E premte, 29.03.2024, 02:23 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Vazhdon përkrahja e Grevistëve para OKB

E diele, 21.10.2012, 10:50 AM


Vazhdon përkrahja e Grevistëve të urisë para Kombeve të Bashkuara

Nga Keze Kozeta Zylo

Forumi Shqiptaro Amerikan për Demokraci mblodhi përsëri përkrahës në tubim në mbështetje të Grevistëve të Urisë, ish të përndjekurve politikë që hynë në ditën e 30 të ngjujimit të tyre.

Tubimi u drejtua nga z.Grid Rroji, kandidat për titullin Doktor në shkencat politike dhe Kryetar i Forumit.

Z.Rroji ia dha fjalën z.Viktor Martini ish i përndjekur politik ku i ati dhe katër vëllëzërit e tij kaluan në burgjet komuniste dhe kampet e internimit.

Oratori i fjalës shqipe z.Martini me fjalën e tij të zjarrtë ndezi zemrat e të pranishmëve duke e falënderuar Atë me duartrokitje.  Ish i përndjekuri politik shprehu indinjatën e thellë për heshtjen e qeverisë dhe të shumë shoqatave shqiptare karshi ngujimit të grevistëve, bashkëvuajtësve të tij.  Ish të përndjekurit politikë vazhdoi oratori e ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare dhe i kanë treguar botës se ka pasur shqiptarë që nuk e kanë ulur kokën përpara diktaturave, por përkundrazi kanë luftuar për të mos u instaluar ajo.  Z.Martini shprehu dëshirën për t'u bërë anëtar i Forumit dhe njëkohësisht ai premtoi se do të hapë degë të saj në Boston ku dhe jeton së bashku me familjen.

Më vonë e ka marrë fjalën Bizenesmeni Shqiptaro-Amerikan dhe bashkëthemelues i Forumit z.Alfred Tollja.  Z.Tollja tha se jemi mbledhur këtu për një fillim të ri dhe solidarizohemi plotësisht me kërkesat e ish të përndjekurve politike dhe dënojmë heshtjen kriminale të qeverisë shqiptare e cila ka mbyllur sytë dhe veshët përpara kërkesave të tyre plotësisht të drejta.

Z.Ben Dedaj Anëtar i FSHAD dhe aktivist shoqëror i komunitetit midis të tjerash tha:  "Kanë kaluar 22 vjet nga rrëzimi i regjimit gjakatar dhe përsëri ne shohim se sa keq persekutohen të burgosurit e ndërgjegjes.  Edhe pse politikanët e të gjitha ngjyrave duken sikur grinden me njeri-tjetrin ata përsëri prapa skenave bëjnë pazare të fëlliqura duke shitur vendin dhe pasurinë tonë në ankand.  Ata çdo ditë majmen duke vjedhur dhe duke lënë popullin në mjerim dhe errësirë të plotë...Kam një Atdhe që quhet Shqipni dhe nuk është në shkretëtirën e Saharasë, as në Tibet, as në Afrikë, por është në zemër të Europës.  Eshtë një vend që ka lindur mbretëreshën e parë në Europë.  Vendi ynë meriton më shumë.  Vepro tani"!

Në tribunë është prezantuar nga z.Rroji ish Ambasador i Shqipërisë në Washington dhe shkrimtar i shquar, Mjeshtër i Madh z.Pëllumb Kulla.  Z.Kulla dënoi ashpër qeverinë e Sali Berishës për diktaturën që po përdor në çdo sektor të jetës.  Unë kam ardhur këtu vazhdoi Zoti Kulla për t'u solidarizuar me ish të përndjekurit politikë që kanë një muaj në grevë urie dhe qeveria akoma nuk ka denjuar të bëjë asnjë bisedë, dialog me ta. Është për të ardhur keq që të gjithë klerikët e feve të ndryshme nuk janë solidarizuar me Grevën e urisë nga ish të përndjekurit politikë.

Ish të përndjekurit duhen përkrahur dhe duhet të marrin të gjitha shpërblimet që u takojnë, pasi deri tani me ta vetëm është abuzuar.  Fjala e z.Kulla u ndërpre disa herë nga duartrokitjet nga të pranishmit.

Doktor i shkencave ekonomike, ish student i dhjetorit dhe bashkëthemelues i FSHAD-it z.Ilir Hysa tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve me argumentet e tij shkencore.   Ndër të tjera tha:

Jemi këtu si shqiptarë të shqetësuar për Atdheun.  Si shqiptarë që nuk pranojnë as arrogancë nga pozita dhe as Rilindje kombëtare fallso nga opozita.  Rilindjet kanë kuptim vetëm kur bëhet ndarje nga e kaluara.

Më lejoni që fillimisht të shpreh keqardhjen time për faktin që në momente të rëndësishme të historisë sonë ne kemi humbur më shumë kohë duke korrigjuar gabimet tona se sa jemi përballur me problemet gjeopolitike dhe me kombet e tjera në rajon. Të tilla janë edhe 22 vitet e tranzicionit të dështuar në Shqipëri...

Dikush, mund të nxitojë të numërojë arritjet e këtyre dy dekadave.  Sigurisht, që ka patur ndryshime.  Nihilizmi është i dëmshëm. Por, ato nuk janë arritjet e politikës; ato janë të shqiptarëve. Madje në shume raste, pavarësisht nga puna dhe sakrificat e njerëzve të ndershëm, ata kanë mbetur mbrapa në ethet e garës për ndërtimin e fshatrave turistike, privatizimit të minierave dhe gjithë pasurisë kombëtare.  Një grusht njerëzish në pushtet dhe të lidhur me pushtetin u pasuruan në mënyrë marramendëse dhe shoqeria jonë e zvetenuar në amullinë e shitjes së gjthçkaje, madje edhe nderit, për të mbijetuar.

Pse lindi nevoja për NJë FILLIM Të RI?

Klasa politike shqiptare është përgjegjësja e vetme e dështimit të tranzicionit në Shqipëri. Dy partitë, tashmë të vjetra, dhe që papërgjegjshmërisht kanë qeverisur Shqipërinë i vunë zjarrin asaj në 1997-n dhe paralizuan vazhdimisht edhe më pas jetën e vendit.  Ka ardhur koha t’iu themi NDAL!...

Kjo na bën që t’ju bëjmë thirrje për mbështetje që të mundësojmë NJë FILLIM Të RI. Nese edhe ju e ndjeni nevojën e NJë FILLIMI Të RI, ne i bëjmë secilit thirrje: VEPRO TANI!  Faleminderit!

Ndërsa Dr.Harxhi me flamurin shqiptar kuq e zi hedhur krahëve tha se si mjek në profesion që jam e quaj antihumane të mos vizitosh ish të përndjekurit në grevë urie dhe njëkohësisht të mos u shërosh plagët që ata morën në vetësakrifikim.

Znj.Merita Shkupi ish anëtare e Këshillit Kombetar të PD-se foli me dhimbje  për situatën që është krijuar me Grevistët e urisë dhe që qeveria s'po ndërhyn ta zgjidhë situatën.  Populli nuk po merr pjesë t'i mbështet ngase atje është instaluar frika dhe kjo është e tmerrshme...

Z.Emin Egriu ish kandidat për në Kongresin Amerikan, President i Programit Unik Shqiptar (PUSH) ndërmjet të tjerash tha se ish të përnjekurit politikë e kanë merituar respektin tonë për qëndresën që ata kanë bërë karshi diktaturës.  Unë kam ardhur këtu në solidarizim të ish të përndjekurve politikë dhe flas nga vendi më demokratik në botë.

Kandidatja për titullin Doktore në Drejtim (Leadership) znj.Val Karanxha ka përshënderur Greven e Urisë, ish të përndjekurit politikë dhe ka falënderuar pjesëmarrësit që me humanizëm i janë bashkangjitur thirrjes së Forumit për Demokraci në solidarizim të ish të përndjekurve politikë.

Ish studentja e dhjetorit të vitit 90 dhe bashkëthemeluese e Partisë Demokratike znj. Mimoza Ferraj dënoi ashpër qeverinë Berisha dhe e quajti atë një diktator të egër.  Znj.Ferraj intepretoi poezinë e ish të burgosurit të Spaçit poetit Pëllumb Lamaj.

Vargjet tepër të ndjera të poezisë si:  "Në grevën e vdekjes janë ngujuar Ata/ Ata që barkun nuk e ngopën kurrë/ Ndërgjegje e Kombit, Simbol i Lirisë/ Atdheun deshën më shumë/...Në grevën e Vdekjes janë ngujuar Ata/ Ata që privilegje nuk kërkuan kurrë/ Kanë njëzetë vjet që rropaten rrugëve/ Të vetmen pasuri kanë një Flamur/

Poezia kushtuar ish të perndjekurve politike u ndërpre disa herë nga duartrokitjet.  Tubimi u mbyll nga z.Grid Rroji i cili falënderoi pjesëmarrësit që erdhën para Kombeve të Bashkuara për t'u solidarizuar me Grevën e Urisë.

Z.Rroji lexoi kërkesën drejtuar Parisë së Tiranës siç dhe është etiketuar qeveria nga Prof.Shenasi Rama, si dhe nga Forumi dhe disa intelektualë të mirënjohur duke i kërkuar kryeministrit Sali Berisha që në mënyrë të përshpejtuar dhe urgjente të respektohet vullneti i të gjithë qytetarëve që masivisht mbështesin kërkesat ekonomike të grevistëve të urisë, ish të burgosur të ndërgjegjes në kohën e diktaturës së kaluar...

Midis të tjerash shkruhej se Forumi dhe pjesëmarrësit në tubim janë shumë të shqetësuar pasi hapur është refuzuar dialogu edhe pse ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që të bisedoni me ta...

Midis pjesëmarrësve kishin ardhur dhe nga larg si psh prej Bostoni si z.Subi Cako së bashku me bashkëshorten për t'u solidarizuar me Grevistët e urisë.

Në këtë tubim TV Alba Life mori disa intervista me ish të burgosur të ndërgjegjes si me Z.Viktor Martini, z.Dine Dine, Dr.Ilir Hysa etj...intervistat e të cilëve do të trasmetohen së shpejti në emisionet e ardhshme.



(Vota: 7 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora