E premte, 29.03.2024, 02:35 AM (GMT)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Kostello Sholla

E enjte, 04.10.2012, 06:54 PM


KRISTAQ TURTULLI

KOSTELLO SHOLLA

Kostello Sholla ish i pa përsëritshmi, bas baritoni i serenatave, pijetari shëmbullor, I kudogjenduri i panaireve dhe aktiviteteve të ndryshme artistike, karamele bërësi dhe shitësi zemërgjërë.  Karamelet e Kostello  Sholles ishin të veçantat në të gjithë trevën, si dhe në  trevat e tjera të shtetive fqinj. Karamelet e Kostallos ishin të shijshme, të ëmbla, shumëngjyrëshe, me mente. Kostello qe njohës i mirë i nektarit të luleve. Me nektarin e luleve, përgatiste esencat e ndryshme të karameleve, i hidhte në kazan, përgjatë përgatitjes se brumit të karameleve. Kostello kish përgatitur forma të ndryshme; fluturake, rrumbullake, zemrake,dredhrake, bastunake. Për ritet fetare  prodhonte karamele të vogla në forme bajame. Në fejesa përgatiste karamele zemrake. Në martesa, karamele me zemra të mëdha shumëngjyrëshe, me aroma dehëse. Kostello Sholla ish hokatari, pijetari qejfpaprishur. Qejfliu i grave, dorëshpuari i burrave, zemërbardhi i fëmijëve.

Në përvjetorin e një feste fetare, për nder të lindjes së një shenjtori të madh. Festa organizohej në shtetin fqinj, por në realitet shenjtori me të gjitha ritet, ngjyrat festive ishin të vendlindjes së Kostellos. Kostello Sholla u kapërdi me vështirësi për të mos e dhënë veten e duke qeshur ua tha në fytyrë:

”More vëllezër, si shumë gjëra që keni këtu ju në qytetin tuaj edhe ky shenjt i madh që përkujtoni është lindur dhe rritur në qytetin tim. I di Kostello mirë këto punë. Ka studiuar Kostello më parë historinë dhe legjendën. S’ka gjë, festoheni, është gjë e mirë dhe Kostello ju respekton shumë...”

Vendasit përdrodhën buzët dhe nuk folën. Si zakonisht në festën e madhe u ftua Kostello Sholla, të shiste karamele, të shijshme, njëkohësisht të demonstronte  mënyrën e prodhimit të tyre. Çdo aktivitet pa karamelet e Kostellos ishte si gjella pa kripë. Vendasit e pritën Kostellon me zulmë dhe bujë. Ata i kishin përgatitur vendin, ku të flinte, si dhe ku të vendonte tezgat gjatë ceremonisë fetare, në krah të kishës, aty ku rruga ishte detyrimisht e kalueshme për të gjithë vizitorët. Kostello fjeti lehtë. Në mëngjes, hapi tezgat, vendosi letra të pastra, të lyera me vaj arome, për të mos lejuar ngjitjen. Vendosi në tavolinë karamelet, si lulet më të mrekullueshme të pranverës, së bashku me fluturat. Tregtaret e tjerë e vështronin  me bisht të syrit me zili dhe mëri. Kostello ishte i çiltër, nuk i vinte re, shënd e verë shpërndante rreth e rrotull karamele.

Atë vit Kostello Sholla, pati shitje të jashtëzakonshme dhe dehje të madhe. Paratë e fituara i bëri rrush e kumbulla;duke dhuruar grave lule, karamele fëmijëve dhe gota të mëdha me raki burrave. Ai vit ishte lavdia, xhelozia dhe gracka e tij. Mjalti dhe hidhësia. Të gjitha femrat me buzët e tulta i dhuruan puthje të nxehta, jo në faqe, por gjithë afsh në buzë. Në copëra fletësh të shkruara bukur, e ftonin:

‘Kostello në mesnatë të pres.’

Kostello Sholla u gjend në mëngjes, në shtratin e tij i zhveshur lakuriq, së bashku me një femër të panjohur, lakuriqe dhe ajo. Vendasit shqyen derën dhe hynë brenda gjithë zhurme. Dhjetëra sy të egërsuar, nervozë, u ngulën mbi të.

“- Kostello, Kostello!”

Vajza kishte lëkurë tmerrësisht të bardhë, ngjante me shumë një lepurushe e bardhë. Syvegjël, si dy pika bojë të zezë. Hundë poçe dhe gojë katrore. Flokët e vajzës ishin gati pa ngjyrë, rendonin me shumë drejt të gjelbrës se shpëlare, të lodhur. Kostello kërkoi të ngrihej, me njërën dore mbuloi trupin me çarçaf, ndërsa dorën tjetër e vendosi mbi dyshekun e fortë prej kashte

Dëshmitarët e zhurmshëm e mbytën njëzëri.

“- Qëndro aty, Kostello Sholla.”

Kostello lëshoi trupin të binte në dyshek. S’foli.

“- Të puthem Kostello, por jo të na marrësh nderë, -  i thanë,- tani qëndro ashtu siç je, gollomesh, të vijë prifti të martoje. S’ka derc  merc.”

Kostello me në fund hapi gojën, u përpoq të mbrohej:

“- More, miq të mirë, si do më martoni kështu, -  ia bëri, - më thoni si?! Ku e njeh Kostello pijetari këtë femër. Kjo nuk ka as ndonjë bukuri të marrë, më ngjan si lapucere. Prisni.”

“- S’e njeh thotë, - vendasit zbardhen dhembët me dashakeqësi, -  Nuk e sheh veten si je, i zhveshur gollomesh, si shejtan me brirë që lufton shenjtin e madh. Kostello, bëre dashuri gjithë natën, e pa pikë turpi na shan vajzën më të bukur të qytetit. Je zhgërryer si derr në kashte Kostello. Shihe, nuk di ku ke çarçafin dhe këmbët. Kostello, Kostello.”

“- Prisni, martoni ose burgosni rakinë, jo Kostellon, -  u lut ai, -  unë nuk e preka me duar këtë femër, rakia ndoshta. Pyesni rakinë.”

Vajza  bardhoshe, vërtiste sytë sa andej këndej dhe ngjeshtë hundën poçe, pas gjoksit të zbuluar të Kostellos. Ajo nuk ngjante si një lepurushe, ishte më shumë dhelpërushe, ndoshta dhe gjarpërushe.

“- Shko tutje moj, që nuk ta di emrin. Pa me thuaj, mirë unë isha tapë, ti çfarë ishe, shishe?! -  i thosh ai, - thuaj të drejtën. Mos e korit Kostellon.”

Ajo s’i ktheu përgjigje. Filloi të qante, shinte lotët dhe qyret e mbështillej si mumie me çarçaf.

“- Qan dreqi, qan. E lidhi Kostellon me litarë pabesie dhe tani qan, -  pëshpëriste Kostello, - më zuri magjia e puthjeve. Po ti moj që nuk ta di emrin, ku ishe, nga mbive në këtë shtrat prej kashte, ishe kakaroçe?! Ç’e do moj Kostellon pa zemër, më thuaj çe do?”

Ajo nuk fliste, vetëm qante.

Ashtu të mbështjelle me çarçaf, u vunë kurore. I martuan. Vendasit i thanë, e urdhëruan prerë, pa i lënë kohë të mendonte:

“- Kostello!”

“- He, -  ia bëri ai.”

“- Puthe nusen.”

Kostello mori frymë.

“- Daleni, -  tha ai, -  unë nuk i di emrin, si të puth. Si të thërras?”

“- Qenka ngopur menjëherë maskarai, ndaj nuk do të puthe nusen, -  folën vendasit me zë të larte.”

I veshën me përdhunë me tesha të reja. Kostello Sholla vështronte vajzën me bisht të syrit. Ajo herë i dukej miushe herë dhelpërushe, gjarpërushe, por jo lepurushe. Nuk i kujtohej ta kish parë ndonjëherë dhe jo më pastaj të kish biseduar. Kostello puthi plot femra: bardhoshe, bionde, ezmere, brune. Këtë miushe, dhelpërushe, gjarpërushe nuk mbante mend ta kish puthur ndonjëherë. I futen në dhomë dhe i detyruan të flinin se bashku ligjërisht.

“- Më jepni të pij, të hyj brenda, -  bërtiti me të madhe Kostello, -  nuk bëhet ajo punë esëll. Kuptoni. Isha i dehur kur m’u fut kjo në shtrat. Eh, e lidhën Kostellon e lidhën!”

“- Jepini raki, të dehet, të thyejë qafën, -  thanë vendasit, - i martuar është tani. S’ka më tërci dhe vërci.”

Kostello piu raki mebgllënka të mëdha direkt nga gryka e damixhanit. Përplasi buzët, ia krisi gazit, qeshi me të madhe, duke rrahur gjoksin me tërsëllëm.

“- Tani moj virane, jallane, tullane, -  bërtiti ai, -  prit,  mu kujtua,Tula e ke emrin. Hë?! Më dukeshe më e bukura e botës. Hajt, le të kërleshemi në çarçafët e botës. Me unazat e botës. Me rakinë e botës. Kashta e botës. Nuk e di veglat a janë të botës. E kam fjalën për hallatet tona. Mirë, gjysmat tonat, pra hallati im, dhe gjysmat të botës, pra vrima jote provokuese, e embël dhe e hidhur së toku. Le të bëjmë seks. Le të bëhet nami në qafë, në fytyrë, në gjirin e në shpellë të botës, kur e shenjti është i yni por e ka përlarë bota.”

Kostellos, nëpër mjegull i u kujtua. Kjo femër flokë shpëlarë, tmerrësisht e bardhë, i u qep atëherë, kur rakia i kishte bllokuar trurin. Ai u mbështet i tëri tek ajo dhe eci nëpër humbëtirë. Ata ishin vetëm dhe ajo e tërhiqte me durim nëpër shkallët e ngushta të shtëpisë me qira që i kishin dhuruar vendasit, për një natë. Ai nuk ishte i sigurte në kishte bërë seks me të apo jo. Atëherë si u gjend i zhveshur lakuriq, pa një leckë në trup! Mbi të gjitha nga u gjenden vendasit dhe hynë me potere në dhomën e tij!

Në mesnatë, kur i doli rakia, Kostello donte të arratisej duke lidhur çarçafin në hekurat  e dritares. U përpoq të mos bënte zhurme, mos zgjonte miushen, dhelpërushen, gjarpërushe, por ajo i mbiu e zhveshur lakuriq, me gërshërë në dore. Sytë e saj shkëndojinin si dy thëngjij të vegjël, të ndezur në errësirë. Ajo nuk fliste, hapte dhe mbyllte  dy anët e gërshërës, si akrep.

“- Hë, më thuaj çfarë do, burrë, -  pëshpëriti ai, -  po burri do të ikë.”

Ajo luajti kokën kërcënueshëm dhe filloi të priste çarçafin e lidhur. Kostello vështroi poshtë, po të hidhej do thyente kokën.

“- Na moj ti, Kostello është martuar me rakinë, qejfin, jo me Tulen. Lëre Kostellon të ikë. - i tha ai.”

Ajo nuk po bënte shaka, po i hollonte çarçafin.

“- Shiko, na moj. Uh, ç’më polli belaja, - foli i mërzitur  Kostello, - na moj. A më do ti, a do Kostellon me gjithë raki? Me lër të ik, për atë zot!

Ajo luajti kokën në shenjë mohimi.

“- E do Kostellon ti?”

Ajo luajti kokën në shenjë pohimi.

“- Shiko, e dashka Kostellon kjo. U lidhe Kostello. Mirë, Kostello nuk mban inat.”

Tula luajti kryet e gëzuar, u përdrodh vërtet si gjarpërushe. Ai  u ngjit ngadalë dhe hyri në dhome. I tha vajzës të vishej. E lidhi nga e para çarçafin, duke vështruar Tulen që nga koka deri në këmbët dhe sharre rakinë.

“- E zunë Kostellon, - foli me vete, -  së paku mban erë femër. Është i mirë Kostello s’të lë kurrë në baltë.”

Ata u kacavjerën në çarçaf dhe humbën nëpër natë. Ai gati vraponte,  dëgjonte pranë veshit frymëmarrjen e shpeshtë të Tules. Ajo nuk i ndahej.

“- Le të jetë sikur e kam rrëmbyer, qyteti nuk desh dhe unë desha -  murmuriti, - së paku të ngushëlloj shpirtin.

Gjalpërushja s’bëzante, e ndiqte pas si hije, pior e hijet e tjera përdidheshin rreth tij. Nata ishte e thellë dhe qyteti i shtetit të huaj gromësinte.

Kostello e mësoi Tulen të  punonte brumin e karameleve, por mbledhjen, zënien dhe hedhjen e nektarit të luleve nuk ngutej tia mësoi. Ai e zbonte Tulen e mbyllte derën nga brenda me çelës, kur përgatiste esencën. Punonte vetëm. Tula e inatosur i trokiste në derë, bërtiste, shante. Kostello nuk i përgjigjej, e shtynte dita ditës.

“- Nektari i luleve është aroma, drita, ëndrra e jetës, -  thoshte Kostello, -  nektari dhurohet. As nuk merret dhe as nuk vidhet.”

Tula i vodhi lirinë. Sidoqoftë i dhuroi tre vajza. Të gjitha diçka gjelbëruake, si tre kotele. Kostello kishte krijuar tre trasta, fuste vajzat brenda, i hidhte në shpinë. Së bashku me to, bridhte fshat më fshat,  shiste karamele. Vetëm e vogla, Leta ishte sikleti i Kostellos, i ngatërrohej ndër këmbë dhe gërmonte nëpër xhepa. Vajza i vidhte paratë. Kostello i mërzitur ia shkulte duart nga xhepat dhe tundte kokën trishtueshëm.

“- Mos bijo, mos. Ajo jot ëmë, dhelpra Tule të ka mësuar të gremisesh në xhepa, është ves i keq dreqi- i thoshte e shtonte rënkueshëm, -  jot ëmë m’i zbraz xhepat natën, kur jam i dehur. E ti moj dhelpërushe e vogël, mundohesh të më ndukesh, ditën! Ik. Lërmë të qetë. S’i ke lënë gjë sat ëme. Shko luaj, shko.”

Kostello thërriste pranë vajzën e madhe, Danën, i jepte të holla për të blerë për shtëpinë diçka për të ngrënë. Më pas i lodhur dhe i mërzitur drejtohej për në lokal. Ai pinte dhe qeraste të gjithë. Kostello dehej ditën. Tula e tradhtonte natën. Kostello qante dhe qeshte përgjatë pirjes. Vetëm Dana, vajza e madhe i qëndronte pranë. Vajza e shkundte nga mënga dhe i përgjërohej të mos humbiste rrugëve por të shkonte me të në shtëpi. Kostello e vështronte në drite të syrit dhe përmbytej nga lotët. Ai përgjërohej për Danën, vajzën e madhe.

Një ditë të ftohte vjeshte, Kostello u gjend i vdekur, në njërën nga stolat  e vjetër të  lulishtes së qytetit. Kostello dukej sikur flinte, ish gjoks zbërthyer, ku në të i kish qëndruar një gjethe e verdhe bliri, si medaljon i artë. Faqoren bosh të rakisë, e mbante të shtrënguar në dorë. Kostello ishte i ngopur, i dehur. Xhepzbrazur. Shpresëhumbur.

Tula nuk pranoi ta fuste në shtëpi edhe pse vajza e madhe lutej dhe qante me dënesë. Kostello kishte lënë dy gisht letër, futur në xhepin e brendshëm të xhaketës. E gjeti Dana, por vajza nuk ia tregoi Tules.

Kostello shkruante:

“- Në kapakun  e dytë, sekret, të kutisë së madhe të karameleve. Unë Kostello Sholla, kam vendosur disa të holla. Janë kursimet e mija. Të blihet raki dhe përgjatë varrimit tim të pihet, të këndohet, të dehen, të varfrit, zemërbardhët, të gjithë miqtë e mi. Shpirti i Kostellos është avull rakie dhe frymë kënge.”

Dana, vajza e madhe e përmbushi amanetin e të atit. Ajo duroi me gjakftohtësi, zemërimin dhe dhunimin e Tules. Rrugët e qytetit u mbushen me njërës, që pinin,  këndonin dhe kërcenin. I madhi Kostello edhe me vdekjen e tij e shkundi qytetin; dhuroi liri, dashuri dhe këngë. Bashkëqytetarët u mallëngjyen, mblodhën të holla, për nderimin e kujtimit, të thjeshtit Kostello Sholla. Ai nuk ishte vetëm karamele bërësi, shitës, por ishte mbledhësi i nektarit të luleve, ëmbëlsira, mjalti. Ai ishte i varfri dhe njëherësh me i pasuri i qytetit. Miqtë pinin dhe deheshin tek varri i Kostellos Sholles. Ai ishte dehja dhe dhembja. Besnikëria dhe tradhtia.

Tula mblidhte e nervozuar buzët edhe pse me paratë e dhuruar nga bashkëqytetarët, ndërtoi shtëpi të madhe dykatëshe. Tula s’e kish dashur Kostello Shollen. Nuk mundi ti a vidhte esencën e nektarit të luleve. Lakuriqësia e dikurshme ishte trilli i saj i pare dhelparak. Ajo kërkoi dhe krijoi vazhdimisht trille të tjera. Nuk ishte e vështirë t’i gjente. Të gjitha treteshin harroheshin, banalizoheshin. Nuk ishte më një mizë dhe një grerë...”



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora