Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kundër vrasjes dha gjakmarrjes

| E enjte, 18.10.2012, 06:35 PM |


http://www.dw.de/kund%C3%ABr-vrasjes-dha-gjakmarrjes/a-16309335

Kundër vrasjes dha gjakmarrjes

Vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti brenda territorit të Republikës së Kosovës kanë ndodh 24 vrasje, pas të cilave mund të pasojë gjakmarrja. Ngritja e vetëdijes dhe funksionimi i gjyqsorit janë të domosdoshme.

Dervish Ukaj mban emrin e axhës së vrarë. Familja e tij e fali gjakun pasi u bë burrë. Ndaj sot ai porosit bashkëkombasit e tij për paqe dhe pajtim. “Nuk është e lehtë me e fal gjakun... Por, ne e kemi shtri dorën e pajtimit për hir të popullit e të rinisë që të marrim mend e mos të shkaktojmë më gjakderdhje e vëllavrasje në këtë tokë."
Në Kosovë 24 vrasje në nëntë muajt e parë të vitit
Si pasojë e rethanave ekomomike e sociale dhe të mosfunkionimit adekuat të gjyqsorit, dukuria e vrasjeve në Kosovë është gjithnjë e më në rritje. Sipas Policisë së Kosovës, vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti në Republikën e Kosovës kanë ndodh 24 vrasje: 3 në Prishtinë, 3 në Mitrovicë, 3 në Gjilan, 1 në Ferizaj, 7 në Prizren dhe 7 në Pejë. 
Në foto, kryeimami Sabri Efendi Bajgora  Në foto, kryeimami Sabri Efendi Bajgora
Motivet më të shpeshta: fajdja, reketi, haraqi, borxhi, pronat në kontest etj. Por, cilido të jetë motivi, vrasjet janë në kundërshtim me të gjitha fetë dhe islami i dënon ato fuqishëm, thotë kryeimami i Bashkësisë islame të Kosovës, Sabri Efendi Bajgora. “Islami i lufton vrasjet me të gjitha forcat dhe mundësitë që i posedon se kështu na mëson Kurani famlartë dhe porositë e profetit Muhamed a.s. Prandaj, ne pjesëtarët e bashkësisë fetare islame jemi kundër të gjithë atyre që keqpërdorin fenë për të arritur qëllimet e tyre ekstreme apo të shtyrë nga motive të tjera”.
Tri dioqeza të Shqipërisë-dekret kundër vrasjes dhe gjakmarrjes
Edhepse jo në përmasat e dikurshme, si motiv vrasjeje nuk përjashtohet as dukuria e gjakmarrjes. Kjo, sidomos në Shqipërinë e veriut ku një pjesë e popullatës ende është nën ndikimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit; traditë e cila kërkon që gjaku as mos të falet as mos të humbet por drejtësia të merret në duart e veta, thotë dr.Don Lush Gjergji nga Kisha Katolike e Kosovës sipas të cilit: “Kjo historikisht ka qenë e shpjegueshme dhe deri diku e kuptueshme, edhepse kurrë e arsyeshme. Por, që të ndodh kjo në shekullin 21 është edhe dobësi, edhe gabim, edhe mëkat, edhe krim”.
Në foto, Don Lush Gjergji Në foto, Don Lush Gjergji
Pas vrasjeve të shumta në veri të Shqipërisë në emër të gjakmarrjes, Metropolia e Shkodrës, e Sapës dhe Lezhës jo fort larg kanë nënshkruar një dekret me anë të të cilit, të gjithë ata që kryejnë vrasje apo bashkëpunojnë në mënyrë të qëllimshme sidomos në vrasjet për gjakmarrje, ndëshkohen me shkishërim apo ekskomunikim. Të shkishëruarit përjashtohen nga pjesëmarrja në jetën kishtare, në ritet, ceremonitë e sakrementet dhe nëse vdesin, nuk do ta kenë një përcjellje apo një varrim të krishterë. "Është sigurisht një masë e skajshme , një prerje, një kirurgji. Por, nëse nuk gjenden mjete të tjera, është skajshmërisht e domosdoshme për të shpëtuar jetën e njerëzve", sqaron Don Lush Gjergji.
Mosfunksionimi i gjyqsorit arsye për marrjen e drejtësisë në duar 
Në 950-të vjetorin e themelimit të Ipeshkvisë së Sapës, para dy javësh , i dërguari i Papës, kardinali Santos përkrahu dekretin në emër të Selisë së Shenjtë, të Vatikanit dhe të Papës, me anë të të cilit të tri arqipeshkvitë e Kishës Katolike në Shqipëri iu bënë thirrje edhe organeve gjyqsore shtetërore për rreptësi më të madhe në dhënien e vendimit për vrasjet, sidomos ato në emër të gjakmarrjes, duke kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm.
“Krimi nuk është shqiptar apo joshqiptar. Krimi është krim dhe si i tillë duhet të dënohet dhe fatkeqësia është funksionimi i mirëfilltë i sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë”, thotë Don Lush Gjergji, i cili shton se megjithëse ndër katolikët e Kosovës nuk janë shumë të shprehura vrasjet dhe gjakmarrjet, Kisha Katolike në Kosovë do të marr një hap të tillë poashtu,nëse e sheh të nevojshme .
Pamje nga një protestë në Tiranë (20.07.) pas vrasjes së 17 vjeçares Marie Qukaj dhe gjyshit të saj në Kir të Shkodrës Pamje nga një protestë në Tiranë (20.07.) pas vrasjes së 17 vjeçares Marie Qukaj dhe gjyshit të saj në Kir të Shkodrës
BI:”Islami punon në mënyrë të vazhdueshme për paqe dhe pajtim”
Bashkësia Islame e Kosovës e mbështet dekretin e nënshkruar nga të tri dioqezat e Kishës Katolike në Shqipëri dhe e vlerëson si një kontribut për të mirën e kombit dhe të mbarë njerëzimit. Sipas kryeimamit Bajgora besimi është preventiva më e mirë e dukurive të shëmtuara në shoqëri. “Bashkësia Islame e Kosovës dhe të gjithë imamët e kanë obligim moral, fetar dhe njerëzor që të pajtojnë njerëzit ndërmjet vete...Kjo vazhdon në mënyrë të vazhdueshme dhe hoxhallarët janë të parët të cilët në raste të zenkave apo të vrasjeve shkojnë për të pajtuar familjet".
Sipas dekretit të shkishërimit, dera e Kishës do t´jetë gjithmonë e hapur për vrasësit apo gjakmarrësit të cilët të goditur nga ndëshkimet, pendohen dhe duke ndryshuar mendësinë e vrasjes duan të kthehen në bashkim të plotë me Kishën dhe Zotin duke shfaqur publikisht pendimin, duke ndrequr padrejtësinë e bërë, duke vuajtur dënimin e paraparë me ligj si dhe duke marr faljen nëpërmjet rrëfimit sakramental.
Për ZSH: Tahir Shabani