E enjte, 28.03.2024, 08:58 AM (GMT)

Përjetësi » Mani

Xhafer Leci: Atdhetari i pavdekshëm, Kadri Mani

E diele, 14.10.2012, 12:38 AM


ATDHETARI I PAVDEKSHËM, KADRI MANI

Nga Xhafer Leci

Lajmi për amëshimin e atdhetarit të madh, mikut tim të mirë, Mr.. Kadri Mani, më tronditi shpirtërisht. Të mërkurën në mëngjez, së bashku me djalin e bacës Kadri (Yllin me familje), udhëtuam nga Shtutgarti në Prishtinë. Vizitën e parë e bëra në Familjen Osmani, me ç`rast u shpreha ngushëllimet familjes si dhe bëra homazh personal mikut tim, tashmë, të ndjerë Kadri Osmani-Mani. Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, me rastin e vdekjes të veteranit të arsimit dhe të burgjeve jugosllave, Kadri Mani, të mërkurën (më 10 tetor 2012, në ora 11.00), organizoi homazhe para arkivolit me trupin e tij. Pastaj u organizua edhe një mbledhje komemorative. Salla e kuqe e Fakultetit Filologjik të Prishtinës ishte përplot me ish të burgosur politikë, intelektualë, miq dhe shokë të shumtë të zotit Kadri Mani.

Për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të këtij shqiptari me shpirt të florinjtë, foli shoku i tij i ilegales dhe i burgut, vuthnjani Binak Ulaj. Fjalë respekti e nderimi tha edhe rektori i Universitetit, zotëri Ibrahim Gashi, e tjerë. Për turpin e tyre, munguan zyrtarët shtetërorë e partiakë dhe mediat e tyre televizive, edhepse Kadri Mani, pas Adem Demaçit, është i burgosuri politik numër dy në Kosovë! Po përmendi disa nga ish shokët e burgut, pjesmarrës në mbledhjen komemorative, të cilët mua më ranë në sy dhe i njihja, si: Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Binak Ulaj, Bajram Kasumi, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi me bashkëshorten e tij Shyhreten, po ashtu i burgosuri shumëvjeçar, Martin Çuni, Emin Krasniqi, Njazi Korça, Azem Syla, Shefik Sadiku e tjerë.

Në ora 14.00, në fshatin e lindjes, në Makresh të Gjilanit, në praninë e disa qindra pjesëmarrësve, familjarë, ish të burgosur politikë, miq e shokë, të ardhur nga të gjitha trojet e Shqipërisë etnike, sipas dëshirës-porosisë të Kadri Manit, u bë ceremonia e varrimit. Kadri Mani u varros me lutjet për Zotin nga pastori i kishës Protestante të Prishtinës, Dr. Fehmi Cakolli. Ceremonia e varrimit kaloi në mnyrë dinjitoze. Në fytyrat e të pranishmeve vërehej dhimbja e madhe, heshtja dhe qetësia, ku pati edhe shumë familjarë, miq e shokë të përlotur. Kadriu pas vetes ka lënë: bashkëshorten Shukrijen, vajzën Hidajetën, djemtë Rabitin dhe Yllin si dhe nipa dhe mbesa, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore e materiale.

MIKU IM I DASHUR KADRI MANI!

Vij nga mërgata për të të dhënë lamtumirën e fundit, baca Kadri. Përfaqësoj shumë shokë e miq Tuaj mërgimtarë, të cilët, në pamundësi për të qenë të pranishëm fizikisht në përcjelljen Tënde mortore, me mendje e zemër janë këtu, në mesin tonë.

Ju ishit një shok dhe mik i mirë, pothuajse, i të gjithë mërgatës. Një demonstratë në Gjenevë, Bon, Paris, Vjenë e Bruksel, Ju ishit aty, në mesin e mërgimtarëve të shumtë. Një protestë para Parlamentit Evropian, para Këshillit të Evropës, Ju ishit aty. Një grevë urie e vëllezërve Kuzhnini me shokë, në një kishë të Brukselit, Ju vinit nga Zvicra, për t`u solidarizuar me ata, për t`ju dhënë forcë e kurajo këtyre burrave të Kosovës, që kishin ardhur nga Kroacia enkas për të zgjuar ndërgjegjen e fjetur të Evropës plakë. Ju ishit i kudondodhur për lirinë e Kosovës.

Baca Kadri të thërrisnin të gjithë. Të nderonin dhe të respektonin në tribuna politike e kulturore, në festa dhe morte. Dëgjonin fjalën Tënde të artë dhe të zjarrtë. Kadri Osmani (Mani) kaloi lavdishëm në amëshim. Mësuesi veteran, pishtar i arsimit në Kosovë, me një përkushtim të madh edukativ e pedagogjik, për ta prosperuar arsimin në Kosovën tonë. Njeri i fjalës dhe i pendës, me një seri botimesh, gjatë periudhës kohore për gjysmë shekulli. Veteran markant i burgjeve jugosllave, i cili zë vendin e dytë, pas Adem Demaçit, në kohëzgjatje të vuajtjeve të dënimeve.

Baca Kadri ishte qendresëtar i pashoq. Gjithmonë dinjitoz, rezistent dhe kurrë nuk u përkul para pushtuesit serbo-sllav. Organizator i shkëlqyer dhe trim i grupeve ilegale dhe gjithnjë në ballë të shokëve, të cilët vinin nga Vuthajt e Gucisë, Istogu, Prishtina, Gjilani, nga e tërë Kosova. Tre gjyqe, në kohë të ndryshme, u organizuan kundër Kadri Osmanit me shokë. Dhe, ishte gati të priste edhe gjyqe e ndëshkime të tjera, për lirinë e Kosovës.

Lirinë e shumëpritur e gëzoi dhe tani luftonte, me fjalë dhe pendë, për demokracinë dhe shtetin ligjor të Kosovës. Por, iku i zhgënjyer dhe me pengun e madh se shqiptarët e Kosovës, gjegjësisht, kasta drejtuese, u dha pas shpërdorimit të pushtetit dhe vjedhjes të shtetit të tyre, të Kosovës, Atdheut tonë të përbashkët. E dhimbshme, por, mjerisht, krejt e vërtetë. Ne, shokët, bashkëveprimtarët, miqtë Tuaj të shumtë të mërgatës, do ta ruajmë, përjetësisht, kujtimin e mirë për Ju dhe zotohemi se do të punojmë dhe luftojmë për realizimin e idealeve të larta kombëtare, për të cilat Ju nuk pushuat deri në frymëmarrjen e fundit. Lavdi jetës dhe veprës madhështore të mikut tonë të mirë Kadri Osmani (Mani). Flej i qetë, në tokën e shenjtë të Kosovës tonë, o shok, mik e vëlla, baca ynë i papërsëritshëm!

 

 

(Makresh i Poshtëm, komuna e Gjilanit, 10 tetor 2012 - Xhafer Leci)

(E redaktoi për shtyp: Baki Ymeri)



(Vota: 25 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora