E enjte, 25.04.2024, 08:47 PM (GMT+1)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Akademik Tomë Berisha, nderi i lavdisë kombëtare

E hene, 01.10.2012, 06:02 PM


Akademik Tomë Berisha, nderi i lavdisë kombëtare

Nga Gjekë Gjonaj

Nga marsi i këtij viti nuk e kemi më midis nesh  profesorin, akademikun, ushtarakun, atdhetarin e guximshëm  të çështjes shqiptare dhe birin e shtrenjtë e të pazëvendësueshëm  të Malësisë së  Madhe Tomë Berisha. Zemra  dhe shpirti i tij fisnik u shuan  në moshën 89 vjeçare në  kryeqytetin kroat në Zagreb, ku jetoi dhe veproi pjesën më  të madhe të jetës së tij.  Shkoi në amshim për të mos u kthyer  fizikisht më kurrë.  Shkoi por mbeti  në përjetësi. Për bacën Tomë, siç e quante dr. Ibrahim Rugova,  do të flitet për ditë, muaj, vite e shekuj me radhë. Do të fliten fjalë miradie, të cilat nuk do të mjaftojnë për të thurur lavdinë e këtij njeriu, shkëlqimin dhe mendjemprehtësinë e tij.  Në jetën e vërtetë ai gjithmonë mbarti virtytin e fisnikërisë, lartësisë dhe dinjitetit. Veprimtaria e tij jetësore dhe atdhedashuria e bëjnë atë të pavdekshëm.

Humbje e pazëvendësueshme

Vdekja e   këtij intelektuali të nderuar e të respektuar  është një mungesë e madhe për  shkencën, për kulturën, për kombin shqiptar, për Malësisë, për bashkëkombasit,bashkëkohësit, kolegët, miqtë e shokët e tij e  në veçanti për familjarët.  Ai ishte një njeri i vlerave meqë gjithmonë i çmonte vlerat njerëzore. Ishte i pajisur me një karakter të fortë, me ndërgjegje të pastër  dhe të pathyeshme. Rrallëherë gjenden njerëz si ai i cili i pati të dy virtytet. Familjes, farefisit, kolegëve dhe shokëve u doli në mbrojtje, u shoqërua me ta, dhe kurrë nuk i humbi lidhjet me ta. Ai e dinte dhe e kuptonte njeriun ashtu siç merrte vetë frymë. Andaj, me vdekjen  Tomë Berishës  kemi humbur një enciklopedi shumë të begatshme dhe të pashtershme që do të na mungojë shumë. Ndërkaq, Malësisë do t’i mungojë një zotëri i lindur, pedant,  gjithnjë modest, një njeri aq i mirë, një shkencëtar serioz, një patriot i flakët.   Dhimbjen dhe humbjen e tij  do ta zbuzë krenaria jonë për jetën dhe veprën e tij. “Mos u mundo të jesh si një njeri i suksesshëm, por mundohu të jesh njeri me vlera.” thoshte  mendimtari i ndritur Ajnshtajni.  Profesor Toma vërtetë  ishte njeri me shumë vlerë që do ta mbajë mend koha  dhe të gjitha gjeneratat të cilat i mësoi, sepse posedonte aftësinë e ndërlidhjes së shkencave, por ishte edhe vrojtues   i mirë i politikës së kaluar dhe asaj aktuale. Këshillat dhe fjalët e tij ishin të arta. Ishte gjithnjë pranë  njerëzve, të cilët i donte dhe e donin pafund.

Njeri i madh dhe i papërsëritshëm

Tomë Berisha me punën dhe kontributin e tij  dyzetëvjeçar  në shkencë, në arsim e në shërbim të popullit të vet, me veprën e tij të madhe la gjurmë të pashlyera në memorjen jo vetëm të  malësorëve por të të gjithë shqiptarëve    brenda dhe jashtë kufijve etnik të shtetit amë  Shqipërisë. La emër të paharruar dhe autoritet të palëkundur  tek populli ynë në shumë fusha të rëndësishme  si rrallë  ndonjë tjetër.  Ai ishte njeri i madh dhe  papërsëritshëm. Njeri i virtytshëm e punëtor titanik. Një figurë poliedrike. Një poliglot.  Zotëronte gjuhën frënge, italiane, kroate dhe  serbe. Në fushën  profesionale  anglishten dhe frëngjishten. Atdhetar e strateg. Njeri që  përherë do të jetë në kujtesën e brezave. I përcaktuar drejt kombëtarisht. Ky burrë i Malësisë, u shpreh ne ceremonialin e vdekjes,  shoku i tij i ngushtë, akademik Mark Krasniqi,  ndoqi rrugën e Dedë Gjo Lulit dhe atdhetarëve të tjerë të ndershëm të përkushtuar për idealin kombëtar. Tek  Toma ishin bashkuar talenti, mençuria,  zgjuarësia, inteligjenca,  maturia, ndershmëria,  fisnikëria,  dëshira për punë aktiviteti kombëtar dhe  atdhedashuria , e cila ishte ndër veçoritë e tija më të spikatura. Me plot kuptimin e fjalës ai ishte njeri  i suksesit dhe  vlerave. Është një shembull më vete se si një  malësor me origjinë  nga Gruda, pamohueshëm e gjen veten të projektuar në rrafshet e vlerave kombëtare. Shëmbëlltyra e tij e ndritshme do të mbetet  e pashlyeshme në kujtesën e shqiptarëve.

Kontributi shkencor, profesional  dhe atdhetar

Në formimin e Tomë Berishës si personalitet prej atdhetari të shquar do të ndikojë edukata me të cilën u brumos që nga familja, e cila prej kohësh ishte ndërgjegjësuar si njëra ndër familjet më të shquara për shqiptarësi. Ai  lindi  në Podgoricë.  Pas mbarimit të shkollës fillore dhe  gjimnazit në kryeqendrën  e Malit të Zi vijoi studimet në  Itali, në Torino dhe Bolonjë së bashku me  disa atdhetarë të shquar shqiptar në Malësinë e Madhe  kundër nazifashizmit  dhe u shqua si mbrojtës i  flaktë i kauzës shqiptare.  Pas  Luftës së Dytë Botërore diplomoi në Universitetin e Lubjanës në Fakultetin Teknik, e më pastaj punësohet si ligjërues në Akademinë Teknike Ushtarake në Zagreb , ku njëkohësisht mbrojti doktoratën. Ai për 20 vjet rresht, krahas ligjërimeve në Akademinë Teknike Ushtarake në Zagreb, ligjëroi edhe në Universitetin e Prishtinës, ku edukoi kuadro të reja të cilat i duheshin aq shumë Kosovës.  Armata Popullore e Jugosllavisë e pensionon në moshën  56 vjeçare, duke mos i dhënë gradën general. Ky vendim qëllimkeq e çnjerëzor nuk e ndali   aktivitetin  e këtij intelektuali me një karrierë të gjatë akademike dhe ushtarake dhe të këtij politikani  e veprimtari të pasur në gjithë hapësirën  shqiptare.   Aktiviteti i tij vjen e shtohet  nga vitet 1968, veçmas  që nga viti 1981 e deri në çlirimin e Kosovës. Në vitet e shkatërrimit të Jugosllavisë artikuloi interesat kombëtare në diasporë, në Kosovë dhe në Shqipëri. Bashkëpunëtorët e tij më të afërtë dhe më të ngushtë thonë se  Tomë Berishën në Kosovë e njohin si ndër të parët që iu drejtua opinionit për padrejtësitë që iu bëheshin shqiptarëve. Kolegët e tij shprehen me krenari se   Toma në Zagreb për shumë vjet ishte një ambasador i përkushtuar i interesave shqiptare, kurse shtëpia e tij në kryeqytetin kroat ishte vendstrehim për studentë e të ikur nga Kosova.  Gjeneral Toma Ishte njohës i shkëlqyer i artit luftarak, analist i thellë i ideve luftarake dhe strategjike. Këshillat dhe strategjitë ushtarake të  tij  u përdorën në luftën e Kosovës, duke u   rreshtuar  me profesionistët e rrallë që iu përgjigj zërit të popullit të vet.   E Kosova nuk e harroi kontributin e tij.  Akademia e Shkencave dhe Arteve  e Kosovës, për veprimtarinë e tij shkencore i jep titullin akademik, kurse Ushtria Çlirimtare e Kosovës i jep gradën Gjeneral. Radhën  tani e ka  Malësia ta nderojë këtë bir të saj  të shtrenjtë, ashtu siç e meriton.

Vepra madhore e akademik Tomë Berishës tregon se ai  kishte  zgjedhur një detyrë jetësore që t’i dalë zot çështjes së kombit të vet  dhe atdheut. Ai me kohë kishte vërejtur se detyrë mbi detyrat e intelektualit dhe shkencëtarit shqiptar e sidomos të eprorit ushtarak është që energjinë  e vet krijuese ta shpenzojë dhe ta shterrojë në të mirë të kauzës kombëtare.

Akademik Tomë Berisha padyshim  kishte një prirje të lindur dhe të zhvilluar për t’u profilizuar në studiues të pasionuar me kulturë të gjerë, me sens të profesionistit. Diskutimet dhe shkrimet e tij janë të llojit të veçantë dhe të nivelit të lartë shkencor e artistik. Është ndër ekspertët  shqiptar  mjaft të cituar në literaturën shkencore. Ka botuar disa punime, kumtesa dhe ligjërime shkencore në  shumë  revistat me renome botërore. Ai kohës së vet mjaft i ka thënë dhe mjaft i ka lënë. Vepra e general Tomë Berishajt  i bën nder kombit dhe humanizmit në tërësi  po sikurse edhe emri i tij të cilin po e përkujtojmë me rastin e vdekjes. Trupi i tij pushoftë i qetë në tokën e Malësisë, ku u varros me nderime më të larta në prani të mijëra qytetarëve shqiptarë dhe personaliteteve  më të  njohura  të kombit tonë nga hapësira mbarëshqiptare.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora