Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Greva dhe shoqëria jonë

| E shtune, 13.10.2012, 10:42 AM |


Greva dhe shoqëria jonë

Nga Entela Binjaku

Në shoqërinë tonë ngjarje të caktuara mund të marrin një rëndësi shumë të madhe, edhe për faktin se përmes tyre mund të kuptojmë më shumë mbi profilin tonë psiko-kulturor, mbi cilësinë e demokracisë së ndërtuar prej nesh dhe mbi përgjegjshmërinë e shtetit tonë për funksionin e tij social.

Një ndër këto ngjarje është greva shumëditore e urisë, e disa prej ish të burgosurve politikë të regjimit komunist. Në regjimet demokratike grevat janë forma shumë të natyrshme të reagimit qytetar dhe në këto shoqëri, greva një grupi të tillë shoqëror do të kishte shkaktuar reagime nga më të ndryshmet. Ndërkohë shteti, si një ndër furnizuesit kryesorë të mirëqenies sociale,  padyshim do t’i  kishte drejtuar vetes pyetjen:  “A ka kjo shoqëri nevoja sociale të paplotësuara,  të atilla sa të meritojnë vëmëndjen dhe ndërhyrjen e tij”?

Kjo formë ekstreme e të protestuarit ka bërë që shoqëria jonë të jetë e ndarë në qëndrime të ndryshme.  Një pjesë qytetarësh mendojnë se greva është e nxitur politikisht dhe nuk ka pse të ketë arsye ekonomike pas saj. Një pjesë tjetër mendojnë se grevistët janë të motivuar ekonomikisht, por të përdorur politikisht.  Ka një grupim tjetër qëndrimesh që përqëndrohen në situatën e vështirë ekonomike por vetëm të këtyre grevistëve. Një pjesë tjetër qytetarësh janë tërësisht indiferentë ndaj bashkëqytetarëve të tyre grevistë.  Një pjesë tjetër mendon se greva nuk ka pse të vazhdojë për aq kohë sa qeverisja nuk është në mbështetje të saj. Si grupi i qytetarëve brenda grevës, ashtu edhe ai i qytetarëve jashtë tij, kanë qëndrime shumë të konsoliduara ndaj kësaj ngjarjeje, të cilat nuk i kanë lëkundur as tentativat për vetëflijim të disa prej protagonistëve të saj.

Ky grup i grevistëve përbën një shembull të përsosur të kohezionit,  ku anëtarët janë të lidhur ngushtë mes tyre; dallojnë për shkallën e lartë të konsensusit dhe frymën bashkëpunuese ndaj objektivit të përbashkët. Kanë si cilësi kryesore integrimin, ndërkohë që tensionet jashtë janë  shumë përcaktuese në rritjen e tij.  Në pjesën tjetër të shoqërisë, ajo që e ndjek nga jashtë këtë ngjarje, solidariteti në qëndrimet e secilit lloj,  natyrshëm do të duhej të gjeneronte një mënyrë shumë unike të reagimit ndaj saj,  gjë e cila mungon në rastin tonë. I trajtuar si tërësia e interesave, besimeve, ndjenjave dhe qëndrimeve, solidariteti i veçon shoqëritë „e evoluara”  nga të „thjeshtat”. Kur anëtarët e një shoqërie kanë ngjashmëri në botëkuptimet e tyre, përjetojnë të njëjtat ndjesi, aderojnë në të njëjtat vlera dhe kanë vullnete që konvergojnë në një apo shumë pika, zakonisht ky lloj solidariteti flet për një shoqëri të thjeshtë. Por demokracia, si sundimi i shumicës, në një shoqëri të thjeshtë ka si një ndër aspektet më problematike të saj, konformizmin, sipas të cilit “kush nuk identifikohet me shumicën është i ndëshkuar me izolimin, i refuzuar nga shoqëria dhe i kufizuar nga vetmia e tij”.  Qëndrimet e shoqërisë sonë ndaj kësaj greve nuk mund të analizohen si shfaqje të individualizmit, që është tipar shumë unik i shoqërive të evoluara, ku individët janë të ndryshëm dhe jo të ngjashëm, dhe ku individualiteti i të tërës rritet prej individualitetit të pjesëve. Përkundrazi, shoqëria jonë shfaq tiparet e një modeli hibrid të shoqërisë së thjeshtë, ndërthurur me elementë të shoqërisë së evoluar, dhe shteti që kemi ndërtuar ne është kontrata e qyetarëve të kësaj shoqërie me të zgjedhurit e saj brenda këtij modeli hibrid.

Në cilësinë e demokracisë së një shoqërie,  të drejtat dhe liritë e njeriut janë një tregues shumë i rëndësishëm.  Por në shoqërinë tonë, të drejtat e njeriut më së pari duhen mbrujtur, më tej mbrojtur si dhe promovuar në vazhdimësi duke u mbështetur si materialisht ashtu edhe duke u bërë pjesë e kulturës qytetare. Në këtë kuptim, greva, para se të interpretohet si e nxitur politikisht apo ekonomisht,  duhet përkrahur nga shoqëria, si përpjekja e një grupi shoqëror që ndër të tjera, kanë me vete edhe një pjesë të historisë sonë.

Sot përkufizohen si demokratike ato shtete, të cilat ju garantojnë qytetarëve të mira dhe shërbime të caktuara. Ju sigurojnë të drejtën e mbledhjes, garantojnë shprehjen e mendimit lirshëm, organizojnë zgjedhje të lira, ju  japin të gjithë qytetarëve të drejtën e përfaqësimit dhe të zgjedhjes në detyrat publike. Në një pikëpamje të tillë, shteti jonë, duket se i përafron shumë atij demokratik, por indiferenca sociale që po tregon, nuk bën gjë tjetër veçse shpërfaq fytyrën e  një shoqërie të thjeshtë, larg asaj të evoluarës.

Në këto dy dekada të fundit padyshim të gjitha aspektet e jetës së shoqërisë sonë janë përfshirë nga një linjë evolucioni, gjë të cilën mund ta konstatojmë me procesin e kalimit nga gjendja homogjene në të cilën ka qenë shoqëria jonë për dekada me radhë në atë heterogjene.

Por stadi aktual i shoqërisë së thjeshtë, ku mundohemi të qëmtojmë elementë të shoqërisë së evoluar, tregon se ky kalim do të duhej natyrshëm të kishte përshkuar së paku këto faza:

-së pari, fazën e ndarjes mes udhëheqësit dhe të udhëhequrit, mes të pushtetshmve dhe të pushtuarve;

-së dyti, ndarjen mes pushtetit me të cilin anëtarët e shoqërisë sonë janë të lidhur shpirtërisht dhe atij pushteti që është i përkohshëm;

-dhe së fundmi, me ndarjen prej këtij pushteti të përkohshëm, të pushtetit legjislativ dhe atij të së  drejtës.

Shumë prej qëndrimeve të shoqërisë sonë, dhe reagime të shtetit tonë, duhen kuptuar edhe si rezultat i anashkalimit të këtyre fazave, gjë të cilën e shohim të reflektuar në qëndrimet ndaj kultit të individit, epërsisë së të pushtetshmve, shoqërizimit politik tradicional, ndërhyrjen e pushteteve tek njeri-tjetri dhe mbi të gjitha rrezikut të despotizmit të “shumicës”,  i cili lind nga përqendrimi i pushtetit në një qendër të vetme.

Demokracia bashkëkohore që synojmë ne është një kompleks rregullash dhe procedurash, të njohura universalisht, për të ndërtuar një qeverisje të shumicës. Por, një pjesë e madhe e shteteve perëndimore, demokratike,  karakterizohen mbi të gjitha nga vëmendja e madhe për problemet ekonomike dhe shoqërore të qytetarëve që ata drejtojnë. Këto shtete mendojnë për atë tërësi faktorësh individualë siç janë paaftësitë fizike apo psikike, ose situatash shoqërore  siç janë të ardhurat e pakta individuale apo familjare, nivel i ulët i shkollimit etj., të cilat bëjnë që disa individë të jenë më prapa se të tjerët duke mos i braktisur ata, ashtu siç po ndodh në shtetin tonë  që kemi ndërtuar ne vetë  si shoqëri.

Sociologe - Fondacioni "Harriet Martineau"