Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sfidoi Talebanët, atentat 14-vjeçares

| E shtune, 13.10.2012, 08:13 AM |


14-vjeçarja pakistaneze, Malala Yousafzai, e bërë e famshme për guximin e treguar në publikimin e ditarit të saj 3 vjet më parë për BBC-në, ku sfidonte militantët talebanë me vendosmërinë për t’u shkolluar, i ka shpëtuar mrekullisht një atentati kundër saj.

Ditari u publikua nga BBC kur ajo ishte vetëm 11 vjeç dhe dy vjet pasi marrjes së kontrollit të Luginës Suat nga militantët talebanë në Pakistan. Menjëherë pas vendosjes së kontrollit në këtë luginë, talebanët urdhëruan mbylljen e të gjitha shkollave për vajzat.

Malala, sot 14 vjeç, pa marrë parasysh rrezikun që e kërcënonte, sfidoi këtë urdhër dhe vendosi të vazhdonte arsimimin. Kurajo e saj u shndërrua në shembull për shumë vajza të tjera në luginë që e ndoqën nga pas.

Tre vjet nga nisja e historisë, talebanët treguan se nuk kanë mëshirë. Sipas dëshmitarëve nga vendngjarja cituar nga BBC, 14-vjeçarja është qëllua me dy plumba, një në kokë dhe tjetri në mjekërr nga një person i paidentifikuar. Të njëjtat burime thonë se personi në fjalë ka ndaluar fillimisht autobusin e shkollës dhe më pas ka kërkuar në emër 14-vjeçare. Pas identifikimit të saj, ka qëllua pa hezituar. Fatmirësisht, plumbat e marrë nuk kanë prekur organet jetike të adoleshentes, që ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Talebanët kanë marrë përsipër autorësinë e sulmit duke shtuar më pas se nuk do të tolerojnë asnjë që thyen “ligjin” e tyre.

Lugina Suat është një ndër zonat me aktivitetin më të lartë të talebanëve dhe ndër më të rrëzikshmet në territorin pakistanez. Sulmet e ushtrisë në këtë zonë të thellë malore, pranë kufirit me Afganistanin kanë qenë të shpeshta, por korrupsioni dhe varfëria ka ulur ndjeshëm efikasitetin e tyre dhe vënien e rajonit nën kontrollin e plotë të Islamabadit.

Top Channel