E premte, 29.03.2024, 06:51 AM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Koha për zgjim kulturor

E premte, 05.10.2012, 07:22 PM


Koha për zgjim kulturor

Nga Ndue Ukaj

Kombi dhe kultura janë një njësi e pandashme. Në dijet e ndryshme humane, ekzistojnë definicione të ndryshme për kombin. Ndërsa, ai më përhapuri, kombin e koncepton si një grup i njerëzve të cilët identifikohen me njëri-tjetrin nëpërmjet një trashëgimi të përbashkët dhe një kulture të përbashkët. Vështruar në këtë kontekst, asnjë komb s’mund të kuptohet pa kulturën e tij. Edhe etnicitet, si njësi më e madhe se kombi, ndërlidhet me identitetin kulturor. Kështu, kultura është shtrati mbi të cilin formësohet, rritet, lartësohet dhe merr frymë krijesa e quajtur komb. Për më tepër, kultura është fanari që mban të ndezur flakën patriotizmit brenda një kombi dhe i bashkon qytetarët rreth një ideje e ideali që është kombëtar. Në këtë mënyrë, kultura, ka në vetvete vlerën e një udhërrëfyesi, që ia difton etnisë së caktuar, sistemin e vlerave të përbashkëta, rreth të cilave bashkohet një komunitet njerëzish që e përbëjnë kombin.

Një kombi që i mungon njëtrajtshmëria dhe hemogjinitetit kulturor (Nibil Çika), atij i mungon ndërgjegjja kombëtare e vërtetë dhe e përsosur. Prandaj, dijetari  Çika shkruante se vlera e një kombi është në lidhje të ngushtë me ketë ndërgjegje, që është vepër kulture e qytetërimi. Një komb, me identitet të shartum, e ka vështirë ta gjej rrugën drejt së ardhmes. Për më tepër, një komb me identitet gjysmak, e ka të pamundur të konsolidoj vetveten dhe të ardhmen e tij.

Në agimin e mijëvjeçarit të tretë, kur po bëjmë përçapjet e fundit, të marrim vetveten, kultura na mundëson ta njohim më mirë vetveten, kombin, të kaluarën, rrugët e formësimit të tij dhe shenjat e tiparet dalluese që e veçojnë duke e bërë jetë të identitet i veçantë. Ky është parakusht i domosdoshëm që ta kuptojmë drejt dhe pa ekoivoke lirinë e njëmendtë, duke synuar përsosmërinë e plotë të individit si dhe bashkësisë, por edhe solidaritetin dhe nevojën, që të ruhet homogjinitetin kombëtar, si parakusht për të funksionuar si komb i shëndoshë e homogjen.

Andaj, ata që kanë përgjegjësi kulturore, nuk duhet të harrojnë, e më së paka ta nënvlerësojnë përmasën e ndikimit të kulturës dhe mundësinë e përfaqësimit që ofron ajo. Kultura është vet shteti, vetë kombi. Përtej saj, janë fluskat e ndryshme, që herë shkëlqejnë,  e herë s’shihen fare. Kultura, duhet kuptuar si një vegël që ndihmon përsosmërinë kombëtare, gjallëron dhe forcon imunitetin kombëtar, ndihmon në forcimin e vetëdijes kolektive, që të ecet sigurt drejt shtigjeve të reja dhe jo assesi të jetë pengesë për të tashmen dhe të ardhmen. Për këtë arsye, na duhet një aksiologji kulturore, një teori e vlerave, që bën ndamjen e vlerave të njëmendta nga psuedovlerat dhe vlerat e njëmenda kombëtare nga shtresat e mëvonshme të huaja. Që të ndodh kjo, elitat shoqërore të përgjumura, duhet të jenë në nivelin e përgjegjësisë dhe të përpiqen ta ndihmojnë përsosmërinë e kombit, nëpërmjet ideve të iluminume, që synim parësor kanë të mirën e përbashkët.

Shoqëria shqiptare, ka nevojë të gjej pika të bashkimit, për të nxitur idetë solidare, në mënyrë që të flakën dallimet, shpirtngushtësia dhe tendenca në rritje, për ta pa dhe vlerësuar individin më të rëndësishëm se bashkësinë, fragmentaren ma të madhe se tërësinë, identitetin gjysmak më të rëndësishëm se atë unik. Në këtë betejë, kultura, nëse është në nivelin e përgjegjësisë që dueht të ketë, mund ta edukon kombin në plotëninë e vet, duke e aftësuar t’iu përgjigjet me vetëdije sfidave të ndryshme.

“Një komb ja ka një kulturë kombëtare, ja s’ka asnjë”-thotë filozofi dhe psikologu gjerman,  Eduard Spranger. Këtë mendim për kulturën dhe përmasën e manifestimit në jetën e një kombi, e përqafuan thuajse unanimisht mendimtarët e shquar të viteve të 20-30-ta, duke filluar nga eruditi Faik Konica, patriarku i kulturës shqiptare, Gjergj Fishta, pastaj Lumo Skendo, Fan Noli, Branko Merxhani, Vangjel Koca, At Anton Harapi, e shumë e shumë të tjerë, që përbëjnë aureolën e kulturës shqiptare. Kësisoj, ata bën një përpjekje gjigante për formimin e shpirtit kombëtar (Faik Konica). Ky shpirt, mund të formohej vetëm nëpërmjet një vetëdije të qytetëruar e të përbashkët kulturore.

Kultura dhe njerëzit e kulturës, kanë përgjegjësi të dorës së parë brenda kombit dhe bashkësisë njerëzore. Njerëzit e kulturës, duhet të ndihmojnë që të formohet një ndjenjë e lartë e përgjegjësisë për shtetin, mirëvajtjen e tij, forcimin e tij dhe mbrojtjen e tij. Në këtë mënyrë, kultura e ruan përmasën e vet autentike dhe ndihmon njëtrajtshmërinë identitare, duke ja diftue kombit faktin se një komb, ja ka një kulturë, ja s’ka asnjë (E. Spanger).

Nga këto që u thanë, mund të konstatohet, se kultura është shtylla bazike mbi të cilën kombet formësojnë idetë e bashkimit rreth idealeve të përbashkëta dhe të mirave të përbashkëta. Pikërisht është kultura ajo që tek shumë popuj, ka shuar dallimet e mundshme, qoftë gjuhësore a rajonale dhe ka krijuar filozofinë e bashkimit rreth idealeve energjike kombëtare. Italishten e ka unifikuar gjuha e Dante Alighieri, që në njëfarë mase i ka parapri edhe krijimit të kombit modern italian. Kjo ka bë që nga shumë mendje të ndritura, kombi dhe kultura të njëjtësohen. Një komb pa kulturë, gjithmonë rrezikon t’iu ekspozohet tensioneve të brendshme dhe nuk mund të krijojë imunitet ndaj tendencave që i vijnë nga jashtë.

Kombi shqiptar, mbijetesën kombëtare e ka fal njerëzve të kulturës, misionarëve të dyfishtë, që kulturën e kanë konceptuar si mision dhe detyrim kombëtar. Etërit e kombit shqiptar, janë njerëz të proviniencës kulturore, ngase shumica e tyre ishin shkrimtarë. Kultura shqiptare, e cila edhe pse u zhvillua nën presion të madh, nën tiraninë e pushtimeve shekullore, qëndroj stoike dhe u përpoq të mbaj gjallë kujtesën, traditën dhe t’i sforcoj idealet për liri dhe mbijetesë kombëtare. Kështu kultura qe hallka e vetme që mobilizoj kombin për liri. Misioni i kulturës në jetën kombëtare, në të kaluarën e largët, që nga Buzuku e këndej, ishte parësor në gjitha lëvizjet kombëtare. Historia shqiptare, është e mbushur me lëvizje kulturore dhe letrare, të cilat u bën shtylla të shqiptarizmës.

Bazat e kombit shqiptar, i krijuan njerëzit e kulturës, që nga dokumenti i parë i shqipes së shkruar, pastaj me etërit e hershëm, Gj. Buzuku, P. Budi. F. Bardhi, P. Bogdani, Jeronin de rada, Naim frashëri, Gjergj Fishta, etj. Është me rëndësi të përmendin faktin, se, rilindja kombëtare, me program të saj kulturor e kombëtar, u zhvillua kryesisht rreth letërsisë dhe ideve kulturore, që u bën më vonë platformë politike. E njëjta gjë ndodhi në Kosovë në fillimvitet e 90-ta.

Misioni i kulturës në shoqëri, është i shenjtë, është ai mision që s’mund të zëvendësohet me asnjë formë tjetër të aktivitetit njerëzor. Andaj, kultura është shpirti  i një kombi, ajo arteria që i çelë damarët e përgjithshme për funksionim e shëndoshë e papengesa të organizmit kombëtar. Duke e ngulfatur kulturën, një shoqëri rrezikon të jetoj e sëmurë dhe në agoni, e ndarë dhe pa aftësi bashkimi rreth idealeve të përbashkëta, sepse idealet nuk mund të ushqehen nga politika dhe as nga ndonjë segment tjetër.

Në një kohë kur ngarendja pas politikës, ka verbua edhe mendjet më racionale, debati për rolin e kulturës në jetën shoqërore, tek ne, vazhdon të mos ekzistoj. Elita kulturore, me përjashtime të vogla, është strukur pas perdeve të politikës, prej ku maksimalisht pret të përfitoj ndonjë të mirë materiale. Ky s’është misioni i një elite  kulturore dhe as i një kulture kombëtare. Një elitë kulturore, që nuk e ndjen detyrën e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes kombëtar, nuk e meriton epitetin e saj.

Shoqëria shqiptare, që të transformohet drejtë dhe të funksionoj shëndetshëm, duhet ta kuptoj përfundimisht rolin dhe misionin e kulturës në shoqëri dhe jo ta marxhinalizoj kulturën. E në anën tjetër, elitat kulturore, duhet të zgjohen nga ky gjumë letargjik dhe të bëhen mendëtarë që din ta orientojnë kombin, në këtë kohë kur njeriu shqiptar sfidohet me dilema nga më të ndryshimet dhe kur ankthet e pasiguria janë në rritje e sipër.

Nacionalizmi kulturor, është realisht shtylla mbi të cilën funksionon çdo shoqëri perëndimore. Francezët i frymëzon letërsia e tyre me përmasa planetare, gjermanët i shndrit para botës Gotheja, ndërkaq italianët kudo që janë, mburren ngase janë kombi i Dantës, ashtu sikurse suedezët që janë komb i Alfred Nobelit.

Në jetën kombëtare shqiptare, kultura ka luajtur rolin e fuqishëm në konsolidimin e identitetit shqiptar dhe ka stimuluar kujtesën dhe mbijetesën kombëtare. Mund të thuhet se “Lahuta e Malcisë” e Gjergj Fishtës, u bë platformë për lëvizjen kombëtare në Kosovë, ndërsa portreti i shkrimtarit Pjetër Bogdani u bë shëmbëlltyrë për liderin e Kosovës në vitet 90-ta, Ibrahim Rugova.

Një nacionalizëm kulturor, i cili ka dhënë rezultate evidente në kulturën shqiptare, ishte ai i qarkut kulturor të Shkodrës, i tubuar rreth françeskaneve dhe ai i viteve të 30-ta, siç njihet në kulturën e shkrimit shqip, me disa pishtarë të kulturës shqiptare, që lanë gjurmë të thella në shumë fusha të jetës kombëtare. Ky nacionalizëm, ka qenë burimor, i frymëzuar nga idetë e larta dhe fisnike kombëtare, ka qenë një nacionalizëm i kultivuar dhe me funksione të përgjithshme kombëtare e kulturore, që ka shtruar me pedanteri për debat plagët kombëtare dhe ka dhënë alternativa si organizohet kaosi i brendshëm. Ajo elitë e asaj kohe, u mundua të shuante dallimet brenda kulturës, për të krijue shenjat e kodifikuara nacionale, me tipare dhe heronj të përbashkët, letërsi të përbashkët, vetëdije të përbashkët dhe kujtesë historike të përbashkët. Kjo krijonte parakushtet, të projektohej një e ardhme e përbashkët.

Politika në hapësirat shqiptare, asnjëherë s’ka qenë domeni që ka prodhuar nacionalizëm. Përkundrazi, për fat të keq, politika ishte dhe mbetet domeni që ka prodhuar më së shumti antiheronj dhe renegatë. Kështu është e mbushur një pjesë e historisë sonë.

Kombin shqiptar, ku do që jeton, ka kohë që i ka ngopur politika. Ata kanë nevojë për një zgjim kulturor dhe për një vetëdije kulturore. Ata kanë nevojë të ushqehen me ide kulturore e ideale kulturore, sepse vetëm këto ide e ideale, mund ta mbajnë gjallë fanarin e ndezur të një shpirti gjallërues kombëtar.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora