E enjte, 25.04.2024, 09:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatime Kulli: Grykëderdhje e artit të Sadik Bejkos

E marte, 23.10.2012, 06:57 PM


STUDIM

Grykëderdhje e nënvetëdijes dhe artit të Sadik Bejkos

Vështrime mbi poemën “Orakuj të mbrëmjeve”

Nga Fatime Kulli

Kur lexova për herë të parë vëllimin poetik “Psalm për Atin” të Sadik Bejkos, thellë-thellë mendova se kisha në dorë një skenar origjinal për ata kineastë specialistë që gjurmojnë vepra arti në rrënjët autoktone shqiptare. Rrënjë këto, të ujdisura nga angështia e dhimbjes, e vuajtjes, e varfërisë dhe persekucionit çnjerëzor.

Vëllimi përmban 66 poezi. Secila prej tyre ka objekt-subjekt të veçantë, por si tërësi, krijojnë një unison, një lidhje logjike, sjellin interpretimin historik-shpirtëror tonin dhe të autorit.

Shkalla emocionale e poezisë lartësohet nga dinamika e skenave ekzistenciale, nga një shqisë e brendshme e mosharresës së origjinës. Me aktin e krijimit, me fjalën, me mençurinë poetike, kjo e shkuar vjen e ngjizet në krahët e kohës së tanishme.

Tomas Eliot, thotë: “Poeti gjatë aktit të krijimit,në qoftë se ai do të jetojë të tashmen, jo thjesht si një të tashme, por si momentin e dhënë ku e tashmja është një shfaqje e të shkuarës”.

Sadik Bejko, një njohës dhe me mëtime shkencore i letërsisë shqipe, një njohës edhe i letërsisë botërore, nuk është rastësi, që me poezinë e këtij libri ndan të njëjtin mendim me T.S.Eliotin. Arti i tij i të shkruarit i rikthehet të djeshmes. Me stilin e tij origjinal, me nervin poetik, ai grish e mrekullon dhe me kulturën gjuhësore, vënë në shërbim të poezisë. Me këtë libër, autori shfaq vlerat unike në poezinë moderne shqiptare, pa iu shkëputur truallit tradicional të kësaj letërsie.

Si një rregullator i mirë, duke ndjekur logjikën e mendimit të thellë refleksiv, nisur kjo me poemthin “Orakuj të mbrëmjeve”, të cilën ia kushton Rubies, gjyshes së tij që s’jeton më, e vazhdon librin më tej dhe e mbyll këtë rrugëtim poetik, me thirrjen për ringjalljen e jetës, te poezia e fundit “Të rilindësh”. Një poezi që kërkon ta vendosë në retorikën, ku teksti lexohet gjatë komunikimit (poet-lexues), ndërsa nënteksti fshihet në imazhin e realitetit të zymtë, ndonjëherë dhe demoralizues për poetin. Një thellim në indet qelizore të mendjes dhe të shpirtërores. Objekti i kësaj poezie është ligjërimi bindës i një krijimi të paramenduar, dhënë me artin e një sistemi letrar e kulturor që tashmë poeti e ka krijuar dhe e mban në evoluim të përhershëm.

Ç’po kërkoj pra në këtë vithisje të vetes,

kësaj grimherë të hirtë e kaq të firtë?

...

Në këtë rënie në të kotë,

Ku është çasti prej drite e ngjyre,

lëbyrës, i fortë,

që, s’i flaka nga barku i nënës më hedh plasur,

plasur drejt e në tokë?

Një poezi kjo me forcë sintetizuese,e arrirë në të gjitha parametrat e jashtme fizike edhe si gjendjes e së brendshmes poetike. Arti i ligjëruesit Bejko, rrjedh nga burimi i gjendjes…

E veçantë, sipas meje, në këtë libër është poezia “Orakujt e mbrëmjeve”, që përmban të gjithë elementët poetikë të një poeme dramatike, etnike dhe historike. Secili nga këto elemente (dramatikja, etnikja dhe historikja) nëpërmjet të subjektivitetit të autorit ,ngërthehen bashkë. Ky poemth, i ndarë në 15 akte, më ka zgjuar interesin për të gjetur çelësin e zbërthimit…

E kam të vështirë, se forma dhe thelbi poetik, emocionet pëlcitëse, njëherësh të shtruara, si dhe të ngjeshura me tragjicitet, lënda buruar nga brenda, prej vetëdijes së autorit, marrë të gjitha së bashku, i ngjajnë derdhjes së lirë të nënvetëdijes së autorit, që na çojnë te një kompleksitet i plotë dhe i arrirë artistik. Një përrua i nënvetëdijes, i materializuar në një përpunim gjuhësor, në dukje logjik. Uni poetik shfaqet herë i egër e herë i dashur, herë normal në gjendjen poetike e herë anormal. a)Ndërtimi i fabulës gatuhet me elemente parësore poetike,me mjete shprehëse në shërbim të lidhjes së tërësisë,e figura simbolike e drite mistike, si urëlidhëse në pozicionin e udhërrëfyesit të sintaksës shpirtërore. Poeti rrëfen poetikisht i mbështetur në tabanin gjuhësor mjaft të pasur të folkut,duke e veshur atë me hiret moderne të poezisë. Autori shpesh në poezi përdor togëfjalësha, si: leshramakthet, lulethata, gjuhëkafshuara, jo thjesht për të zbukuruar dekorin e vargjeve, por se, kështu rritet dhe fuqizohet forca shprehëse. Gjithashtu, poeti shfrytëzon si gjuhë të shprehjes poetike çdo objekt, çdo imazh edhe lëvizjet e hijeve të mbrëmjes. Hija si një personazh realisht i jetuar në gjendjen rrëfimore, merr ngjeshje simbolike. Gjetjet dhe figurat e tjera artistike, herë të errëta dhe herë fluide, herë të afërta e herë të largëta,vijnë me një ndjeshmëri të kultivuar nga dashuria e dhembur.

Kam frikë mbrëmje të tilla,

ia kam frikën paqes,

një paqe e kufët-e kam provuar

dritën vuve;

dhomë-kthellën bosh që e shëtit cep

më cep-ecurinë hapash mbi gjethe

të thara heshtjeje

plot avull ndjesish shtegut e rrugë

në vegulli

pritjesh të ëmbla;ecja Brenda vetes

në pafundësi;

grua e re në lëvrime fëmije ijesh

bmyer

dhimbje ëmbël e plot me vatrën

burrin flakën

e plotmbushur e ngarkuar pritjesh

e paqesh.

b)Teknika e përdorimit të gjuhës poetike, ka një rëndësi të veçantë në aktin e krijimit autorial, ku ligjërata e sinqertë rrëfimore të rrënqeth me jetën dramatike të heroit të poemës (Rubies), e cila, mund të quhet një personazh lirik, universal. Autori duke përshkruar situatat poetike, vë në lëvizje të gjithë teknikën metafizike të admirueshëm artistik.

c)Në poetikën e Bejkos ka një qartësi të paqartë të gjendjes emocionale, ose e thënë ndryshe, fjala është sprovë e mendimit intelektual deri në kapërcyell të çdo detaji artistik, apo figure që fshihet pas mendimit poetik.

Qetësi hijesh, kasolle me rrënjë në ujë

Tërhequr

Nga gishta dielli,si nga tufa flokësh

Peshë në ajër.

Me rrënjë hijesh në ujë

Pasqyra të ujit ngjyruar me e vërtetë

Më e gjallë

E dy - e trefishuar. Mjafton një gur a

Guralec qoftë,

dhe befas bie nata. Tashmë uji nxin

një flakë kashtë, fsherëtima ngjyrash

na qenkësh kjo mbrëmja, paqja.

Këtu kemi një rrjedhë, gjendje të pastër poetike, që qëndron mbi një kurorë metaforash e simbolesh. Psh. kasolle me rrënjë nën ujë me bimë uji ngjyruar më e vërtetë/më e gjallë.

Gjendje që përbëjnë kultin e mallit, me psherëtimat e paqes.

Pikërisht, këto vargje të S.Bejkos, kanë një status të vërtetë estetik, aktualizimin e mosekzistencës jetësore të njeriut më të dashur të poetit (gjyshes), të cilën e përjeton në artin e shenjtë të fjalës.

d)Poeti ndërton me kujdes sistemin e të menduarit dhe aty shfaq, Unin e tij të veçantë në poezi:

Ia ndjej hapin,gati e prek

Atë fill ajri e rëre

Që më këputet në rrjedhje

Një qilim i tërë fijesh

Truall në këmbë

Po më shthuret mes për mes

Në hon pa skaj e ndërgjegje.

Me penën e tij, autori është në “gërmim” të vazhdueshëm të subjektit, në “gërmim” për të zbuluar të vërtetat e dhimbjes njerëzore, për të respektuar dhe përjetuar njeriun, dashurinë për të.

Në këtë “gërmim” zbulon hijen e subjektit poetik, duke u bërë vetë objekt qendror i subjektit, fluturues, brenda shpirtit rebelues, duke krijuar figura të ndryshme me portrete artistike, të besueshme. Didëro thotë: “Ti je burimi pjellor i të gjitha të vërtetave”.

A është i vërtetë “fati” i Sadik Bejkos në këtë gjendje poetike? Le ta vendosim gjatë logjikës së leximit:

I egër, eh i egër pa krahë

Si fati dhe si gur fati bije shkëmb ë shkëmb

Me hope në ajër hovuar prapë

Në pathërmim

Në dete ajri, qetë-qetë bije, madje e

Shijoj rërën e cakun që s’është I fundit

Në rënien e butë

Deti me algat në sy,yje rëre

Të pathërmuara.

c)Në aktin e 5-të (pesë) të poemës, rrëfimi i autorit rritet emocionalisht dhe artistikisht, duke krijuar figura mistike, tragjike dhe komike, për të shkuar tek mendimi i Rembo-s: “Poezia duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme, barbare dhe e egër”:

Kam këputur fijet e barit truallit

Të përhimtë

Kam ngrënë gurët që i hanë delet

Nga uria

Kam ngrënë kaçubat me hije

Shtazësh.

Ose:

Ngul rremat mbi gurët e shpellës

Sime

E shtyp rrushtë e zinj të korijeve të

Zeza

Në ngërç për të shkëputur mishin tim

=se:

Kur jemi dy kufoma në një me

Përbindëshin

Nën një trup e nën një lëkurë të

Vetme.

Këto vargje kanë një prerje tronditëse. Të ngjan sikur njeriu është një qenie njerëzore në një sistem multi-jetësh, dhe jo se jeta e tij është një e vetme. Këto vargje më kujtojnë “Fijet e barit” të Uitmanit dhe “Këngët e dhimbjes” të Migjenit. Por,me një ndryshim, Uitmani me “Fije bari” demaskoi shoqërinë antihumane dhe sistemin qeverisës të kohës së vendit të tij, për shfrytëzimin e njeriut ndaj njeriut, që fatkeqësisht ndodh rëndomë kudo sot e kësaj dite edhe tek ne, në Shqipëri. Ndërsa, Migjeni pasqyroi tablonë e mjerimit, duke dashtë ta shkulë nga rrënjët skamjen që ka shoqëruar shqiptarët, qysh në kohë të kohërave dhe deri më sot.

Kurse Sadik Bejko denoncon fatin e vuajtjen e njeriut të thjeshtë në shek. XX-XXI, në shekullin më të ri. Edhe këtë e bën me artin e fjalës së shkruar me kulturë e qytetari.

3.Bota e autorit vjen në substancën poetike me lëndën jetësore të të parëve të tij. Nuk mungon as mendimi filozofik, reflektiv. Në poezinë e Bejkos, s’fshihet kultura e ligësisë së njeriut ndaj njeriut. Ajo vjen si materie poetike e errët. Me simbolin e gjarpërinjve; Këtu fjala ngjethet në ndjeshmëri, merr intonacione të frikshme dhe tinguj simfonie të sinkronizuar në gjëmë fantazmagorike.

Autori profesionalisht krijon materien njerëzore,që është pika më nevralgjike e substancës së subjektit,por gjatë lëvizjes ngjarje-fantazi,trazon nervin më të ndjeshëm poetik.

Qenia njerëzore dhe qenia poetike shkrihen idhshëm në shtresa të mendimit,duke vegjetuar artin poetik, estetik, modern.

Rendja në zinxhirin e kthesave

Të dritës për t’ikur vetëshpërthimit

Mbi shpinë portat e shpellës

Ngulur, që ia kyç edhe vetes

Mbas tyre pyjet me shtazë e gjarpërinj

Vërshëllejnë e hungërijnë kthetrash,

Ta hap,mua vetë,mua më helmojnë të parin.

4. Në rrëfimin poetik, autori e skalit figurën e gjyshes, duke e portretizuar mjeshtërisht si një pikturë mesjetare, zbuluar nga arkeologët e kohës modern, për ta vendosur në muze, si objekt me vlerë kombëtare. Dhe këtë e bën me shumë dashuri dhe art.

Gjyshja ime ballë shpelle, jetë sternë

(tre burra e 11 fëmijë mbledhur në

Pëqi

Brezit të saj të zi,varur e lidhur)

Çmendej e çakërdisej,në muzg

Malesh,grua e vetme.

Si drurët abstraktë e të pikëlluar

Grykave

Nën erën me net,gurë. Llohë

E bisha

Përkundur,rrjepur,epur,qethur e

Mbetur.

a)Është e vërtetë se autori,poemën “Orakujt e mbrëmjeve” e ka ndërtuar si një Kult të rëndësishëm artistik në letërsi.

Poeti ka derdhur të gjithë arsenalin e tij intelektual, njerëzor dhe moral, në këtë poemë, mrekullisht e ka transformuar dhimbjen njerëzore në art poetik.

Kjo poemë shndrit si një pikturë,ku peneli i artistit hulumton midis realizmit dhe surrealizmit. Autori ka përdorur të gjitha teknikat artistike, kështu e bën lëndësore metafizikën në poemën e tij. Larton një ngrehinë me infrastrukturën estetike dhe stilistike të njeriut dhe të poetit autokton.

b)Teksti i kësaj poeme të duket sikur është shkruar në faqet e një kështjelle të nëndheshme. Aty në hijeplasjet e saj dëgjohet kori i qyqeve,që me gjuhën e tyre, këndojnë këngën e dhimbjes.

Pikërisht këtu qëndron mjeshtëria e penës dhe shpirtit të njeriut Poet, duke i vënë në funksion të njëra-tjetrës gjetjet poetike, situatat poetike dhe përdorimin e gjuhës, i jep lexuesit një vepër me vlera ideoartistike,një vepër serioze, në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqipe.

c)Duke dashur të shpreh simpatinë time, si kolege e si adhuruese e poezive të bukura,them se autori,si qytetar dhe si aktor i ngjarjes në interpretim, e zhvesh realitetin e djesëm.Fatkeqësisht pasojat e zhgënjimit prej tij i shohim ende, a kanë maviosur damarët e shpirtit, i vuajmë edhe sot në shoqërinë tonë.

Poeti është më i ndjeshëm se njeriu i zakonshëm.Këtë e vërej edhe në librin “Psalm për Atin” të Sadik Bejkos, ku autori nuk nguron të rikujtojë gjëmën që i ka shkaktuar e keqja e njerëzimit, duke e zhveshur atë lakuriq.

Kujdes nga grimhera,fikndezjet

E befta

Koha e pluhuri lajnë e mbrujnë

Eshtrat tonë

Rrëketë i hedhin tej tokës,

Zinxhirë i bardhë gurësh

Përroit të rrëmbyer të korbave

Që s’kursyen

Të kafshojnë dhe gurë mali

Si hakmarrje.

Bota shpirtëroe e poetit klith në truallin poetik,të mbrojë qoftë edhe vetminë e tij në paqen e gënjeshtërt, duke kërkuar t’ia kthejë themelet e erës, (themelet e erës, është një figurë simbolike e qënësishme për poetin).

Lejomë, lejomë, o shumë i lartë

Lerëm të mbroj

Vetminë time të vetmuar paqes

Së rrejshme

….

Të rremë si ëndërrat, shtëpi rrënuar

Ndaj një dielli me dhëmbë që gdhend

Skalit

E në çast pluhur: themelet e erës

M’ia kthe.

Po e mbyll me një thënie të Uitman-it: “Gjithçka që unë shkruaj për veten time,ti duhet të marrësh si një plotësim për atë që të mungo ty, ndryshe do të ishte kohë e humbur të më dëgjoje”.

Dhe ky përcaktim i Uitman-it për thelbin e artit poetik, rri përsosmërisht në trupin e artit poetik të Sadik Bejkos.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora