E enjte, 28.03.2024, 03:51 PM (GMT)

Editorial

Ahmet Selmani: Mallkimi i pamerituar

E premte, 19.10.2012, 07:30 PM


MALLKIMI I PAMERITUAR

(Requiem për figurat pa varr)

Shkruan: Ahmet Selmani

Një mallkim i moçëm shqiptar thotë gjëmshëm: Të humbtë varri ose Mbetsh pa varr. Gjithsesi, kjo klithmë e llahtarshme, e cila shqiptohet me një duf të thellë, në situata të caktuara mbase u drejtohet atyre që kanë shkaktuar dëme me pasoja të rënda në jetën shoqërore, përkatësisht atyre që, në njëfarë mënyre, s’mund t’u falet veprimi i kryer, e lëre më të harrohet ndonjëherë. Megjithatë, krejt ndryshe nga kjo nëmë verbale, e cila hamendësisht duket si akt i merituar, në anën tjetër, për shkërbim të fatit njerëzor, nuk ka ndodhur përherë kështu. Për një arsye apo për tjetrën, heraherazi ka rënë keqas edhe mbi ata që e kanë bërë të kundërtën, pra mbi ata që pas vetes kanë lënë vepra të mira e fisnike.

Thënë më shkurt, historia shqiptare paradoksalisht është e rrëmbushur me këtë lloj mallkimi. Si i tillë, ky sado që të ketë qenë i pamerituar, jo një herë ka shkrepur rrufeshëm edhe mbi disa nga figurat më të ndritura kombëtare. Duke e sfiduar drejtpërdrejt kushtimin e vërtetë të tij, gjithçka është zhvendosur nga ana e keqbërësve të historisë, përkatësisht duke e bërë atë si një veprim tragjik apo ndërmarrje morbide, jo më si një ndëshkim verbal siç e njohim, por tmerrësisht si një ndëshkim konkret.

Për ta shpjeguar më konkretisht veprimin tmerrues, duhet thënë troç: meqë si pengesë kanë qenë bëmat dhe veprat e mëdha të shembëlltyrave, duke mos mundur t’i mposhtin me forma të tjera, të cilat pak a shumë janë normale, ata kanë zgjedhur diçka tjetër, thjesht hakmarrjen post mortum, qoftë duke ua përdhosur varret, qoftë duke ua zhdukur edhe eshtrat, vetëm e vetëm që të marrë fund çdo gjë që ka të bëjë me famën dhe lavdinë e tyre, domethënë që edhe vdekja e tyre të duket më absolute, të mos ketë asnjë ndikim të mëtejshëm shpirtëror, sidomos për ta pamundësuar shndërrimin e varreve në vende pelegrinazhi për breznitë e ndryshme.

Sigurisht, shembulli më konkret lidhur me një dukuri të këtillë është rasti i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit (1405-1468). Siç e dimë nga historia, ky udhëheqës i shquar, për 25 vjet me radhë arriti të ngrihet në një mit të gjallë trimërie e suksesi luftarak. Pasi iku nga shërbimi perandorak dhe u kthye në Krujë, menjëherë bëri një organizim të përgjithshëm në mbarë vendin. Së pari i mblodhi rreth vetes krerët më të rëndësishëm si Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Gjergj Stres Balsha, Nikollë Dukagjini, Pal Dukagjini, Pjetër Spani, Lekë Zaharia, Teodor Muzaka, Zahari Gropa etj., dhe, pa humbur kohë, më 1444 e mbajti tubimin e njohur Besëlidhja e Lezhës. Më pastaj heroikisht zhvilloi beteja të njëpasnjëshme kundër pushtuesve që e patën katandisur vendin e tij. Rrjedhimisht, me fitoret e parreshtura e të lavdishme që ia solli atdheut, ai u bë simbol i vërtetë lirie, në radhë të parë për vetë shqiptarët, por njëherazi edhe për të huajt. Këtë më së miri e dëshmon edhe kalorësi i atëhershëm anglez Njupor kur pat thënë: Pushtimi i Europës është i sigurt, sepse s’ka fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella shqiptare.

Me këtë famë të pakontestuar, pikërisht atëherë kur e kishte arritur majën e lavdisë së vet, më 1468 ai vdiq nga malarja, siç thuhet në shënimet e kohës, duke lënë pas vetes një varg bëmash të papara, të cilat nuk ia mohonin dot as armiqtë më të përbetuar.

Por, e vërteta është e dhimbshme; forcat pushtuese nuk mund t’i harronin humbjet e shumta që kishin përjetuar prej tij, ndaj assesi nuk ngurruan që t’i hakmerreshin egërsisht pasi i mbylli sytë përgjithmonë. Siç na njofton jetëshkruesi i tij, Marin Barleti, menjëherë pasi e morën vesh lajmin e vdekjes së Gj. Kastriotit, forcat osmane u vërsulën drejt Kishës së Shën Kollit në Lezhë, aty ku ishte varrosur me nderime të larta, me synimin për ta nxjerrë nga varri dhe për ta hedhur në ndonjë skaj. Mund të hamendësojmë se akti i zhvarrosjes duhet të ketë qenë tepër spektakolar, përplot mllef e urrejtje, madje edhe me gëzim e dehashpirtje të paparë, sepse nuk do të mund t’u kundërvihej më asnjëherë. Po ashtu, nga M. Barleti arrijmë të mësojmë se ushtarët që e zhvarrosën atë nga kisha në fjalë, i morën eshtrat e Gj. Kastriotit, i copëtuan një nga një dhe i varën në qafë si nuska në shenjë bestytnie, me shpresë se fati i tyre do të merrte mbroth në luftërat e mëtejme dhe ashtu do të arrinin të korrnin fitore. Ky veprim hakërryes e barbar, duket se ka edhe një anë tjetër; mbase mund të perceptohet edhe si një mirënjohje e heshtur, si një miratim i pashpallur i asaj që kishte bërë Gj. Kastrioti në betejat e përgjakshme kundër tyre.

Nga e gjithë kjo mund të kuptohet fare mirë se trupi i pajetë i kryetrimit u zhbë me lehtësi nga ushtarët osmanë dhe varri i hapur mbeti si një gropë e pavlerë. Por, megjithëse ndodhi kështu, pra duke humbur çdo gjurmë fizike e heroti të famshëm, prapëseprapë emri i tij vazhdoi të jetojë aq më shumë në kujtesën e popullit, në këngë, gojëdhëna, rrëfime, dokumente, krijime etj.

Gjatë periudhës së pushtimit osman, varri i zbrazur në Kishën e Shën Kollit mbeti i harruar dhe i mbuluar nga rrënojat e shumta, gjersa më në fund erdhi dita e rizbulimit të tij, për t’u bërë një vend pelegrinazhi nga qindra e mijëra njerëz që shkojnë e përulen me nderime të thella. S’do mend, kjo dëshmoi se më e rëndësishme në gjithë këtë katrahurë historike, ishte fryma e Gjergj Kastriotit, kujtesa e pashlyer kolektive, jo eshtrat dhe varri i tij që e pësuan nga turma e ushtarëve të shfrenuar. Tani përnjëmend nuk ka mbetur asnjë copëz nga eshtrat e tij, por njëherësh nuk janë as armiqtë që ia përdhosën vendin e prehjes. Mirëpo, mbi të gjitha, e rëndësishme është se Gjergj Kastrioti jeton në zemrat e shumë njerëzve, shpirti i tij është bërë i përjetshëm.

Krahas këtij, po ashtu, një rast tjetër shumë tipik është edhe ai që ka të bëjë me fatin e arqipeshkvit dhe shkrimtarit Pjetër Bogdani (1622-1689). Pasi shërbeu si klerik i devotshëm në Shkodër, Tivar dhe Shkup, sidomos pasi e shkroi veprën e tij të famshme “Çeta e profetëve” në vitin 1675 dhe pasi u angazhua në mënyrë aktive në jetën shoqërore kundër mizorive që i kryenin pushtuesit osmanë, ai organizoi edhe një kryengritje të armatosur duke qenë i bindur se do të sillte lirinë për popullin e vuajtur shqiptar. Por ndërkohë, derisa po merrej në mënyrë aktive me këtë, pasi kishte vajtur në Prizren për t’i vizituar ushtarët kryengritës, mu në kohën kur atje kishte rënë murtaja dhe ia kishte marrë jetën edhe Pikolominit, për fat të keq, edhe Pjetër Bogdani u prek prej saj në mënyrë fatale. Ndonëse mjekët austriakë bënë çmos dhe e sollën në Prishtinë për ta mjekuar, fati nuk qe në anën e tij, ndaj më 1689 e rrëmbeu vdekja e shkaktuar nga murtaja e frikshme.

Mirëpo, autoritetet osmane që s’u shpëtonte pothuajse asgjë, me t’u hyrë në vesh lajmi se P. Bogdani ishte angazhuar në organizimin e kryengritjes kundër tyre, menjëherë u vunë në lëvizje për t’u hakmarrë me anë të veprimeve barbare. Sipas urdhrit që u dha, shpejt e shpejt e nxorën atë nga varri dhe, duke mos u mjaftuar vetëm me këtë, trupin e arqipeshkvit ua hodhën qenve diku në tregun e Prishtinës. Akti kaq i shëmtuar dhe kaq morbid u krye me një tërbim të madh, për ta zhdukur çdo gjurmë të klerikut në fjalë. Pas kësaj, përfundimisht, edhe P. Bogdani mbeti një figurë pa varr.

Ndonëse në mënyrë shumë fyese e poshtëruese u hodh kufoma e tij, prapëseprapë koha dëshmoi se ai u bë i pazhdukshëm. Thjesht mbeti si një figurë emblematike e historisë, kulturës, letërsisë shqiptare. Si i tillë arriti deri në ditët e sotme, duke zënë vendin e merituar dhe duke u studiuar me përkushtim nga Faik Konica, Justin Rrota, Shtjefën Gjeçovi, Ignjac Zamputi, Vili Kamsi, Dhimitër Shuteriqi, Zija Xholi, Ibrahim Rugova, Engjëll Sedaj, Rexhep Ismajli etj. Madje, ai u bë frymëzim tematik edhe për shumë shkrimtarë bashkëkohorë, përkatësisht duke u bërë personazh kryesor në veprat e tyre. Bie fjala, për fatin e tij shumë tragjik shkroi edhe Teki Dervishi, duke botuar dramën me titull “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit”, ose Anton Nikë Berisha që e shkroi romanin “Bimorja”, ku si temë e ka fatin e kësaj figure, sigurisht për të ngjallur emocione të thella te lexuesit dhe artdashësit për atë që e kishte përjetuar ai.

Kjo flet qartë se, P. Bogdani, sado që mbeti pa varr, si për t’u rebeluar ndaj gjithçkaje që kishin ndërmarrë ndaj tij, u bë edhe më i gjallë në jetën shqiptare. Në njëfarë mënyre, me sa duket, jeta e tij e vërtetë filloi pas vdekjes nga murtaja, pas nxjerrjes nga varri, pas hedhjes në rrugë etj. Armiqtë e tij nuk e kapën dot frymën e tij, ndaj ia dhunuan trupin e pajetë. Sot nuk ka ndonjë të dhënë se ku mund të ketë qenë varri i tij, i cili gjithsesi do të ishte shndërruar në ndonjë vend pelegrinazhi, por e rëndësishme është se ai udhëton shpirtërisht drejt përjetësisë me “Çetën e profetëve” si një vepër monumentale për mbarë shqiptarët, duke i vënë një vulë të fuqishme ekzistencës kombëtare.

Në këtë aspekt, mbase është tepër interesant edhe rasti i heroit kombëtar Isa Boletinit (1864-1916), i cili i përket historisë më të re. Duke iu referuar të dhënave historike, kjo figurë e rëndësishme kombëtare kishte luftuar me zell të pakundshok kundër pushtuesve osmanë, por më vonë, edhe atyre malazes. Si i tillë kishte mbrojtur çështjen shqiptare gjer në Londër ku ishte takuar edhe me kryediplomatin anglez Eduard Grej. Mbi të gjitha, më 1912 ai mori pjesë, përkrah Ismail Qemalit, në shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar në Vlorë. Dhe, më në fund, më 1916 ishte vrarë pabesisht nga malazezët te Ura e Ribnicës në Podgoricë. Për shkak të rrethanave të njohura, ishte varrosur po aty, ku fjalën e rastit e kishte mbajtur atdhetari Nasuf Dizdari nga Shkodra.

Për ironi të fatit, ai do të prehej atje disa dhjetëvjeçarë me radhë. Me gjithë përpjekjet e bëra edhe nga mbreti Ahmet Zogu për t’i sjellë eshtrat e tij në atdhe, ai përsëri mbeti atje deri në vitin 1977 kur do të zhvarrosej fshehurazi dhe do të sillej në Kosovë. Mirëpo, edhe sot e kësaj dite eshtrat e Isa Boletinit kanë mbetur ende të pavarrosura. Siç dëshmon nipi i tij, Adem Boletini, ato ruhen të mbyllura në një thes diku në Mitrovicë.

Me gjithë legjitimitetin historik e kombëtar që e ka heroi në fjalë për t’u prehur në tokën e tij, për të cilën luftoi deri në fund, pra te kullat e tij, çuditërisht, është krijuar një pengesë thuajse e patejkalueshme. Kjo, për shkak se, në kompleksin ku ndodhen kullat e tij është ngritur Manastiri i Sokolicës, pra pikërisht në fshatin Boletin, në pronën e familjes së heroit. Sipas kujtimeve që i sjell Tafil Boletini, kisha në fjalë ka lindur në momentin kur një fshatar serb, i cili punonte në pronat e familjes së Boletinëve, kishte kërkuar që mundësisht t’i lejohej për të ndërtuar një kishë të vogël, ku do t’i kryente ritet fetare ortodokse. Meqë ata kishin treguar mirëkuptim dhe ia kishin mundësuar një gjë të tillë, fshatari serb për një kohë të shkurtër e kishte ndërtuar aty afër. Mirëpo, më vonë, me pushtimin e Kosovës nga Serbia, po ajo kishë e vogël ishte shndërruar në manastir duke u pagëzuar me emrin e kodrës së afërt, pra Sokolicës. Sado që vetë serbët e pranojnë se ky manastir është ndërtuar relativisht vonë, nga ana tjetër, ata e përligjin me “zbulimin” e tyre se ai është ngritur mbi themelet e rrënuara të një manastiri mesjetar.

Në gjithë këtë histori, e keqja më e madhe është vula fatale që ia ka dhënë Pakoja e Ahtisarit, e cila në mënyrë shumë të verbër është miratuar edhe nga i ashtuquajturi Ekip i Unitetit. Me këtë pako, manastiri në fjalë është shpallur si zonë e mbrojtur. Thjesht në atë dokument thuhet: Kosova garanton që prona e luajtshme dhe e paluajtshme, si dhe pasuria tjetër e Kishës Ortodokse Serbe është e paprekshme dhe nuk do të jetë objekt i eksproprijimit.

Kjo vërteton katërcipërisht se prona e familjes së Isa Boletinit është lënë në duart e kishës serbe, kuptohet si rezultat i mosdijes së paparë të anëtarëve të të ashtuquajturit Ekip i Unitetit. Prandaj, për një arsye të këtillë, edhe më tutje eshtrat e Isa Boletinit do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura në thes dhe të pavarrosura. Kështu, heroi kaq emblematik, pa të cilin Kosova mbase nuk do të ishte kjo që është sot, edhe më tej vazhdon të mbetet një figurë pa varr. Megjithatë lavdia e tij nuk është zbehur fare, ajo jeton që nga koha e tij. Këtu vlen të përmendet fakti se për karakterin e tij kishte shkruar edhe Edit Durhami e cila pat thënë se ai ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar dhe humanist i madh, i cili e donte vetëm lirinë e tokave shqiptare. Luftëtarët e tij nuk i urrenin popujt e tjerë, thjesht ata donin lirinë e popullit të tyre. Madje, në mënyrë shumë të pabesueshme, për lavdinë e Isa Boletinit patën bërë fjalë edhe pasardhësit e atyre që kishin luftuar kundër tij. Kështu, shkrimtari disident malazes M. Gjillas, në librin e tij “Toka pa drejtësi”, në mes të tjerash, shkruan: Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm. Ashtu i plagosur, ishte ngritur në gjunj dhe, sado që nuk kishte patur fuqi për ta mbajtur pushkën, kishte qëlluar me revole, të paktën për të vrarë ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Në këtë mënyrë, duke iu referuar kujtimeve të të atit të tij, aty e përmend edhe faktin se si babai i M. Gjillasit ia kishte rrëmbyer pushkën pasi Isa Boletini kishte rënë i vdekur, për ta ruajtur si një kujtim të shtrenjtë.

Në gjithë këtë paradoks të fatit tragjik, Isa Boletini edhe më tej vazhdon të mbetet pa një varr, pra i mbyllur në thes, mu në çastin kur pushtetarët aktual të Kosovës rrahagjoksen se e kanë fituar lirinë dhe pavarësinë e plotë. Sado që të duket e relativizuar kjo gjë, mbase i gjithë kuptimi i vërtetë lidhur me esencën e lirisë së Kosovës qëndron te varri i munguar i Isa Boletinit, të cilin ia ka zaptuar Kisha Ortodokse Serbe me miratimin skandaloz e të verbër të të ashtuquajturit Ekip i Unitetit.

Teksa i kujtojmë këto raste kaq tragjike e të shëmtuara, gjithsesi vëmendjen nuk mund ta shmangim edhe nga mallkimi i frikshëm që iu bë poetit kombëtar Gjergj Fishta (1871-1940). Siç e kemi të njohur, ky pasi kishte lënë pas vetes një trashëgimi shumë të rëndësishme letrare, publicistike, kulturore, patriotike etj., sidomos veprat si “Lahuta e Malcis”, “Mrizi i zanave”, “Anzat e Parnasit”, “Gomari i Babatasit”, “Vallja e Parrizit” etj., në fund, më 1940 i kishte mbyllur sytë përgjithmonë, duke e varrosur në Kishën Françeskane të Gjuhadollit në Shkodër. Me gjithë nderimet e mëdha që i qenë bërë, më pastaj, shumë shpejt do të ndryshonin gjërat për të keq. Sikundër që e dimë të gjithë, çdo gjë ra nën sundimin e egër komunist i cili erdhi në fuqi dhe proklamoi një “botë të re”, por që realisht, siç thotë edhe At Zef Pllumi, nuk kje botë shqiptare; kje e huej, s’dihej se e kuj. Nji botë me inate e maraze, pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, pa nder e pa liri.

Pikërisht kjo frymë e llahtarshme iu vërsul edhe Gjergj Fishtës për ta fshirë krejtësisht nga faqja e dheut. Sipas deklaratës së një dëshmitari të kohës, urdhri fatal u dha nga ish kryetari i atëhershëm i Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, Bilal Parruca, që ai të nxirrej nga varri ku prehej. Dhe në atë mënyrë aktin e shëmtuar dhe barbar e kryen me një zell e mllef të paparë, duke i hedhur eshtrat e poetit në lumë. Ekzekutorët kishin harruar vetëm një gjë: poeti kishte lënë shumë gjëra pas vetes të cilat nuk mund t’i shlyenin asnjëherë, sidomos disa nga vargjet profetike të tij, të cilat kishin të bënin pikërisht me varrin e tij:

Po, po; prej atij vorri kam me shkrepun

hovin kah punët e mëdhana

Edhe përkundër ndalesës së frikshme që zgjati deri në fund të regjimit gjakatar komunist, Gj. Fishta jetoi fshehurazi në zemrat e atyre që e ndienin veten shqiptarë. Në të vërtetë, pas një vonese tepër të gjatë, me profecinë e tij ai shkrepi sërish, ndonëse tani kishte mbetur pa një varr normal. Duke iu referuar një procesverbali të datës 13 nëntor 1995, të mbajtur nga noterja V. Sulkaj, gjatë gërmimeve që u bënë në ish varrin e Gj. Fishtës, u gjetën vetëm disa copa të vogla eshtrash të cilat u kishin shpëtuar rrënuesve. Dhe në bazë të kësaj u konstatua qartë se lajmi i përhapur prej kohësh se eshtrat e poetit ishin nxjerrë prej varri dhe ishin hedhur në ujërat e Drinit, fatkeqësisht ishte i vërtetë. Megjithatë, shpirti i tij nuk mundi të zhdukej kurrë, ai shkrep gjithandej në zemrat e shqiptarëve, i rrëmben me forcën e madhe të tij, i ndërgjegjëson, u jep jetë e ardhmëri.

E gjithë kjo dëshmon qartë se ky fatalitet rrëqethës shfaqet dhe rishfaqet si një jehonë e largët dhe e afërt e mallkimit Mbetsh pa varr, por që tani modifikohet rrënjësisht dhe merr karakter tepër pragmatik, si një urdhër i prerë Ta lëmë pa varr. Me sa duket, kjo gjithmonë do të qëndrojë si hije e zezë mbi shqiptarët. Për sa i përket kësaj, disa gjëra janë vulosur nga vetë rrethanat historike dhe nuk mund të riparohen, por disa të tjera mbeten të hapura; gjithsesi mund të riparohen dhe të zgjidhen. Në qoftë se eshtrat e copëtuara të Gj. Kastriotit nuk mund të gjenden më, nga ana tjetër, eshtrat e Isa Boletinit po presin në thes, për t’u futur në një varr normal, ku pastaj do të përulen dhe do t’i nderojnë të gjithë ata që vlerësojnë veprën heroike e atdhetare të tij.



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora