E merkure, 24.04.2024, 09:38 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Meta: Kisha të shkishërojë drejtësinë e korruptuar

E diele, 07.10.2012, 05:51 PM


Dom Gjergj Meta: Para vrasësve, Kisha të shkishërojë drejtësinë e korruptuar

Pak ditë pas vendimit të dioqezës së Shkodrës, Lezhës dhe Sapës, për shkishërimin e vrasësve dhe veçanërisht atyre për gjakmarrje, Dom Gjergj Meta, Zëdhënës i Konferences Ipeshkëvore të Shqipërisë,analizon impakin e këtij vendimi. Ai e cilëson gjakmarrjen një problem shumë kompleks, ku përgjegjësinë e parë e kanë organet e drejtësisë dhe më pas e tërë Shiqëria me hallkat e saj. Ai mendon se Kisha ka detyrë parësore të jetë shenjë e dashurisë së Hyjit në Tokë i cili nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit dëshiron “ta shpëtojë botën dhe jo ta dënojë atë”. Dom Gjergji akuzon rëndë sistemin e korruptuar të drejtësisë dhe nuk ngurron të kërkojë që Kisha të akuzojë sistemin e korruptuar dhe të japë dëshminë e saj. “Ligji është mjaft i mirë, por neve na duhet një sistem drejtësie i pakorruptuar dhe pakorruptueshëm, gjykatës dhe prokurorë që besojnë përnjimend te drejtësia, të pathyeshëm ndaj barrës së dhuratave nën dorë. Ky është problemi më i madh që kemi. Një dekret shkishërimi nuk zgjidh asgjë i vetëm edhe në rastin kur ai është në kohën dhe vendin e duhur – thotë ndër të tjera Dom Gjergji në një intervistë për Gazetën IDEA.

 

Dom Gjergji, doja të flisnim për një nismë të Mitropolisë së Shkodrës, Sapës dhe Lezhës lidhur me një dekret për shkishërimin e njerëzve që kryejnë krime dhe veçanërisht atyre që kryejnë krime për gjakmarrje. Si e vlerësoni këtë lëvizje të Kishës Katolike?

Problemi i vrasjes me motiv gjakmarrjen, apo që shkakton një mendësi gjakmarrjeje, ka vite që rëndon mbi shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Shkaqet dhe efeketet janë shumë komplekse dhe kanë nevojë për një trajtim të gjithanshëm. Kur flas për trajtim të gjithanshëm e kam fjalën që duhet një vështrim i cili niset nga studime të thella antropologjike, shpirtërore, sociologjike dhe juridike. Vetëm një trajtim i tillë na lejon të nxjerrim një diagnozë të situatës e më pas të ndërrmerren veprimet e duhura nga institucionet që kanë për detyrë të merren me edukimin e njerëzve dhe me tutelimin e të mirës së përbashkët. Në këtë prizëm nuk di të them se sa në dioqezat përkatëse (Shkodër, Lezhë dhe Sapë), që kanë ndërmarrë këtë veprim, janë kryer këto hapa, por një gjë bie në sy që kjo është një përpjekje për t’i dhënë përgjigje një situate të rënduar. Ndëshkimi në Kishën Katolike është gjithmonë një ‘extrema ratio’, pra ndërmerret vetëm atëherë kur janë shteruar të gjitha rrugët e tjera. Dhe ndëshkimi ka gjithmonë një qëllim të dyfishtë: ruajtjen e integritetit të bashkësisë dhe rekuperimin e individit. Nuk di të them tani se sa do të ndodhë kjo gjë pas këtij dekreti. Gjithsesi të jetë, Kisha ka për detyrë të saj thelbësoren të jetë shenjë e dashurisë së Hyjit në Tokë i cili nëpërmjet Birit të tij Jezu Krishtit dëshiron “ta shpëtojë botën dhe jo ta dënojë atë”. Kisha gjithmonë duhet të flasë gjuhën e dashurisë, paqes dhe harmonisë.

Kisha angazhohet në një çështje të tillë. Krimi po na gërryen, gjakmarrja po u merr jetën edhe vajzave të vogla dhe shteti nuk e parandalon dot. Mendoni se kemi të bëjmë me një pikë të reflektimit shoqëror e fetar, apo shoqëria është në pikën e saj kritike?

Lulëzimi i krimit është i lidhur me situata të caktuara historike dhe ka shkaqe të shumta. Nuk mund të themi që kishte më pak krime në kohën p.sh. të Jezusit para 2000 vjetësh. Në fakt ai u dënua në vend të një krimineli dhe vrasësi, Baraba, e gjithashtu dy “shokët” e tij në momentin e kryqëzimit ishin dy kriminelë, dycuba. E keqja nuk duhet të habisë. Më shumë duhet të habisë kur njeriu nuk reagon ndaj saj. E mendoj që refletkimi ynë si shoqëri duhet të jetë pikërisht mënyra se si reagojmë individualisht apo komunitarisht ndaj këtyre fenomeneve. Cfarë strategjishë përpunojmë dhe vëmë në zbatim e kryesisht strategji edukimi ndaj dashurisë për jetën si psh në shkollë, kishë apo komunitet fetar në përgjithësi? Ti përmende vajzat që vriten të pafajshme. Por a mendojmë ndonjëherë me sa lehtësi vriten ato vajza e djem ende të palindur nëpër klinikat abortive? Edhe ato janë të pafajshëm. Ka një genocid të heshtur që konsumohet përditë.

A mendoni se ky dekret do të prodhojë efekte konkrete pozitive në parandalimin e këtij krimi të kobshëm?

T’ia lëmë kohës. Mendoj se në vazhdën e asaj që thashë më sipër Kisha duhet të punojë nëpërmjet meshtarëve, burrave dhe grave laikë të përgatitur në drejtim të edukimit për jetën, në shpalljen e dashurisë mes njerëzve dhe jo të urrejtjes. Unë jam vetë meshtar, e nganjëherë mendoj se nuk i kemi bërë të gjithë hapat e duhur në këtë drejtim për të arritur në një dekret i cili përjashton një njeri nga bashkësia duke e anatemuar atë. Mendoj që ne si Kishë duhet të ngremë zërin për forcimin e ligjit dhe zbatimin e tij. Kisha ka gjithashtu për detyrë të akuzojë sistemin e korruptuar dhe të japë dëshminë e saj. Ligji është mjaft i mirë, por neve na duhet një sistem drejtësie i pakorruptuar dhe pakorruptueshëm, gjykatës dhe prokurorë që besojnë përnjimend te drejtësia, të pathyeshëm ndaj barrës së dhuratave nën dorë. Ky është problemi më i madh që kemi. Një dekret ckishërimi nuk zgjidh asgjë i vetëm edhe në rastin kur ai është në kohën dhe vendin e duhur.

Krimi i gjakmarrjes lidhet me një të drejtë zakonore të lashtë të shqiptarëve. Shpesh në krenohemi se dimë ti ruajmë zakonet tona, por ky është një zakon që duhet ta kishim harruar. Si mendoni, çfarë duhet bërë kundër këtij zakoni kriminal?

Rregullat e vrasjes për të marrë hak janë vendosur në një kohë me një mendësi juridike ndryshe nga e jona sot. Është një mënyrë rregullimi e bashëksisë. Në ato kohë, pra për shumë shekuj, drejtësia ishte e bazuar në rregulla të caktuara nga vetë bashkësia sikurse ka qenë edhe në shumë vende të Europës. E drejta mesjetare është e mbushur me rregulla të tilla. Por ama kishte rregulla të caktuara, cënimi i të cilave ndëshkonte fajtorin deri edhe në përjashtimin e tij nga komuniteti dhe territori e konfiskimin e të gjitha të mirave materiale. P.sh. askush nuk kishte të drejtë të merrte hak duke vrarë një grua, një fëmijë apo priftin, prerja e mikut në besë, etj ndëshkoheshin rëndë. Në atë logjikë kishte kuptim edhe kjo “larje hesapesh”. Mos të harrojmë e të flasim me objektivitet për atë kohë kur edhe Kisha Katolike ishte pro dënimit me vdekje. Vetëdijësimi progresiv i Kishës, por edhe i shoqërisë ka bërë që ky dënim të hiqet nga shumë legjislacione e të jetë ndër kushtet e integrimit europian. Sot ne jetojmë në një kontektst tjetër shoqëror e mbi të gjitha juridik. E drejta penale parashikon dënime për vrasjen sipas rasteve. Dhe rruga që duhet ndjekur është pikërisht ajo e edukimit me ligjin dhe me të drejtën që fillon në bankat e shkollës dhe në vatrat familjare paralel me edukimin për fenë, artin, të bukurën, etj. Të ruash traditat e mira do të thotë pikërisht këtë që të jetosh me kohën dhe të edukohesh me të mirën. Vrasjet që bëhen sot për hakmarrje nuk kanë të bëjnë me zakonin, por me një istikt primitiv hakmarrjeje dhe sidomos me amullinë që vjen nga një sistem i drejtësië problematik sikurse është ai shqiptar.

A është duke bërë sa duhet, sipas jush, shteti kundër krimit të gjakmarrjes?

Nuk mund të mohohet puna dhe vetmohimi i shumë punonjësve të drejtësisë. Shumë prej tyre sidomos në forcat e policisë kanë dhënë edhe jetën. Por nuk funksionon zinxhiri në plotësinë e tij. Herë njëra hallkë e herë tjetra shkëputen dhe bien pre e korrupsionit, frikës, indifrencës e c’është më e keqja, cinizmit (dmth nuk e kanë përnjimend). Sikurse thashë, tashmë sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka probleme të rënda. Kjo është pranuar edhe nga vetë krerët e drejtësisë. Unë mendoj që nuk po bëhet sa duhet ose më mirë nuk po punohet me përkushtim ndaj krimit në përgjithësi. Paralel me forcimin e ligjeve duhet të shkojë edhe përgatitja apo formimi i punonjësve të ligjit, nga polici më i thjeshtë deri te krerët më të lartë me dashurinë ndaj ligjit. Edhe ata vetë duhet të formohen në mënyrë të tillë që ta kenë seriozisht atë që bëjnë. Nuk mjafton vetëm të dish përmendësh nene e ligje. Edhe një polic trafiku i di përmendësh nenet e kodit rrugor, por i përdor ato më shpesh si mjet shantazhi për të marrë dicka nën dorë se sa për të ndëshkuar fajtorin.

Po shoqëria cfarë mund të bëjë, si mund të ndikojë pjesa tjetër e shoqërisë që nuk është e prekur nga ky fenomen?

Nuk ka një pjesë të shoqërisë që nuk është e prekur nga fënomeni. Shoqëria shqiptare ka probleme të thella në këtë drejtim. Krimi nuk është vetëm ai i gjakmarrjes. Në muajt e fundit krimi ka qenë i shtrirë nga veriu në jug. Ne kemi një shoqëri të sëmurë e cila ka nevojë të shërohet. Në thelb shoqëria jonë është e zëmruar, plot me inat dhe mëri. Mjafton të shohim formatet e debateve telvizive ndërmjet opinionistëve, debatet në parlament e më gjërë, sjelljet në rrugë, dhuna në familje. E kaluara komuniste na ka lënë një shoqëri thelbësisht konfliktuale. Edhe kush nuk është i prekur nga fenomeni material i gjakmarrjes jeton një mendësi në të cilën ligji zbatohet nga frika ose se nuk kam nga t’ia mbaj dhe jo nga dashuria për të dhe për të mirën e përbashkët.

Unë kam 18 vjet që shkruaj për gjakmarrjen dhe kam vizituar qindra e qindra familje e njerëz të ngujuar. Shpesh ndihma ndaj këtyre njerëzve është kuptuar si ndihmë për ushqime e veshmbathje, pra këta njerëz duhet të vujanë në bugrun e shtëpisë së tyre ku ata qëndrojnë në arrest shtëpie pa vendim gjykate. A është ky një problem që lidhet me shumë me mosfunksionimin sic duhet të shtetit e drejtësisë, apo është më shumë cështje e prapambetjes ekonomike e kulturore?

Ka shumë arsye. Së pari shteti kur nuk arrin të kapë fajtorin nuk mund t’i kërkojë dikujt të dalë nga shtëpia ose duhet ta mbrojë atë, por kjo ka kosto të lartë. Së dyti formimi me ligjin dhe të drejtën kërkon guxim nganjëhëre edhe vetëflijim. Të jesh i lirë ka kosto të lartë. Fatkeqësisht shumë familje të ngujuara jetojnë në mjerim. Nuk e di se sa ka bërë në këtë drejtim shteti, kisha apo shoqatat e ndryshme. Unë këmbëngul në faktin që solidariteti ndërfamiljar e ndërnjerëzor në këto raste është shumë i rëndësishëm, madje vendimtar. Nëse në një fshat dikush ngujohet, të gjithë të tjerët paralizohen dhe e shohin si një problem të atyre dy familjeve. Jo! Ai është problem i të gjitha fshatit, zonës, i të gjithë neve. Mungesa e kësaj logjike që puna, vuajtja dhe padrejtësia ndaj tjetrit më intereson edhe mua con në lulëzimin e këtyre fenomeneve. Një shoqëri e formuar dhe solidare do të bëhej mur përreth atij të, cilit i kërcënohet jeta, e kështu gjaksi do ta kishte më të vështirë pothuajse të pamundur që të vepronte. E njëjta logjikë është edhe ajo mafioze, ku heshtja dhe indiferenca kthehen në humus për lulëzimin e të keqes dhe krimit. Për këtë duhet të punojnë shumë të gjitha insitucionet në vecanti ato fetare dhe shoqatat e ndryshme.

Dom Gjergji, ju jeni edhe vetë aktiv ne media. Mendoni se media mund të bëjë më shumë kundër kësaj plage sa kriminale aq edhe sociale?

Shumë! Unë kam disa vite që jam i pranishëm në media nëpërmjet opinioneve dhe intervistave e së fundimi prej tre vjetësh si Zëdhënës i Konferencës Ipeshkvore të Shqiëprisë. Mund të them me plot bindjen se mediat kanë një rol të pazëvendësueshëm në këtë punë. Në rradhë të parë mediat duhet të angazhohen në dhënien e shpresës. Në c’mënyrë? Sigurisht duke dhënë edhe kronikë të bardhë paralel dhe po aq sa kronika e zezë. Më pas jo gjithcka duhet të informohet dhe thuhet. Në këto ditët e fundit ka tepër lajm të keq, tepër. Dikush që ulet përpara televizorit të dëgjojë edicionin kryesor të lajmeve helmohet qysh në fillim. Nuk ka një lajm pozitiv. Kjo është shumë keq. Një forum i mediave në këtë sens do të ishte i rëndësishëm dhe pse të mos shërbejë kjo intervistë si një nismë ku ne takohemi dhe flasim për këtë cështje. Së dyti mediat mund të shpallin konkurse në të cilat shkruhet për cdo gjë të bukur që ndodh në kundërshtim ndaj këtij fenomeni, apo për trajtimin e fenomenit.Poashtu rëndësi ka edhe përgatitja e reporterëve që të trajtojnë cështje të tilla me delikatësën dhe komptencën e duhur.

Ka zëra që mendojnë se një rikthim i dënimit me vdekje për disa lloje krimesh, mes të cilëve edhe ai për gjakmarrje, mund të ishte një ndihmë në luftën kundër këtij krimi. Si mendoni ju?

Jam kundër dënimit me vdekje. Nuk do të zgjidhte gjë. Të kishte qënë kështu do të kishte zgjidhur problemin dhë në shoqëri të tjera, por nuk e ka zgjidhur. Një shtet ka për detyrë të izolojë keqbërësin, por jo ta vrasë atë. As shteti e askush tjetër nuk mund ta prekë Kainin.

Bisedoi: Mentor Kikia

 

Marre nga: http://www.gazetaidea.com/dom-gjergj-meta-para-vrasesve-kisha-te-shkisheroje-drejtesine-e-korruptuar/



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora