E enjte, 25.04.2024, 03:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Petrit Basha: Pagurja që nderon 100-vjet flamurin

E diele, 21.10.2012, 12:43 PM


PAGURJA QË NDERON 100-VJET FLAMURIN

Nga Petrit Basha

Simboli i flamurit është rrënjosur thellë në shpirtin e popullit të Gramshit. Po mbushen 100 vjet, që flamuri i Skënderbeut, i ngritur në Krujë më 28 nëntor 1443, u ngrit për së dyti në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912, nga plaku mendjendritur Ismail Qemali me patriotët e tjerë, pas gati 500 vjet robërie nga Turqia.

Kjo ishte e mbetet një nga ngjarjet më madhore të popullit tonë. Gëzimi dhe hareja qe e madhe, brenda dhe jashtë Atdheut, kudo ku kishte shqipëtarë.

Edhe Gramshi, ky rreth që konsiderohej i largët në krahasim me rrethet e tjera të Shqipërisë, pati përfaqësuesit e vet në këtë kuvend historik, Xhile Liçin për Tomorricën dhe Asllan Shahinin për Gramshin, të cilët në pamundësi për të arritur atje, autorizuan patriotin Ismail Qemali për të përfaqësuar këto dy krahina. Ishte një nder i madh që populli i këtyre dy krahinave përfaqësohej nga patrioti më në zë i kohës, plaku i urtë Ismail Qemali.

Kjo datë e shënuar, 28 nëntor 1912, u ngulit thellë në mendjen e zemrën e popullit tonë të shumëvuajtur. Në ekspeditat e mia folklorike në trevën e Gramshit, kam hasur, gati në çdo fshat, këngëtarë që këndonin këngë për Ismail Qemalin e flamurin, në dasma e gostira. Në këto ceremoni këngët për ta ishin nga më seriozet e solemne, që këndoheshin në dollinë e parë (ku fliste një e dëgjonin të gjithë) që dëgjohëshin me ëndje e krenari nga të gjithë të pranishmit. Ja ç’shkruhet në njërën prej tyre:

-O shokë na mori malli                   Në Vlorë thërret prefekti:

Ku gjendet Ismail Qemali?              - Po vjen Ismail Beu nga deti.

-Në Paris brenda tek Krali                 Ishte shumë i sëmurë i shkreti.

Hyn e del si zog pe mali                     Ishte shumë i sëmurë

-Fol, o Ismail me gojë                                    Mbushur duart me flamurë

-Unë flas, po s’më dëgjojnë                Ismaili e la me gojë:

Për ca komita që thonë.                     - Varrë të ma bëni në Vlorë.

Hynë në Durrës e dualë në Vlorë      Shqipëria të më kujtojë.

E thonë të prishin Stambollë             (Hysko Braçe, Jançë, 1992)

Kur përmendej flamuri, kishte raste që këngëtari ngrihej në gjunjë a në këmbë, e bashkë me të dhe të tjerët, në nderim të simbolit të kombit tonë të shtrenjtë e të shumëvuajtur.

“Në çdo dasmë e gosti, populli këndonte këngë patriotike e për flamurin … Kur ngrinin dolli për flamurin, të gjithë ngriheshin në këmbë, bile edhe duke kënduar”, - shkruan Kadri Muasai në librin “Gramshi në shekuj për liri”, fq. 256, kur citon kujtimet e mësuesit elbasanas Mustafa Balza.

Edhe i moshuari Demir Kishta thekson:

“Dollia në dasma e gostira, mbyllej me shëndetin për flamurin. Kishte raste që për këtë shëndet, burrat ngriheshin në këmbë dhe pinin me rradhë shëndetin e Tij. Me këtë shëndet dollia përfundonte.” (P. Basha, “Rite dhe praktika rituale në rrethin e Gramshit”, fq.161)

Urimi për shëndetin e flamurit ishte: “Nder për flamurin shqiptar! Rroftë e valoftë dhe në dorë të shqiptarit qoftë!”

Simboli i flamurit e ai i shqiponjës, u bë jo vetëm pjesë e këngëve popullore, po edhe pjesë e krijimtarisë popullore të gdhendjes në dru e gur, në veshjet popullore, në rrobat e shtrojes, në objektet e zbukurimit të grave, si në varëse të qëndisura me rruaza, etj. ku binte në sy shqiponja. Shqiponja haset edhe në takëmet e rakisë, si te koka e kaposhit që vendosej te gryka e shishes, për të shtirë raki në gota e filxhanë e deri te paguret e rakisë që përdornin të moshuarit, “sevdallinj të rakisë”, për të pirë raki në dollitë që ngiheshin. Ato i mbanin me vete apo në dollapët e murit të konakut të miqve.

Gjatë ekspeditave të mia për kulturën materiale të popullit, në vitet ’80, hasa në fshatin Përrenjas, në familjen e Ymer Bërdëllimës një pagure të tillë, të mbuluara nga të gjitha anët me qëndisma rruazash të kuqe, të bardha, etj.

Në anën ballore të saj ishte një datë historike + 1912 dhe emri Abas. Pak fjalë e shifra, por me shumë kuptim. Me gjithë lutjet e mia për të na e dhënë këtë relike te vyer për muzeun e rrethit, i zoti i saj nuk na e dha. Ai e mbante si një kujtim të asaj ngjarje të madhe, por dhe si kujtim të gjyshit të tij.

Në vitet ’90 u larguan shumë familje nga fshati, po ajo e Nuri Ymer Bërdëllimës, jo. Pata merakun se mos ajo pagure kishte rënë pre e gjurmuesve të relikeve të rralla, që i dërgonin jashtë kufijve të Shqipërisë për t’i tregtuar, në vitet ’90 e më pas, por Nuriu, brezi i katërt i asaj familjeje e kishte ruajtur me fanatizëm dhe e ka edhe sot. Ai e ruan si kujtim të familjes së tij nga stërgjyshi. Sa mirë do të ishte që të kishte shumë si Nuri Bërdëllima, për të ruajtur objektet e ndryshme etnografike, arkeologjike, etj., që gjenden ende në popull, pjesë e kulturës sonë kombëtare, si dëshmi të rralla të historisë e kulturës sonë.

Ajo pagure ngrihet në çdo dolli, në dasma e gostira dhe ka 100 vjet që kalon, me atë mbishkrim, dorë më dorë në familjen “Bërdëllima” të fshatit Përrenjas. Me këtë rast nga zemra del urimi: “Ta gëzojmë 100-vjetorin e ngritjes së Flamurit Shqiptar në Vlorë!”.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora