E marte, 28.06.2022, 02:15 PM (GMT+1)

Editorial

Safet Hyseni: Si na vlerësoi i madhi lordi Bajron?!!

E premte, 19.10.2012, 08:29 PM


Si na vlerësoi i madhi lordi Bajron?!!

Populli është një gurrë e pashtershme, aty zgjidhen shumë probleme bile, aty ka mësues dhe këshilltar. Vuajtjet e kanë bërë që nga përvoja të marr mësime që do t’i shërbenin edhe profesorit, mësuesit e politikanit

Nga Safet Hyseni

Kohët e fundit jam ndodhur shpesh  në mes të njerëzve të shtresave të ndryshme. Aty ku bisedohej pa protokoll dhe pa hierarki, por, ku çmohet pesha e fjalës, mendimit, këshillës,... Dhe gjithherë një shqetësim që po bartet nga anëtarë e simpatizant të subjekteve tona politike të cilët e hedhin topin atje ku mendojnë, apo atje ku edhe janë të detyruar apo të udhëzuar. Me këtë rast në mungesë të argumenteve ato shprehin nervozizëm të theksuar ndaj njërit apo subjektit tjetër. Në këto ndeja e biseda pleqtë me pak  fjalë  duke përdorur urtësinë popullore që disa popuj i thonë fjalë filozofike kanë përgjigje që do t’ua kishin lakmi jo vetëm të zgjedhurit tanë por edhe dijetarët. Këto mendime do duhej  që të zbërthehen pasi që qëllimin e thonë në mënyrë të tërthortë, por pak kush ua var veshin. Por sa janë prezent dhe sa i dëgjojnë të zgjedhurit tanë këto mendime, dikush ndoshta do thotë se s’ka rëndësi, dhe kjo s’ka rëndësi e ka përgjigjen tek fjala e urtë që e tha njëri nga të pranishmit “mësoje të madhin se i vogëli edukohet vetë”.

Opinioni shqiptarë në ndarë në aq pjesë sa dhe shqiptarët është ndeshur me shumë paqartësi nga diskursi politikë i subjekteve shqiptare në “100 vjetorin e mëvetësisë së Shqipërisë”. Në të gjithë hapësirën shqiptare më shumë flitet për subjekte e zgjedhje se sa për një jubile kaq të madh, për një datë dhe ditë historike. Në vend të bashkimit këto subjekte si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni me fjalorin e tyre që janë duke përdorur qojnë në armiqësim dhe mos durim. Nga veprimet e tilla të subjektit tonë politik shqiptari si duket e ka humbur edhe atë pak shpresë se do vije dita e bashkimit, duke parë sjelljet dhe veprimet e fundit të të zgjedhurve të vetë karshi taborit tjetër (fqinjëve që 100 vjet më parë zgjeruan shtetet e tyre në dëm të shqiptarëve), bile ndihesh edhe i turpëruar me atë që dëgjon e sheh (në Maqedoni bëhet teatër me ligjet për branitellat, në Kosovë diç tjetër por që nuk ka lidhje me shqiptarizëm në Shqipëri me greva e nënkëmbëza). Në Maqedoni derisa ata sjellin Ligje për branitellat pala shqiptare pret që dikush nga përfaqësuesit shqiptarë të “pjesës së popullit” të flas për një Ligj për të dënuarit, të dëmtuarit dhe të persekutuarit nga ish sistemi komunist.

Ngjarja është e vërtetë dhe bisedat e polemikat ndodhën në një odë shqiptare në një fshat të IRJM-së ku tani më janë nxehur gjakrat se cili subjekt do dal fitues në zgjedhjet lokale të pranverës. Një plak që rrinte në krye të odës, edhe pse nuk i jepej fjala se ata anëtarët partiak e vlerësonin veten më të përgatitur, ai (plaku) herë pas here lëshonte nga një mendim, anekdotë apo fjalë të urtë, por palët e subjekteve as që ia vendonin veshin. Por ai plaku i urtë në një bisedë kur gjakrat ishin nxehur në mes të dy taborëve të anëtarëve të subjekteve tona në temën tashmë të nxehtë,  se cila nga partitë është më e ndershme, citojë vetëm dy vargje të një kënge të moçme popullore. Kjo këngë  i këndohej Sulltanit kur ne për atdhe kishim Perandorin osmane dhe thoshim “si të jesh turk”, dhe jo Jugosllavinë apo IRMJ-në. Kur është fjala tek okupatorët, vërtetë është nderë të të sundojë një perandori e sa për sot është vështirë ta zbërthejnë edhe shkencëtarë e rangut botëror se akademikët janë të lidhur diku për kapistre. Dhe plaku me gjuhën brisk  që pak më parë tha “Edukoje  të madhin se i vogëli mësohet vetë” vazhdojë:

Në Stamboll na u bë nami

Për dy gisht vend u shit vatani”.

Është kjo një këngë që i kushtohet Sulltanit (kuptohet nga arnautët-shqiptarët) i cili ra nën shalët (vithet)  e Katerinës (“caricës ruse”) dhe lëshoi carin (Petrin) e zënë rob me gjithë ushtri  në luftën e Krimesë, por që plaku e aktualizoj si përgjigje për moralin aktual politik.  Por sulltani shiste toka të huaja, e të tanët në “100 vjetorin e mëvetësisë” provojnë kush sa më besnikërisht t’i shërbej IRMJ-së që është formuar në gjysmën e tokave shqiptare para 22 vitesh. Ata që ishin në kulmin e zemërimit me njëri tjetrin sikur u qeshi fytyra nga fjalët e plakut por u krijua përshtypja se asgjë nuk kuptuan. Kur këtë e vërejti plaku lëshojë një qyfyre tjetër “Çdo gjë thyhet për shkak të hollësisë, por njeriu për shkak të trashësisë”. Ata që ishin zhytë në dialog as kjo thënie nuk iu bëri përshtypje edhe pse ishte hedhur enkas për ta, dhe për ato që u japin detyra, por si duket as vargjet e këngës e as mendimin e fundit nuk ditën që t’i zbërthejnë dhe as për cilët bëhet fjalë. Biseda hidhej me nervozizëm herë nga njëra e herë nga ana tjetër e plaku i qetë thithte duhanin dhe i dëgjonte. Ku me ditë se çka bluante por në një moment tha se “ata nuk e njohin veten”, si duket e kishte për partiakët tanë. Dhe mua më shkoj ndërmend një mendim i të madhit Gëte kur thotë: “Ç’duhet bërë për ta njohur veten? Ta sodisim? Përkundrazi lypset të veprojmë. Përpiqu të kryesh detyrën tënde e do të kuptosh se cili je!”

Kur më ra ndërmend ky mendim shikimin nuk e ndaja nga plaku i cili dëgjonte me vëmendje bisedën e të pranishmëve me shikimin e  hedhur për tokë. Deri sa të rinjtë lëvdoheshin e akuzonin njërin apo tjetrin subjekt për trimëri e tradhti, ai fjalëpaku plak, pasi e ngriti pak kryet dhe i shikojë të rinjtë, ndezi sërish një duhan e tha: “Ai që pi ujë nga grushti i tjetrit nuk ngopet kurrë”. Biseda vazhdonte por fjalës së plakut pak kush i kushtoj rëndësi. Derisa të tjerët gjuheshin me fjalë që nuk kishin ndonjë rëndësi unë mendoja me keqardhje se; çdo njeri ka nevojë që të braktis veset e këqija që vinë si pasojë e botës materiale dhe egoiste. Për të ndaluar epshet e ndryshme dhe dëshirat e parealizuar në saje të mundësive të pakta njeriu duhet të njoh veten. Njeriu duhet që sa më shumë të lexojë të pasurohet me një guxim duke krijuar një besim të shëndoshë në vete dhe të ndikojë të krijoj mes të shëndosh dhe të çliruar nga bota e veseve. Por çdo gjë si duket është pasojë e shkaqeve që vinë nga lartë. Se në çfarë halli i kanë hedhur klanet e interesit vërehej nga  biseda që zhvillohej me  tone të nxehta “se kush cilin ka mik”, sa që disa u akuzuan si pro komunistë e ca u lavdëruan si  pro perëndimor, por që rrugën e kishin humbur në oborr dhe kërkonin shpëtim nga aleatët e tyre të taborit tjetër.

Plaku duke dashur që t’ua heqë vërejtjen për të mos vazhduar me ato tone u kollit dhe me zë pak më të trash (lart) tha; “Fëmija që rritet pa libra, është si pema që rritet pa ujë”, dhe pasi i shikoj pak të dy palët mos po janë ofenduar shtojë: “ Mos e kujto mik, atë që është me Ty në kohë të mirë. Mik është ai që mban dorën në kohë të keqe” duke shtuar se “njeriu më i pafat është ai i cili nuk kërkon miq. Por ka edhe më keq se ai... Është ai i cili nuk di t’i mbaj miqtë e tij”. Ky mendim i plakut disi e ndali dialogun e nxehtë ngase ai u kishte dhënë një shuplak të dy palëve. Kjo u vërejt me heshtjen që ra. E mua mu kujtua fjala e plakut që nuk deshi të ofendojë asnjë nga të pranishmit por e tha me qëllim të mirë “Fëmija që rritet pa libra është si pema që rritet pa ujë”.

As unë tani nuk dija se ku e ka pasur plaku  te të zgjedhurit-të emëruarit apo te pasardhësit e tyre që ishin nxehur në dialog. Nëse e ka te të zgjedhurit-të emëruarit mendova se kalon shpejt (se ata ndërrohen), por nëse e ka te pasardhësit vaj halli për ne. Plogështia, inferioriteti është faktor i rrezikshëm dhe ai e kishte vërejt atë te  bashkëbiseduesit. Ajo e largon njeriun nga të lexuarit, e nëse nuk lexon...... Për shkak të plogështisë njerëzit bëjnë çdo gjë ashtu siç e kanë parë të bëhet çdo ditë, dhe këto njerëz shikojnë vetëm mundësin e plotësimit të çdo dëshire. Çdo fjali që thoshte  plaku kishte mendim të thellë. Por e gjithë ajo sillej rreth edukimit, mikut dhe moralit. E edukimi është ushqim i përditshëm, ashtu siç është buka dhe uji. Po si të gjendet miku, kjo ishte edhe dilema më e madhe se kush, cili subjekt e ka mikun më të mirë. Plaku u kishte treguar se; “Ai që pi ujë nga grushti i tjetrit nuk ngopet kurrë” por ato as që ia varnin veshin. Miqësia që për bazë ka veprimtarinë e përbashkët i ofron njerëzit. Lidhja e varësisë në mes të individëve kalon në bashkëpunim, kurse puna me synim të përbashkët përbën një faktorë të rëndësishëm të të bashkuarit, kjo mbase iu mungon shqiptarëve këtu tek ne, por jo vetëm në IRMJ, por në gjithë hapësirën shqiptare. Njerëzit shoqërohen për qëllime të ndryshme, për të realizuar interesin e përbashkët, për të ofruar ndihmë, për të bërë mirë, për të arritur lumturi, por edhe për të penguar të tjerët të bëjnë keq. Vetëm qëllimet e njëjta mund t’i lidhin njerëzit, ofrojnë e bashkojnë, qëllimet që nuk janë egoiste e përfituese, që janë të sinqerta. Kjo mendoj se ishte në thelbin e thënies së plakut “Ai që pi ujë nga grushti i tjetrit nuk ngopet kurrë”, andaj ai tregonte se miqësitë e lidhura për interes dhe që kanë për bazë shërbimet e ulëta nuk janë miqësi por nënshtrime, shërbime të ulëta.

Por të rinjtë (anëtarët e subjekteve) e kishin  të gabuar gjykimin kur kërkonin miq në anën e atyre që më me dëshirë i mashtrojnë për t’i nënshtruar, apo ishin lajthitur dhe koalicionet e interesave i paraqisnin si miq të njëri-tjetrit, dhe kjo është tepër se e vërtetë përderisa të gjitha marrëzitë të zgjedhurit, të emëruarit tanë i nxjerrin me vese e  rrapëllima. Por plaku duke i dëgjuar me kujdes edhe njëherë foli sa për t’ua kthjell mendjen “E vërteta është si fara nën dhe. Nuk pëson gjë nga pritja. Kur vjen dita, ajo nxjerr kokën dhe tregon veten! Duke vazhduar....Të thuash për çdo gjë “e drejtë” është budallallëk, të thuash për çdo gjë “e gabuar” është padrejtësi.” Plaku deshi të tregojë se subjektet tona politike deri tani na kanë mbajt ligjërata  patriotike por ja që e treguan vlerën e vetë dhe se sa janë të gatshëm për popull dhe çka janë në gjendje të bëjnë dhe  sakrifikojnë për kolltukun e ëndërruar.

Po cili është qëllimi i subjekteve tona që i ka mbërthyer e keqja mendonte dhe fliste ngadalë plaku duke shtuar “joshja i ka nënshtruar, lakmia i ka mashtruar”.  Dhe ky keq kuptim në mes të rinjve që nuk ia varnin veshin fjalëve të plakut më solli ndërmend mendimin e  Frederik Ëiliam i cili thotë: “Në një vend, ku mendja dhe kultura i jep prioritet parasë, ta dini se xhepat fryhen dhe mendjet zbrazen”.

Parlamenti (që shpërblen vetëm qytetarin sllavo-maqedonas) dhe ngjarjet  tjera që po ndodhin në mes subjekteve shqiptare si dhe mendimet e plakut dhe dialogu i të rinjve sikur i japin të drejtë Bajronit kur vizitojë viset shqiptare dhe ishte mysafir edhe në Sarajet e Ali Pashë Tepelenës. Kur Lordi Bajron mbërriti në Londër u pritë nga Klubi i shkrimtarëve dhe intelektualëve anglez. Kur e pyetën për vetitë e popullit shqiptarë Bajroni tha: “janë mikpritës, me karakter të fortë, kanë besë dhe fjalë”, por kur e pyetën se a kanë shtet të tyre Bajroni u përgjigj; “jo, ato luftojnë për ushtri të huaja”, por kur nuk ka luftëra?!! I madhi Bajron tha se; “vriten në mes veti”. Si duket Bajroni është i pavdekshëm në vlerësimin e tij, por çudit fakti se sa jemi ne në gjendje të shfrytëzojmë filozofinë e popullit tonë kur gërditkemi nga librat, nga trashëgimia, kultura dhe historia jonë (te tjerët mundohen të na e zhbëjnë, vjedhin, uzurpojnë).   Populli është një gurrë e pashtershme, aty zgjidhen shumë probleme bile aty ka mësues dhe këshilltar. Vuajtjet e kanë bërë që nga përvoja të marr mësime që do t’i shërbenin edhe profesorit, mësuesit e politikanit për çdo situatë e vend.



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora