E shtune, 20.04.2024, 03:13 AM (GMT+1)

Mendime

Labinot Bislimi: Shqiptarët apo fjala e rikthyer

E shtune, 20.10.2012, 12:37 PM


Shqiptarët apo fjala e rikthyer

Fjalim i mbajtur me rastin e konferencën së Arif MATIT

Nga Labinot BISLIMI*

Zoti Arif MATI, Zonja dhe Zotërinjë,

Së pari, dua t’ju përshëndes të gjithëve që keni pasur vullnetin dhe  keni gjetur kohën për të qenë pjesëmarrës në këtë konferencë që na  bashkon në një interes të përbashkët, në një pikë dhe pikëpyetje të  veçantë historike të popullit tonë që sot po merrë një përgjigje  shkencore, vështirë të luhatshme nesër.  Dua t’ju shpreh se kam nderin  dhe kënaqësinë të ndodhem sonte në mesin tuaj. Kam nderin dhe  kënaqësinë të ndodhem në një amfiteatër të Universitetit të Lozanës të  mbushur me shqiptarë dhe me dashamirës të shqiptarëve. Kam nderin dhe  kënaqësinë, sepse kjo konferencë, sepse ky amfiteatër, ky vend dhe kjo  prani shqiptare dhe e dashamirësëve të tyre ka një kuptim të veçantë.

Paraardhësit tanë shpikës të amfiteatrove

Ndoshta nuk e dini, por këtu e 2400 vjet më parë paraardhësit tanë  bënë amfiteatrot e parë, ku disa prej tyre arrinin mbi 9 mijë ulëse.

Në atë kohë, paraardhësit e shqiptarëve kishin lirinë e tyre dhe  vetqeveriseshin duke i dhënë botës për dy mijë vjet radhazi mësimin e  demokracisë. Në atë kohë, ata shpikën foltoren dhe nga ajo ishin të  parët që biseduan për çështjet publike. Në atë kohë, ata mblisheshin  në amfiteatre ku me rend kalonin në foltore apo qëndronin në ulëset  duke dëgjuar gjerësa trajtoheshin problemet e bashkësisë  (kolektivitetit). Në atë kohë mblidheshin për të folur dhe për të  dëgjuar të tjerët. Pra në atë kohë ishim nga ata popujt e rrallë që  kishte çka për të thënë dhe që kishte kuptuar se është në interesin e  tyre vital që të dëgjonin njëri-tjetrin.

Me kalimin e kohës dhe me pushtimet e njëpasnjëshme amfiteatrot na i  prishën. Na i prishën sepse ato ishin simbol i civilizimit tonë dhe,  si të tillë, e kundërta e civilizimeve të pushtuesëve tanë.

Amfiteatret ishin themeli i civilizimit tonë. Ato ishin qendrat e  diskutimeve, të mendimeve, të vendimeve dhe nga ku rridhte zanafilla e  çdo organizimi shoqëror. Nga aty fillonin ndërmarrjet tona kolektive  dhe atje përfundonin. Aty konsolidonte populli interesin privat me atë  publik, aty konsolidohej botëkuptimi ynë, aty  konsolidohej fryma  jonë.

Mirëpo, shpesh “ndjenja e përbashkët na bënë që të kundërvëmë  universin e fjalëve, të cilat i konsiderojmë si të pa dobishme, me ato  të veprave të cilat transformojnë realitetin në terren ”. Por, për  politikologët, efektet e fjalëve të shumëfishuara nga jehona janë  pjesë integruese e veprimeve efikase.  Me termin “fjalë”, ju ftoj që  të kuptoni të gjitha llojet e shprehjeve të njohura qofshin ato gojore  dhe jo gojore, të shkruara, të shenjave dhe tjera. Me këtë mund të  kuptojmë se para çdo veprimi, gjatë çdo veprimi dhe pas çdo veprimi  fjala luan rolin e saj kyç të mirëkuptimit, të ndërlidhjes dhe  koordinimit në hapësirë dhe në kohë në mes njerëzëve të një gjuhe.

Pra, çdo veprim në shkallën shoqërore do të ishte i pamundur të  organizohet po që se ajo shoqëri nuk do të kishte zhvilluar një sistem  të të shprehurit dhe të të kuptuarit të përbashkët.

Zhdukja e amfiteatrove si fillim i zhdukjes së një populli

Këtë sistem ku fjala-gjuha luante rolin e saj kyç në gjetjen e  mirëkuptimit, ndërlidhjes dhe bashkërendimit shoqëror, pushtuesit u  munduan shekuj me rradhë të na i zhdukin. Pushtuesit do të na  preferonin të heshtur. Të bëheshim si ata popujt e shkombëtarizuar të  guvernave të Perandorisë Osmane dy, gjashtë dhe shtatë që përshkruan  aq bukur Ismail Kadare tek romani Pashallëqet e Mëdha. Politikat e  “kra-kra-së “  kishin bërë, përshkruan Ismajl Kadare,  që :

[Këta njerëz s’kishin më gjuhë të vetën, zakone, ngjyra, valle,  alfabet, histori, kalendare, kronika, apo gojëdhëna. Gjithçka kishte  humbur. Kujtesa e tyre ishte lëmuar dalngadalë, çdo gjë ishte  fshirë...]

[...Gjithë jeta e tyre dukej e mbështjellë çuditërisht nga ca elipse,  që s’të çonin asgjëkund e njëkohësisht nuk të lëshonin kurrë. Këto  elipse prej vitesh kishin shkaktuar tek ata humbjen e konceptit të  kohës dhe hapësirës, një farë statizmi, një farë rrotullimi në vend,  zhdukjen e gjithçkaje konkrete, vite, data, emra dhe zëvendësimin e  tyre me një brum të përgjithshëme anonim, të butë dhe rrëshqitës, pa  kënde dhe maja, por gjithëmonë me forma të rrumbullakuara, që treten  larg.]

Populli ynë, për dallim nga “popujt e shkombëtarizuar”, edhe pse ishte  i pushtuar, ai nuk do të pranonte nënshtrimin e tij. Përkundrazi,  populli shqiptar do të kërkonte të gjitha rrugët dhe format e mundshme  të qëndresës që të mbijetoj i pandryshyar si komb nëpër histori. Këtë  vullnet të pashoq për të qëndruar dhe refuzimin kategorik të  nënshtrimit e dëshmon më së miri Oda dhe Kulla shqiptare. E para,  dëshmon sesi pasi pushtuesi i kishte zënë qendrat publike, duke i  rrëmbyer foltoret me qëllim që të parandaloj çdo organizim dhe veprim  shoqëror, populli shqiptar kishte gjetur rrugë dhe forma tjera të  organizimit dhe të veprimit për qëndresë ndaj politikave shfarosëse.

Ai kishte refuzuar të jetë pjesëmarrës në qendrat publike të zëna nga  pushtuesit dhe si kundërvënie ai kishte rindërtuar odën, e cila do të  luante një rol të përafërt me amfiteatrot e vjetër. Kurse e dyta,  Kulla, dëshmon se si shqiptarët kishin kaluar në një ekonomi dhe  filozofi të luftës qëndruese. Pra, oda si vend pubik lunte rolin e  mirëkuptimit, të ndërlidhjes dhe koordinimit shoqëror për organizimin  e qëndresës dhe Kulla merrte simbolin e konkretizimit të kësaj  filozofie qëndruese në jetën e përditshme të shqiptarit.

Fjala jonë, arma jonë

Fjala jonë pra, ishte arma më e rrezikshme për armiqët tanë. Ajo ishte  pikënisja e çdo organizimi shoqëror, pikënisja e çdo pune. Dhe çdo  punë e realizuar në terren i rikthente forcën asaj, i rikthente vendin  asaj. Gjerësa të kishim gjuhën, ne kishim elementin kyç të kohezionit  tonë shoqëror dhe kombëtar. Nga ajo gjithëçka mund të nisej, nga ajo  gjithëçka mund të bëhej. Humbja e gjuhës, ishte humbja jonë.

Nga kjo që thash më lartë, disa mund të thonë : të gjitha pushtimet  dhe e gjithë rezistenca e popullit tonë ndaj tyre paska qenë bërë  vetëm për të ruajtur gjuhën dhe fuqinë e shprehjes së saj!? Ky paska  qenë interesi final i pushtuesëve dhe anasjelltas, i yni ?! Jo,  interesi final i popullit tonë është ruajtja e kushteve (territoreve,  pasurive natyrore, ekonomike, kulturore...) pa të cilat ai nuk do të  mund të konservonte veten e tij, nuk do të mund të zhvillonte  mirëqenien e tij, nuk do të mund të realizonte vetveten e tij. Mirëpo,  gjuha dhe fuqia e shprehjes së saj është pika më strategjike e një  populli, sepse mungesa e saj është mungesa e vet kombit. Një komb pa  gjuhë të përbashkët, nuk është më komb, është vetëm një grumbull apo  një shpërndarje njerëzish nëpër një sipërfaqe të caktuar.

Më ftuan sonte në këtë foltore për të mbajt një fjalim dhe shpjeguar  pak më tepër për shoqërinë “Bashkimi Shqiptar” dhe idetë e saj, duke  qenë se dega e Lozanës sapo është formuar. Ju me të drejtë do të më  pyesni : ç’patë lidhje fjalimi rreth amfiteatrove, foltoreve, gjuhës,  fjalës dhe forcës së saj me Shoqërinë “Bashkimin Shqiptar”? Për të  qenë i sinqertë, nuk e di a ndërlidhen amfiteatrot, foltoret, gjuha,  fjala dhe forca e saj me shoqërinë “Bashkimi Shqiptar” apo, në të  kundërtën, “Bashkimi Shqiptar” ndërlidhet me to. Mirëpo, që ka  ndërlidhje, këtu nuk kam shumë dyshim.

Rikthimi i fjalës së rrëmbyer

Pas shekujsh pushtimesh dhe rrëmbimesh të qendrave tona publike,  rrëmbimesh të foltoreve, rrëmbimesh të fjalës sonë dhe fal qëndresës  sonë të patundur, ne sot jemi në prag të një shekulli që po bëhen që  kur kemi rimarr qendrat e para publike dhe jemi rikthyer në foltoret  tona, në amfiteatrot tona. Falë këtyre foltoreve, ne riorganizuam  shoqërinë tonë në një shtet të pavarur shqiptar, i cili nuk humbi  kurrë tendencën për të qenë shtet-komb shqiptar.

Më së fundmi, falë luftës së UCK-së, ne arritëm të rimarrim edhe disa  qendra tjera shqiptare të mbetura nën pushtimin e huaj dhe populli  shqiptar i Kosovës rimori fjalën që ia kishin ndaluar qe një shekull.

Sot, nga qendrat tona shqiptare dhe me ndërlidhjet e tyre, shqiptarët  po mirëkuptohen dhe po koordinohen më mirë dhe po shkojnë drejt një  bashkimi të tyre.

Shoqëria “Bashkimi Shqiptar” përçuese e fjalës shqiptare

Sot, në një tjetër kohë dhe në një tjetër hapësirë, Shoqëria “Bashkimi  Shqiptar”, duke u përkufizuar në mërgatën shqiptare, ka për qëllim që  përmes organizimit të saj të jet përquese e fjalës shqiptare ndërmjet  Atdheut dhe mërgatës shqiptare. Por, përveç këtij roli primar,  Shoqëria “Bashkimi Shqiptar” nuk është gjë tjetër përveç se një  organizim, i cili tenton të çoj më përtej fjalën shqiptare duke  kërkuar që ajo të ketë vendin e saj edhe nëpër qendrat botërore. Pra  fjala shqiptare të mos mbetet e  kufizuar vetëm ndër ne, por ajo të  jehoj, përmes mërgatës shqiptare, në veshët e botës mbarë.

Puna jonë ka për qëllim që t’i jap fuqi fjalës shqiptare dhe fjala  shqiptare ka për qëllim që ta përforcon punën tonë dhe së bashku të  bëjnë, dita ditës, shqiptarin faktor të proceseve historike, të  zhvillimeve ekonomike dhe kulturore evropiane dhe botërore. Këtu pra  qëndroka ndërlidhja ndërmjet “Bashkimi-t Shqiptar” dhe fjalës,  foltoreve dhe amfiteatrit.

(Kuptohet; që çdo secili që e gjenë veten në këto qëllime është i  ftuar dhe i mirëpritur që t’i bashkangjitet “Bashkimi-t Shqiptar”.

Paraardhësit tanë filluan historinë. Që pasardhësit e tyre të jenë në  mbyllje të saj, ne duhet të jemi pjesë aktive e saj).

Përmbyllje

Këtë fjalim do ta përmbyll nga ana e prapme duke ju treguar në fund  titullin e tij. Miku im Gilbert Gardes në konferencën e Arif Matit në  Lion kishte titulluar fjalimin e tij  Arif MATI apo memoria e rikthyer  . Unë sonte, përmesë këtij fjalimi, përshëndeta Arif MATI-n dhe mbarë  popullin shqiptar me këtë titull : Shqiptarët apo fjala e rikthyer .

Ju faleminderit

*Autori është nismëtar për themelimin e Organizatës “Bashkimi  Shqiptar”, Kryetar i Organizatës për periudhën 30 maj 2010-05 maj  2012, tash Drejtor i Financave



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora