Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatmire Duraku me libër të ri: Zëri i Unit

| E hene, 22.10.2012, 06:51 PM |


Fatmire Duraku

Zëri i Unit

- Antologji e poezisë së femrës shqiptare në Kosovë

Sapo doli nga shtypi Antologjia e poezisë së femrës shqiptare në Kosovë, “Zëri i unit”, i autores tashmë të shquar Fatmire Duraku. Në këtë antologji janë prezantuar 25 poete kosovare me disa nga krijimet e tyre më të mira. Antologjia hapet me krijimet e Hida Halimit dhe mbyllet me ato të Erina Rrahmanit. Brenda kopertinave të librit radhiten edhe shumë poete të tjera – Flora Brovina, Edi Shukriu,  Fehime Selimi, Shqipe Malushi, Lindita Ahmeti, Naime Beqiraj, Lindita Aliu, Dije Frangu etj. Krijimi letrar i femrës shqiptare në Kosovë dhe botimet e tyre të rralla në ndonjë gazetë apo revistë të kohës,  fillon diku në vitet e `50 të shekullit të kaluar, cek ndër të tjera autorja e antologjisë, ndërsa  librat e parë të tyre botohen në fillim të viteve të `70-ta, ndërsa sipas studiuesit Shefqet Rexhepi  ky botim është një shteg i prezantimit të sistemuar të veprimtarisë krijuese në Kosovë. Me këtë rast  ceken edhe shkaqet e njohura, pse  ky prezantim i krijueseve letrare në këtë pjesë të letërsisë sonë, është i vonuar. Sidoqoftë, si nga autorja, Fetmire Duraku,  po ashtu edhe nga studiuesi Shqfqet Rexhepi, ceket se vlera e krijimeve të prezantuara është e një niveli të lakmueshëm dhe nuk ngel aspak prapa krijimtarisë së gjinisë tjetër.