E enjte, 28.03.2024, 11:53 AM (GMT)

Faleminderit

Fiqri Shahinllari: Thanas Floqi, një nga firmëtaret

E premte, 12.10.2012, 07:15 AM


100 vjet pavaresi.

Thanas Floqi, një nga firmëtaret, 28 vjecar më 28 Nëntor.

Nga Fiqri Shahinllari

Në stendat e Muzeumit Kombëtar në Tiranë shoh me vëmëndje firmëtarët e aktit historik të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.Midis firmave të I. Qemalit, L. Gurakuqit e të tjerëve, më tërheq si magnet firma e Thanas Floqit, vëllait të K. Floqit. Të them të drejtën diçka ndjeva brënda meje, një ndjenjë krenarije për këtë floqar që atëhere, atë ditë të 28 Nëntorit historik të 1912-tes, ishte vetëm 28 vjeç dhe qëndronte pranë plakut mjekërbardhë Ismail Qemali e afër burrit mustaqezi spicë, Luigj Gurakuqi tek ngrinin flamurin shqiptar në ballkonin e shtëpisë historike në qendër të Vlorës. Tashmë e dimë ditën e madje orën, muajin dhe vitin e lindjes së Thanasit (14 janar 1884) pasi, siç kemi shkruar here tjeter, na i tregoi me gëzim e hollësisht i vëllai, Kristua, por duhet theksuar se e ëma e tyre rridhte nga fisi i dëgjuar korçar i Mitkove.

Thanasi të gjitha shkollat, nga fillorja deri të lartat, i filloi dhe imbaroi në Greqi ku edhe u diplomua për drejtësi. Këtë mundësi ia jepte i ati, Vasili, që atëhere merrej me tregëti. Në moshën 21 vjeç ai u kthye në Shqipëri e pastaj shkoi në Amerikë, teksa familja e tij ish kthyer në Korçë. Në SH. B. A takoi shqiptarë të tjerë dhe mori pjesë në themelimin e shoqërisë atdhetare “Mall i Mëmëdheut” që më vonë u tret në shoqërinë “Vatra.” Atje u njoh me Sotir Pecin, Fan Nolin, Kristo Dakon. Pas tre vjet qëndrimi në Amerikë, Thanasi u kthye në Atdhe, në fillim në Vlorë (1908) dhe një vit më pas shkoi në Korçë ku u emërua drejtor i një shkolle shqipe me 5 klasë. Botoi në qytetin e Korçës veprën “Gramatikë e gjuhës shqipe.” Kujtojmë se ishte viti 1909. Turqit e Rinj vërtet bënë reforma, dhanë liri për shkolla, për mësimin e gjuhës amtare në vëndet e perandorisë turke por ata këmbëngulnin që alfabeti të shkruhej me gërma turko-arabe. Në këtë drejtim u ashpërsua lufta politike, sidomos në vitin 1910. Thanasit, në këto kushte, iu zymtua puna. Ai, si edhe patrotët e tjerë donin që alfabeti të ishte me gërma latine, siç kishte vendosur Kongresi i Manastirit. Bile shumë më parë se Kongresi i Manastirit, më 6 mars 1879, Komiteti i Stambollit kish miratuar Projektin e alfabetit kombëtar të gjuhës shqipe bazuar në alfabetin latin. Ky komitet formoi komisionin ku bënin pjesë patriotët Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa. Më tej akoma. Në vitin 1887 ishte hapur Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë e cila kish fizionomi shqiptare, mbështeste aspiratat dhe idealet për liri e pavarësi,ishte shkollë laike, mësimi në lëndët kryesore zhvillohej ne gjuhën shqipe, ajo frekuentohej nga nxënës të pasur dhe te varfër të të dy besimeve fetare: ortodokse dhe myslimane. E si mund të pranonte Thanasi që alfabeti të ishte me germa turko-arabe? Kjo nuk mund të bëhej prandaj kërkoi një vënd pune ku veprimtaria e tij në fushën arsimore të mos pengohej. Zgjodhi Cakranin e Mallakastrës që në atë kohë ishte si një krahinë më vete, aq sa atdhetarët e quanin “Republika e Cakranit.” Me ndihmën e vendasve, aty çeli një shkollë shqipe në katin e sipërm të një hani. Atje punoi me pasion të madh.I gëzohej fryteve të punës së tij. Ai tregon me krenari një episode që e kam përmendur më parë në këtë libër por ia vlen ta përsërit prapë, tashmë të plotë, pasi episodi është sinjifikativ. Thanasi shkruan diku: “Duke qënë mësues në Cakran, një ditë prej ditësh më paraqitet një burrë rreth 30 vjeç, i shkurtër, i zi porsi arap dhe i veshur me petka kolonjare. Më kërkoi t’i mësonja të shkruante e të lexonte shqip. Kërkesën ia pranova. Iu përvesha mësimeve me të madhe dhe ai më rrethoi me një simpati të veçantë. Ishte fillimi i dimrit kur e njoha dhe i dhashë mësim për muaj me radhë. Por kur erdhi prilli, ai më njoftoi se do të shkonte. Me atë rast më tha se nuk quhej ashtu sikurse ish paraqitur, por M. A. Kjo më çuditi pa masë.Ky emër ishte i dëgjuar si ai i një kusari dhe krimineli në zë. M. e pa habinë time dhe buzëqeshi. M’u afrua dhe më tha: “Tani s’jam më ai i pari. Kam ndryshuar. Pak mësime mora por ndryshova, këto pak gjëra më çelën sytë. Tani e tutje do t’i shoh e do t’i bëj punët si shqiptar e jo më si kaçak malesh. Ke për të marë vesh!” Me të vërtetë pas disa kohe dëgjuam të flitej se M. A. kishte shkuar e kishte blerë në Korçë abetare shqip dhe i kishte shpërndarë ato ndër fshatra, me qëllim, siç thoshte ai, që djemtë të mësonin shqip”Pas Cakranit Thanas Floqi shkoi në Vlorë. Në ditët e para të nëntorit 1912 së bashku me Marigo Pozion e Petro Fotografin përgatitën të gdhëndur në dru bocën e flamurit që më vonë u përdor si shtampë në qindra e qindra flamurë të tjerë.

Këtu e shoh me vend të qëndroj pak më gjatë ndaj po largohemi për një moment nga Thanas Floqi për t’u kthyer përsëri tek ai një çikë më vonë. Duke u interesuar për të gjetur informacione te tjera lidhur me figurat e spikatura floqare nëpërmjet shtypit mësova mjaft gjëra interesante. Përveç faktit që boceta e shqiponjës prej druri lyhej me bojë të zezë e stampohej edhe në qylafët e bardhë të lebërve, mësova se pas dy-tre vjetëve të vdekjes së Marigo Pozios u hodh në dyshim fakti nëse vërtet ishte Marigoja apo ndonjë tjetër,qëndistari/e i/e flamurit që u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorë më 1912. Sikur të mos kisha lexuar se Marigoja ka lidhje me mbiemrin Floqi, nuk do të zgjatesha fare në hollësitë e mëposhtëme. Marigoja,siç shkruan shtypi, ishte atdhetare e famshme. Emri i saj lidhet me flamurin që ajo qëndisi përgjatë gjithë natës dhe të nesërmen ia dërgoi Ismail Qemalit për ta ngritur në ditën e pavarësisë. Ishte një grua hollake, me gjatësi mesatare e me fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qënë e bukur në të ritë e saj. E zonja në fjalë sa t’ia kthente mëndjen edhe burrit më me peshë.

Nga një artikull i shkruar nga Jakov Milaj në janar 1938 në revistën e përmuajshme kulturore “Përpjekja Shqiptare” e themeluar dhe e drejtuar nga Branko Merxhani, mëson se Marigo Pozio kish vdekur në Tiranë në gusht të vitit 1932 nga tuberkulozi. Kjo sëmundje i kish marë më përpara dy vajzat dhe djalin e saj të vetëm po edhe burrin, dyqanxhiun e pasur Jovan Pozio në Vlorë. Vitet e fundit të jetës Marigoja ishte verbuar. Për varrimin e saj ishte përkujdesur i kunati, Kristo Floqi. Në kohën kur filluan të hidheshin dyshimet për autoren e qëndismës së flamurit shqiptar, ngrihet Kristo Floqi,ky kunatolli floqar që qënka kujdesur për të gjorën e të verbërën,në pleqërinë e saj, Marigo dhe thotë se kish shumë dëshmitarë të tjerë që e pohojnë se Marigoja ishte qëndistarja e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Në fletoren “Arbëria,” K. Floqi shkruan aty nga viti 1936 se “flamurin Kombëtar që u ngrit për të parën herë e pat “hartuar” me duart e veta zonja Marigo mbi cohën e blerë te tregëtari Diamanti sipas modelit të shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me Petro Fotografin” Midis atyre që kanë dijeni mbi faktin Kristo Floqi përmënd Lef Nosin, Shefqet Dajin, Thanas Floqin, Qemal Karaosmanin, Hamza Isan e Ymer Radhimën.Marigoja ishte me origjinë nga Korça por qe martuar në Hoçisht me Jovan Pozion.Në një burim tjetër këto ditë (mars 2008)mësova se Marigoja me të shoqin për shkak të persekutimit nga osmanllinjtë ishin larguar nga Korça në vitin 1904 e ishin vendosur në lagjen Muradije të Vlorës. Në shtëpinë e saj hynin e delnin Çerçiz Topulli, Mihal Gramenoja etj. Korçarja e bukur në këtë lagje u mor me veprimtari patriotike e me ngjizjen te të tjerët të ndjenjës së atdhedashurisë me të cilën ishte mëkuar që në fëmijëri. Për t’u shëruar nga tuberkulozi ajo kish shkuar në Vjenë ku kish takuar Aleksandër Moisiun. Me artistin e madh, të formatit ndërkombëtar,kishin shkëmbyer mendime e kishin kujtuar Shqipërinë. Ajo u varros pranë varreve të familjarëve të saj në Zvernec-thonë-nga një masë e madhe njerzish vlonjatë. Mirëpo për të nuk u interesua njeri as në kohën e Zogut as në periudhën komuniste.

Të kthehemi tani te Thanas Floqi. Me që jemi te flamuri dhe qëndistarja e tij Marigo po e vazhdojme tregimin me flamurin.Muzikën e këngës “O Flamur i Shqipnisë” e shkroi Thanas Floqi, tekstin e së cilës e kish bërë Murat Toptani që kish krushqi me Naim Frashërin. Nga Vlora Thanasi shkoi në Elbasan ku u emërua gjyqtar. Më 1913, me urdhër të I. Qemalit shkoi në Shkodër si përkthyes nga anglishtja në shqip, pranë “Komisionit Ndërkombëtar.” U kthye në Ministrinë e Drejtësisë dhe pas grushtit të shtetit që organizoi Esat Pashë Toptani, shkoi në Vlorë e, që andej, tok me Muço Qullin, përsëri shkoi në Shkodër. Më vonë përsëri në Elbasan si bashkëpunëtor i Aleksandër Xhuvanit.Vdiq më 1945 në Elbasan. Në emigracion ai shkroi në gazetën “Kombi” dhe pas kthimit në Atdhe vijoi të bashkëpunojë me shtypin e kohës sidomos me Gazetat e Korçës. Thanasi themeloi e drejtoi revistën jetëshkurtër “Donika” -“Sabadua” e cila doli vetëm në tre numëra: i pari (“Donika” ) më 20 mars 1939, kushtuar familjes së Ahmet Zogut; i dyti (“Sabadua” ) më 30 prill 1939…

Ishte poliglot i admirueshëm. Dinte greqishten e vjetër dhe të re, komunikonte në latinisht e italisht, njihte frëngjishten,anglishten e turqishten, ishte përkthyes, hartues i fjalorit italishtshqip,mësues i gjuhës shqipe, jurist i diplomuar. Thanas Floqi i bën nder jo vetëm fshatit nga e kish origjinën por edhe gjithë krahinës dhe mbarë Kombit. Ai ishte luftëtar i vendosur për lirinë e Atdheut. Alo Luarasi, shoqëruesi i parë i Safet Butkës,emigrant politik në Nju York (SH. B. A) më 1993 shkruante: “Në janar 1943…në Floq ndënjëm disa ditë sepse ishim pregatitur të sulmonim në Qarr një autokolonë italiane, që do të shkonte, sipas të dhënave që kishim, nga Korça në Leskovik. Zumë pozicione në kodrat përpara fshatit. U rreshtuan çeta (nacionaliste-F. Sh) e Kolonjës si dhe çetat e Goskovës, Dërsnikut, Turanit, Kamenicës,Myslim Qesarakës me 25 e ca xhandarët e armatosur mirë, bile edhe me mitralozë, çeta e Qatromit dhe mjaft burra nga Floqi,midis tyre edhe miku i Safetit, Thanas Floqi...”

Po u tregoj një koinçidencë që rastësisht më ndodhi gjatë ditëve që hulumtoja në Tiranë fakte e ndodhi për njerëz të spikatur floqarë.Mora vesh se mbesa e Thanas Floqit dhe bija e avokat Vasil Floqit,Alma, është gruaja e Bertit, dajës të dhëndërrit tim Arben Zekos.Përveç Vasilit, Thanasi ka lënë edhe një djalë tjetër, me emrin Agron,me profesion agronom i cili ka qënë pedagog e ka dhënë mësim për një kohë të gjatë në shkollën e mesme bujqësore të Fierit.Landa, e ëma e dhëndrrit tim dhe i vëllai i saj, Berti më dhanë kënaqësinë të lexoja një cikël poezish me titull : « Muzgje të qeta » të shkruara dhe të sistemuara nga xhaxhai i tyre, Dionis Miçaço.I lexova me një frymë dhe shpreha mendimin tim se vjershat dhe poezitë e tij mund të botohen jo vetëm se ato janë shkruar nga një jurist me shpirt poeti,i shkolluar në Bukuresht, jo vetëm se ai ka « hequr të zitë e ullirit »burgjeve dhe kampeve të internimit të diktaturës komuniste, këtu në Shqipëri si « fajtor me pikpamje socialdemokrate » por sepse krijimtaria e Dionis Miçaços është e ndjerë, është e vërtetë, ajo të rrëmben e të « pulit » në muzgjet e qeta të shpirtit të tij të trazuar.

Poezitë e sistemuara në këtë vëllim janë shkruar që nga viti 1929, kur Dionisi ishte 21 vjeçar, e deri më 1962. Këto vjersha Dionisi i ndjente dhe « shihte me lot në sy e dëgjonte me zjarr në gjak se si dridheshin vjershat » që nga ato me motive dashurie e deri te ato me motive patriotike e historike të shkruara në Bukuresht, Korçë, Pogradec,Vlorë e Fier. Në vargjet e tij « sheh » hënën e zbehtë pas një lisi që lëshon rrezet tëpkë si argjënd, trokitjen në dritare të të bardhës hënë që vjen me shokët yje, ndjen erën e mërgimit e fatin e funduar, botën hiç, pa vlerë, sheh perëndimin ku dielli vdes valimet, vdekjen që qesh e ngrirë dhe oh, medet, botën që me padrejtësi u themelua,këtë botë me shtypje e me afshe egoizmi.Dhe të gjitha këto ndjenja të holla zemre, prej artisti e krijuesi të vërtetë, Dionis Miçaço i shpreh në vargje teksa « qepallën ia njom pika e lotit të hidhur ».

U kërkoj ndjesë lexuesve për këtë kapërcim, por këtë e bëra në respekt të Almës, mbesës së Thanas Floqit dhe bashkëshortit të saj,Bertit e motrës së tij Landës, që janë nipi dhe mbesa e Dionisit...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora