E merkure, 20.11.2019, 10:11 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Muri i vdekjes

E marte, 02.10.2012, 06:25 PM


Muri i vdekjes

Tregim nga Gani MEHMETAJ

Vetura rrëshqite më shpejtësi magjistrales gati të zbrazët, atë mëngjes qershori. Qiellit të kthjellët, nuk ia zbehte kaltërinë ndonjë cukël resh. Rruga e gjerë, me lakesa deri në majën e malit sikur të joshte në aventurë të papritur. Adrenalina ngrihej me të parë rëniet e frikshme përtej mburojës, ndërsa dora më mbërthehej vetvetiu në ndërruesin e shpejtësive nga e katërta në të pestën, duke shkelur këmbëzën e ndërprerësit të shpejtësive me shikim të përqendruar para. Më bëhej sikur nuk kishin lidhje lëvizjet e njërës dorë apo të tjetrës, që mbante lehtas volanin, me kokën e drejtuar apo sytë e përqendruar. Megjithatë gjymtyrët kryenin punën sipas një komande të vetvetishme refleksesh.

E ndjeja vetën mirë në rrugën e gjerë me disa shirita. Rrija i shkujdesur, i shkarkuar nga të gjitha brengat. Derisa ajri i freskët hynte me furi nga dritarja e hapur, ëndërrimet vinin vetiu. Rrugëtimet e gjata ndjellin edhe përftime. Ndonjëherë vetmia me ndjenjën e braktisjes të ngulfat përskaj vargmaleve që shpalosën deri në pakufi, herë më pjerrtësi të papritura, herë me lartësi të tilla që ta shtrembërojnë qafen, kur duhet ta shkelësh gazin për ta mbajtur shpejtësinë e njëjtë të pak minutave më parë.

Muzika e lehtë në radion e veturës më shkëpuste tërësisht nga bota bezdisëse me strese. Përtej xhamave të makinës sytë ti përkëdhelte një botë reale, e vrazhdë, gati përrallore me peizazhin e vet; në të dy anët bjeshkë të zhveshura, poshtë lumi që gurgullonte me shpejtësi luginës së pjerrët me reflekse verbuese të rrezeve të diellit. Ktheja kokën të përqendrohesha në rrugë, por vetëtimthi më rrëshqisnin para sysh pamje nga më të ndryshmet: biseda, takime, banalitete të ditës, ngjarje politike, frymëzënëse e tragjikomike, borxhe, plasje sherri apo gjëra të tjera, të cilat zakonisht i ndrydhja edhe atëherë kur më paraqiteshin, në kotjën e pasdites. Imazhet më rrëshqisnin ende pa i kapur mirë, më iknin furishëm si t’i ndiqte dikush, ashtu si e ndjek ciflën e resë era e verës. Kur më kote gjumi pasditeve nuk përqendrohesha dot në asnjë imazh sa për të pas diç konkrete. Nuk përqendrohesha as në pamjet që më dilnin para tash derisa ngisja makinën me furi. Përshtypjet e rekapitullimit të problemeve të ditës më rrëshqisnin ende pa i dhënë karar njërit para tjetrit. Kjo me ndihmonte të ikja nga dita e lodhshme. Kur  më joshte gjumi, duke më shkëputur si me magnet nga toka, ashtu sikurse shkëputët aeroplani a fluturakja e pa zhurmë, atëherë e ndjeja kënaqësinë e të qenit pupël. Ashtu më dukej vetja edhe tash: i papeshë, i lehtë, i shkarkuar nga vargonjtë e forcave që më tërhiqnin përposh, i gatshëm për aventura. Kabina e makinës vazhdonte të mbushej me ajër, muzika ushtonte.

Shiriti i bardh që ndante asfaltin, më përftonte ende pa i shquar mirë. Imazhet ndillnin imazhe, duke lëvizur me shpejtësi filmike. Qartësia e habitshme e ngjarjeve, e njerëzve, të cilët s’i kisha takuar me vjet, apo nuk me kujtoheshin qe nga fëmijëria- parakalonin si në filmat bardh-zi.

Derisa ngisja makinën, krah meje, përtej xhamit si në ekran rinte një fëmijë buçko, ndërsa  në vesh me ushtonte rrjedha e fuqishme e lumit në muajin maj kur të joshte aq shumë. Buçko kridhej në ujë, mezi i shmangej valëve që e shpinin drejtë shtjellës. Zhurma e ujit të rrëmbyeshëm e mbushte gjithë ekranin në vend të rrugës së mërzitshme. Mahnitej me lumin që shkallmonte çdo gjë që i dilte para: një lis i madh, i shkulur më rrënjë si i pa kokë, një kasolle ende e pa shkallmuar ardhur nga ndonjë luginë bjeshke, përkundej nga një skaj në skajin tjetër të lumit. Asnjëherë nuk e kuptoi çuni buçko, edhe pasi u bë burrë- pati njerëz brenda në kasolle? I zuri në gjumë familjen fatkeqe bujana, kurse ata mendonin se po përkundeshin nga era e malit? Nuk dëgjoheshin klithma njerëzish, as zëra.

Lumi mi kishte mbushur veshët e sytë, zhurma më kishte përpirë...

Majat e gishtave mi përshkonte pushi i butë i mbështjellësit të volanit. Ngisja veturën pa parë asgjë. Makina përpinte lugina e male me rropulli të dala jashtë; u ngjitesha me të njëjtën shpejtësi kodrave a qafëmaleve të çara në dysh nga brisqet gjigante të reptilëve të çelikut; vazhdoja rrafshnaltës së sheshuar, për të bërë kthesë sipëri një ure që e kishte mbërthyer lumin poshtë.

Ndërsa rrija shtrëngueshëm para volanit, më mbysnin pamjet e dikurshme: rrebeshi tashmë e kishte përmbytur gjithë horizontin, shiu më lante nga maja e kokës deri në thembra, dridhesha nga të ftohtit, ndonjëherë në mënyrë të vetvetishme zgjasja gjuhën dhe lëpija ujin gati të njelmët skajeve të gojës, i pandërgjegjshëm për këtë gjë. Vazhdoja të shihja turbullt dhe ecja me mendje tutje rrjedhës së furishme të lumit, duke kaluar katunde e qytete, lugina e qafa mali. Shkrihesha me çunin buçko, i cili vraponte krah meje.

Vetiu shtypja me majat e gishtave të shputës këmbëzën e ndërruesit të shpejtësive, ndërsa me dorën e djathtë ndërroja marshin, pastaj po me ato lëvizje të pavullnetshme shkelja gazin. Vetura sa s’fluturonte. Lumi përposh meje me ngatërrohej në përftime me lumin e rrëmbyeshëm. Horizonti i murrëtyer lëshonte shi me rrëshek. Koha dhe vendi më dyzoheshin.

*

Shkëputja e veturës nga toka dhe ndjenja tronditëse se po fluturoja, mu fanit në çastin kur një muzikë e lehtë filloi të mbushte me tingujt dinamik kabinën e makinës. Tingujt e muzikës elektronike, gati flurore vinin e bëheshin të forta e rraskapitëse, shpërndaheshin në gjithë hapësirën e papeshë, duke thyer të gjitha ligjet e natyrës. Edhe vetja më dukej i papeshë. Gomat  e veturës për herë të parë nuk shkisnin në asfalt, as dridhej karroceria nga ndonjë e çuar e asfaltit në atë shpejtësi vrasëse. Makina rrinte pezull. Ndonjë makinë e rastit kalonte përbri meje, ende pa i shquar fytyrat brenda. Pak më vonë më qartësoheshin figurat e çuditura me sy të gapërruar. Më shihnin si të ndeshnin fantazmën.

I habitur nuk e zbërtheja dot si mund të rrinin edhe makinat e tjera pezull në ajër. Nuk e di pse mendoja se në ajrin e freskët duhej të isha i vetëm me makinën dhe me mendimet e mia fluturake. Gravitacioni s’kishte asnjë ndikim mbi trupin tim dhe as mbi gëzhojën kaba të makinës.

Tingujt e muzikës vazhdonin ta mbushnin kabinën. Veshët e kokën time e miklonte një ndjenjë e veçantë e pa përjetuar. Të qëndruarit pezull në ajër, e ndjeja edhe me majat e gishtërinjve të këmbës, rrymime drithëruese ma përshkonin trupin. Edhe në qiell më bëhej se kishte kthesa, prandaj krejt papritur mbështillja shtrëngueshëm volanin, sipas terrenit a ritmit të muzikës. Një palë ethe ma dridhnin trupin: imazhet ma kishin pushtuar trurin dhe lëviznin me shpejtësinë e dritës, sytë kot që i mbaja hapur, sepse edhe symbyllur shihja gjëra të pa rëndomta: fëmijëria, vitet e bezdisshme të adoleshencës, një mall i papërcaktuar më zinte grykën e kraharorin.

Renditeshin përftimet herë të qarta, herë të turbullta, të gëzueshme, a të trishta, shpresëdhënëse apo dëshpëruese, të errëta a të ndritshme, të tejkohëshme apo konkrete. Fytyrat e njerëzve me afroheshin aq shumë sa e shmangja kokën të mos me shqisnin hundën. Ndonjëri ndalej në vend si i hipnotizuar, më shihte një kohë dhe zhdukej. Të tjerët shpejtonin hapin. Dikur vrapi i tyre bëhej aq marramenth sa që e kisha vështirë t’i ndiqja më sy. Iknin si të krisur. Vraponin në vija të imagjinuara, thua të qe vrapi i fundit në jetë. Ata iknin, bëheshin hi e pluhur, unë nxitoja t’i zija, t’u thosha diçka, mbase t’u hakërrohesha: “ ku vraponi si të pa kokë?” Por ndonjëri, mbetur ca prapa, më shihte i habitur. Kur e kapja rrëmbimthi për dore për ta pyetur diçka, ai i çoroditur më shikonte, pastaj kur e ndjente mbërthimin tim më hakërrohej më tërbim: “mu hiq qafe,  more gomar. Bota iku, e ti rri si hu gardhi!”. Më shkëputej nga duart dhe shpejtonte hapin. Mua më dukej sikur ata para tij vazhdonin drejtë rrokullimës, apo bëheshin rrokopujë në theqafje...

 

Tingujt e muzikës shungullonin kabinën, duke krijuar atmosferë të veçantë, të papërcaktuar. Çdo  gjë zhvillohej me shpejtësi drite, ndërsa më bëhej se trurin e kisha aq të qartë, aq të kthjellët, që punonte me një intensitet që s’ më  kishte ndodhur kurrë më parë. Më fanitej bota e pazakonshme, takoja njerëz  të çuditshëm, në bebëzat e syve u  ndriste shkëlqimi i pashpjegueshëm.

Në këtë lëvizje të papërcaktuar e të pazakonshme, mu bë sikur lëvizja me shpejtësi dhiarëve të një maje mali nga e cila barkat poshtë dukeshin si zogj të vetmuar në detin e paanë. Herë shihja nga kabina e veturës, herë nga fluturakja me krah pëlhure detin e shkëlqimit lëbyrës. E zija vetën duke menduar: si do të dukej sikur me makinë të fluturoje nga maja e malit thikë përposh drejtë kaltërsive të detit. Grishja e natyrës ishte tunduese. Rrëqethesha kur ma përshkonte trurin tundimi i tillë.

Herën tjetër kisha mbresën sikur nëpër trup dhe tëmtha më përshkonin rrymimet e fuqishme të ajrit, atëherë kur fluturoja nga kjo lartësi me fluturaken mekanike, drejtimin e të cilës e mbaja me duar dhe më një pedale në këmbë. Adrenalina mi shtypte tëmthat, shqetësimi ma ndrydhte kraharorin. Më vinte të klithja nga ngazëllimi sikur të isha i vetëm në gjithë hapësirën qiellore dhe ultësirën bregdetare. Fantazoja se si rrëshqisja  qetë-qetë si në filmat e ngadalësuar nga pika më e lartë e malit në qetësinë shekullore të ujit të njelmët.

*

Vetëm ndonjëherë vrik më shkëpuste nga kjo fantazi zhurma e pazakonshme e motorit të makinës, një ushtimë që vinte nga fundi i detit. Toka më largohej habitshëm, qielli më shpalosej si në përralla.

Dhe këtu plasi një krisja brenda meje. Para se të shpërtheja murin e çuditshëm që më afrohej herë si tyl i hollë, herë si mburojë drithëruese e një rrethi të zjarrtë, mu fanit pamja se si me shihnin më habi të afërmit. Sa më shumë i afrohesha murit aq më shumë hapnin sytë ata duke më parë me tmerr. Disa prej tyre filluan të hapin gojën, mbase më flisnin, por unë s’dëgjoja asgjë, veshët mu shurdhuan; disa ma bënin me dorë të kthehesha, të mos vazhdoja më tej, të këndellesha, të mos e prekja murin, është prekje fatale, më thoshte dikush brenda meje. Nuk e zbërtheja pse frikësoheshin, kur s’bëja asgjë të rrezikshme, fluturoja dhe kënaqesha.

Përtej murit- qelq i tejdukshëm mu shpaluan fytyra të zbehta, me ngjyrim të pazakonshëm. Të mpirë më ndiqnin me habi, por pa entuziazëm. Lëviznin qetë-qetë, sikur s’u bëhej vonë për asgjë, shkonin njëri pas tjetrit, me një automatizëm roboti. Duke i shikuar nuk e di pse më mbërtheu një mall i pa treguar, me shtrëngoi diçka në fyt. Sidomos gati sa s’ia plasa vajit kur më dolën si në ekran ata që nuk i kisha parë me dhjetëra vjet, apo nga fëmijëria. Më të rrallë i shihja ëndërr, i kujtoja nga ndonjë dialog, buzëqeshje veçuese a nga çastet e fundit të jetës. Ata jo shumë larg meje, tej murit të tejdukshëm, me shkëlqim të argjend të zbërdhulur, ecnin pa cak. Më shikonin si të isha i huaj.  Mbase s’ më njihnin. Doja t’i thërrisja, por s’ më tradhtoi zëri.

Vetëm një herë në fraksion sekonde mu bë se dikush nga ta hapi sytë me tmerr, më përftoi para sysh sikur ma bëri me dorë, mbase përpiqej të më thoshte: ku shkon more i krisur?. Asnjërën nga këto fjalë nuk i shqiptoi, madje as e hapi gojën, e unë këtë mesazh e mora nga reagimi i tij, i kundërt me lëvizjen e pakmëparshme të ngadalësisë së përjetshme.

Sa më shumë i afrohesha murit mashtrues, fillimit të një bote tjetër, sepse e dija se ajo është botë e përtejme, aq më fuqishëm më godiste mendimi: “Mbase s’duhej të nxitoja!”. Fluturoja si me flatra. Nuk doja ta humbisja këtë përparësi, por diç më thoshte se, duhej ta ktheja kokën prapa. Një zë tjetër i largët më pëshpëriste: ‘Mos u kthe!”. Pa dashje ktheva kokën nga kureshtja a nga frika, nuk e sqaroj dot. Në vend të rrugës në xhamin e prapmë dhe në retrovizor pash më qartësi biluri të afërmit e mi të gjallë që ma bënin me dorë, lëviznin më të gjitha gjymtyrët, më përgjëronin të kthehesha, të këndellesha,  të mos kapërceja kufirin, të mos vazhdoja shkelja kufirin e mos kthimit. Sërish më vuri dikush në siklet. Jehona ma shtonte frikën, ndërsa ishte aq cytëse të shpërtheja murin e vdekjes. Digjesha t’i prekja ata që s’i kisha takuar me dhjetëvjetëshe. Më emociononte kjo afri. U stepa. Të përfillja ftesën e të gjallëve e të mos shpërtheja murin, apo ta çaja copë e grimë qelqin e murit. Diçka mi shtrëngonte gjymtyrët.

Nuk e di kush më pëshpëriti në vesh se po e shpërtheva murin e vdekjes, s’do t’i shihja kurrë të gjallët. “Mos u mashtro”, mi përkëdhelte një zë veshët.

Ngurrimin tim e forcoi klithma: ” Mos!”. Klithma më shtangu sërish, muri i tejdukshëm u thye copë e grimë. Në vesh me tingëllonin acarueshëm spirat e xhamave. Sytë sa s’ më dolën nga vendi: nuk isha duke fluturuar mbi shkrepa, as ecja nëpër retë e flashkëta të shprishura, por vrapoja në theqafje me makinë rrugës magjistrale me humnera të frikshme për anash. Më pushtoi frika. Nisa të shoh ku jam. Ende pa e pasur askënd para as prapa, sepse isha në një rrugë të hapur, sytë mu mbërthyen në treguesin e shpejtësisë. Kisha kaluar kufirin e të lejueshmes. Makina dridhej si në ethe.

Shkela frenin, një herë më kujdes a më droje, mos ishte e kot, herën tjetër kur mu bë se këmbëza e frenit rezistonte, apo mbase unë e kisha shkelur fare pak, e ndrydha më më guxim. Shkela me tërë peshën e shputës. Vrulli i frenimit ishte i madh, apo frika ime e beftë ndikoi fuqishëm në këmbëzën e frenit të këmbës sa qe fishkëllimën e ashpër e gomave ulëriti si të dilte nga ndonjë bishë parahistorike. Vrragët e gomave duhet të kenë mbetur me qindra metra trup e tërthor asfaltit. Bëja leqe si i dehuri në trotuaret e qytetit, por në një hapësirë shumë më të madhe. Makina një herë mori hovë në të majtë, drejtë mburojave të skajit të rrugës, pastaj meqë gjithë kohën më shumë punoja me reflekse se sa me vetëdije, nga sjellja e vrullshme e volanit, mora kthesën në të djathtë, duke bërë një rrotullim të frikshëm të turirit të makinës. Nuk e shkela më këmbëzën e frenit, sepse mu duk se asgjë nuk ndihmonte t’ia prisja hovin e shpejtësinë bishës së metaltë që ulërinte edhe më tutje më kërcënim.

Prapë e humba peshën. Çdo gjë sërish u bë flurore, e tejdukshme. Përtej murit u hapen perdet prej tyli. Njerëzit përtej murit më ndiqnin më indiferencë. Në të djathtë, të tjerët, mbanin kokat në duar dhe klithnin me tmerr. E di se në një çast mu ngulitë në rrashtë të kokës refreni: “nuk dua të vdes!”.

Pastaj çdo gjë u shurdhua dhe u errësuar si të isha në fund të ndonjë shpelle të frikshme; nuk shihja, as nuk dëgjoja asgjë; u errësua edhe imazhi i murit të tejdukshëm, edhe ata që më shihnin prapa. Po rrëzohesha me ngadalësi filmi, gati i papeshë, ende era më përkëdhelte fytyrën dhe kraharorin e shpërthekuar. Para se të merrte makina rrokullimën nuk e di se si shpërtheva xhamin e përparmë dhe fluturova në ajër. Pastaj mu shqye imazhi, u bë errësirë e plotë...

*

- Është  gjallë, po merr frymë, - dëgjoja si një jehonë të largët dike që më fliste fare afër.  Zëri se si më vinte si në ëndërr.

- Mos e lëvizni aq shpejt, më ngadalë, - i thoshte tjetri, ndërsa disa zëra të tjerë seç shushuritnin diçka, sikur përpiqeshin të mos ma prishnin gjumin. Një zë sirene e thekshme dhe frikësuese, më bëri të këndellëm edhe më, por asnjë lëvizje s’mund të bëja, as mund të hapja sytë. Një përpjekje e flashkët duket u ra në sy.

–Mos shpurdh, rri ashtu si je,- me kujtohet se me tha dikush në mënyrë urdhërore. As që kisha mundësi të bëja ndonjë shmangie gjymtyrësh.

– Nuk ke gjë, pos disa kockave të thyera e gërvishtjeve, mos u brengos, - vazhdonte ai, që dikush i thoshte doktor, ndërsa mua për herë të parë nuk më bëhej vonë për asgjë, nuk e dija ku jam, pse më sollën këtu ku me flasin si një të sëmuri. S’e dija as pse përkujdeseshin më aq brengë, duke më këshilluar të bëjë kështu apo ashtu.

Nuk e dija as se jetoja jetën e dytë...



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT