E enjte, 28.03.2024, 10:07 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Kriza kubane e raketave

E premte, 19.10.2012, 05:18 PM


50-VJETORI I KRIZËS KUBANE TË RAKETAVE

Nga Frank Shkreli

16 Tetori shënoi ditën e parë të 13 ditëve të 50-vjetorit  të Krizës Kubane të Raketave, krizë këjo që solli botën në prak të luftës bërthamore, dhe shënon një prej momenteve më të rrezikshëm jo vetëm në historinë e Shteteve të Bashkuara por edhe në historinë botërore.   Për pothuaj dy javë, në Tetor të vitit 1962, plani i Bashkimit Sovjetik për të dislokuar në Kubë raketa bërthamore, shkaktoi  konfrontimin e shekullit midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.  Ishte ky një moment  kur bota, si asnjëherë më parë ose më vonë, ishte shumë afër shpërthimit të një lufte të përgjithëshme bërthamore.  Shtetet e Bashkuara kishin zbuluar nga fotografitë e marra nga aeroplani i spiuazhit U-2, se Bashkimi Sovjetik po përgatiste poligonet për vendosjen e raketave bërthamore në Kubë.

Më 22 tetor, në një fjalim drejtuar kombit dhe botës, Presidenti Kennedi njoftoi se qeveria amerikane kishte ''zbuluar prova të pa disktueshme se një numër poligonesh për dislokimin e raketave bërthamore  po ndërtohen në ishullin-si-burg të Kubës,'' me qëllim të vetëm, shtoi presidenti amerikan, ''për të mundësuar një sulm bërthamor kundër vendeve të Hemisferës Perendimore.''   Në atë fjalim, Presidenti Kennedi nënvijoi, qartë dhe pa asnjë dyshim politikën mbrojtëse amerikane duke paralajmëruar udhëheqjen komuniste sovjetike se, ''Politika e këtij vendi është që të konsideroj çdo hedhje të ndonjë rakete bërthamore nga Kuba kundër cilit do vend në Hemisferën perendimore, si një sulm i Bashkimit Sovjetik kundër Shteteve të Bashkuara, dhe si i tillë do të nevojitë ndërmarrjen e një kundër-sulmi të gjithanshëm (amerikan) ndaj Bashkimit Sovjetik. ''

Pas këshillimeve të fshefta me këshilltarët e tij, Presidenti Kennedi vendosë bllokadën detare ndaj Kubës, me qëllim për të ndaluar anijet sovjetike që të sillnin në atë ishull furnizime të tjera ushtarake.   Presidenti Kennedi kërkoi me këmbëngulje largimin e raketave sovjetike që ishin vendosur në Kubë si edhe shaktërrimin e poligoneve.   Askush nuk dinte se si mund të reagonte Krushçovi ndaj bllokadës së Kubës dhe ndaj kërkesave të Uashingtonit për largimin e raketave sovjetike nga Kuba.   Rreziku ishte tepër i madh se gjëndja mund të dilte jashtë kontrollit nga kalkulimet e gabura të njerës ose  pales tjetër.

Ndërsa Amerika dhe bota prisnin dhe shpresonin për një zgjidhje paqësore, Presidenti i ri amerikan Xhon Kennedi dhe këshilltarët e tij, përfshirë vëllain e tij Robert Kennedi, zhvilluan bisedime dhe negociata me udhëheqsin e atëhershëm sovjetik Nikita Hrushçov për një zgjidhje diplomatike dhe paqësore për ç'vendosjen e raketave ndërkontinentale sovjetike nga ishulli i Kubës.  Kriza u lehtësua dhe bota mori frymë më lirisht, kur  anijet detare ushtarake  sovjetike të ngarkuara me raketa të tjera bërthamore  u këthyen mbrapsht dhe Moska pranoi të tërhiqte raketet bërthamore  që kishte dislokuar në Kubë.

Të dy palët ishin tepër të vetdijshme se sa e rrezikshme ishte situata e krijuar, dhe mundësia e një katastrofe bërthamore ishte aq reale sa që të dy udhëheqsit, Kennedi dhe Hrushçov - pas negociatave të vështira dhe komunikimeve diplomatike - arritën marrveshjen, sipas së cilës sovjetikët do të tërhiqnin raketat e tyre bërthamore nga Kuba dhe siç u mësua më vonë nga dokumentat  sekrete të deklasifikuara, Shtetet e Bashkuara kishin pranuar, në të njëjtën kohë, të tërhiqnin raketat bërthamore amerikane nga Turqia.

Ironia e 50-përvjetorit  të Krizës kubane të raketave bërthamore  është se bie gjatë një fushate presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara dhe të dy kandidatët po debatojnë  në lidhje me çështje të politikës së jashtëme, veçanërisht  kërcënimin që përbëjnë përpjekjet e Iranit për të prodhuar armë bërthamore,  masë këjo që shikohet si një hap që do të destabilizonte jo vetëm Lindjen e Mesme por edhe më gjërë.  Cili nga dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, Presidenti Obama apo Guvernatori Romni –do të këtë vendosmërinë politike dhe imagjinatën diplomatike të  Presidentit   Xhon Kennedi , për të bindur Iranin që të ndalojë programin për prodhimin e armëve bërthamore, me qëllim që të mënjanohet lufta, dhe të arrihet një kompromis i pranueshëm për të gjitha palët.  Sepse, siç ka thënë Presidenti  Kennedi në një fjalim drejtuar kombit amerikan më 1963, “më në fund, lidhja bazë e përbashkët dhe më e fortë  midis njerëzve është fakti  se duam e s’duam, ne të gjithë jemi banorë të këtij planeti të vogël.  Ne të gjithë marrim frymë nga i njëjti ajër.   Të gjithë ne dëshirojmë një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë.   Dhe të gjithë jemi bijtë e vdekjes.’’



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora