E premte, 29.03.2024, 04:59 AM (GMT)

Kulturë

Bisedë me piktorin dhe grafistin Pandi Mele

E premte, 18.04.2008, 02:29 PM


Migjeniania “zemra” e grafikës sime

Nga Eralda Kenaj

Për njeriun nuk ka vend më të ëmbël se shtëpia, për piktorin dhe grafistin Pandi Mele nuk ka vend më të ëmbël se vetë studioja e tij. Ai kalon aty pjesën më të madhe të ditës, saqë miqtë e tij nuk e dinë nëse është në Shqipëri apo në Amerikë tek djali. Mele është ai brez që ka studiuar në Shën Petërburg dhe që i ka përkushtuar gjithë jetën pikturës dhe grafikës. Në këtë periudhë Prof. Mele ka realizuar një cikël të quajtur “Grotesku Kadarenian” që është mbështetur në gjithë veprat e Kadaresë. Pas tij ai ka realizuar disa skica për Nastradinin pasi i duket figurë shumë popullore, ku mund të përmendim bëmat e tij si : “Gozhda e Nastradinit”, “ Kungulli dhe arra”, etj.. Gjithashtu ai ka realizuar edhe disa grafika duke u nisur nga ngjarjet aktuale, si ajo e Gërdecit.
Pandi Mele është gjendur çuditshëm në pikturë, kur ishte në shkollë vizatimet i bënte shumë bukur sa ndihmonte edhe shokët. Mësuesja e tij Androniqi Antoniu i thotë nënës së Pandit që djali të vazhdonte për pikturë se kishte talent. Ai shkon të japë konkurs në Liceun Artistik por jo për pikturë por për piano, sepse i pëlqente edhe muzika. E fitoi konkursin për piano, se kishte vesh muzike por siç dukej tërhiqej më tepër nga piktura dhe një vit më vonë konkurron dhe fitoi shkollën për pikturë.
Melen e kapi programi i Rusisë që e bëri Liceun nga 4 në 7 vjet, me të drejtë grafisti thotë se Liceu ishte baraz me shkollën e lartë pasi diploma që mbronin ishte në tre fusha: pikturë-kompozim, grafikë- pllakatë dhe skenografi.
Ndër punimet që ai ka bërë në kohën e Liceut temën e diplomës e mban si më të veçantën, ka qenë një temë lirike ku fshatarët shkojnë e blejnë në dyqan, një çift fshatarësh gëzojnë që kanë blerë diçka të mirë. Ndërsa në pllakatë ishte tema : “Lufta dhe paqja”, ai bëri një pëllumb paqje me pishtarë. Në skenografi bëri operetën “Miqësia”. Që në këtë periudhë Migjeni filloi ta ngacmojë, pasi realizoi një vizatim, të “Kasolles së ftohtë”.
Pyetjes se si i ka pasur marrëdhëniet me studentët (duke pasur parasysh që ka qenë për vite të tëra pedagog), ai i përgjigjet: “ Unë kam dhënë mësim në grafikë pasi kisha një eksperiencë disa vjeçare në qendra të tjera. Ajo më pikantja për mua ishte puna në Shtëpinë Botuse “Naim Frashëri”, ku isha i rrethuar nga një ambient njerëzish të talentuar, shkrimtar dhe përkthyes më me emër, kjo shërbeu për të krijuar një bagazh më të pasur. I cili u pasurua më pas pas vajtjes në Lidhjen e Shkrimtarve, në sektorin e problemeve estetike. Kjo ishte si shkollë e dytë për mua. Këto eksperienca më shërbyen që kur shkova në Institut për të dhënë mësim, krijova një komunikim më të gjerë me studentët”.Ai studionte shumë vetë që edhe studentët të mësonin nga ai. Mele merej më tepër me studentët e dobët pasi ato që mësonin ecnin vetë, prandaj edhe studentët edhe sot e kësaj dite e takojnë profesorin e tyre të dashur dhe ia kushtojnë atij arritjet në fushën e pikturës.

Kur thua Pandi Mele, nënkuptohet grafikën
Kur u hap një ekspozitë e Meles në hyrje të saj kishin shkruar: “Një jetë me grafikën”. Pandi edhe pse bën pikturë, grafika tek ai ka ndikimin e vet. Vetë Mele na tregon një histori: “Një miku im gjerman më thotë që i pëlqejnë shumë grafikat e mia, po nuk e kuptoj pse merrem me pikturë?
Unë i shpjegoj: Në Shqipëri, dy arte kanë bërë më shumë emër, piktura dhe skupltura, grafika është akoma në minoritet. Ai nuk arrinte ta kuptonte, sado që unë ia shpjegoja.”

Frymëzimi i tij
“I kam provuar edhe momentet lirike edhe ato epike. Ajo që më ngacmon është epikja, dramatikja, kontrasti i dritëhijes.”

Motivet Migjeniane
“Më ka ngjitur me Migjenin se kur e lexoja, ai më jepte tabllonë. Me prozën poetike të tij ai është jo vetëm poet, por është edhe piktor, sepse mënyra se si i ndërthur mendimet, të jep tabllonë.”

Vlerësimet e tij, për ato që ka realizuar
“Unë shoh këtë që njeriu në jetën e tij artitike dhe krijuese mund të bëjë shumë punime, por koha i vën vulën, fillon seleksionimi. Unë ndiej një lloj kënaqësie përsa i përket Migjenit pasi kur e kam realizuar atë cikël kanë kaluar 44 vjet dhe akoma mbeten. Nuk shquhem për ndryshime shumë të forta, të kaloj nga një ekstrem në tjetrin, e kam parë veten time në unitetin e vazhdimësisë.”

Pengesat në krijimtarinë e tij (para viteve ’90)
“Në pllakatën e Festivalit Folklorit, kam realizuar një çift që vallëzonte, një djalë nga Veriu dhe vajza me kostumin nga Dropulli, dhe vjen një shënim: “Të ndërrohet dhe të vihet një kostum tjetër nga Jugu”. Për Kongresin e Drejtshkrimit kam bërë një variant modern që e pëlqeu Çabej dhe Buda, ndërsa ideologjia pëlqeu një variant tjetër.”

Ekspozitat
“Nuk kam çelur shumë ekspozita, pas viteve ’90 kam marrë shumë ftesa nga Bienale të Europës këto më kanë mbajtur gjallë. Ishin dritarja e vetme që komunikoja me botën. Nuk ka pas rëndësi për mua nëse merrja çmime, çmimi më i madh për mua ka qenë kur në Norvegji, punimin tim e kanë pëlqyer aq shumë sa njerëzit kërkonin edhe disa kopje të tjera.”

Gjithë jeta në studio
“Unë dal nga pak, por mua më dhemb çdo ditë që ikën nëse nuk punoj , dita më duket e kotë. Edhe kur isha në Amerikë tek djali unë vazhdoja edhe punoja motivet e mia. Kisha në dorë një cikël për Rozafën dhe e vazhdova atje. Një shkrimtare shqiptare që jetonte në Amerikë bëri një poemë për Rozafën dhe me grafika e mia, ilustroi këtë poemë.”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora