E enjte, 25.04.2024, 09:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Muharrem Sfarqa: Intervistë me Dr. Enver Bytyçin

E hene, 01.10.2012, 06:28 PM


Intervistë me Dr. Enver Bytyçin

Rugova, një prej dy-tre personaliteteve më të mëdha të historisë  së shqiptarëve

Nga Muharrem Sfarqa

Dr. Enver Bytyçi është Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore  në Tiranë, studjues dhe publicist, autor librash analitik dhe vlerësues i mendimit dhe veprimit politik shqiptar. Me zotin Bytyqi për gazetën " Bota Sot "  zhvilluam  këtë bisedë.

" Bota sot ": Vlerësimi i juaj analitik i shprehur me kompetencë  intelektuale, po bën një renditje te personaliteteve tona publike ne bazë te rolit të tyre historik. Cka mund të na thoni për këtë?

E. Bytyçi: Historia e shqiptarëve është e mbushur me personalitete. Ne jemi një komb që më së shumti personalitetet historike ua kemi dhënë kombeve të tjera ose qendrave të perandorive. Le të kujtojmë vetëm pak emra: Kostandinin e Madh, të cilin serbët duan pas gati 2000 vjetësh ta përvetësojnë, edhe pse aso kohe ata jetonin në stepat e Rusisë. Pa asnjë dyshim Perandori shqiptar i Romës, Kostandini i Madh, ka bërë hapin historik më të madhin në historinë e bashkëjetesës së fesë me shoqërinë dhe shtetin. Të tjerët para tij i shkonin në shigjetë e i digjnin ata që besonin në fenë kristiane.

Shqiptarët i kanë dhenë krishterimit gjithashtu Papa Klementin, shën Jeronimin, i cili qe i pari përkthyes i dhjatës së vjetër e të re nga hebraishtja në latinisht e në greqisht. I ka dhënë Niketë Dardanin, i cili ka formuluar himnin kishtar të Vatikanit e deri te Nënë Tereza, shenjtorja e ditëve tona, e cila nderohet me respekt të thellë në të gjithë globin. Madje është bërë refren i bamirësisë.

Shqiptarët krijuan gjithashtu himnin kombetar të Turqisë moderne. Kujtoni pejanin, Mehmet Akif, në gojën e të cilit tingëllon gjithnjë aktuale thënia: "Tregomë një komb me shpirt të vdekur e mbetur gjallë". Ne i kemi dhënë perandorisë osmane 28 kryevezirë (thoshte këto ditë Davidoglu) si dhe komandantë që kanë bërë emër në historinë e kësaj perandorie. Çupërlitë e Beratit e kanë sunduar de facto gati një shekull Portën e Lartë.

Por heronj dhe personalitete që kanë kontribuar brenda kufijve të Shqipërisë kemi më pak. Një ndër dy ose tre prej këtyre ikonave të shqiptarisë është dhe do të mbetet Ibrahim Rugova. Në vetëdijen tonë zë vend Skënderbeu si më i madhi i historisë sonë kombëtare. Por Rugova mësoi edhe nga gabimet e Skënderbeut dhe i dha popullit shqiptar, sidomos Kosovës, modelin e një qëndrese, e cila nuk do ta boshatiste atdheun nga bijtë e bijat e veta. Fatkeqësisht pas vdekjes së Skëndërbeut, njësoj si edhe pas vdekjes së Enver Hoxhës, shqiptarët u degdisën në dhe të huaj dhe u shpërndanë si zogjtë e korbit. Ibrahim Rugova, me veprën e tij e madje edhe me vdekjen e tij i grupoi shqiptarët dhe i bëri një, duke i frymëzuar ata për të realizuar një të ardhme të ndritur, në mesin e kombeve më të qytetërura të botës.

Unë nuk e di se çfarë do të sjellë e nesërmja, nuk e di se çfarë vendi do të zënë politikanët që sot i drejtojnë dhe udhëheqin shqiptarët. Ndërsa për Ibrahim Rugovën, jam i bindur se ai do të jetë në ballin e oxhakut të shqiptarëve. Madje sa më shumë kohë të kalojnë, aq më shumë do të nderohet e respektohet. Ai kishte shumë pak bashkëpunëtorë. Por kishte si mbështetës të tij të gjithë shqiptarët e Kosovës e më gjerë. Shumica e atyre që i rrinin pranë ose larg e shihnin me dyshim. Dhe kjo ndodhte, sepse kjo pjesë e dyzuar e bashkëpunëtorëve të tij, nuk kishte kapacitetet intelektuale të kapte vizionin e Ibrahim Rugovës, siç e kapte i madhi Fehmi Agani, përshembull. Nuk kanë mundur dhe për shumë kohë nuk do të mundin që ta kuptojnë këta njerëz Rugovën, jo më ta nderojnë e respektojnë.

" Bota sot“ : Përmes publikimeve të deritashme, ju njiheni si një nga analistët më të mirë të çështjeve politike të Evropës Juglindore , në veçanti të mardhënieve shqiptaro - serbe e greke. Na thuani cili është pozicioni i sotëm i shqiptarëve në proceset integruese të kontinentit tonë ?

E. Bytyçi: Edhe pse do të doja të isha modets, dua të informoj lexuesit se deri më tani kam botuar 5 libra, tri prej të cilave me studime për Kosovën, në mesin e të cilëve edhe një studim për marrëdhëniet midis shqiptarëve, serbëve dhe grekëve në 200 vitet e fundit.

Libri "Shqiptarët, serbët dhe grekët", ndoshta ka qenë libri më pak i reklamuar, por jo më pak i mirëpritur nga lexuesit. Po kështu studimi tjetër "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës". Madje ky libër është përkthyer në gjuhën gjermane. Parathënin e tij e ka shkruar Dr. Konrad Clewing, zv. Drejtor i Përgjithshëmi Institutit të Europës Juglindore në Gjermani (Regensburg). Por ende nuk është botuar. Shkaqet tashmë janë të njohura - mungesa e mjeteve financiare.

Por le të kthehem te thelbi i pyetjes suaj. Të gjitha botimet, analizat dhe komentet i referohen zhvillimeve historike, politike e aktuale në rajonin e Europës Juglindore. Për këtë shkak para disa muajsh kam themeluar institutin e studimeve në Tiranë me të njëjtin emër. Shpresoj të bëjmë studime e punë shumë të mira në interes të paqes e sigurisë në rajon. Kjo është, besoj, rruga më e mirë që ne shqiptarët të konkurojmë në kohët e sotme. Ne kemi provuar të konkurojmë përmes forcës e luftrave, por kemi dështuar. Ne, si të gjithë ballkanikëve, nuk na pëlqen kur themi se në luftëra kemi dështuar. Por kjo është e vërteta. Rugova u ngrit në piedestalin e historisë, sepse kuptoi se edhe të jesh me perendimin, edhe të behesh kaçak mali, të dyja nuk bëhen bashkë. Ai vuri themelet e konkurencës së shqiptarëve përmes vlerave. Dhe vlerat e shqiptarëve janë tashmë të dëshmuara, janë vitale, janë unikale, të pashembullta në historinë e kombeve më të qytetëruara. Të kujtojmë se jemi i vetmi vend, i cili kurrë në historinë e tij nuk ka patur konflikte të brendshme për shkaqe etnike e fetare. Konfliktet tona kanë qenë e vijojnë të jenë për arësye politike e sociale, por jo për ato arësye që kanë ndodhur në vendet e tjera. Jemi i vetmi popull që ia fshehëm hebrenjtë nazistëve gjermanë e fashistëve italianë, duke i mbrojtur me besën tonë, me dinjitetin dhe nderin e kodit moral të shqiptarëve, një kod, të cilin aso kohe nuk e kishin adaptuar as kombet më të përparuara në botë e në Europë.

Në këtë kuptim integrimi në strukturat europianë është e vetmja rrugë, e vetmja mënyrë për të komkuruar dhe për të zënë vendin që na takon në gjirin e Europës. Në librat e mij analizohen pikërisht këto vlera. Qëllimi im ka qenë dhe mbetet që të kontribuoj sa është e mundur në demantimin e shpifjeve mbi 100 vjeçare të Serbisë kundër popullit e kombit shqiptar. Argumentet, të cilat i kam përdorur janë qëmtuar thuajse të gjitha nga autorë të huaj, jo shqiptarë, me qëllim që t´i thuhet Europës, se ju vetë e pranoni që prëzantimi i shqiptarëve nga proaganda serbe është një shpifje e asgjë tjetër. Për këtë arësye analisti i njohur, Patrick Moore, duke folur në përurimin e librit "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës", në fillim të vitit 2008, në Ennepetal të Gjermanisë u shpreh kësisoj: "Për këtë libër nuk keni aq shumë nevojë ju shqiptarët, sa kanë nevojë europianët". Dhe rekomandoi që libri të përkthehej në anglisht, gjermanisht dhe gjuhë të tjera.

„Bota sot“:  Po Kosova, a ka bërë hapa në këtë rrugë  dhe cila është e ardhmja e shqiptarëve në integrimin e mëtejmë të evropes ?

E. Bytyçi: Kosova është në një pozitë më të volitshme se Shqipëria, sa i përket gjendjes politike të brendshme. Pavarësisht debateve e ndonjëherë acarimeve, përsëri në Prishtinë bëhen marrëveshje, votohen ligjet e domosdoshme. Kështu ndodhi me kushtetutën pas shpalljes së pavarësisë. Kështu ka ndodhur në çdo rast kur është dashur vota e opozitës për ligjet e cilësuara. Por Kosova përballet me disa sfida specifike. Europa është larg Kosovës dhe jo Kosova gjendet larg Europës. Ndërsa europianët duan të marrin kompetenca në Kosovë, ata ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Po bëhen pesë vjet nga shpallja e pavarësisë dhe Brukseli nuk i ka vënë kusht Beogradit që të njohë Kosovën e më pas të integrohet në BE. S`ka se si t´i vejë kusht për këtë Beogradit, kur nuk ia ka vënë këtë kusht anëtarëve të saj, Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros.

Ka edhe probleme të tjera, p.sh., korrupsioni i lartë, moszbatimi i ligjeve, ose çeshtja e veriut të Mitrovicës. Sa për veriun, edhe këtu përgjegjësitë janë të Prishtinës, në kuptimin se ajo në këto pesë vite mund të investonte shumë për të ndërtuar infrastrukturën për mirëqenien ekonomike e sociale të banorëve të veriut, gjë që nuk ka ndodhur. Kjo mënyrë e punës dhe investimit do t´i zbuste qëndrimet. Në fund të fundit pse në Kosovë ka influencë Perendimi? Sepse Kosova është kjo që është si rezultat i investimit të SHBA-së dhe vendeve më të fuqishme të BE-së. Nëse Rusia do ta bënte gjysmën e këtij investimi, atëherë punët do të ishin edhe më keq për Kosovën. Kredencialet krijohen edhe në mërrëdheniet shoqërore e familjare në raport me investimin në familje ose në shoqëri. Kredencialet e veta Prishtina i rrit në veri, nëse investon, qoftë dhe 30 për qind të buxhetit të saj. Atëherë shihni si do të shkonin punët!.

„Bota sot“ : Në botimet tuaja publicistike, vend të rëndësishëm i kushtoni Kosovës dhe rrugës së saj deri te pavarësia. Cila është lidhja e juaj me Kosovën ?

E. Bytyçi: Në qershor të vitit 1998 po pija kafen së bashku me tre kolegë të mij gazetarë në lokalin që mbante emrin e Fidelit. Eshtë i njëjti Fidel, i cili qëndron në krah të Edi Ramës sot për të ruajtur imunitetin e deputetit. Të gjithë ne gazetarët rrinim "te Fideli". Një ditë prej ditësh dëgjuam zhurmën e avionëvë të NATO-s, të cilët demonstronin forcën kundër Milosheviçit. Unë e dhashë veten dhe shfaqa një entusiazëm të justfifikuar. Njëri nga kolegët më thotë: Çfarë fiton ti Enver po të çlirohet Kosova? Pse gëzohesh kaq shumë?-        E dija pozicionin e kolegut tim, e dija ç´donte të thoshte me ato pyetje. Ishte e kotë t´i flisje për lidhjet e gjakut, të gjuhës, të territorit midis nesh. Prandaj ia ktheva shkurt: Ti B.M. e di se unë kam një shtëpi botuese dhe veç revistës botoj edhe libra. Nëse çlirohet Kosova unë do të shes dy herë me shumë libra e revista. A nuk mjafton kjo që unë të gëzohem?! Më pas në bisedë i shpjegova sesi fshati im ka mbijetiuar në histori duke bërë tregëti në Prizren e në Gjakovë. I shpjegova se krahina e Hasit, ku unë jetoj, është ndarë me kufi përgjysëm. Gjysma në ish-Jugosllavi e gjysma në Shqipëri. I shpjegova se ka qenë një fshat, Pogaj, në kufi me Gorozhupin e të dy fshatrat kishin vetëm një çezme për të mbushur ujë. Unë vetë kisha njërëzit e mij në Gjonaj, e gjetkë, të cilët nuk i njihja deri më 1991. Nuk ua dija as emrat. Ata e kishin përcjellë nënën time nuse në fshatin ku kam lindur, por e shkreta nënë u nda nga kjo botë pa i parë ndonjëherë tjetër të dashurit e saj. Operativi i zonës ku punoja më pyeste shpesh: - Kë ke ti Enver në Prishtinë? Dhe kur i përgjigjesha se nuk kam njeri, ai përsëri këmbngilte: - Ti ke dikë, po kush është ai? Provokonte, nëse unë e dija që në Prishtinë më 1986 kisha një djalë të dajës së nënës, i cili paska qenë në polici. Kur më 1991 e mora vesh këtë fakt, m´u rikujtua pyetja e vazhdueshme e operativit të sigurimit.

Shkurt lidhjet e mia me Kosovën janë shpirtërore. Por nga ana tjetër këto lidhje janë krijuar edhe për shkak se nga qyteti i Kukësit, ku jetoja, i ndiqnim emisionet e radio Prishtinës. Dobët, por e shihnim edhe ekranin e TV Prishtinës. Nuk harroj kurrë vargun njerëzve që marshonin në nëntor të 1988-ës drejt Prishtinës.

Fati e deshi që të qëndroj gjithmonë në korent të ngjarjeve në Kosovë e për Kosovën. Nuk e teproj po t´u them se nuk ka ditë që nuk skedoj shkrime për Kosovën nga gazetat e Kosovës, nga portalet e web-faqeve e nga gazetat e huaja në gjuhën gjermane, sidomos ato të Austrisë. Ndjek disa herë në ditë në internet Radion Europa e Lirë, radion Zëri i Amerikës dhe radion DW. Kjo më bën të mos shkëputem për asnjë moment nga zhvillimet në këtë vend, një vend, të cilin e konsideroj me të njëjtin status dhe të njëjtën peshë sa edhe Shqipëria, jo vetëm për rajonin, por sidomos për pozitën e shqiptarëve në këtë rajon.

„Bota sot“: Ju në studimin brilant të filozofisë politike dhe nacionale të Ibrahim Rugovës, shquheni për zbërthimin e thellë e të gjithanshëm që i bëni vizionit rugovian për liri, pavarësi dhe demokraci. Prej nga gjithë ky interesim dhe frymëzim i juaji?

E. Bytyçi: Studiuesit janë njerëz me ndjenjë, njësoj si të gjithë njerëzit e tjerë. Por ndjenja e studiuesve është disi më e thellë, më atraktive, siç janë ndjenjat e krijuesve në letërsi p.sh. Kushdo që njeh mirë historinë e shqiptarëve dhe i thërret logjikës mundet pa vështirësi të dallojë te Ibrahim Rugova njeriun që ka zhvilluar një filozofi politike të re. Kjo filozofi politike, çfarë e adaptoi presienti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, erdhi në jetën e shqiptarëve në një moment kyç të historisë së kombit tonë. U shfaq bashkë me Rugovën dhe filozofinë e tij politike, ajo çfarë na kishte munguar prej shekujsh e mijëvjeçarësh.

Rugova kuptoi se konkurenca e kombeve në kohën tonë është konkurencë vlerash. Shansi i shqiptarëve ishte fakti që Serbia e Milosheviçi dukshëm po shfaqeshin si antivlerë, si e keqja e Ballkanit, si një tumor në shoqërinë e re të pas Luftës së Ftohtë. Rugova kapi momentin. A mund të fitoje duke u bërë pjesë e së keqes, domethënë duke ndjekur të njëjtën rrugë si Milosheviçi, apo i duhej kundërvënë atij me metodat e promovimit të vlerave të lirisë, demokracisë, paqes, stabilitetit e prosperitetit?! Rugova zgjodhi këtë të dytën. Dmth i kundërvu obskurantizmit serb, vitalitetin dhe parimet morale moderne të tij e të shqiptarëve.

Me këtë vijë politike ai arriti dy objektiva shumë të rëndësishme: Zhvleftësoi propagandëna ntishshqiptare 100 vjeçare të Serbisë dhe faktorizoi kombin shqiptar në botën moderne. Pa këtë filozofi të Rugovës nuk do të kishim as UÇK-në, si katalizator i ndërmjetëm për diplomacinë imponuese të NATO-s, as çlirimin e Kosovës më 12 qershor 1999 nga ana e Aleancës së Atlantikut. Të gjitha këto, së bashku me postulatet e Rugovës për pavarësinë, për periudhën kalimtare si protektorat, për miqësinë e përhershme me SHBA-të, më kanë intriguar tejmase. Ndërsa praktikisht më ka bërë përshtypje sjellja prej të urti. Duhej të ishe Rugovë, p.sh t´i thoje kancelarit gjerman, Gerhard Schröder, "Mos u mërzit se do të bëhet mirë".

„Bota sot“: Ka mbetur edhe dicka e pa thënë rreth kësaj filozofie?

E. Bytyçi: Ka mbetur shumë. Për mendimin tim mendimi filozofik e politik i Rugovës nuk shteron kurrë. Ai mund të analizohet e të shihet në disa pamje, nga pikëpamja estetike, etike, morale, filozofike, juridike, politike, nacionale, ndërkombëtare, zonale e universale. Brenda konceptit të tij qëndrojnë në lidhje të ngushtë të gjitha këta elementë të racionalitetit të tij. Dikush mund ta studiojë shumë mirë Rugovën dhe mendimin e qëndrimin e tij filozofik nga pikëpamja e filozofisë së urtë e popullit shqiptar.

Në ligjet, kodet dhe kanunin e shqiptarëve shfaqet urtësia si elementi kyç i sjelljes njerëzore. Pikërisht këtë cilësi Rugova e përvetësoi dhe e bëri pjesë të filozofisë e të politikës së tij paqësore. Me urtësinë e tij të jashtëzakonshme ai sfidoi regjimin serb të Milosheviçit në Kosovë, e refuzoi atë kategorikisht dhe ndërtoi një sistem vetëqeverisës të admirueshëm. Urtësisë së tij iu bindën miliona shqiptarë, madje me admirim dhe më një shembullesë të jashtëzakonshme. Por me urtësinë e tij ai sfidoi edhe kundërshtarët kryeneçë brenda Kosovës. Ndërkohë te vepra e Rugovës mund të zhvillohen studime edhe në fushën e publicistikës, të letrave e sidomos të kritikës letrare. Ai ishte një studiues i jashtëzakonshëm, madje unikal në këtë drejtim. Kurse mjafton që dikush të bëjë analizën krahasuese të kushtetutave para e pas Rugovës me kushtetutën e Kaçanikut e të zbulojë faktin se Kushtetuta e Kaçanikut qëndron shumë më lart se të gjitha kushtetutat e tjera. Autorë të asaj kushtetute ishin juristët, por ideologu i saj ishte Ibrahim Rugova.

„Bota sot“: Në promovimet e botimeve tuaja ( gati gjithkund kah janë  shqiptarët ), ju u pritët mjaft mirë. A mund të vlerësoni ndonjë përvojë interesante për lexuesit tanë ?

E. Bytyçi: Promovimi i parë ndodhi në Prishtinë, vetëm pak ditë pas botimit të parë të librit, përkatësisht më 14 janar 2011. E organizoi Ministria e Kulturës, gjë për të cilën falenderoj drejtuesit e asaj kohe, ministrin Lutfi Haziri dhe sekretarin e Përgjithshëm, Shkëmb Manaj. Ishte një promocion perfekt. Imzot Dr.Dom Lush Gjergji mbajti një referencë të thukët. Po kështu Prof. Dr. Jusuf Bajraktari dhe botuesi, Nazmi Rrahmani. Ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm.

Botuesi, Nazmi Rrahmani, më tha se libri është shitur. Atëherë unë e ribotova përmes Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, duke shtuar dhe disa kumtesa që u mbajtën në Prishtinë, në Kirchem-Haim Teck të Gjermanisë e në Zyrih të Zvicrës. Më tej, në dhjetorin e vitit të kaluar u bë një promovim tjetër në Bonn të Gjermanisë, organizuar nga Lidhja Demokratike e Gjermanisë. Më lejoni me këtë rast të falenderoj të gjithë ata që u morën më këto organizime. Të më falë ndonjë që nuk përmendet, por do të veçoj Xhafer Lecin, ju i dashur dhe nderuar z. Muharrem Sqarfa, kryetarin e LDK-së për Gjermani, Qazim Bajgoralliu, kryetarin e LDK-së për Zvicër, Haki Latifi, zotërinjtë Anton Kola, Mehdi Laçaj, Ramiz Dermaku, Idriz Zeqiraj, Shefqet Dibrani, Ridvan Hoxha, Hazër Susuri, Muharrem Gashi etj. Një falenderim i veçantë shkon për njeriun tim të nderuar e respektuar të gjakut, Sylë Hoxha, i cili më ka nxitur ta trajtoj këtë temë dhe është interesuar që libri të botohet për së dyti herë. Po ashtu për këto arësye falenderoj veprimtarët shqiptarë në Gjermani, Rexhep Gashin, Gjon Bojkun, Genc Kelmendin etj. Kurse mund të njoftoj lexuesit se në Zvicër ky libër do të promovohet për së dyti herë më 27 tetor të këtij viti, nën kujdesin e zonjës Zize Pepshi, kryetare e Lidhjes Demokratike të Dardanisë.

Mund të them se libri nuk ka gjetur pasqyrim në median televizive, si shumë libra të tjerë, për të cilat televizioni është shndërruar në mjet marketingu e jo pasqyrimi të vlerave. Por kjo monografi për Ibrahim Rugovën është vlerësuar shumë nga lexuesit e thjeshtë. Ka pasur vlerësime, për të cilat nuk do të isha kujtuar gjithë jetën t´i formuloja. Ka pasur edhe kritika nga ndonjë person me tru të ngurtësuar, por edhe kjo është normale, sepse ende ka njerëz, të cilët nuk e vlerësojnë, për të mos thënë se e urrejnë, Ibrahim Rugovën. Koha do t´i çlirojë të gjithë shqiptarët nga thonjtë e ideologjive antishqiptare dhe të gjithë pa përjashtim do të shohin te Presidenti Historik i Kosovës njeriun legjendë, që shpalosi vërtetë legjendën e vlerave të kombit shqiptar, njësoj si Nënë Tereza.

„Bota sot“: Po kthimi i juaj në Gjermani, tash si autor i librave me analiza dhe  studime, cfarë do të thotë për ju?

Enver Bytyçi: Edhe pas kthimit nga Gjermania kam vijuar të shkruaj studime, analiza, komente, opinione. Kam gjetur kohë t´i bëj këto, edhe pse në kushte disi më të vështira sesa në emigracion, ku s´kisha asnjë punë, përveçse të shkruarit. Kam shkruar ose vazhdoj t´i shkruaj dhe katër libra të tjerë, të cilët presin dritën e botimit. Dhe do të shkruaj vazhdimisht duke iu përmbajtur filozofisë së vlerave.

Në këtë bindje e vetëdije ze vend çdo filozofi dhe mendim politik që i bashkon shqiptarët. Kjo është vlera që duhet qëmtuar dhe zbuluar. Për fat të keq janë shumë pak ata njerëz të elitës shqiptare që bashkojnë e nuk i ndajnë njerëzit. Ne vazhdojmë të vuajmë sindromin e krijimit të partive politike për të kritikuar të shkuarën pa u munduar aspak për të dhënë një alternativë të besueshme. Kjo sepse partitë përbëjnë kalin e betejës klasike në luftën kundër njëri-tjetrit për pushtet personal e klanor dhe jo bërthamën e përhapjes së ideve, vizioneve dhe programeve zhvillimore për vendin. Mund të gjesh dhjetë mijë, njëzet mijë shqiptarë në Ballkan, që mund ta krijojnë një parti për të sharë, ofenduar, shpifur e trilluar për kundërshtarin, por nuk bëhen as sa gishtat e njërës dorë ato që shpalosin vizionin e zhvillimit të kombit tonë në të ardhmen, duke rivitalizuar përvojën e së kaluarës. Fatkeqësisht ne jemi formuar revolucionarë dhe koncepti ynë, i trashëguar nga diktatura është revolucioni. Na mungon koncepti për evolucionin, aq më pak mungon ky koncept në metodologji e si doktrinë e mendimit vizionar politik e intelektual. Rugova ishte i veçantë. Ai ishte ndryshe. Ai kishte vizion, program, taktikë e strategji të përsosur, aq sa mund të jetë e përsosur vetë politika. Ai e ndërtoi politikën mbi bazën e moralit dhe jo mbi bazën e interesit klanor e personal. Prandaj i duhet dhënë Rugovës vendi i parë në historinë e personaliteteve të kohës sonë.

„Bota sot“: Mërgata shqiptare për vite të tëra ishte bartëse e proceseve historike që lidhen me kombin dhe ardhmërinë e zhvillimit të gjithmbarshëm ( tonin). Cili është vlerësimi i juaj për këtë temë ?

E. Bytyçi: Eshtë shumë e vërtetë se mërgata shqiptare ka qenë dhe mbetet bartëse e proceseve historike kombëtare. Milosheviçi e ka shprehur zilinë e tij pë kontributin e mërgatës shqiptare në luftën kundër sundimit të tij në Kosovë. Kjo do të thotë se ai i shihte shqiptarët në emigracion si faktor i fuqishëm në fitoren e luftës për liri e pavarësi. Kjo do të thotë se emigracioni shqiptar kontribuoi me vepra konkrete e të mëdha në luftën për çlirimin e Kosovës. Kontribuoi shumë e me disiplinë për ndërkombëtarizimin e çeshtjes së Kosovës.

Por besoj se ka ardhur koha që ta shohim pak në mënyrë pragmatike këtë rol. Tani që shqiptarët kanë krijuar kufijtë e tyre, nëse mund të shprehem kështu, kombi ynë ka nevojë për kontribute të tjera. Unë mund të shpreh vetëm një aspekt. Sa më shumë shqiptarë të kthehen në atdhe, aq më shumë do t´i kontribuojnë vendit e ardhmërisë. Eshtë me interes të madh të kthehen shqiptarët që kanë biznes. Nuk ka nevojë që ata ta mbyllin biznesin në Perendim, por duhet të investojnë në Shqipëri e në Kosovë. Të dy shtetet tona kanë potenciale, resurse dhe perspektivë të shkëlqyer. Nëse vazhdon kështu ritmi i zhvillimit ekonomik, atëherë Shqipëria e Kosova do të jenë të dyja Zvicra e botës, jo më Zvicra e Ballkanit, as e Europës. Do ta kalojnë edhe Hong Kongun, Singaporin e mund të bëhen Dubai europian. Ne kemi gjithçka që i duhet njeriut. Por nuk kemi fatkeqësisht ende njeriun adap për ta përdorur pasurinë tonë në dobi të kombit, të shqiptarëve. Shqiptarët në emigracion e kanë këtë potencial dhe janë ata që mund të venë në lëvizje potencialet e zhvillimit. Prandaj lëvizja e të gjitha palëve do te duhet të jetë: - Sa më shumë shqiptarë të investojnë në Shqipëri e në Kosovë. Të investojnë dije, ide, pasuri, para.

 „Bota sot“: Ju ne " Roli i  NATO-së në konfliktin e Kosovës ", i mbeteni besnik kësaj pjese të gjeografisë së atdheut .......

E. Bytyçi: Ky është studimi me të cilin kam mbrojtur tezën e doktoraturës. Eshtë një studim thuajse i plotë, i ndarë në gjashtë kapituj si dhe shtesa, me përfundime e perspektivën e Kosovës e të rajonit. I gjithë studimi përfshihet në mbi 300 faqe kompjuter. Për të realizuar këtë studim kam shfrytëzuar bibliotekat e botimet në gjuhën gjermane, por jo pak në atë angleze e pak në frengjisht. Autorët nga Gjermania mund të numrohen me rreth 200 gjithsej. Njëkohësisht më kanë ndihmuar kërkimet në disa institute studimesh në Gjermani.

Eshtë i pari studim i shkruar nga një studiues shqiptar. Shpresoj që të kem shtruar një trase, qoftë dhe të ngushtë, për t´i bërë vend zhvillimit të veprimtarisë studiuese e të kërkimeve në të ardhmen për këtë tezë.

„Bota sot“: Viti 2012 shënon 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë po, edhe 4 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ç’mesazh është për shqiptarët  ky jubile ?

E. Bytyçi: Njëqind vjet shtet nuk janë pak për një vend e për një komb. Shqipëria, ndonëse e fundit në Ballkan, ka pse krenohet me historinë e saj. Ky jubile na shtyn në disa mesazhe. Së pari, të kuptojmë se pas 100 vjetësh duhet ta ndryshojmë plotësisht sjelljen tonë politike e sociale me njër-tjetrin. Të kuptojmë se ne tani do të përballemi me sfidën e emancipimit e jo më të përcaktimit të kufijve. Eshtë ky një stad i ri, që kërkon më shumë urtësi e mendim. Së dyti, të kuptojmë se historia nuk fillon e mbaron te një udhëheqës politik, nuk ndryshon sa herë ndryshojnë qeveritë e regjimet. Prandaj i bashkohem kërkesës së kryeministrit Berisha për rishikimin e historisë sonë kombëtare, për ta sjellë atë sa më afër reales. Shqiptarët kanë mësuar se Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, por ende nuk e dijnë se Hasan Prishtina ishte ideologu dhe komandanti i luftës për liri e pavarësi. Shqiptarët kanë mësuar se Skënderbeu i bashkoi shqiptarët dhe krijoi shtetin e mesjetës, por ende shumë prej tyre mendojnë se Ahmet Zogu është "tradhëtari", pra e kundërta e Skënderbeut. Kjo situatë dramatike duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund ajo që një historian ta mbrojë Enver Hoxhën, madje duke e cilësuar "nacionalist". Këto marrëzi i kanë indoktrinuar shumë prej nesh. Sa më shpejt të mësojmë nga historia dhe ta lexojmë atë me realizëm, aq më shpejt emancipohemi si komb dhe hyjmë në shekullin e dytë të shtetit shqiptar me një vizion të ri e të sigurt për të ardhmen. 100 vjetori i pavarësië është një moment i rëndësishëm për këtë refleksion.

„Bota sot“: Volumit të deritashëm të studimeve tuaja, çfarë do t’i shtohet në të ardhmen ?

E. Bytyçi: Shpresoj se shumë shpejt do të dalë libri i ri "Diplomacia e imponuar e NATO-s në konfliktin e Kosovës". Eshtë studimi për të cilin fola më lart, natyrisht i redaktuar dhe pjesërisht i ripunuar. Kam bërë gati për botim një libër tjetër filozofik: "Nihilizmi si opsesion". Nuk e kam idenë se kur mund të botohet. Kam skicuar dhe dy studime të tjera, të cilat i kam filluar e për to punoj paralelisht. Njëri ka të bëjë me konceptin modern të vetëvendosjes. Shpresoj të ecë mbarë e t´i përfundoj sa më shpejt. Shpresoj që të kem mundësi edhe për t´i botuar.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora