, nem gjithkushi e gjikenin e çdo herë. A jemi pra popull i nemur?

Po nemin FAMILJET E RRËNUARA dikur kompakte e komplete.

Po nem DASHURIA e humbur ndaj familjes, fqinjit e dashamirëve të humbur.

Po nemin DOKET E MIRA DHE ADETET E SHQIPTARËVE që na e kanë ruajtur identitetin gjatë shekujve.

Po nem BESA SHQIPTARE e humbur dhe e shkelur.

Po nem VESHA KOMBTARE e harruar dhe e braktisur.

Po nem KAPUÇI I BARDHË SHQIPTAR prej të cilit po mbarrohemi, prej të cilit muarëm emrin e bukur A l b a n u s.

Po nem NDERA DHE FYTYRA SHQIPTARE.

Po nem BURRËRIA SHQIPTARE.

Po nem FJALA E FORTË SHQIPTARE.

Po nemin BUKA DHE MIKPRITJA SHQIPTARE.

Po nem BUKA KOLLOMOQE se s’ka kush e han, e cila na ka dhënë fuqi të punojmë tokën.

Po nem LAHUTA SHQIPTARE e varur në mur si kujtim dhe dëshmi kundër nesh.

Po nem BUZMI i harruar.

Po nemin QIFTELIA DHE KËNGËT KRESHNIKE të dikurshme.

Po nemin DJEPAT SHQIPTARË që kanë mbetur shkretë e s’kanë pse të përkunden.

Po nemin TROJET SHQIPTARE që për shkak të gurbetit mbetën pa banorë.

Po nemin OXHAQET SHQIPTARE PA TYM.

Po nem BAGËTIA se s’ka kush me i kullotë dhe mjelë.

Po nem TANURI se s’ka më pogaçe.

Po nem PUSHKA sot e fshehur, e përpara e varur në mur bashkë me lahutën e çiftelinë, e cila dikur ka qenë drejtuar kah armiku e tash kah vëllau shqiptar.

Po nemin TRARËT E SHTËPISË të cilët gëzoheshin kur lindte zog shqiptari.

Po nem SYRI depërtues dhe i sigurtë, dikur; tani i mbrojtur prej diellit me syza të zeza.

Po nemin DUART e vrazhda puntore shqiptare të shëndruara në duar femrash të bardha e të buta, të mbrojtur me dorëza.

Po nem UJI I FRESKËT i zëvendësuar me ujë të bojlerave.

Po nemin ODAT e burrave me postaçia, të zëvendësuara me kolltukë të butë.

Po nem GJAKU I PAFALUR.

Po nem GJAKU I PAFAJ.

Po nem ALKOHOLIZMI që ka marrë hov e po i rrënon familjet tona shqiptare.

Po nem SUNDIMI I GRAVE që kurrë para andej s’është ndier ndër familjet tona shqiptare.

Po nem FEMINIZMI të cilit s’ja kemi pasur zanat kurrë.

Po nemin VIDEOKASETAT pornografike nëpër familjet tona.

Po nemin LOTËT E BURRAVE që u dalin ma zi se grave kurdo falet gjaku, në vend që të shtrihet dora e pajtimit me bujari, zemërgjerësi, me burrëri e pa lot.

Po nem KATUNDI se po skuqemi prej marres për prejardhjen tonë.

Po nem SKËNDERBEU i cili po çuditet vegimthi në varr për pasardhës të padenjë.

Po nem SHQIPONJA e cila në çudi thërret  n’ditët tona : “qysh m'ka ardhë magjupi kojshi, po dalin fëmijët e zi”.

Po nem VASO PASHË – SHKODRANI, se kinse s’po din se kush na ka shti me kry’në hi.

Po nemin BURRAT E DHEUT të dikurshëm se kanë lanë pasardhës burreca.

Po nemin POLITIKANËT E MOÇËM se po shofin pas vetit “ni pllamë njeri e tri pllamë seri edhe sherri”.

Po nemë NAIMI, BOGDANI, GURAKUQI, NOLI, FISHTA... dhe një pejadë e madhe burrash fisnikë, se s’kanë mbajtur vetëm fjali me penegjerike të bukura, për të kënaqur vetëm veshë, por edhe kanë vepruar dhe nuk kanë thanë “hop” pa kapërcyer e pa luajtur nga vendi.

Vallë a mos jemi edhe ne të nemur prej ndokujt a prej dishkahit. A mos na u ka ngjitur edhe ndoj nemë prej ndokujt nga këto kategori të paraqitura o ndonjë tjetër e pacekur këtu? A mos kemi dalur tepër shpejt prej errësirave të rënda në një dritë jashtëzakonisht të fortë që po na i lëbyrë sytë...?

PO NEM... PO NEMIN... Kush mbet pa nemë! Por është një e vërtetë e madhe se një popull nuk do të vritet pa dashur vetë. E ky popull është kombi ynë i cili vret vetën, si thotë populli, me gisht të madh. E kush na ka fajin, vetëm e vetëm ne e kërrkush tjetër me sjelljet tona të dëmshme për vete. E kush vret vetin gjak s’i lypet.

Po na bien në sy t’metat dhe mungesat e popujve tjerë dhe mënia që e kanë kundër nesh është shpeshherë me vend e me arsye: a s’kemi edhe ne mjaftë Kaina, gjakpirësa, t’padrejtë, alkoholikë, abortsusa, gryksa, tinzakë, gënjeshtarë, juda tradhtarë, kundërshtarë të fesë e të kombit, anmik i vëllaut që s’i përket fisit tonë, karierista, kriminelë, kontrabandista, mafiozë. A s’prekim në kurorë të huaj, në femra të huaja, ngatërrestarë, spiunë të papaguar, ngucakëqi, përziesa, lakmues në mallin e huaj, smirezez, zemërkëqi, sykeqij. A nuk braktisim të drejtën e i dalim zot së padrejtës, a s’qesim kuta e spica të tjerëve. A kemi pak hakmarrësa, a s’jemi shpeshherë qyqarë, frikacakë ku nuk duhet. A s’jemi egoistë dhe egocentrikë, shkurt: a jemi një popull i smuar?

Shumë lavdet ia kemi thurur vetit, e shumë na ka hi vetja në qejfë. T’ja fillojmë prej vetvetiut e të pyesim vetin a na ka mbetur gjë e mirë, a i kemi humbur trashëgimet e bukura, vetitë e mira, me fjalë tjera, a mund të na njohë bota si dikur që na ka njohur se jemi ky popull e ky komb e jo tjetër. Me çka mund të mburremi ne sot: a me veset tona t’sotme, a me fisnikërinë e moçme nëpër këngë kreshnike të vjetra. A mos jemi duke jetuar sot në kredi të moçme të të parëve tanë?

Duhet të jemi të çiltër s’paku para vetvetës!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora