E premte, 06.12.2019, 12:11 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Dhembshëm më digjet historia

E hene, 01.10.2012, 06:55 PM


Cikël poezish: SIKUR DHEMBSHËM MË DIGJET HISTORIA...

Sejdi BERISHA:

BIRO, TASH ËSHTË VJESHTË...!

Tash është vjeshtë
Duhet përgatitur për gjumë të rehatshëm
Apo për ëndrra të trishta
Vjeshtë është tash...
Babai thoshte duhet mbledhur bereqetin
Edhe drutë e dimrit për t’i siguruar
Por edhe një grimë mish pastërme
Për fëmijë e darkë mysafirësh

Tash është vjeshtë
E vërtetë është
Por tjetër vjeshtë më thonë
Atëherë s’ka gjumë
Por vetëm shikim kah shikllat e tavanit
Ka ëndrra që asnjërën s’di ta shpjegosh
As në kafenë e mëngjesit

Tash është vjeshtë, biro...
Kështu më thoshte babai im flokëthinjur
E, unë qysh atëherë
E kapja meselenë e babait
Këtij mjeshtri të stinëve
Por që tash kanë kapërcyer decenie
E stinët e shekujve imponuar m’i kanë

Biro,...
Tash është vjeshtë
E shirat mund të vërshojnë
Kurse prrojet bjeshkët i gërryejnë
Mund të bjerë edhe borë

M’u duk se isha ulur
Në cung të druve duke medituar
E, sërish babai më thotë
Nuk është mirë të ulësh në cung
Ku prehen e shkurtohen drutë...

Biro,...
Tash është vjeshtë
Sëpata mund të rrëshqasë
E nuk i dihet tehut të saj...

Haj medet...
Po kujt ia drejtoj këto vargje të rënda
Ndoshta vetvetes...
Se më të vërtetë
Tash është vjeshtë
Edhe unë i thash birit tim...

KALO MBI TRUPIN TIM

Nëse do të digjesh si kalorës kohe
Me damarët e gjakut tënd
Kalo mbi trupin tim

Nëse do për ta mos kënduar
Këtë serenatë dashurie
Merre trupin tim
E unë rrjedhën tënde të gjakut
Atëherë
Do shtohet edhe një tjetër planet
Dhe vuajtja
Në kështjellë bukurie do shndërrohet
Ndoshta,  ia vlen aty për të jetuar...

MBI VIGUN E LUMIT TË FSHATIT

Atëbotë kur kaloja
Nëpër vigun e lumit të fshatit
Poshtë shikoja rrjedhën e kthjellët të ujit
Gurgullima ma kujtonte flladin dhe freskinë
Dhe ikja në anën tjetër të lumit
Duke e përdhunuar shokun e lagjes
Që e kishte ëndërr kalimin mbi vig
Tash, një ditë
Se kur nuk e di as vetë
Ktheva tek vigu i lumit
Të cilin dikur
Si rrugë dhish e kisha bërë
Aty s’kishte ngelur gjë
Vetëm një trup gështenje i kalbur kohësh
Edhe tash si atëherë
Në vetvete dhembshëm e digjte historinë
Uji i kthjellët brenda kujtesës
Me atë gurgullimën
Dhe me flladin brigjeve shpërndarë
Damarët e jetës m’i freskonte
S’kishte ngelur gjë
Pos gurëve të lumit
Dhe hedhurina kohe

Nga hidhërimi
Fryma thekshëm më iku
Thellë në zgurë
Zemra më theri
Sërish nxora frymën nga vetvetja
Shpejtë e shpejtë
Ktheva në vend vigun e dikurshëm
Kalova nëpër te
Mbi lumin me ujin e kthjellët
Duke e përqafuar gurgullimën e tij
Por, trupi gështenje
I tretur nga ecja
Sikur më doli përpara dhe më tha:
Atëherë vig kam qenë
Mbi trupin tim
Si shumë të tjerë ke kaluar
Dhe po atë moment
Si të mos kishte qenë
Ra si lis kohe i shkapërderdhur
Shikova përreth
Sa regji të mirë kisha bërë
Dikush m’i nxori lotët
E kohës, të përmallimit apo të hidhërimit
Ku ta di...



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT