E shtune, 20.04.2024, 06:38 AM (GMT+1)

Speciale » Karanxha

Ilia S. Karanxha: Shëmbëlltyra më e hershme e Skënderbeut në një vepër të V. Carpaccio-s

E hene, 08.10.2012, 05:18 PM


SHËMBËLLTYRA MË E HERSHME E SKËNDERBEUT NË NJË VEPËR TË V. CARPACCIO-S. 

NGA ILIA S. KARANXHA

Më 1997 në revisata  Storia dell'arte (n* 89. ff. 27-36) u botua një studim me autor Harula Economopoulos  në të cilën hipotizohet prezenca e Skënderbeut në veprën Pagëzimi i Selenëve të Vittore Carpaccios (1465-1526).  Ky studim  i paraqitur në një formë të përmbledhur siç na bën të qartë autori është paraqitur  për  gradën e tij  të specializimit pranë Institutit mbi Historinë e Artit   në Universitetin “La Spaienza”   të Romës .

Vepra Pagëzimi i Seleneve  u realizua mes viteve 1502-1508 dhe bënte pjesë në ciklin piktorik në Shkollën e Dalmatëve në Venedik  ku gjendet edhe sot e kësaj dite.

Prezenca e emigrantve ballkanas në Venedik është një fenomen i mirënjohur dhe e para shkollë e të huajve që u krijua aty me gjithë vështirësitë që pati ishte ajo e shqiptarëve më 1442 ndërsa shkolla e Skiavonëve  ose Dalmatëve  u krijua më 1451 dhe ju dedikua Shën Gjergjit, Shën Jeronimit dhe Shën Trifonit që konsideroheshin  shënjtorët mbrojtës të saj.    Në literaturën bashkëkohore shumë studiues janë përpjekur t'i paraqesin  të dy shkollat në opozicion e në armiqësi të plotë me njëra tjetrën duke marë më shumë për bazë mentalitete që kanë lindur mbas tendencave e konflikteve nacionaliste  në shekujt e fundit në Ballkan. Këto opinjone nuk verifikohen nga faktet mbasi prezenca e shqiptarve ishte e pranishme  edhe në shkollën e dalmatëve e çështja e ndarjes  kishte më shumë karakter gjeografik se sa etnik. Predomononin breda saj emigratë të ardhur nga qytetet e Katarit, Antivarit dhe Raguzës.  Sipas regulloreve të brëndëshme të këtyre shkollave ishte e ndaluar që ndonjë shqiptar të antarsohej  njëkohësisht në  të dy shkollat.  Veç kësaj kryesija e shkollave sipas regulloreve duhej të ishte ose shqiptare ose skiavone në shkollat respektive  por kontradiktat mes tyre  nuk kishin. Aty nga mezi i shek. XVI  shkolla e shqiptarve u tregua më tolerante duke hapur dyert e saj  edhe për italianët.

Sidoqë të jetë të dyja shkollat aty nga fillimi i shek. XVI angazhuan piktorin Carpaccio që të zbukuronte ambintet e brëndëshme.   Fillimisht në shkollën e shqiptarve Carpaccio realizoi ciklin prej 6 tabllosh dedikuar jetës së Shën Mërisë së Virgjër  të cilat  reflektonin  adhurimin  e shkodranëve e shqiptarve mbi Zonjën e Shkodrës ndërsa në shkollën e dalmatëve  ku përbërja e antarëve ishte mjaft eterogjene nga pikpamja etnike e prirjet  fetare  nuk kemi një  cikël unik por një sërë tabllosh të cilat trajtojnë  katër tematika të ndryshme.  E para  është e  lidhur me episode të Ungjillit  e reflekton në  tabllotë Parandjenjat e Mateos (141x115 cm) dhe  Nderimet në Kopësht (141x107cm); tematika tjetër trajton jetën dhe bëmat  e Shën Jeronimit e pasqyrohet në tabllotë Funerali i Shën Jeronimit (141x211 cm), Shën Jeronimi dhe luani (141x211 cm) dhe Shën Agostino në studio (141x210 cm); pastaj vijnë tre episode  nga ngjarjet e shën Gjergjit:  Shën Gjergji që mposht kuçedrën (141x360 cm),  Fitorja e Shën Gjergjit (141x360 cm) e Pagëzimi i Selenëve (181x285 cm) dhe së fundi vetëm një tabllo që i dedikohet  Shën Trifonit:   Mrekullija e Shën Trifonit (141x300 cm).

Shën Jeronimi  që mbahet për një shënjtor me origjinë ilire dhe Shën Gjergi  ishin gjithashtu shumë të adhuruar edhe nga  shqiptarët.  Vlen të theksohet këtu se shkolla e dalmatëve  më 1502 pati fatin e madh të priste  si dhuratë në ambientet e saj  relika të  Shën Gjergjit  të cilat  po këtë vit peshkopi i Jeruzalemit  para se të vdiste ja dorëzoj  komandantit venezian në Peloponez Paolo Vallaresse dhe  ky i fundit ja dha shkollës  me që  i ishte dedikuar këtij shënjtori.

Tre tabllotë e Carpaccios  dedikur  Shën Gjergjit mernin tematikat nga Legjendat e Arta  sipas të cilave Shënjtori i lindur në Kapadoçia, tribun i ushtërisë romake,  mbrin në qytetin libik të Seleneve  dhe e çliron nga kuçedra e tmershme që shërohej duke bërë viktima. Që të tre tabllotë e këtij cikli Shën Gjergji që mposht kuçedrën,  Fitorja e Shën Gjergjit  e Pagëzimi i Selenëve ishin të autografura nga piktori  mirëpo  sot është e lexueshme vetëm tablloja e fundit ndërsa datimi i saj më 1507,  shumë i dëmtuar,  ka qënë  objekt interpretimesh të ndryshme. I gjithë cikli  duhet të ketë mbaruar aty nga vitit 1508.  Ka shumë të ngjarë që   këtu të kenë bërë pjesë edhe dy tabllo të tjera Martirizimi i Shën Gjergjit  të regjistruara më   1551 të cilat sot konsiderohen të humbura.

Pas vrasjes të kuçedrës dhe realizimit të fitores tablloja e fundit trajton pagëzimin e qytetarve të Selenit nga ana e Shën Gjergjit. Pikërisht në  qëndër të  saj gjejmë një burrë  të gjunjëzuar i cili ka lënë për tokë çallmën dhe pret rradhën pas dinjitarve të lartë që të  pagëzohet. Tek kjo figurë qëndrore të cilin ne e shikojmë në profil  studiuesi  Economopoulos ka hipotizuar prezencën e Heroit Shqiptar  Gjergj Kastrioti Skënderbe.  Në fakt nuk mungon një farë ngjasimi mes ikonografisë më të hershme të Skënderbeut e njohur deri më sot dhe këtij portetizimi të cilat studiuesi është përpjekur të na  i rikujtojë një nga një duke futur këtu  si fakt të vërtetë edhe mendimin hipotetik  që ka mbizotëruar gabimisht në Shqipëri të ndonjë portreti  të Skëndrbeut nga ana  Bellinit.

Mirëpo përpara se të shtrohet  çështja në se mund të pranohet apo jo një  hipotezë  e tillë në ambientin shqiptar shikojmë shkurtimisht argumetat  mjaft të hallkatura  albanollogjike që studiuesi   Economopoulos  përpiqet të sjellë  për  mbrojtjen e saj.

Se pari prezencën e figurës të Skëndërbeut në shkollën e dalmatëve përpiqet ta argumetojë me paqartësinë e origjinës  puro shqiptare të heroit tonë  e cila qënka edhe sot e kësaj dite debat mes historianëve  me që nëna e tij  Vojasava Tripalda kishte pasur  origjinë sallave. Ndërsa për  Skëndërbeun thotë se në më shumë se në një rast e cilësonte vehten Epirotas ndërsa  Barleti  e quante herë Epirotarum Princeps e herë Principe degli Albanesi. Më tej  për të çvleftësuar natyrën shqiptare të Skëndërbeut na sqaron  se  termat Albanese, Epirota, Illiriko  apo Meqedone përdoreshin gjatë shek. XIV e XV  jo për të treguar  aq një përkatësi etnike se sa një emër  përgjithësues të prejardhjes së tyre. Më tej na flet për prezencëm e nipit të Skënderbeut në Venedik Gjergj  Kastrioti që përpiqej të hidhej në Shqipëri  më 1500 me ndihmën e venecianëve dhe influencën që pati ai mes emigrantëve të atyshëm.

Ndërsa për të argumetuar edhe  prezencën e  Ëngjëllorve në të njëjtën pikturë, pra të peshkopit Pal Ëngjëlli dhe vëllajt të tij Petro Ëngjëlli,  mer për bazë të gjithë literaturën apokrife që Ëngjëllorët publikuan kryesisht në mes tä shekullit të XVI.  Edhe pse tek tuk vërehet ndonjë vërejtje me ekzagjerimet e panumurta të Ëngjëllorve.

Studiuesi konkludon se me që Pietro Angelo Flavio Komneno vdiq më 25 dhjetor 1511 duhet të medojmë se Pagëzimi i  Selenëve  i Carpaccios nuk mund të jetë realizuar mbas kësaj date dhe sigurisht  jo para vitit 1508 kur duhet të jetë botuar Historia e Skëndërbeut e Marin Barletit.

Se pari theksojmë se asnjë prej argumentave  historiografikë apo filologjike që ka sjellë studiuesi Economopoulos nuk i përgjigjet realiteti.  Historia e Skëndërbeut  e Marin Beçikemit (Barletit) u botua më 1522 dhe jo më 1508, origjina shqiptare e Skëndërbeut është e vërtetuar katërcipërisht dhe në se Heroi ynë  mund të preferohej  edhe nga iliro-dalamtët  mes të cilëve kishte edhe  shumë shqiptarë  kjo nuk e ndryshon aspak esencën e gjërave.  Shtesat  në emrin e Petro Ëngjëllit si Flavio e Komneno i përkasin mezit të shek. XVI kur Ëngjëllorët filluan të flisnin për lavdira e origjina perandorake.  Për vdekjen  e Petro Ëngjëllit që    jepet herë më 1511 e herë më 1512  vlen të theksohet fakti se në këtë kohë ai mbyllte vitet e fundit të jetës së tij  të qetë  në Padova e  nuk  ka të bëjë fare me famën e tij të  krijuar artificialisht nga të bijtë e vet shumë vite  më vonë.  Pra  as që mund të medohet  se mund të  ketë influencuar  Carpaccion në veprën Pagëzimi i Selenëve të realizuar sigurisht mbas ciklit të Virgjëreshës në shkollën e shqiptarëve pra aty nga vitet 1504-1508.  Po ashtu edhe vlerat e  figurës të  kryepeshkopit të Durrësit Pal Ëngjëlli duhen  parë në një këndvështrim tjetër dhe jo në bazë  të lëvdatave të ekzagjeruara të nipërve të tij.

Pavarsisht se argumentat e studiuesit në fjalë nuk qëndrojnë nuk më duket rasti që supozimin e tij të mos i marim në konsideratë aq më tepër që një farë ngjashmërije mes ikonografisë kastriotiane dhe personazhit në vepra Pagëzimi i Selenëve  nuk mund të mohoet.  Pak a shumë një figurë të ngjashme  gjejmë edhe në shkollën e shqiptarve në dy nga  tabllotë  që paraqisin Historitë e Virgjëreshës e pikërisht në  Lindja e Virgjërshës dhe Prezantimi i Virgjërshës në Tempull.  Nga pikpamja biblike kemi të bëjmë me Joakimin babanë e Shën Mërisë  ne një nivel artistik më  arkaik për shkak se, siç thuhet zakonisht, është bërë nga ateljeja e Carpaccios ndërsa figura në Pagëzimi i Selenëve shikohet nga vetë dora e Carpaccios.

Tani në se do të duam të pranojmë edhe këte paraqitje ikonografike  mes ikonografisë të Skëndërbeut del çështja se çfarë burime ikonografike ka përdorut Carpaccio per realizimin e tij?  Në kohën kur u realizua vepra Pagëzimi i Selenëve qoftë sikur ta shtyjmë datën e saj deri më 1511 nuk kishte në qarkullim asnjë botim me ksilografinë e Skënderbeut dhe asnjë vepër historike që të tregonte jetën dhe bëmat e tij. Në aspektin ikonografik  mund të supozojmë medaljet  me shëmbëlltyrën e Skëndërbeut ose ndonjë burim tjetër  i  panjohur nga ne në Venedik  por në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet ideja se ky portretizim vjen nga ndonjë skicim nga dora e Bellinit siç pretendon  studiuesi   Economopoulos  duke u mbështetur tek  tradita  shqiptare.

Në se  Vitali dhe Beçikemi për ksilografinë në vepra Historia de Vita et Gestis Scanderbegi …(1522)  përdorën imazhin që ndodhej në  Pagëzimi i Selenëve   atëhere duhet të ishte një fakt i mirënjohur nga të gjithë shqiptarët e dalmatët  në Venedik që aty  ishte paraqitur Skënderbeu.  Mirëpo çështja mbetet akoma pezull  për hulumtime të tjera dokumetare  për të mos e konsideruar ngjashmërinë  ikonografike  një përqasje të  rastësishme.  Arsyetimet e tjera të studiuesit të sipërpërmëndur   për prezencën e Ëngjëllorve në atë tabllo më krah të Skëndërbeut  janë krejt të pabazura për shkak se një farë nami atyre ju erdhi vetëm  mbas botimit të veprës  historike nga Beçikemi  mëtej kusurin e shtuan dhe e shumëfishuan në mënyrë artificiale  në bazë të dokumentave të manipuluara.



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora