Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Ekstremizmi shqiptar dhe hallet e shqiptarëve

| E hene, 22.10.2012, 05:22 PM |


Ekstremizmi shqiptar dhe hallet e shqiptarëve

Nga Vangjush Saro

Konflikti më i fundit në Shqipëri, i shpallur përmes grevës së gjatë të urisë të një grupi ish-të përndjekur politikë, na shpie natyrshëm në një temë, së cilës sedra jonë (heraherës) e sëmurë nuk ka dëshirë t’i qaset. E thënë copë e pa doreza, është fjala për ekstremizmin, prirja e përhershme e klaneve që kanë interpretuar problematikat e shumta në Shqipëri, në kohëra. Shkrimtari dhe historiani i njohur Xhorxh Finlej, diku nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, i përshkruan shqiptarët - posaçërisht udhëheqësit e tyre - si “krenarë, fodullë, të pashtruar dhe të etur për fitim”. Këtë e kemi mësuar nga Faik Konica; ai, jo pa trishtim, e citon autorin në fjalë te “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”. Poeti dhe mendimtari Gjergj Fishta meditonte këso: “Pse shqyptarëve asht tue m’u ba,/ s’u vjen gjuha tjetër gja,/ veç me pshtjellë e me ngatrrue, për shoshojn veç me shprrallue, punët e mbara me i shkatrrue...” (Nakdomonicipedija). Kurse Fan Noli, në një fjalim të mbajtur në Parlamentin Shqiptar më 1924, thoshte: “Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.”

Edhe përtej këtyre citimeve, ekstremizmi do të ishte me të vërtetë një term i përshtatshëm për të karakterizuar cilësitë tona dhe punët tona, (nganjëherë të dreqosura). Ekstremizmi është një sëmundje e hershme e ne shqiptarëve. Për ta marrë sa më shtruar argumentin, më duhet të them se askush nuk duhet të lëndohet nga konstatime që lindin mbi argumente. Të rivështrosh historinë e vendit tënd, praktikat qeverisëse, pamjet e vërteta të qytetarisë dhe të zhvillimit të parimeve, nuk do të thotë lëndim. Nëse nuk arrijmë të kemi një pamje reale të së shkuarës, nuk mund të ndërtojmë si duhet të nesërmen; por do të vazhdojmë të vetëmburremi e t’i bëjmë qejfin vetes, pa shkak ose thjesht për interes të ndonjë klani në pushtet, që shpreson se mund të shtyhet pafundësisht me festivitet dhe delirancë.

Le të përmbahemi pra, dhe të kuptojmë se nuk duhet të biem në lojën e klaneve. Jemi mburrur pa fund gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare (edhe pse synohej njëlloj zgjimi, kur më në fund të gjithë, me përjashtim të Shqipërisë, i kishin ikur sundimit osman). U mburrëm 45 vjet të rendit komunist se ishim “kështjellë e pamposhtur në brigjet e Adriatikut” dhe, në ndërkohë, ushqeheshim me tallon. Në fund të shekullit të njëzetë, në dramën e firmave rentiere, u deklarua: “Paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë!” Dhe e pamë të gjithë se ç’mund të fitohej nga ajo lloj megalomanie (që edhe sot vazhdon). E pamë të gjithë se ç’ndodhi me ato para të (pa)pastra. Askush, asnjëherë, nuk i numëroi viktimat dhe dëmet e pallogaritshme njerëzore e shtetërore; askush dhe asnjëherë nuk u përgjigj për atë tragjedi. Po ashtu, pati një histeri deklaratash - në këto vitet e fundit - në lidhje me ritmet e zhvillimit të Shqipërisë dhe reformat e kryera, duke kërkuar vendin e parë e të dytë në botë a në Evropë, për atë dhe për këtë...

Ja tek jemi në një udhëkryq, si shpeshherë. Vendi përjeton probleme të vështira, papunësi, pasiguri, një konfliktualitet të papranueshëm politik dhe, para së gjithash, shpërthime urrejtjesh të pamenaxhuara. (Si mund të shprehesha ndryshe.) Por le të vazhdojmë të ofrojmë argumente dhe lexuesi të qëmtojë nëse në to ka sinqeritet apo falsitet. Jo më vonë se se nja dy javë të shkuara, politikani (jo ekstremist) Pandeli Majko tha disa fjalë për Ahmet Zogun, me një ton vlerësues; dhe ia filloi sakaq “furtuna”: jo po si nuk ke turp, jo po ç’thotë yt atë, jo po kë të quajmë tradhtar këtej e tutje; tërkuzet fjala sikur po llomotisin njerëz që s’kanë ç’bëjnë te sofatet. Fyerjet dhe bërtitjet ekstreme marrin dhenë. Njëra palë thotë e zezë, tjetra e bardhë. Atëherë, ta shtrojmë pak bisedën, se nuk jemi te sofatet e portës diku në fshat. Ekstremistët mund të na kujtojnë se Zogu nuk luftoi kundër Italisë Fashiste; por ndërkaq ata duhet të marrin në sy edhe vlerat e shtetit që arriti të krijonte Ahmet Zogu, duke mbijetuar në mes të tre fqinjëve aspak miqësorë, madje njëri më mëtonjës se tjetri: Italia, Greqia, Jugosllavia. Po ashtu, ekstremistët duhet të kenë vullnetin e durimin të vlerësojnë së paku parlamentarizmin e aplikuar në atë kohë, si një normë demokracie.

Sa për “tradhtinë”, po kujtojmë vetëm fatin e disa prej vendeve të Evropës Veriore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pyetja është e thjeshtë: Çfarë duhet të bëjnë njerëzit atje, meqë qeveritë përkatëse u dorëzuan dhe disa liderë “tradhtuan” vendin, (se ç’mund të bënin tjetër përballë një të çmenduri si Hitleri...) Çfarë duan këta ekstremistë, të rikthejmë gjuhën e teksteve të kohës së shkuar, të rendit të shkuar, që e paraqiste gjithçka të “së djeshmes” të errët, në mënyrë që “të ndriste” aktualiteti...Ahmet Zogu është pjesë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë. Këtu nuk është fjala për të hedhur poshtë ca “legjenda” dhe për të krijuar tani ca të tjera  këso, por për të përshkruar me saktësi dhe paanësi historinë e këtij vendi.

E njëjta situatë etike sa herë që zihet në gojë koha e socializmit; vetëm vrer nxirret nga penat. Disa madje, ngatërrojnë rendin komunist (si i tillë) me njerëzit që jetuan një kohë të gjatë në atë rend; dhe vetëdemaskohen si injorantë duke bërë paravoli për shkollimin dhe edukimin e njerëzve të asaj kohe, gjëra që s’janë në “rendin” e shkruesve të mjerë. Po themi vetëm kaq: Deri në fillim të viteve 60, një shumicë studentësh nga Shqipëria e mbaruan shkollën e lartë në vende të tjera (lindore) shumë më të përparuara se Shqipëria: Poloni, Çeki, Hungari, Jugosllavi, Rumani, Bashkimi Sovjetik, etj. Por edhe Universiteti i Tiranës - atëherë e për një kohë të gjatë - nuk lozte kumar me fatin e studentëve, siç po bëhet tani në fragmente të theksuara të arsimit të lartë.

Më tej, mbase ekstremistët e krahut tjetër kërkojnë që të themi se në rendin socialist nuk u shkolluan dhe nuk punuan njerëzit, nuk kishte universitete, stadiume, teatro, hidrocentrale (që edhe sot po i shfrytëzojmë); ta nxirosim më keq nga ç’ishte në të vërtetë kohën dhe njerëzit, e të themi sërish që jemi në vitin zero...Këtë na thonë nga sofatet e mëhallës. Kështu, herë pas here, në Shqipërinë tonë të mirë, del dikush që kërkon qiqra në hell, përndryshe të bëhet historia zero. Shumë vite më parë, këtë u përpoq ta bënte klani ultrakomunist që e drejtoi dhe e shtypi vendin për 45 vjet; koha tregoi se ai vetë u bë zero, paçka se ekspertët e historisë do të ndërtojnë si duhet gjithë pamjen e jetës dhe të aktivitetit të çdo individi e shtrese shoqërore në çdo kohë.

Aktualisht, ne jemi një shoqëri me probleme të mëdha të karakterit qytetar, për vetë rrethanat; (lëvizjet drejt qyteteve e Tiranës sipas interesave dhe stilit komunist, më pas kaosi i lëvizjeve demografike në fillim të viteve ‘90). Pasi hymë në NATO pothuaj me “mik”, na është ofruar së fundmi një opsion i paparë ndonjëherë - në lidhje me statusin e vendit kandidat - a thua jemi të destinuar të qëndrojmë gjithë jetën në limitet e eksperimentit. Por vetes ia bëjmë në çdo rast. Kujtojmë, jo më larg se tre vjet më parë, në një raport të sajin për vitin 2008, në indeksin e demokracisë, njësia studimore e revistës së njohur britanike “The Economist”, e vendoste Shqipërinë në grupin e vendeve me regjim hibrid. (Si kritere të vlerësimit për këtë, përcaktoheshin shkalla e zhvillimit dhe e funksionimit te institucioneve, zgjedhjet e lira dhe respektimi i të drejtave civile.) Në atë që quhej grupimi i dytë përfshiheshin “demokracitë e paplota ose joperfekte”, ku gjendeshin disa nga fqinjët tanë, si Maqedonia, Mali i Zi, madje edhe (supriza e këtij grupimi) Serbia. Vendi ynë renditej në listën e shteteve me “regjim hibrid”, me fjalë të tjera shumë më poshtë; në këtë listë, ishin Turqia, Bosnja, Iraku, Rusia, por edhe vende të tilla si Zambia, Madagaskari, Uganda, Burundi, Ekuadori dhe Venezuela, etj.

Le t’i shfletojmë vitet me qetësi dhe pa harruar gjërat më të rëndësishme. Kemi kaluar së fundmi dy palë zgjedhje tejet të diskutueshme; për ato të fundit, (vendoret 2011), drejtuesit e lartë të BE-së u shprehën haptazi se zgjedhjet “nuk ishin të mira”. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle u shpreh: “Unë jam i shqetësuar për situatën politike që vijon pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe për shansin e humbur të Shqipërisë për të bërë progres thelbësor ndaj 12 prioriteteve kyçe e sfidave për rrugën drejt Bashkimit Europian...Ne ndoqëm nga afër zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe do t'ju citoj qëndrimin që u është shpërndarë. Ne shënojmë me shqetësim se ka patur debat e polarizim mbi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor. Zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira, pasi treguan përtej dyshimeve se kuadri zgjedhor duhet reformuar”.

Për ta mbyllur këtë argument, këto ditë është bërë publik një studim mbi rolin e ndërkombëtarëve në Shqipëri, me titull “Urë mbi ujëra të turbullt”. Ky studim tejet kritik vlerësonte se vendi është kthyer në një “stabilokraci”, një lloj sistemi që ofron stabilitet jashtë vendit, por që brenda tij luhatet mes demokracisë dhe tendencave autokrate. I bashkëpërgatitur nga tre qendra e fondacione me seli në Bullgari, Gjermani dhe Amerikë, studimi analizonte disa prej ngjarjeve më të rëndësishme në vend, nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 deri te rastet “Basha”, “Gërdeci” dhe “21 Janari”, duke treguar se Shqipëria ndodhet nën kontrollin e elitave në fuqi, nëpërmjet përdorimit vetiak të ligjeve dhe proçedurave jodemokratike.

Çfarë nuk shkon në këtë subjektin tonë plot kthesa, vuajtje dhe ekstremitete? Dëgjon sot të thuhet se ishin të burgosurit dhe të dënuarit politikë që ndërtuan atë dhe këtë (vepër), nga veriu në jug. Sigurisht që ata qytetarë të mohuar të këtij vendi janë ropatur në kampe e kantiere në punët më të rënda dhe në mundimet më çnjerëzore. Dhe shoqëria - jo për demagogji dhe as për përfitime politike - duhet ta vlerësojë këtë kalvar, nga më të rrallët në botë. Por në të njëjtën kohë, shoqëria s’mund të lejojë që të gremiset gjithçka në urrejtje pa kufi dhe në njëlloj revanshi pa sens. Kështu, nuk  është e drejtë të hiperbolizohet prania e të përndjekurve dhe e të burgosurve, politikë ose jo, në çdo ndërtim e në çdo zhvillim (aq sa ishte) të këtij vendi. Të pretendosh në mënyrën më ekstreme se gjithçka e kanë ndërtuar të burgosurit dhe të dënuarit politikë, do të thotë të pranosh se pjesa tjetër e popullsisë bënte rolin e plebeut, vinte rrotull, dëfrente, jetonte mbi kurrizin e këtyre të burgosurve apo të dënuarve politikë. Përballë ekstremitetesh të tilla, nuk ka si të ndjehen mirë ai ose ajo që ndërtuan hidrocentral në Komanin historik, që punuan me shpirt e çiltëri në rrugën e Malësisë së Madhe e nëpër hekurudha, që iu mësuan nxënësve të fshatrave më të largët abetare a matematikë, që lanë kockat në fushat ku përcëllonte dielli dhe në minierat ku ai nuk ishte fare. Nuk duhet harruar, shpirt kanë edhe ata e iu dhemb.

Klanet që diktojnë në Shqipëri, në kohëra, vuajnë deliresh dhe mëtojnë të përfitojnë ç’të mundin. Por edhe zgjedhjet që bëjmë ne vetë, janë të habitshme. Në mesin e shekullit të shkuar, komunistët shqiptarë themeluan një parti, e cila do të merrte në dorë gjithçka në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Mund të duket e pavend, por mendojmë se i shkon logjikës së përdorur në këtë analizë deri tani. Ndër aq e aq emra, një pjesë e të cilëve burra me shkollë dhe pjekuri njerëzore, në krye të kastës doli Enver Hoxha: pa diplomë, me një zgjuarsi natyrale dhe, sidomos, i aftë për prapaskena. Është e kotë të kujtojmë se si nën autoritetin e padiskutueshëm të tij, Shqipëria ndoqi vijën staliniste, praktikoi socializmin ekstrem. Ja po vij edhe më këtej. Duke kërkuar lëndë për një nga shkrimet e tij, autorit të këtyre radhëve iu desh të lexonte në jetëshkrimin e disa prej ministrave dhe kryeministrave që drejtojnë aktualisht vendet fqinje. Në përfundim të kërkimit, doli që shumica e këtyre drejtuesve ishin ekonomistë, inxhinierë, juristë, diplomatë karriere, pra “teknikë”, e thënë ndryshe, ekspertë. Në asnjë rast nuk u gjend që personi i cili drejtonte (apo aspironte ta drejtonte) shtetin a qeverinë, të ishte një mjek apo një piktor. Kjo ndodh vetëm në Shqipërinë tonë pa fat, e cila më shumë se kushdo ka nevojë për drejtues ekspertë, ndërkohë që mbetet përherë në duar individësh e klanesh me orientim ideologjik të patjetërsuar.

Më në fund, ne ende jemi në mungesë rregullash; jemi në djepin e njëlloj zhvillimi me hope dhe pa parime. Historia, ekonomia dhe kultura nuk krijohen dhe nuk mbrohen në kushte anarkie. Këtej i biem malit në këmbë të Krujës dhe e bëjmë tym e pluhur, këtej duam që Muzeun e Skënderbeut ta vizitojnë turistët (vendas e të huaj). Nuk bëhen të dyja. Ose njërën ose tjetrën. Dhe nëse zgjedhim tymrat e pluhurin, ta lëmë historinë në punën e vet dhe të themi se kishim nevojë për para, u inkurajuan lloj-lloj investime e shfrytëzime pa minimumin e kushteve teknike, pra të hamë e të nginjemi sot për sot. Në s’heqshim dorë nga deliret dhe mburrjet, nga zgjidhjet ekstreme, “jeta do të vazhdojë siç ka qenë, domethënë si mos më keq...” (Xhorxh Oruell. “Republika e kafshëve”.)

Ka ardhur koha që ne t’i ikim ektremizmit. Ikja nga ekstremizmi, është një normë demokracie, është një shenjë që tregon qytetari. Mund të nxjerrësh nga goja çdolloj pohimi e çdolloj budallallëku, në emër të asaj apo kësaj kohe dhe urrejtjeje të pamenaxhuar, por në çdo rast nuk i shërben Shqipërisë, të cilën pikërisht ekstremizmi dhe hipokrizia (e vetë shqiptarëve) e kanë lënë pas dhe e kanë poshtëruar jo më pak se pushtimet e kohëpaskohshme. Kur ta lëmë ekstremizmin, kur ta gjejmë veten më të qetë, më qytetarë, pa paragjykime të gjithfarshme, atëherë ka shpresa se diçka mund të ndryshojë në Shqipëri.

Të pohosh këso drojesh, do të thotë të jesh i ndershëm; kjo gjë nuk përbën turp. Të jetosh ende pas 22 vitesh pluralizëm në një tranzicion poshtërues, është turp. Të shpresojmë se zgjedhjet e vitit tjetër do të shënojnë ndonjë progres në ndeshjen me ektremistët dhe ektremizmin.