E premte, 29.03.2024, 03:10 PM (GMT)

Kulturë

Ndue Ukaj: Një libër për kuptimin e jetës

E merkure, 03.10.2012, 06:44 PM


Një libër për kuptimin e jetës

Nga Ndue Ukaj

Në kuadër të librave të shumtë që shkruhen për çështje të ndryshme, librat e momoaristikës, zgjojnë një interesim të veçantë për lexuesin, sepse vijnë si përvoja personale dhe reflektime thellësisht personale. Këto kategori të librave, duke qenë përjetime personale, shpeshherë bëhen referenca për njerëz dhe momente të ndryshme njerëzore. Në këtë aspekt, libri i Marjan Sebajt-Sopit, “Jeta ka kuptim”, (botim i Dritës, 2012), me refleksionet e shumta që ngërthen, me përvojën personale që transmeton, më forcën e besimit që ka në vetvete, mund të bëhet një libër udhërrëfyes për çdo njeri, e veçmas për ata që gjenden nëpër ngushticat e jetës dhe kur ju duket se çdo gjë ka perënduar .

Libri “Jeta ka kuptim”, siç e thamë, i përket zhanrit të memoaristikës. Autori, këtë libër nga fillimi deri në fund, e shkruan si rrëfim personal, një rrëfim thellësisht i jetuar, që të trondit me dramën që ngërthen në vete. Autori rrëfen për jetën e tij besnikërisht dhe këtë e bën, sikur komunikon me lexuesin vazhdimisht, sikur i rrëfehet atij drejtpërdrejtë. Ai rrëfen për sfidat e tij, dhembjet e tij, mirëpo edhe për kënaqësitë që ja ofron jeta, edhe kur dukej se jeta atë e kishte vu para kryqit dhe më nuk kishte kuptim.

Libri “Jeta ka kuptim”, i Marjanit, përveç titullit sugjestionues, është një libër, që bën thirrje, që apelon, që sugjeron, që këshillon, që jep shembull praktikë dhe domethënës, sesi edhe nëpër sfida, kur qielli errësohet dhe kur duket se krejtësisht kuptimi i jetës ka humbur, duhet gjetur forcat e arsyes, që të gjendet kuptimi i jetës. Marjan Sebaj-Sopi, me kulturë dhe besim, me bindje dhe vendosmëri, e sforcon vetveten, në krajatat e mëdha, nëpër të cilat kalon.

Autori bën një rrëfim personal, që e trand lexuesin, sepse aty tregohet një jetë e njomë, e një të riu me përplot ëndrra dhe vizione, e një djaloshi që ishte në moshën më të mirë, në studime dhe që kishte pasione të ndryshme, nga sporti, leximi, puna, deri tek studimet. Papritur, sikur kur godet rrufeja, para tij shfaqet një humnerë. E gjitha ndodh nga një aksident i rënd komunikacioni, që ia rrënon ëndrrat një të riu, pasionet e tij, kërkesat e tij dhe e hedh nëpër dhoma të bardha të spitaleve të ndryshme, i shoqëruar nga mantelbardhw dhe njerëz familjarë që presin lajme për shëndetin e tij. Dhe ky i ri, që ndërton botën e tij nëpër hemisferat e projeksioneve rinore, papritur ndodhet në shtrat, i lënduar keq dhe në pamundësi që të ngritët në këmbët e veta. Çfarë mund të bëj në këso rrethanash njeriu? Autori, i jep përgjigje kësaj pyetje. Ai e kupton se nuk është lehtë, as për të dhe as për lexuesin.

Një sportist i pasionuar, që sapo përfundon një ndeshje futbolli dhe niset ta ndjek ëndrrën e tij, të udhëtimi, të shëtitjes dhe punës studentore, ndodhet në pragun e vdekjes. Shpëton, fal mrekullisë, por mbetet më pasoja. Në këtë gjendje, autori e trondit lexuesin me imazhet që sjell nga jeta e tij dhe gjendja e rënd shëndetësore, nga përpjekjet e tij për të sfiduar, edhe ato situata që realisht për njerëz janë të vështira dhe në dukje të pa sfidueshme.

Ai nuk dorëzohet. Përkundrazi, ai beson. Është stoik në qëndrimet e tij, madje edhe kur i komunikohet lami i hidhur se ai nuk do të ngritët në këmbët e tij, por do të ec me karrocë. Ai ka një qëllim, lartësimin shpirtëror dhe ketë e gjen tek forca e Krishtit, tek kryqi, që për të krishterët nuk është simbol i vuajtjeve, i dhembjeve, i vdekjes, por i shpëtimit, i jetës dhe i gëzimit. Kështu, kryqi që i vihet atij, fillon të transformohet, nga simboli i vuajtjeve, në simbol të shpëtimit, sepse në këtë mënyrë, autori në rrethana të reja, do ta ndjek ëndrrën e tij, duke shkruar, duke qenë aktivist i palodhshëm dhe zë i përhershëm në çështje të ndryshme kulturolgjike dhe ato kombëtare.

Ai sfilitet, nëpër dilema të shumta, nëpër pikëpyetje të shumta, nëpër sfida të njëpasnjëshme dhe kalitet në dhembej, vuajte, humbje dhe shpresa të rrënuara. Në rrugën e tij, Marjan Sebajn –Sopin, e bën të fort besimi, forca e Ungjillit, me të cilin, siç del nga libri, ai është i mishëruar.

Ky libër, në këtë mënyrë, me përvojën që bart, me filozofinë që përçon, me misionin që ka, është një kontribut i mirë, dhe një libër i dobishëm që i shtohet zhanrit të memoaristikës në kulturën e shkrimit shqip.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora