E enjte, 25.04.2024, 09:55 AM (GMT+1)

Mendime

Kolec Traboini: Lotët e Xhungës dhe shtypi laperdhar

E marte, 16.10.2012, 07:53 PM


LOTET E RUDINA XHUNGES E SHTYPI LAPERDHAR SHQIPTAR

NGA KOLEC TRABOINI

Pasi e lakuan emrin e babait të së mjerës Aishe Vata me soj e soj epitete makabre dyshuese, për të cilën turpërohet çdo shqiptar, pasi ekspozuan vepër-tmerrin e një krimineli patalogjik 80- vjeçar në një arë me misër duke i prerë kokën një vajze që do të bëhej nënë, po ky shtyp, kur policia realizoi se vrasës ishte dikush tjetër, atëherë, shtypi pra, e ktheu ndryshe duke përdorur tone patetike sikur po i qan hallin grave e vajzave të Shqipërisë. Problemi qëndron jo se vajzat e gratë nuk janë vërtetë në hall si të jetojnë në këtë ferr që kemi sajuar, por se gjithçka që shkruhet e flitet është një hipokrizi e gjallë. Radhiten emra si në një proces gjyqësor sikur gratë e vrara të ishin vetëm numra dhe kurrfarë përgjegjësie shtetërore apo shoqërore nuk del. Në këtë rast shkruhen edhe hartime me fjalë stisura duke kërkuar fajtore në ajër e pa vënë gishtin në plagë, a thua që nuk e dimë se gruaja është viktima më e madhe e kësaj mut demokracie që na kanë afruar si peshk i qelbur në një pjatë e duhet ta hamë patjetër.

Zonja Rudina Xhunga me hartimin e saj në gazetën MAPO është pjesë e kësaj loje të pistë që luhet në shtyp dhe lotët e saj janë një sajesë e thatë gërmash e boje. Një grimasë mund të thoja. Mjafton ta shohësh kë interviston kjo gazetare e si i trajton problemet, kujt i bën elozhe e kujt i lajkatohet nga vip-rripat e politikës në këtë vend që ajo tashmë po e konsideron të mallkuar në fatin e grave e vajzave.

Kurrsesi nuk mund të themi se ky vend është i mallkuar, por një vend që gjithnjë e kanë mallkuar ata që, si të ishin Ali Pashai, vetë inspirojnë për pushtet anadollak. Mjerë femrat në këtë vend e me këta prijëtarë që na drejtojnë si të ishim një tufë me dele.

Që nga ’91-shi e këtej në këtë Shqipërinë tonë femrat shihen vetëm si mish e kurrgjë tjetër.  Plot vajza kur kërkojnë punë, pronarët e bisneseve ua thonë hapur që veç punës do të kenë edhe ca gjëra të tjera...që duhet t’i bëjnë patjetër. Ajo çfarë bëri ish ministri Pango që e kushtëzoi vendin e punës me seksin e më pas fitoi dhe gjyqin!!! ( kapitull në vete ky lloj gjykimi e kësisoj gjyqtarësh) është një praktikë në Shqipëri. Ky vend është i mbushur me Pango të vegjël, apo më tej edhe me kriminelë që duan mish të njomë dhe si rrjedhim edhe  vajza që vriten kafshërisht.

Kjo që po gëzojmë nuk është liri sa kohë që është një liri që vret. Sa për thirrjet që u bën gazetarja Rudina Xhunga deri në lutje grave të politikanëve të mëdhenj më duket qesharake si thirrje, por tragjike si realitet. Gratë e të mëdhenjve tanë (që në të vërtetë janë liliputër) janë gra pa pikë personaliteti dhe ato e kanë mendjen tek paraja, pasurimi dhe as e çajnë kokën për hallet e popullit. Më thoni kush prej tyre dha një qindarkë për të varfërit. Më thoni si reaguan ata kur Romët i trajtojnë në mënyrë raciste e në mes romëve kishte gra e fëmijë të mbetur pa bukë e pa strehë...

Ato bashkë me burrakocat e tyre janë hija e vetvetes. Rudina Xhunga të bëjë emisione për njerëz të thjeshtë e jo për lapërdharët e politikës që e kanë krijuar këtë kaos shqiptar.

E mjera Aishe Vata nuk kërkon as lot e as qiri nga gratë e vipave të me nder politikës, por të atyre vajzave e grave shqiptare që nesër tragjikisht mund të bien në fatin e saj.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora