| E hene, 01.10.2012, 07:57 PM |
Drita
Lushi
SHI…
Gjithmonë
më ka pëlqyer shiu.
Nuk e di
si me
Ndoshta
pse kisha lindur në pranverë, atëherë kur shirat kanë kohën e tyre.
Sot, tek
ecja në shi, e mbylla çadrën. Doja vërtetë ta ndjeja në lëkurë shiun e ngrohtë të
pranverës, një shi si vesë me diell.
-“Sa
filozofike qenkam sot”, më vinte gati të qeshja me veten, ndërsa piklat e shiut
po më ngjisnin pas trupi rrobat pranëverore, fare të lehta, por që tani i
ndjeja në trup.
S’ka gjë,
mendoja, sa të arrij në shtëpi dhe ndërrohem.
Një afsh
i ngrohtë po përshkonte gjithë qenjen time tek kisha ngadalësuar hapat, sepse
doja që të merrja mbi vete sa më shumë pikëla shiu… .
Do të kisha
dashur ta kisha akoma më larg shtëpinë, të rrija sa më gjatë me shiun tim…
Kur hyra
në shtëpi, teksa po ndërroja rrobat e lagura, qeshja me vete. Kisha mbetur
ashtu, si dikur, me mendje dhe shpirt fëmije, endërrimtare, e përkëdhelur, herë
e qeshur e herë inatçore.
Qesha me
vete. E mora dhe pa u veshur ende, fillova ta lexoja përsëri…
E dija
gati përmendësh përmbajtjen e saj, por përsëri e lexoja se mos ndoshta pas
ndonjë gërme fshihej diçka që unë s’kisha arritur ta kuptoja si duhet.
*****
Ai më thoshte
përherë: “Pse të pëlqen kaq shumë shiu? Shiu është për të trishtuarit, për
malinkonikët, e ti s’je e tille”.
Unë qeshja
fort e me gjithë shpirt kur ma thoshte këte, e përqafoja dhe i thoja: “Shto dhe
romantikët. E unë jam një romantike, i dashur, ndryshe s’do të të doja ty”.
Ai më shikonte
me vështrim dyshues e të qeshur e unë vazhdoja:
“Nuk e
dua më shumë se ty, jo. Tani një çikë fare më shumë se ty e dua, po një çikë fare
ama” - dhe qeshja aq fort, sa njerëzit kthenin kokën e më shihnin të habitur si
rrija në shi pa ma bërë syri terr.
Denisin e
kisha takuar në bibliotekë, ku shkoja të studjoja me shoqe, a të merrja ndonjë libër
që s’mund ta gjenim nëpër librari.
Unë, si
tip që të qeshurën e kisha gati, nuk mund të mbaja qetësi as në bibliotekë,
duke tërhequr vështrimet qortuese të atyre që studionin aty.
Si e zënë
në faj, skuqesha një moment, por sa ata kthenin kokat, qeshja përsëri, por me
një ton pak më të ulët.
Ata
zakonisht nuk i kthenin më kokat. Por një ditë, njëri u kthye drejt meje dhe
qeshi edhe ai pa zë e me një veshtrim të butë, që dukej sikur më thoshte: “Mos
e vrit mendjen, qesh kur të qeshet, rregullat ne i kemi vënë, ne i thyejmë”. Të
paktën kështu e përktheva unë, se kështu më interesonte.
Në fakt e
sot e kësaj dite nuk e kam pyetur për atë buzëqeshje, për domethënjen e saj.
Denisi
ishte një burrë i pashëm, diçka më shumë se një djalsoh, i gjatë ndoshta rreth
një metër e tetëdhjetë centimetra, me trup prej sportisti. Këto nuk mund të më shpëtonin
pa i vënë re, megjithë shpërfilljen time, që ishte natyrë e imja e dytë.
Vajtjet
tjera në bibliotekë qenë veç nje pretekst për të parë atë, që çdo mbrëmje e
gjeja aty, e që çdo herë më thoshte i pari mirëmbrëma.
Shoqet, që
e kishin kuptuar vajtjen time të qellimshme atje, filluan të mos më shoqëronin
më, duke më dhënë mua dhe atij mundësinë që të flisnim lirshëm.
Kur vajta
një mbrëmje në bibliotekë, shiu sa
Si përherë,
atë e gjeta aje, duke lexuar, dhe, ashtu i zhytur në lexim, diçka shkruante. U
kollita lehtë, teksa kaloja bri tij dhe ai ktheu kokën e më buzëqeshi ngrohtë. Më
ftoi të ulesha në karrigen bosh pranë tij. Në fillim ngurrova, pastaj u ula si
qëngj i urtë.
Unë që qeshja
e s’lija njeri pa ngacmuar, isha bërë papritur serioze dhe mbaja hapur librin që
kisha marrë në biblotekë, pa e pasur mendjen fare aty.
Ai më ftoi
të dilnim jashtë dhe unë, si ndonjë sonambul, e ndoqa pa ditur as vetë çfarë po
ndodhte, që po bindesha kaq lehtë.
Shiu
Ky qe “udhëtimi”
im i parë me Denisin, që do më bëhej shumë shpejt njeriu më i dashur.
Mora vesh
se ai shkruante, dhe kur dilte nga puna, se punonte në nje institucion, një pjesë të mirë të kohës e
kalonte në biblotekë.
Atëherë nuk
kishte botuar akoma ndonjë liber, po më thoshte se ëndërronte të botonte shpejt.
As vetë nuk
e kuptoja si kishte ndodhur, po unë kisha rënë në dashuri me të. Dhe nuk kaloi
shumë kohë që të jetonim ditët tona të lumtura, mbushur dashuri e gëzim.
Unë atëherë
isha studente. Sapo kisha mbushur njëzet vjeç. Kurse ai nuk duhej të isha fare
i ri, dukej burrë i pjekur, i pamartuar, dhe goxha i bukur. Më llastonte, më përkëdhelte
e unë veç qeshja. E qeshura ime atë kohë më ish bërë më e bukur. Të paktën kështu
më thonin shoqet, jo pa smirë, e me një vështrim shpotitës, qeshnin.
Isha
njeriu më i lumtur në botë. Nuk dija kur lindte dielli e kur perëndonte. Nuk
kuptoja si iknin ditët e si vinin netët. Ditën ishim bashkë e natën përsëri
bashkë në ëndërra.
Në atë kohë
akoma nuk kisha mundur të bisedoja me prindërit, që jetonin në një qytet tjetër, e kjo më kushtoi…
Një natë,
në fillim të korrikut, im atë hyri në shtëpi me rrëmbim e na tha : “Bëhuni gati”!
Ne femijët pamë njëri- tjetrin në sy e s’po kuptonim asgjë. Pasi ai pa hutimin
tonë, sidomos timin, se vëllezërit i kisha më të vegjel, shtoi: “Do nisemi për
në Tiranë. Atje po dyndet Shqipëria e
kjo është mundësia më e mirë për të shpëtuar nga kjo jetë qeni”.
Kishim dëgjuar
atë ditë që ishin hapur ambasadat e njerëzit qenë futur në to me shpresë të iknin
në Perëndim. Por nuk më kishte shkuar as në mend’ se kjo mund të na ndodhte
edhe ne. Mamaja kish qëndruar ne mes tonë e herë shihte tim atë, herë ne. Qe diçka
aq e papritur për të gjithë. Po babaj nxitonte: “Shpejt! Shpejt!” – thoshte,
kemi makinën që na pret poshtë. U thashë: “Jo, unë nuk vij, kam shkollën, s’mund
t’i lë studimet, ikni ju, unë do të qëndroj këtu”. Mendja më kishte shkuar
fluturimthi tek Denisi, që nuk e dija ç’do të bënte dhe kisha frikë se njëri
mund të ikte e tjetri të rrinte këtu. Nuk ishim parë prej ditësh, sepse unë isha
kthyer në qytetin tim për të studjuar gjatë sezonit të provimeve. Por nga ana
tjetër mendoja: Po sikur edhe Denisi, që jetonte dhjetë metër nga ambasada
italiane, të jetë futur aty?
Im atë më
shikoi vëngër, por brenda atij shikimi pashë edhe një lutje të heshtur. S’mund
të ndahesha nga familja, këte e dija edhe unë, por dhe kundërshtimi më doli
vetiu e ata, nuk mund ta dinin përse kundërshtoja.
Po u bë ashtu
si tha babai dhe familjarisht, vetëm pak orë më vonë, u futem në Ambasadën
italiane e pas një jave ishim në brigjet e Italisë.
Atje
vazhdova e mbarova studimet.
Ndodhi,
pra, që jetët e rrugët tona morën papritur kahe të kundërta, pa deshirën tonë.
Pas shumë
vitesh që isha kthyer dhe punoja në qytetin tim, dëgjova për një roman të ri që
po bënte bujë.
Gati sa
nuk thirra, kur një shoqe me tha cili ishte autori..
U gëzova
dhe u emocionova pa masë.
Disa ditë
më vonë, më vjen në adresë të punës një pako. E hap me padurim dhe shoh librat
e tij, librat e Denisit, të shkruara gjatë viteve. Mes tyre dhe një letër. Një letër
e ngrohtë, me fjalë që veç ai dinte t’i zgjidhte e t’i thoshte. Një letër që s’përmendte
asgjë të kaluar. Një letër e një miku të dashur. Të dy tashmë kishim familjet
tona.
Hodha vështrimin
nga dritarja. Shiu tashmë kishte pushuar.
E vura
letrën në sirtar dhe vazhdova të vishesha.
Si të mos
e dua shiun?!