Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Emocionet e bixhozit

| E merkure, 03.10.2012, 09:05 PM |


Emocionet e bixhozit

Nga Entela Binjaku

Një vit më parë tek “Ushtari i panjohur” një punëtor që gjithë ditën priste ta punësonte dikush për të shtruar pllaka, paratë që fitonte i linte në bingo. Gjashtë muaj më parë, në një qytet në jug të vendit, një kryefamiljar rreth të  50 –ave, kishte shitur edhe të vetmin mjet me të cilin ushqente familjen, furgonin, për të luajtur në kazino. Para pesë muajsh, në Tiranë, një 18 vjeçar kishte lënë në lojrat e fatit edhe makinën e blerë nga prindërit të cilët punonin me ndershmëri në emigrim. Dy muaj më parë në qytetin e Fierit, një burrë rreth të 40-ve u vetëflijua në kushtet e një gjendjeje të rënduar psikologjike. Sipas të afërmve ai kishte lënë në bingo edhe lokalin me të cilin mbante familjen.  Një muaj më parë në një nga ceremonitë martesore që kam ndjekur, dhëndri njihej si një frekuentues i rregullt i bingove.

Kështu ndodh çdo ditë tek ne.

Kjo është vetëm një pjesë e tablosë së përditshme që mbush jetën tonë me viktima prej lojrave të fatit. Ajo pasurohet edhe më tej po të flasim për kategori njerëzish, të cilët dallohen për nivelin kulturor, dhe statusin ekonomik dhe social.  Këtu nuk përjashtohen as politikanë të njohur, njerëz të biznesit, të drejtësisë, të medias dhe të artit.

Nëse do të  kishim mundësi t’i publikonim historitë e tyre, ato do të ishin shumë më befasuese. Në to shihet sesi personaliteti i tyre është dorëzuar tërësisht joshjes prej lojrave të fatit, sesi varësia ju dominon edhe jetën familjare, sesi ju ndrydh çdo lloj profesionalizmi dhe sesi ju kompromenton karrierën. Në një shoqëri të vogël si jona, informacioni mbi këto personazhe qarkullon lehtë.

Në të gjitha këto e përbashkëta qëndron tek emocioni i lojës dhe profili i varësisë, i cili nuk përjashton dhe nuk dallon askënd. Nga ana tjetër edhe pasojat që ndjejnë familjarët e këtyre klientëve janë thuajse të ngjashme: paratë që kthehen në problem serioz, orët e pakta kushtuar familjes, neglizhenca e përgjegjësive familjare, grindjet në familje, ulja e rendimentit në vendin e punës etj.

Edhe pse historitë personale, arsyet apo rrethanat që mund t’i kenë nxitur mund të kenë qenë nga më të shumëllojshmet, boshllëku emocional, kënaqësia që jep loja, dëshira, nevoja dhe pasioni për të fituar janë përcaktuese në këtë profil të përbashkët.

Deri në fillim të viteve ‘90 në shoqërinë tonë njihej bixhozi ose kumari, me të cilin nënkuptohej “ një lojë me letra a me diçka tjetër për të nxjerrë fitime, që mbështetet zakonisht te rasti, te dredhitë e te mashtrimet e pjesëmarrësve”, por që ndaloheshin me ligj.

Pas ’90 shoqëria jonë njohu edhe bingot, bastet sportive dhe kazinotë.

Po të hedhësh një vështrim në këto mjedise të kudogjendura, që nuk pushojnë asnjëherë aktivitetin dhe kanë klientë besnikë, shohim se po aq të kudogjendur dhe po aq të pranishëm janë edhe viktimat e varësisë prej tyre. Për këta të fundit këto vende të argëtimit, “krijojnë një kënaqësi të atillë që asnjë aktivitet tjetër nuk jua jep”, duke u shndërruar në epiqendrën e tyre.

Qendrat e lojrave të fatit, pra i gjithë ky mekanizëm i investuar me kujdes, i ruajtur edhe me truproja, i reklamuar anekënd vendit, nga i cili shteti merr disa taksa të cilat kapin shifra të konsiderueshme, është më se shumti një vrasës i kohës, tjetërsim i personalitetit, shpërdorim i vitalitetit,  shqetësim i madh për familjen dhe deviacion nga kërkesat gjithëpërfshirëse për aktivitet produktiv në shoqërinë tonë.

Berger thoshte se “sociologu është një person që ka një interes të madh, të pashtershëm, herë-herë të pacipë, për faktet e njerëzve. Interesi i tij kryesor drejtohet ndaj botës së njerëzve, ndaj institucioneve të tyre, ndaj historisë së tyre, ndaj pasioneve të tyre etj”.

Shoqëria aktuale shqiptare është një realitet aq  kompleks sa të provokon reagime nga më të ndryshmet. Falë këtij kompleksiteti mund të flasim edhe për një mënyrë të re jetese të shoqërisë sonë, duke kuptuar me këtë një parim të ri që e ruan dhe e organizon shoqërinë e që shërben për t’i bashkuar njerëzit, pavarësisht diversitetit të tyre. Për një pjesë të madhe të opinionit shoqëror, lojrat e fatit janë shndërruar në një patologji të vërtetë, që ka pasoja shkatërruese në aspektin psikologjik, material, familjar dhe profesional. Në kushtet e krijuara mund të flasim për urbanizimin e mënyrës së jetesës, i cili u shoqërua me një sërë dukurish të reja si: ekspansioni demografik drejt qendrave urbane, lëkundia e autoritetit prindëror, humbja e orientimit të vlerave, dukuritë e ndryshme deviacionale ndër të cilat edhe varësia nga lojrat e fatit.

Realiteti aktual i përshkruar si fytyra e demokratizimit, ku marrëdhëniet mes njerëzve sa vijnë e po fragmentarizohen, po shoqërohet edhe me një indiferencë të theksuar shoqërore ndaj dukurive deviacionale ku hyn edhe varësia ndaj lojrave të fatit. Në këto kushte, shoqëria e ka të vështirë të veprojë kundrejt dukurive të  tilla si varësia e sipërpërmendur, por shteti duhet të tregojë më shumë vëmendje dhe mbi të gjitha të ketë në fokus të shqetësimeve të tij, qytetarin, duke i respektuar pasionet e të drejtat, por duke i siguruar edhe kujdesin ndaj dukurive që mund të parandalohen.

Pikërisht në kushtet kur vetë individi nuk e konsideron si problem, kur ai nuk e kupton vështirësinë që paraqet situata, ndihma i duhet dhënë në  një formë tjetër, shumë më specifike. Familja e vetme nuk mundet ta përballojë këtë situatë; për këtë duhet që shoqëria të ngrejë mekanizma të tillë që t’i paraprijë këto dukuri. E keqja më e madhe është se pjesa dërrmuese e viktimave të varësisë zakonisht nuk kërkojnë ndihmë, madje shumë prej tyre as nuk pranojnë ta diskutojnë gjendjen e tyre. Kjo për arsye se ata as nuk e quajnë këtë si problem, dhe njëkohësisht besojnë se situata do të ndryshojë në favorin e tyre dhe se mund të heqin dorë kur të duan.

Mbi zgjidhjen e këtij problemi ka mendime aq të ndryshme sa dhe njerëzit që prononcohen. Një pjesë e tyre janë të mendimit se të gjitha qendrat e bixhozit dhe të fatit duhet të mbyllen, një pjesë tjetër mendojnë se sistemi i largimit të klientëve të rrezikuar, duhet domosdoshmërisht të funksionojë brenda këtyre mjediseve, ka të tjerë që e përligjin këtë realitet dhe e hedhin fajin vetëm tek individët dhe dobësia e tyre.

Në këtë kuadër mendoj se shtimi i kësaj dukurie në shoqërinë shqiptare ka arrritur në pjekjen e kushteve për ngritjen e qendrave sociale, të specializuara në ndihmë të komunitetit. Këto qendra me punonjës socialë, psikologë, nën orientimin e sociologëve duke u shtrirë në gjithë vendin, do të duhet të funksionojnë mbi një bazë ligjore të atillë që t’u vijë në ndihmë individëve të ndryshëm të cilët kanë probleme e madje të arrijnë edhe të parandalojnë ngjarjet e padëshiruara nga persona të tillë.

 

M.A. Entela Binjaku

Sociologe

Fondacioni “Harriet Martineau”