Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli - “Qytetar Nderi” i Komunës Shkrel

| E diele, 21.10.2012, 11:48 AM |


Frank SHKRELI - “Një titull nderi që unë e ndaj me gjithë ata bij e bija të Shkrelit që janë shpërndarë nëpër botë”.

Nga FRANK SHKRELI

Zotëri Kryetar Ferdi Sterkaj, anëtarë të Këshillit Komunal të Shkrelit, Zonja e Zotërinj!

Fillimisht dua të shprehë kënaqësinë time që ndodhem sot në mesin tuaj, këtu në Shkrel, të Malësisë së Madhe ku më kanë lind babë e gjysh e stërgjyshat dhe prej të cilëve kam dëgjuar aq shumë për këtë vend e për këtë fis. Si përfundim, vizita ime sot këtu është plot emocione dhe ndihem shumë i mallëngjyer. Por mbi të gjitha dëshiroj t’ju falënderoj Ju Zoti Kryetar dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Komunal të Komunës Shkrel të Malësisë së Madhe, për nderin që më keni bërë duke më akorduar titullin e ”Qytetarit të Nderit”, të komunës Shkrel. Unë u jam mirënjohës për gjithmonë, dhe me kënaqësi e pranoj këtë titull nderi, jo sepse e meritoj unë, por e pranoj në emër të të gjithë atyre bijve e bijave të Shkrelit, të cilët për fatet e këqija e tragjike të historisë së kombit tonë, jemi shpërndarë anë e mbanë botës.

E pranoj në emër të tyre, për të gjitha ato që kanë bërë ata -sipas dijes e mundësisë së tyre – për t’i sjellë nam Shkrelit – dhe ndër shekuj, për t’ia ruajtur emrin e mirë këtij fisi të vjetër të maleve tona.

Pak më shumë se njëzet vjet më parë, për arsye që dihen, vizita ime në Shqipëri do të ishte e pamundur. Sot, është krenari për mua të njoftoj familjen dhe kushërinjtë si dhe far e fisin më të gjerë, se prej sot unë jam qytetar nderi i komunës së Shkrelit. Gjyshi, më kujtohet si fëmijë, na thoshte se kah do që të shkoni, me emrin Shkreli do t’ju dallojnë se kush jeni e prej ka vini. Unë, pra, me krenari them se më quajnë Fran Gjeto Luka dhe vijë nga Shkreli i Malësisë së Madhe.

Është një thënie e vjetër se ”pa rrënjë nuk ka degë”. Megjithëse larg, është e pamundur të pretendoj ndryshe sepse rrënjët dhe identiteti im janë këtu. Sepse këtu nëpër këto rrugë e leqe, këtu në këto bjeshkë të madhnueshme, këtu në Luginën e Shkrelit, dikur të parëve të mi u ka shkelur këmba.

Si i tillë, ndajë me ju një rrugëtim të përbashkët, për të mirën e Shkrelit e të Malësisë së Madhe dhe të mbarë kombit shqiptar. Njëheri, edhe 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë sivjet , për realizimin e së cilës edhe Shkreli e Malësia Madhe kanë dhënë kontributin e vet të çmueshëm – është një rast i mirë dhe historik për një betim të përbashkët dhe pjesëmarrje të gjallë e me dëshirë, për të çuar përpara interesat e komunës së Shkrelit, të Shqipërisë dhe të mbarë kombit, kudo që të jetojnë shqiptarët.

Gjithashtu, le të shërbejë ky 100-vjetor i pavarësisë së Shqipërisë, si një moment historik për të shkundur ndryshkun e një periudhe të gjatë e të errët të së kaluarës, për një nisje të re dhe hapje rrugësh të reja për mbarë shqiptarizmin, në frymën e etërve të mëdhenj dhe mendjendritur të Pavarësisë së Shqipërisë.

Megjithëse larg dhe të shpërndarë anë e mbanë botës, ne bashkë jemi, në këtë përvjetor të pavarësisë dhe gjithmonë. Sivjet, si asnjë herë më parë, të gjithë shqiptarët kudo qofshin i bashkon një flamur, flamuri i Gjergj Kastriotit – Skënderbe. Ky takim sot me ju këtu në Komunën e Shkrelit, në vetvete, është një dëshmi e këtij bashkimi, që shpresoj të forcohet dhe të mos thyhet kurrë.

Edhe njëherë, Zotëni Kryetar dhe anëtarë të Këshillit Komunal, duke ju falënderuar nga zëmra për nderimin që më bëtë dhe për respektin që treguat ndaj meje, dëshiroj që Zoti mos na e ndaftë kurrë bashkimin dhe respektin për njëri -tjetrin, në interes të lartësimit të emërit të mirë të fisit të Shkrelit, të Malësisë së Madhe dhe të mbarë Kombit Shqiptar.

Qofshi gjithmonë me faqe të bardhë!

*4 tetor, 2012, fjala me rastin e pranimit të titullit “Qytetar Nderi” i Komunës Shkrel, Malësi e Madhe