E premte, 29.03.2024, 03:42 PM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: Nga ditari i një shtegtari të dritës

E shtune, 19.04.2008, 08:00 PM


Adnan Abrashi
Meditime:

NGA DITARI I NJË SHTEGTARI TË DRITËS

"Mos i beso atij që thotë se e gjeta të vërtetën, por besoji atij që thotë se e kërkoj të vërtetën."

Nga Adnan Abrashi

Si djalë i vetëm, siç thuhet "hasreti" në familjen time, gjithnjë kam qenë i edukuar me mësimet e traditës patriarkale. Babai, e posaçërisht nëna, përherë më kanë bombarduar me mësimet religjioze, duke ma imponuar bindjen, se njeriu është krijesë më madhështore e Perëndisë, i ndërtuar nga dheu si trup që vdes dhe shpirti i pavdekshëm hyjnor. Deri në kohën e pubertetit, posaçërisht të adoleshencës së vonshme, mësimet fetare nga prindërit e mi i pranoja ashtu sikur ishin: shabllone standarde të prezantimit, të shprehura me nivelin e tyre të kuptuarit të gjërave. Nga tërë këto, kureshtjen time të njomë atëbotë më së tepërmi e sfidonte etika fetare, posaçërisht , ajo e parimeve të drejtësisë hyjnore, që në të ardhmen, gjatë formimit tim si personalitet i kompletuar, do të jenë bazë e pikënisjes për kërkimet dhe shtegtimet e mia në këtë rrugë të pakthyeshme të anës tjetër të krijesës sonë-SHPIRTIT.

Në tërësinë e qenies sime, përherë ndieja bindjen se mësimet religjioze ishin të drejta dhe në të fshihej urtësia e madhe intelektuale, por kurrsesi nuk mund të pajtohesha me mënyrën e shqarimit dhe zbatimit të tyre praktik, veçanërisht për nivelin edhe më të lartë të vetëdijesimit tonë shoqërorë.

U sfidova nga ky realitet. Fillova të kërkoj më tej...më tej, e më tej, duke gjurmuar varësisht nga mundësitë reale të qasjes në literaturën përkatëse, dhe aq sa më lejonte niveli modest i aftësive të mia intelektuale. Në këtë rrugë që ishte e gjatë, shumë vonë vërejta se, pikërisht në njohuritë e stërgjyshërve tanë të lashtë, fshihet visari më i çmueshëm i urtësisë së vërtetë, të cilin unë pandërprerë e kërkoja diku , dhe të jem i sinqertë, duke mos ditur as vetë saktësisht se çfarë në realitet kërkoja.

Në këtë rrugë të pakthyeshme, kam hasur në mjaft libra, literaturë të ndryshme siç i quanin alternative, njerëz, bashkudhëtarë të shumtë kurioz si unë... Brodha i humbur tërësisht në jetë, përplot trauma dhe dëshpërime të njëpasnjëshme ...por, sfida e përhershme dhe këmbëngulësia në gjetjen e përjetimit të ndjenjës adekuate se "mu kjo është ajo se çka unë kërkoj", nuk më është zhdukur kurrë. Nuk nguroj aspak të pranoj se tek pas dyzet viteve e zbulova formulën e parë të urtësisë që m'i hapte shtigjet e arritjes deri te caku i pagabueshëm që do të më shpjerë kah lumturia në jetë. kah rruga e dritës!

Brohorita "E U R E K A"!

Formula ishte e thjeshtë, por gjeniale: ZOTI ekziston dhe është në mua. AI nuk është shumë larg, diku në qiell, ku unë isha mësuar gjithmonë ta kërkoj".

Ishte kjo ajo pikënisje e parë që më orientoi kah binarët e rrugës së vërtetë të dritës. Rrugës që kaherë isha nisur dhe dëshiroja që me çdo kusht të arrija në cak...por, cak nuk kishte! Vetë rruga ishte cak! Vetë kërkimi ishte cak!

Instalova veten në binarët e kësaj rruge të pakthyeshme të jetës, dhe më në fund, zbulova se kush isha unë në të vërtetë. Një zë i së vërtetës nga brendësia e qenies sime më foli: "Ti je realiteti i kësaj bote. Ti je shkëndija e zjarrit të madh të Perëndisë që ndizet pandërprerë dhe quhet jetë..."

Por, nga kjo bindje e filozofisë së jetës që më vetdijesoj të jem ai që jam, mu desh edhe një hap tjetër, edhe një veprim më pragmatik: si ta gjej Zotin në mua dhe si të komunikoj me të?
Edhe pse shumë më pas, por kurrë jo vonë, kuptova se komunikimi im me Zotin në mua ishte heshtja si gjuha e vërtetë e zemrës.

Të jem në heshtje dhe pa vlerësime, do të thotë të mos mendoj! Të mos mendoj do të thotë të jem në të tashmen, hyjnor dhe i shkrirë në Zotin...

Kështu zbulova edhe formulën e kërkuar pragmatike: vetëm e tashmja duhet pranohet, të përqafohet dhe të merret ashtu sikurse është. E kaluara dhe e ardhmja , me të cilat merresha më së shpeshti në mendje, ishin joreale dhe krijesa të fantazisë sime, dhe se të menduarit për to, më mundësonte ta ndjeja kohën...E koha ? Koha s'është asgjë tjetër, veçse lëvizje e mendimeve.

Vetëm e tanishmja është vetëdija e pastër. Është ajo realja dhe e përjetshmja e amshueshme. Ajo është

fusha e paskajshme e mendimeve që në realitetin tonë objektiv shprehet si forca abstrakte, si dritë, nxehtësi, elektricitet, magnetizëm... etj. Dhe, më në fund kuptova se, këto forca nuk janë prezentë as në të kaluarën, as në të ardhmen. Ato, thjesht, janë...
Kjo është e vërteta e shtegtimit tim kah rruga e dritës! E vërteta e cila nuk përmbyllet, por vazhdon. Ajo është vazhdimësi e pandërprerë kah e përsosura e përhershme në kreacion ...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora