E premte, 19.04.2024, 03:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Sami Islami: Si u punësua Miri në ministri?

E marte, 23.10.2012, 07:00 PM


SI U PUNËSUA  MIRI NË MINISTRI?

Tregim nga Sami ISLAMI

Dardania asnjëherë nuk e kishte lënë të qetë pushtuesin. Po ama edhe pushtuesi gjithnjë e kishte pasur nën monitorim atë. Por këtë pranverë situata ishte pak më ndryshe se viteve të kaluara. Ishte kështu, sepse,  mu në këtë pranverë ndodhën  demonstrata të mëdha  të studentëve në gjithë  Dardaninë, ku hapur shprehej pakënaqësia e popullatës ndaj këtij pushteti. Tani pushteti instaloi kontroll  edhe më të fortë. Instrumenti më i përshtatshëm, për të bërë  këtë punë padyshim ishte  Partia. Nëpërmes partisë njerëzit  ngriheshin në kierarkinë shtetërore, merrnin pozita, inkuadroheshin në  vende kyqe, pasuroheshin, bënin karrierë…Po kjo privilegj nuk ishte për të gjithë, se ajo dinte edhe të të fundoste sa nuk ta merrte mendja! Po të ishe i njollosur politikisht, për shembull,  ishte tepër vështirë, madje edhe  e pamundur, të ecje përpara. Ishte vështirë, të gjeje një  punë të mirë, sepse pothuaj kudo kërkohej që kanditati të ishte i përshtatshëm politikisht. Ky kontroll vërehej pothuaj kudo, por më i theksuar ishte në arsim, media dhe  punët e larta shtetërore.

Në këtë kohë Miri punonte në arsim në një qytezë afër qendrës. Atje kishte bërë emër. Po ishte mërzitur duke punuar në provincë, prandaj e kishte mendjen të lëvizte diku në kryeqytet. Dhe një ditë, rastësisht,  pa në gazetë një konkurs  ku  po kërkoheshin disa bashkëpunëtorë në ministri. “Sa mirë do të ishte sikur të punësohesha këtu!”-mendoi. Me gjithë dyshimet  se nuk do të kishte  sukses ai vendosi të konkurojë. Pse jo? Ishte rast ideal  të lëvizte në kryeqytet. E dinte mirë se  ky   ishte vendi  ku mund të hapte rrugë për tjetër karrierë, ndoshta duke i siguruar një imazh tjetër në shoqëri. Ku ta dishë? Pa vonesë i përgatiti dokumentet. I dorëzoi. Pas pak kohësh u ftua edhe në test. Kjo gjë i dha një fije  shprese.

Në ditën kur do të mbahej testi ai shkoi  bukur herët. Por çfarë të shihte!? Para dyerve të ministrisë ishin mbledhur pesëdhjetë a gjashtëdhjetë   vetë! Që  të gjithë ata kishin ardhur për të konkuruar   për ato  pesë vende pune , që ishin shpallur në gazetë! Kur i pa Miri gjithë këta njerëz,  shpresa sikur iu venit . “Athu vallë unë do të mund të  pranohem këtu në gjithë  këtë konkurencë” ?- mendonte. Dhe derisa qe me këto mendime një njeri doli tek dera e ministrisë dhe me një zë autoritativ tha:

-Ju jeni për konkursin , apo jo?

Dikush nga të pranishmit e pohoi se ishin po ata. Të gjithë filluan ta ndiqnin atë. Grupit iu bashkua edhe Miri. Në këtë tollovi ai vërejti edhe dy shokë nga studimet, të cilët kishin ardhur, edhe ata, për të konkuruar. Ishin Nuzi dhe Lami.

Posa  u vendosën në një sallë të madhe, burri i thinjur dhe i majmë, i cili nga tashësia  mezi merrte frymë u prezentua:

-Unë jam Dema- tha.  -Para se të  filloni ta bëni testin do t’ju informoj se puna në ministri  është punë me shumë përgjegjësi. Punë që kërkon shumë sakrifica! Nëse dikush nuk është i gatshëm të ballafaqohet me këto sfida nuk i kisha preferuar të hyjë në test fare! Ju bëni si të doni!

Me gjithë “paralajmërimet” e Demës, testin e mbajtën të gjithë. Dhe pastaj u larguan secili në drejtim të vet.

Rezultatet  e testit u dhanë pas plot një jave dhe për çudi nga gjithë ata që kishin konkuruar ishin “pranuar” vetëm pesë! Në listën e atyre që kishin qenë të suksesshëm në test figuronte edhe emri i Mirit dhe i të dy shokëve të studimeve!  Një shkëndijë optimizmi, se do të pranohej, i shkrepi përsëri. Atë ditë deshi të merrte vesh  se kur do të mund t’ia niste punës, por i thanë  që pavarësisht  rezultatit të testit paraprakisht  duhej ta takonte Metin, ngase ai ishte përgjegjës për kuadra.

Miri të nesërmen në mëgjes iu ngjit shkallëve për në zyrën e kuadrave. Posa hyri  në zyrë kërkoi të fliste  me Metin.

-Unë jam Meti- tha njëri nga ata që ishin në  zyrë, e që nga tymi i cigareve  që pinin,  të gjithë njerëzit në zyrë dukeshin sikur nëpër mjegull.

-Erdha për punën e konkursit- tha Miri

- Si quheni? –pyeti Meti?

- Samir  Malaj.

-E kuptova! Ju e keni parë edhe vetë në listë  se ju jeni pranuar  në punë por nuk mund t’ia filloni punës pa ju ardhë  “rëntgeni” -  tha duke e vu pak  buzën në gaz, sigurisht nga se  e përdori fjalën “rëntgen”!

- Ç’është ky rëntgeni , pyeti, si me habi Miri?

-Mos u bën merak, tha Meti, tani duke e ndërruar qëndrimin dhe tonin e bisedës. Mori qëndrim më serioz  dhe vazhdoi.- Ne i kemi dërguar nga  një letër në komunat nga ishin kandidatët , për ta verifiku se  a janë të përshtatshëm idepolitikisht  me punu në ministri, apo jo? Një të tillë ia kemi dërgu edhe komunës tënde!

- Po sikur të mos isha  “i përshtatshëm ideopolitikisht”, siç po thoni ju,  nuk do të kisha pasur mundësi të punoj as  në arsim!- u përgjegj ashtu sikur kur deshi të justifikohet.

-A , jo  tha Meti. Këtu janë kritetere të tjera. Kjo është ministri.

Miri deshi të pyeste  edhe diçka Metin, por ende pa e hapur ky gojën, ai ia priti:

-Unë kaq mund t’ju them ! Pa ardhë  “rëntgeni”, nuk mund t’ia filloni punës këtu!

Miri  u hidhërua, por këtë pakënaqësi nuk e manifestoi aty për aty. Duke dalë po mendonte: “Aq zor qenka të marrin vesh këta në komunë se kush jam unë? U pa kjo punë! Kot paskam ardhë këtu!

Megjithatë, pasi që i kishte hyrë kësaj pune, donte ta çonte deri në fund. “Le të bëhet ç’t’ë bëhet” mendoi. Prandaj pothuaj  gati për çdo të dytën apo të tretën ditë , pas punës së rregullt, vinte deri në  ministri  për të marrë vesh se a kishte  ardhur  “letra”, apo “rëntgeni”, siç thoshte Meti, apo jo?! Kaloi një javë , dy… po s’kishte asnjë informacion për  “letren”.

Pikërisht, pas tri javësh,  takoi dy shokët nga studimet, të cilët  i kishte takuar edhe ditën e testit,  Nuzin dhe Lamin.

-Po më duket se ju  ia  paskeni filluar  punës!?- i pyeti.

-Po besa .

-Uh , sa mirë!- tha Miri.

-Edhe mua po thonë se më kanë pranuar, por po e kërkojnë një letër nga komuna!  Ç’është kjo dreq letër  që po e kërkojnë, ore? A jua kanë kërkuar edhe juve?

-Nuk di- tha Nuzi. Ndoshta këta ua kanë dërguar dhe komunës sonë po ne nuk dimë gjë. Neve na ftuan në punë.

- Po a e dini ju se kush e jep atë letër, vallë ?

-Nuk e di kush , po pyet në komunë  se sigurisht e merr vesh.

-Nëse vjen ajo dreq letër  a po më lajmëroni në shtëpi?- i luti  Miri shokët e studimeve.

-Patjetër!- tha  Nuzi dhe Lami.

***

Miri nuk la vend pa pyet në komunë se kush ishte ai institucion që jep këso letrash, që si me ironi, Meti e quante “rëntgen”? Kërkoi në sekretari të komunës,  kërkoi në sektorin e arsimit, madje kërkoi edhe në polici, por gjithkund mori përgjegje se ata  nuk kishin haber  për atë që po pyste ai. Për çudi  krejt vonë, sipas sugjerimeve të disa miqve të ngushtë,  kuptoi se kishte qenë mu  komiteti, ai organ që po jepte këso “verifikimesh”!

Nejse.

Këtë punë e bisedoi edhe me vëllain e tij, Latën.

-Hë, Latë, si t’ia bëj kësaj letre ?- i tha.

-A e di se mos u kishte ardhë ndonjë kërkesë nga ministria në komitet?

-Jo nuk di !- u përgjegj Miri.

-Po atëherë shkruaje vetë ore!- ia ktheu Lata. Zoti e di se a e ka dërguar ministria apo jo? Nëse i pret  ata, ti kurrë nuk do të mund të punësohesh atje! Me rëndësi është që t’i shkruash gjërat siç janë. Pasi që ministria po kërkon letër, letrën ua  dërgon dhe kaq.

-Mirë e ke!- ia ktheu Miri. Ashtu do t’ia bëj!

Dhe Miri, letrën  të cilën e kishte pritur qe pothuaj një muaj vendosi ta shkruante vetë! Posa shkoi në shtëpi, mori makinën e shkrimit dhe ia nisi letrës kështu:

“Unë deklaroj se Samir Malaj është punëtor i vyer. Në shkollën ku punon ai është shembull për të mirë. Është treguar aktiv gjatë gjithë kohës. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete në shkollë dhe  jashtë punës shkollore. Është shumë i afërt me kolegë dhe me nxënës…Dhe si i tillë është i përshtashëm për të punuar  edhe në ministri.”

Letrën që e shkroi ia lexoi edhe Latës. Edhe ai ishte i mendimit se ishte krejt në rregull. Ç’është e vërteta krejt këto që i kishte shkruar  Miri për vete ishin ashtu.Tjetër gjë ishte se kjo punë pritej të “shkonte” nëpër kanale tjera, për ta justifiku “besueshmërinë partiake”! Të nesërmen me letër në dorë shkoi në zyrën e Komitetit të Partisë të qytezës. U takua me sekretarin e partisë dhe i tregoi se për çfarë kishte ardhur. Ia dha  sekretarit letrën që ta lexonte. Ai e mori,  e lexoi. Nuk kishte asnjë vërejtje  se diçka nuk ishte e saktë.

-A përtoni ta nënshkruani këtë letër , shoku sekretar, -i tha  Miri.

-Jo, jo nuk po përtoj ta nënshkruaj , po ti Miri ma shumë na duhesh këtu, ore  djalë! Ne kemi nevojë për punën tënde këtu në shkollë!

-E di shoku sekretar, po kam vendosur, nëse më pranojnë, të shkoj në ministri,-  tha.

-Nuk ka problem- ia kthei sekretari, i cili  e nënshkroi letrën dhe  e vulosi me vulën e kuqe të Lidhjes së Komunistëve. E mori një zarfë dhe e futi në  të.

-Mos përto , të lutem,  shoku sekretar  ta vuloseni edhe mbi zarfë!- i tha  Miri. Sekretari e vulosi edhe mbi zarfë duke  i shkuar buza në gaz, sikur donte të thoshte  “Çfarë ka ky djalosh që po kërkon me kaq ngulm  ta vulos letrën edhe këtu?” por nuk tha gjë. Letrën e nënshkruar  dhe të vulosur  Miri e mori në dorë dhe doli nga zyra e Komitetit.

Menjëherë  shkoi në postë për ta dërgu letrën. Nëpunësit në postë i tha se donte ta dërgonte  sa ma shpejt  që është e mundur, me rekomandë, këtë letër. E pagoi postimin, mori faturën dhe  doli. U nis menjëherë në ministri.  E kërkoi  Nuzin. E thirrën dhe ai doli. Bile ishte bërë gati të shkonte edhe ai në shtëpi sepse  orari i punës vetëm sa s’kishte përfunduar.

-He Nuzi , a ka ndonjë gjë të re?- e pyeti  Miri posa u takuan.

- Jo ende - tha Nuzi. Sot isha te Meti po s’kishte  gjë.

-Mirë i tha Miri. Ma merr mendja se nesër ka mundësi që të vijë letra. Nuzi nuk foli gjë po i ngriti vetullat , sikur donte të thoshte “po ku po e di  ti se nesër mund të vijë letra!?”. Kishte qe një muaj që po priste të vinte kjo letër, e s’kishte ardhë ende! E shikoj edhe një herë me një lloj habie dhe u ndanë.

Miri shkoi në shtëpi i mbushur me optimizëm se “rëntgeni” më në fund do t’u shkonte “autoriteteve”  të ministrisë dhe  rrjedhimisht, së shpejti, ndoshta,  do të transferohej atje. Pikërisht të nesërmen, pas dite, pasi që Miri u kthy nga puna në shtëpi, dëgjoi nga familjarët se dy njerëz me veturë  po e kërkonin Mirin tek dera e shtëpisë. Atij menjëherë i shkoi mendja se “letra”, sigurisht, paska shkuar!  Miri doli me buzë në gaz dhe pa pasur mundësi të  përshëndetej me Nuzin dhe Lamin, Nuzi ia priti: “Letra erdhi! Meti më njohtoi se që nesër mund t’ia fillosh punës”!

Miri qeshi. I ftoi shokët brenda  për një kafe dhe u tregoi historinë e letrës. Të dy mbetën me gojë hapur, por njëkohësisht edhe të gëzuar.

Ky ishte “verifikimi”  ideopolitik. Dhe vërtetë Miri  të nesërmen ia filloi punës në ministri!



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora