E marte, 23.04.2024, 03:07 PM (GMT+1)

Faleminderit

Marjan Sebaj-Sopi: Në përvjetorin e martirizimit ''për Fe e Atdhe'' - Patër Luigj Palaj

E diele, 14.10.2012, 06:21 PM


Në përvjetorin e martirizimit ''për Fe e Atdhe''

Patër Luigj Palaj OFM

Nga Marjan Sebaj-Sopi

Ishte koha e luftrave ballkanike, kur Mbretëria e Malit të Zi kishte pushtuar trojet e Kosovës dhe kishte koncentruar një ushtri të madhe në Rrafshin e Dukagjinit. Pos që Mali i Zi provonte të ndërroj kufinjtë, provoi të ndërroj edhe fenë këtij populli këtu. Ishte patër Luigji, “ai i cili u bë gurë në të cilin zihet në thua e thyhet qafa”.

Pasi u vorros aty ku u vra, disa muaj më vonë e rivarrosën në varret e kishës së shën Prenës në Bytyç (sot Karashëngjergj) në famullinë e Zymit.

Në atë kohë patër Shtjefën Gjeçovi filloi t’i mbledhë dëshmitë për martirizimin e fratit të Gllogjanit-patër Luigjit.

Patër Luigji Palaj OFM, është në listën e 40 martirëve shqiptarë që presin nga kisha beatifikimin. Pesë nga këta janë nga Kosova, dhe është i vetmi martir, eshtrat e të cilit gjinden në territorin e Kosovës.

Patër Luigj Palaj-Sopi u lind më; më 14 prill 1878., në Janjevë afër Prishtinës (Kosovë), në dioqezën Shkup-Prizren. Në pagëzim të cilin e pati në Kishën famullitare në Janjevë, prindërit Toma e Paulina vendosin dhe ia japin emërin Mati (Mateu). Atë Luigji rrjedh nga një familje e varfër materialisht por e pasur shpirtërisht, e përvuajtur dhe përshpirtshme, familje e devotshme dhe përkushtuar për fe e atdhe, për të mirën e njeriut.

Djaloshi i ri, pas përfundimit të shkollës fillore të cilën e ndjeku në vendljindjen e tij, pra në famullinë e lashtë, në Janjevë, ai vendosë për thirrjen meshtare, kështuqë me ndihmë e famullitarit të atëhershëm ai transferohet në Shqipëri ku hyri në familjen rregulltare të Françeskanëve, në Kuvendin e Troshanit (Lezhë). Këtu në këtë Kuvend, në heshtje, lutje e përshëpirtëri e bënë formimin për rregulltar dhe rreshtari (noviciat). Shquhej si nxënës i talentuar, puntorë, mjaft komunikativ, i dashur në shoqëri, i afërt, i zellshëm, i gatshëm gjithnjë për t’i dal në ndihmë vëllaut njeriut, edhepse i ri ai shqyhej e dallohej veçanarisht për vendosmërin e tij. Pas përfundimit të rreshtarisë ai vazhdon studimet filozofike në Itali gjatë viteve 1896 – 1901. Pas dhënies së kushteve të përjetshme të jetës rregulltare ndër françeskanë, sipas traditës rregulltare të kohës, ky ndërroi emrin e pagëzimit nga Mateu në atë të jetës rregulltare, Luigj, pikërisht i frymëzuar, i mahnitur dhe nxitur nga jeta dhe veprimtaria, nga shembulli i Shën Luigj Gonzaga-s. Por nga dashuria, populli që nga fillimi vazhdoi ta njoh me emërin dhe ta quaj gjithnjë patër Luz-i. Patër Luigj Palaj, tanimë pas përgaditjeve shpirtërore dhe intelektuale i përgaditur dhe paisur me dije e guxim, shugurohet për meshtar më; 21.09.1901. Mirëpo, pas shugurimit të tij mesharak nuk u kthy menjëherë në vendlindje por vazhdoi edhe për dy vite studimet pas-universitare në Romë (Itali).

Misionin e tij të shenjtë meshtarak, si meshtar i ri, plotë vullnet, entuziazëm, energji por edhe sakrifica e sfida të mëdha që e prisnin e fillon në Kosovë, në famullinë e Pejës, gjegjësisht në fshatin Gllogjan e ku më vonë shërbeu edhe në Kishën e Shën Antonit në Gjakovë.

Pas shërbimit të suksesshëm meshtarak disa vjeçarë në Kosovë, Patër Luigj Palaj-n e hasim si famullitar në kryedioqezën e Shkodrës ku qëndroi nga viti 1905 deri 1907.

Vitin 1907., ai emërohet nga eprorët e tij rektor i shenjtërores së Shën Antonit, pra të Kuvendit françeskan në Gjakovë. Ishin këto vite të rënda për popullin shqiptarë e veçanarisht për popullin shqiptarë të këtyre anëve, të dukagjinit. Vite sprove, vite luftimesh e pretendimesh teritoriale dhe ngacmimesh fetare nga ana e okupatorëve sllav. Patër Luigji, mesiguri se i frymëzuar nga prelatët paraardhësit e tij, i mësuar nga mësimet e tyre, vendosmërisht e me bindje del në mbrojtje të pambrojturëve, në ndihmë të të lënëve e të shtypurve, në mbrojtje të fesë dhe kombit shqiptarë. Ai ishte me popullin kudo, me ta ndante të mirën (që në këto vite ishin të pakta), ndante vështirësitë duke mos kursyer pas asnjë minutë vetjen e tij. Ishte me Zotin dhe popullin, gjithnjë në anën e të drejtës dhe të vërtetës, në anën e atij të cilit edhe iu betua se askurrë nuk do e tradhtoj pra Zotin dhe popullin, të cilin ia kishte besuar vet Zoti ta udhëheq.

Populli Serbo-Malazez, pra Mbretëria e Malit të Zi me vrastarët e saj, me bëkqinjët cilët vërsyleshin pandërpre në popullin e pafaj, dhe duke ditur aftësitë e fratit të ri, duke dijtë autoritetin e tij të madh në popull, dëshiruan që ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre djallëzore, pra që përmes këtij njeriu të Zotit t’i thuhet popullit katolik e musliman (meqë ky gëzonte një nderë e adhurim si dhe autoritet në të dy komunitetet fetare shqiptare) që të përqafojnë fenë ortodokse, e të mohojnë fenë katolike dhe përkatësinë e tyre kombëtare e të përqafojnë ordotoksizmin me këtë edhe serbizimin-sllavizimit, apo siç e quante patër Luigji, shkijzimin.

Mirëpo, patër Luigji si një prijës i vërtetë, një atë shpirtërorë e si bari i kujdesshëm për grigjën e tij, vendosmërisht mohon këtë duke i përkujtuar e duke iu thënë pushtuesëve; Me vdek po, e fe me ndrru unë e askush jo! Ishte këmbë ngulës në qëndrimet e tija, aq sa pandërpre predikonte në popull, mësonte popullin dhe trimëronte t’i mbesin besnik Jezu Krishtit dhe të parëve tanë që na ruajtën fenë e ne trashëguam nga ta. Fliste e trimëronte popullin në fe, shpresë dhe dashuri ndaj Fesë së të parëve dhe kombit të tij shqiptarë. Në një mënyrë patër Luigji ishte mur, ishte pengesë e madhe, ishte shtyllë e palëvizur në mbrojtje të fesë dhe kombit shqiptarë, në mbrojtje të popullit shqiptarë, kështuqë iu ra shumë në sy pushtuesve të kohës Serbo-Malazezëve, të cilëve iu bë shtyllë në sy të tyre, saqë vendosën ta burgosin, për ta thyer e “mbushur mend” siç deklaroheshin gjakëpirësit e tij.

Por, jo se nuk mund ta thyenin, por ky sa më shumë që vuante aq edhe më tepër u forcua në bindjet e tij, në mbrojtje të fesë dhe kombit, të atdheut. Dhe për këtë gjakpirësit nuk ishin të kënaqur vetëm me mundimet e vuajtjet e mëdha që ia bërën nëpër burgje duke e maltretuar e duke e rrahur pamshirshëm, shpeshherë duke e rrahur e përgjakur deri në alivanosje e vdekje...por shkuan aq larg saqë me dinakëri e mënyrë tinzare (siç e kishin zakon ata) ia përgaditën kurthën dhe e vranë (i therrur me thikë) në rrugë për nga burgu i Gjakovës për Pejë, dhe pikërisht në moshë 34 vjeçare ra martir i Fesë dhe Kombit me datë; 07. mars 1913., në fshatin Janosh të Gjakovës.

Nga fundi i shkurtit 1913, malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve katolikë (vr.ime shqiptarë katolik e musliman), duke nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Bariu trim u kap e u burgos në burgun e Gjakovës, në sa vizitonte besimtarët e shpërndarë në fshatra të ndryshme, për t'i përforcuar në fenë e të parëve, e cila ishte në rrezik. I kërkuan ta mohojë publikisht këtë fe. E dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të tjerë, e nisën rishtas për Pejë. Patër Luzi ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë.

Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan më pas se ai nuk mund të ecte më. Atëherë nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë, i shtyrë nga ushtarët. I mungonte vetëm Kryqi, për t'i përngjarë plotësisht Krishtit. Një pop i bëri thirrjen e fundit të ndërronte fenë, në se nuk donte të humbiste jo vetëm kokën, por dhe shpirtin, i cili do t'i digjej në fund të skëterrës. Ai s'u përkul, nuk u thye as nga mundimet e as nga premtimet. U tregoi atyre njerëzve të armatosur deri në dhëmbë se për të feja e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta. E mbytën, duke e shporuar me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me Krishtin.

Frati si një dëshmitarë dhe profet e vizionar i vërtetë, duke parë dhe parandjerë se çka do të ndodhë me jetën e tij, gjatë këtij udhëtimi apo “rrugës së kryqit” vërtetë Golgotës, si deri në momentet e fundit forconte popullin dhe bashkë të burgosurit tjerë dhe ata me të cilët ishte i lidhur në pranga, i porositëte dhe thoshte (shkëpusim disa porosi të tij) ; “ Vëllazën, hiqni keq, e mos ndërroni fe”!  Pastaj sa më tepër shfrenin turturuesit e tij mbi te me të rrahura, ai vazhdonte të lutë e të thot; “Kurr e kurr s’i bie mohit fesë së të parëve të mi! O Krisht, gjithçka hjeksha voftë për hatër tënd! ”. Dhe gjithnjë e deri në fund vazhdoi ti trimëroi vëllezërit e vet me këto fjalë; “ Burra na do të vdesim një ditë, pra të vdesim me gajret e mos t’i biem mohit Fesë së të parëve tanë, Fesë Katolike! Qëndroni trimërisht si besimtar Shqiptar, mos t’ju dhimbset ky korp qi sot o nesër do të bëhet gjellë krymbash e pluhur toket!Vëllezër, hiqni keq, e mos ndërroni fe!

Të gjithë dëshmitarët e kohës, dhe ata okular dmth që ishin të prangosur me fratin e që ishin me te deri në momentet e fundit sa nuk e ndajnë atë nga të burgosurit tjerë, dëshmojnë dhe njëzërit thonë për fratin; Fratin e grinë Serbët (Shkit) vetëm pse KY ISHTE KATOLIK E QË NUK DESHTI ME U BË SHKJA! MOS TË DISTE FRATI KATOLIKËT E MUSLIMANËT KJEN TUJ VOJET (një fati) I BE! JA TË GJITHË TË GRIMË, JA TË GJITHË DO TU BËHESHIN SHKI! GJAKU I FRATIT NE NA PSHTOJË, sepse me të lypën gjygj para Zotit e qoj pesh Ipeshkvin e Prizrenit Imzot Lazër Mjedën e Krajlat, e ashtu u ndalën trazimet e mundimet e rrepta që kenë nisë për tu krye kundra shqyptarëve Katolik e Musliman.

Pikërisht shkaku i një jete të shenjtë shembullore në shërbim të Zotit dhe popullit deri në sakrifikim për ideale dhe të vërtetën, ai tani është në mesin e 40 martirëve shqiptarë “për Fe e Atdhe” që presin beatifikim.

MARJAN SEBAJ-SOPI

ROSTOCK’ Mars 2012

P.S.

Shtypi i asaj kohe...

Gazetat evropiane të kohës, si e përshkruanin këtë ngjarje të shëmtuar, shkruanin: "Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të ngjasë në Evropën e shekullit XX". Gjithsesi askush nuk e luajti gishtin për t'ia prerë rrugën tragjedive të tilla, për t'i dhënë fund martirizimit të të krishterëve në trojet shqiptare.

Pas Atë Luzit apo Luigjit, mbytur barbarisht nga serbët, do të binin në fushën e betejës për mbrojtjen e Ungjillit të Krishtit disa qindra të tjerë. E Evropa, rishtas me gojë hapur, sikur trojet shqiptare të mos ishin pjesë e saj, do të çuditej duke parë si në Koloseumet moderne bijtë e Krishtit vijonin ta dhuronin pa kursim gjakun për Kishën e tyre, për popullin e tyre, për Atdheun e tyre e, pse jo, edhe për një Evropë më të krishterë, më të mirë! Shumë bujë bëri vdekja e tij. E shumë hetime e bisedime diplomatike shkaktoi. Më në fund, më 7 tetor 1913, në praninë e Kolonelit austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze Sposojeviç, imzot Lazër Mjedës dhe një turme pafund me rregulltarë e besimtarë, u bekua guri i parë i Kishës së re në Gllogjan. Të nesërmen, më 8 tetor 1913, e njëjta turmë u mblodh afër Janoshit, te varri i Atë Luzit, mbi krye të të cilit ishte vendosur një Kryq hekuri me këtë mbishkrim: "P. Aloysius Palaj, ndërroi jetë në vitin e Hyjit 1913" . Ky varr, ku ipeshkvi imzot Lazër Mjeda çoi meshën e parë për shpirt të martirit, është kthyer prej kohe në vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet në një elter të ri. Martiri fitoi! Kujtojmë edhe një here se Atë Luigj Palaj është në listën e 40 martirëve shqiptarë, çështja e të cilëve ka kaluar në Vatikan për të vijuar procedurën deri në pritje të miratimit e shpalljes së tyre shenjtorë martirë.

(Duke parë shembullin e prijësit të madh shpirtëtorë, të një patrioti dhe një bariu të vërtetë fetar dhe kombëtar, të një meshtari të përkushtuar dhe sakrifikuar, rinia e famullisë së Binçës vite më parë ka përgaditur dhe shfaqur me mjaftë sukses në famullinë e Binçës dhe famulli tjera në Kosovë dramën mbi jetën dhe vdekjën e fratit Patër Luigj Palaj-Sopi OFM, “Për Fe e Atdhe”, e përgaditur në regji të autorit të këtij shkrimi, kjo shfaqje është pritur jashtëzakonisht mirë nga opinjoni i gjerë shqiptarë si nga Kosova ashtu edhe shqipëria (meshtar, motra të rinjë e të reja që patën ardhë për ta parë këtë shfaqje teatrale). Dhe në këtë temë më lartë janë të shkëputura pjesë fjalish të patër Luigjit pikërisht nga kjo dramë teatrale, dhe këtu sjellim edhe disa foto (pamje) nga drama).



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora