E enjte, 25.04.2024, 06:09 PM (GMT+1)

Editorial

Naser Aliu: Pushtimi osman dhe nderrimi i historise

E premte, 18.04.2008, 10:29 PM


Pushtimi osman dhe nderrimi i historise

Nga Naser Aliu  

Ismail Lulani - Nje nga betejat e Gjergj Kastriotit
98 vjet pas Çlirimit qenka normale që pushtuesi të konsiderohet mik. Sot mund të konsiderohet si i tillë, por dje ishte pushtues dhe shtypës!
Sipas kësaj analogjie pas 98 vjetëve vjen dikush dhe na thotë: “në kohën e Serbisë keni pasur universitet dhe shkolla dhe keni përparuar më shume se sa 500 së bashku nën sundimin turk.Populli serb nuk ishte pushtues, por emancipues!” Kështu do të flasin nesër miqtë e Serbisë, si po flasin sot miqtë e Turqisë! Dhe, kur të na i mbushin mendjen, ne i pagëzojmë fëmijët tanë me Millosheviç, siç i pagëzuam me Murat e Mehmet!

Nëse Perandoria Osmane nuk ishte pushtuese, kush e thirri dhe pse u dëbua nga shtëpia e vetë?

Nëse Serbia nuk ishte pushtuese, pse atëherë u debatua edhe kjo me forcë?

Ata që mendojnë se ndryshimi i religjionit për paraardhësit tanë ka qenë i lehtë, le të provojnë vet të konvertohen nga islami në krishterim apo e kundërta. Një kalim i tillë zgjat disa gjenerata dhe është traumatizues. Prandaj te ne për një kohë të gjatë mbaheshin dy emra: një i krishterë në shtëpi dhe një mysliman përjashta.

Siç dihet ata na pushtuan dhe ne nuk i kishim ftuar. Ballkanasit humbën luftën dhe iu nënshtruan pushtetit osman. Ne u ringritëm dhe bëmë një rezistencë të suksesshme për një çerek shekulli. Për këtë rezistencë shkruan shumë të huaj: u shkruan mijëra libra dhe nga shkrimtar me nam botëror… Lufta ishte shumë më e ashpër, më barbare se sa ishte në vitin 1998-1999 në Kosovë. Dhe nuk zgjati një vit, por 25 vite.
Shqipëria u shkatërrua. U varfërua tepër shumë dhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit kapitulloi kryengritja e fundit e suksesshme në Evropë.
Shqipëria pati aleatët e vetë në Vatikan dhe Venedik, si dhe në Napoli. Shkurt në perëndim, ku i ka edhe sot. (Vetëm tre vende myslimane kane njohur Kosovën.) Dhunimet, djegiet, shkatërrimet e pasurive ishin veprime të rëndomta për kohën.
Si në kohën e Millosheviçit, ndryshojnë vetëm armët dhe ushtarët.
Metoda ishte e njëjtë. Qëllimi ishte i njëjtë: Nënshtrim i vendasëve. Dëbimet masive drejt Italisë dhe Greqisë nuk kishin të ndalur. Kishte nisur praktikisht pastrimi etnik në Ballkan. Turqia dobësoi faktorin shqiptar tepër shume ne Ballkan. Asnjë komb tjetër nuk u dëbua si shqiptarët!

Kur ne përfunduam nën pushtetin osman, në Firence kishte mbaruar renesanca e në Evropë ishte në përfundim e sipër. Librat e parë në shqip sapo kishin nisur. Si te çdo komb ishin të karakterit fetar, sepse përveç priftërinjve rrallëkush se dinte shkrim-lexim.
Me arritjen e pushtetit osman librat në shqip nuk do të ketë më dhe Rilindja do të vonohet për disa shekuj. Kjo epokë mund të quhet koha e territ total. E tjetërsimit dhe tëhuajtësimit kolektiv, e asimilimit shpirtëror dhe kombëtar. Do të ndryshohet mendësia dhe do të vijë përtacia mashkullore, deri në ekstrem. Nuk do të ndërtohet shtëpitë si këtu e njëherë me gurë, por me qerpiç. Shtëpi e cila nuk mbijetonte pronarin. Jeta këtu në tokë nuk kishte rëndësi dhe do të mendohej për jetën pas jetës. Shqiptari po degjenerohej dhe karakteristikat e tija po zhdukeshin. Ishte asimiluar të gjykuarit, të menduarit shqiptar dhe ai po mendonte dhe vepronte turqisht. Si trashëgim e kemi sot korrupsionin: bakshish – mentalitetin dhe agallëkun mashkullor…
Do ta krijojmë alfabetin me gati 500 vjet vonesë, edhe pse të gjithë fqinjët tanë shkruanin. Për të mbetur kështu prapa osmanlinjtë do të përdorin te gjitha metodat, por jo ndaj sllaveve dhe grekeve.
Për t´u ringritur kundër turqve do të na nevojitet një Rilindje dhe një mori shkrimtarësh për ta mobilizuar kombin dhe për t´i treguar njerëzve se nuk ishte turq, por shqiptar. Ata në të gjitha shkrimet e tyre përkujtonin kombin se nuk ishin aziatik, se nuk ishin turq dhe se ishim një racë e vjetër dhe krenare. Madje do ta akuzojmë edhe Perëndinë pse kishte krijuar Turqinë!
Serbia dhe Greqia do të jenë në pozitë më të mirë dhe do t´i hapin shkollat, tonat do të mbyllen derisa ishte aty turku i fundit, deri në vitin 1912.

Konvertimi

Do të ushtrohet presion në të gjitha mënyrat e mundshme: motivuese dhe torturuese për ta ndryshuar qenien kombëtare. Kjo trysni nuk do të ushtrohet ndaj ortodoksëve në Ballkan sepse ata shiheshin si rival shpirtëror të Vatikanit dhe meqenëse Vatikani kishte ndihmuar Skënderbeun, ata do të bëjnë çdo gjë që u shkonte për dore për t´ia hekur Vatikanit këtë sferë ndikimi dhe për t´i konvertuar katolikët në Shqipëri.

Një kohë të gjatë shqiptari do t´i ketë dy emra: një të krishterë në shtëpi dhe një mysliman përjashta. Krishtlindjet do të festohen akoma dhe nga injoranca nuk do të quhet si Krishtlindje, por si Ditë e Madhe. Shumë familje edhe sot e dinë emrin e paraardhësit krishterë, shumë e kanë harruar nga turpi.
Se a ka qenë i lehtë ky tjetërsim mund ta kuptojmë nëse sot provojmë të pranojmë një fe tjetër. Për ata ishte edhe më i vështirë, sepse institucion tjetër përveç Zotit nuk kishte. Feja do të përhapet, harta fetare do të ndryshohet, por shqiptari do të mbetet shembull planetar i tolerancës dhe bashkëjetesës.
Feja te ne nuk do të krijojë kombe si te sllavët. Feja nuk do të pranohet tërësisht, por vetëm aty ku edhe toleronte Kanuni. Po krijohej një mendësi e re, që, shpërthente herë nga kanuni, herë nga feja. Një simbioze e çuditshme qe përjashtonte njëra tjetrën. Dhe, u krijua një çoroditje. Kanuni vinte nga një atë françeskan, islami nga Arabia, nëpërmjet Turqisë.
Ajo që të jepet me dhunë, është e mundur se nuk i reziston shekujve. Enver Hoxha mundi ta ndalojë te ne religjionin, por te arabët nuk mund ta ndaloje kurrë një diktator. Kjo flet për ne dhe religjionin!
Nëse shikohet në histori, atëherë mund të thuhet me bindje se asnjë fe pas dymijë vjetëve nuk do të ekzistoje më. Shkenca do ta zëvendësojë atë apo profet të rinj. Kjo do të ndodhë sepse njeriu është pjesë e evolucionit dhe asgjë nuk mbetet përjetësisht, por çdo gjë është në lëvizje permanente dhe në ndryshim e sipër, në çdo çast!

Pasojat e konvertimit

Ne mes të botës krishtere do të bëhemi vetëm ne mysliman (me boshnjakët, romët, ashkalit dhe goranët) dhe nuk do të ketë tolerancë te popujt ortodoks e më vonë as dëshirë ndihme te popujt katolik. Do t´i lihemi fatit dhe do të na copëtojnë pa u penguar. Kështu do të kalonte ndoshta edhe një komb me fe krishtere ne mes të vendeve arabe. Natyrisht nëse ky komb nuk do të kishte mbështetje nga jashtë. Merreni me mend çka do ta priste Izraelin pas SHBA-të.
Nuk ka dyshim se po të kishim mbetur si ishim, do të kishim qenë sot një komb, një shtet dhe me një shtrirje shumë më të madhe se sa që kemi sot dhe do t´i kishim kursyer shumë vuajtje e dëbime. Mirëpo jemi ata që jemi dhe religjioni duhet të jetë çështje private e çdo njeriu, siç ishte edhe shekujve të kaluar. Le të anojë çdo njëri nga e vetja, por të mos përpiqet me dhunë t´i ndryshojë të tjerët. E as historinë. Historia është shkruar me gjak, e jo me minare e kryqe. Ne kemi luftuar për komb, jo për fe.

Sot jeta rregullohet me kushtetute e jo me Kuran apo Bibël.

Këto janë rregullat e jetës sonë. Normat evropiane: barazia gjinore, te drejtat e fëmijëve dhe të femrës. E drejta për ta ndryshuar religjionin, gjininë dhe e drejta për martese edhe me gjini te njëjtë.
Ky është stacioni i tashëm i civilizimit evropian dhe nuk është i fundit. Atyre qe nuk u pëlqejnë këto arritje humane, sot kane mundësi fluturuese për në vendet ku këto vlera konsiderohen degjenerim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora