E premte, 29.03.2024, 02:08 AM (GMT)

Kulturë

Hamit Taka: Shembja e lumturisë

E hene, 01.10.2012, 05:45 PM


SHEMBJA E LUMTURISE

-tregim-

Nga Hamit Taka

Sa herë kalonte rrugëve të kryeqytetit, i cili e kishte magjepsur bukuroshen provinciale më tepër se sa ishte në të vërtetë, ajo ndalej para vitrinave, ku ekspozoheshin mallrat më të mira në shitje. Kur e joshte ndonjë çantë, ndonjë shami, ndonjë shall apo ndonjë bizhuteri, futej brenda dhe vështronte gjithçka me kureshtje, ku çdo gjë i dukej më e mirë se tjetra. Mirëpo të gjitha i dukeshin më të shtrenjta se kursimet e saj. Motivi i vetëm ishte një dhuratë e bukur për mamanë e vet dhe për atë, që i kishte krijuar një kaos të ëmbël në tërë qënien e vet. Tani kishte dy muaj që e brente ndërgjegjja, pse nuk i bëri një dhuratë, sado modeste, njeriut, që i kishte ndezur të gjitha dritëzat e rinisë së saj. Po atë të diel pas dite nuk e ktheu asnjë herë kokën nga vitrinat gjatë gjithë rrugës që përshkoi me këmbë, sikur ato të mos ekzistonin fare. Bile këmbënguli tëmos e shoqëronte as Edlira, shoqja e saj më e ngushtë. Vetmia për të ishte bërë një hapësirë e blertë e pafundme, e derdhur në reze diellore, që e mbushte plot e përplotë vegimi rrezëllitës i djaloshit.          Që ta zgjaste sa më shumë bashkëbisedimin me vegimin e tij prepotent, të nanurisej në ëndërrën e saj,  nuk mori autobuzin  urban, si zakonisht, kur bënte rrugën nga godinat e fjetjes të studentëve të mjekësisë deri në qendër të kryeqytetit. Thirrjen e kishte bërë te PTT-ja qëndrore, që të ishte në mesin e rrugës për të dy, me shpresën se, pas fjalëve që ajo kishte menduar t’i thoshte, ai do të vinte në takim patjetër. I kishte menduar frazat, i kishte thënë e rithënë, kishte ndryshuar fjalë e fjali të tëra e prapë nuk ishte e bindur se ato do të bënin efektin maksimal në dërgjegjen dhe zemrën e njeriut që sapo kishte hyrë në jetën e saj si një uragan, që kishte fshirë gjithë të shkuarën e saj. Në kaleidoskopin shumëngjyrësh të kujtesës i parakalonte gjithë periudha e bukur pesëmujore, që kishin kaluar në parajsën e lumturisë-një novelë e ëmbël dashurie: Vështrimi hipnotizues i tij një mbrëmje në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndjekja disa mbrëmje me radhë kudo që ajo ndodhej, prezantimi e njohja midis tyre, telefonatat, takimet, lokalet e pastra, ku pinin limonata e hanin xupa , shoqërimet krah më krah e dorë për dore deri te godina e saj në orët e vona të mbrëmjeve vjeshtore. Veçanrisht ato mbrëmjet në kinematë e kryeqytetit, të ngjeshur pas njëri-tjetrit. Sytë e saj të gjallë kishin disa muaj që ishin vetëm në ëndërrim. Pesë muaj që kishin kaluar bashkë me një pasion të zjarrtë, të panjohur më parë për të, nuk linte asnjë shteg për dyshime. Por dy muaj pa asnjë takim, vetëm me biseda telefonike dhe justifikime të panumërta për pamundësinë e takimeve, ishte përmbysje e botës për të.Te sporteli mbriti gjysëm ore para kohe. Çentralistja u habit pak me kërkesën naive të bukuroshes, për ta provuar linjën e “Qytetit Studenti”, mos studenti me emrin Erjon ishte paraqitur në PTT, por buzëqeshi, se ishte regjur me padurimin e këtyre studenteve të reja. Vajza, pak e përskuqur, u ul në skajin e një stoli bosh.  Çentralistja e re në moshë, por jo shumë e bukur, nuk mundi të mos e përqëndronte vështrimin mbi trupin e saj të derdhur, fytyrën tmerrësisht tërheqëse, flokët e lëshuar mbi supe dhe sytë magjepsës, ku vezullonte një trishtim i ëmbël. Jo pa zili vështroi ovalet e gjunjëve të saj të lëmuar, të dalë pak në fustanin e kaltër prej leshi dhe gjoksin që gufonte nën pallton ngjyrë portokalli. E ka shkopsitur qëllimisht, mendoi çentralistja, për të nxjerrë në pah ato thesare të vyera për një femër në moshë të saj. Ndërkohë studentja, me vështrimin ngulur te një tablo, ku ishte pikturuar parku te liqeni artificial i Tiranës, arsyetonte: Nuk ka asnjë arsye.Nuk ka asnjë mundësi. Pesë muaj kemi qënë njerëzit më të lumtur në botë. Ishte një poemë e bukur ndjenjash, që ne e recitonim të dy me pasion. Ndërsa në vesh, me një ritëm të pandërprerë, i kumbonte zëri i çentralistes në pritjen e telefonatës së parë: Dhurata me Erjonin në kabinën numër 5… Iu kujtua puthja e parë.      Ishte gjëja më anormale në tetëmbëdhjetë pranverat e veta. Nëna, gjyshja, halla, tezja dhe motra e madhe i kishin dhënë një mijë porosira, të cilat ajo i kishte të shkruara në kornizën e moralit. Por temperamenti i saj nuk i duronte konvencionet. Si bukuroshe e përkëdhelur e provincës rregullat e diktuara të sjelljes e bezdisnin, sepse ato rregulla kufizonin lirinë e saj, dhunonin ëndërrat, pasionet, hobitë, hapësirën e saj jetësore.  Ajo s’duronte dot më as  praninë e shoqeve. Që nga dita që ishte njohur me të, ai ishte i pranishmi i vetëm në jetën e saj, që nuk i ndahej për asnjë çast. Kujtonte e rikujtonte ledhatimet ndehëse, aromat e flokëve dhe faqeve kur rruhej, fjalët e ngrohta, dlirësinë dhe magjinë e tij tërheqëse, kur ishte fizikisht pranë saj.  Edhe në gjumë trupin ia përshkonin drithërima molisëse , i ndërpritej frymëmarrja dhe zemra i rrihte fort. Ndërpriste çdo gjë, bile edhe leksionet dhe i dukej se, po humbte ndërgjegjen nga afshi i lumturisë.  Korniza e moralit në ato çaste u thye e u bë thërrime para syve të saj.Ai e kapi për dore, e afroi pranë trupit të tij, ndërkaq ajo ngriti sytë e qeshur dhe i vështroi portretin, nga i dukej se buronte gjithë fuqia  tërheqëse magnetike e atij djaloshi, që do të behëj aktor. Djaloshi u përkul dhe, pa e paralajmëruar, e puthi në faqen nga i binte drita, pasi lodra e reflekseve të dritës e joshte më tepër. Drithërima,  që ia përshkoi trupin bukuroshes, i shkaktoi një ndjesi të panjohur e krejt të jashtëzakonshme dhe gjoksi filloi t’i ngrihej e t’i ulej hovshëm. Djali u mbështet pas trupit të saj dhe, duke e shtrënguar pas vetes, ngjanin si dy gjysma trupash të bashkuar në një të vetëm. Gjoksi i saj i butë u shtrëngua fort në kraharorin e tij. E përshkoi dëshira për ta përqafuar, për t’u shtrënguar edhe më fort pas trupit. Megjithatë nuk e mori guximin. Me ndrojë preku kraharorin e tij dhe e ledhatoi lehtë me gishtat e butë. Djali u drithërua pak, lëshoi një rënkim të lehtë e të zgjatur dhe vazhdoi ta puthte me ëndje i pangopur. Bukuroshja, e trullosur nga ajo që po ndodhte, nuk iu përgjigj puthjeve të tij. Djali vazhdoi përsëri e përsëri deri sa vajzës nuk i mbetën më forca dhe hapi buzët. Gjuha e djaloshit, si një mrekulli e shumëpritur, depërtoi në hapësirën e ëmbël të gojës së saj. Ai  vazhdonte me përkëdhelje e ledhatime në supe, shpinë e qafë, sikur donte të bindej se nuk ishte ëndërr, se ajo qëndronte para tij vërtetë aq magjepsëse dhe aq e ëmbël….Por, papritur, si një rrufe në qiell të kulluar, ia ndërpreu kujtimet zëri i sportelistes: “Dhurata me “Qytetin Studenti” të mos pres. Personi i kërkuar nuk është paraqitur”.-Ç’ke të keqen nëna? Mos nuk ndihej mirë? Mos more ndonjë lajm të keq? - i tha një grua e moshuar, kur pa vajzën të çohej sikur ta kishte goditur një rrymë elektike e fortë. Fytyra i ishte zbardhur si borë e freskët. Gruaja iu afrua dhembshurisht, e kapi për krahu dhe e uli  përsëri në stol, duke tërhequr edhe vëmendjen e të tjerëve. Vajzës i ikën lotët çurg. Ah, të kishte nënën pranë atë çast!- Jo nuk kam gjë. Jam mirë. Faleminderit shumë,-iu përgjigj me mirënjohje gruas dhe u ngrit për t’iu drejtuar portës. Por, pa bërë dy-tre hapa jashtë godinës së PTT-së, ku u ndal pak për t’u mbushur me ajër të pastër,  befas pa atë, që po vinte drejt saj me një buzagaz të ndrojtur, që binte ndesh me ballin e menduar, ku ravijëzoheshin dy-tri rudha të holla, gati të padukshme. Sytë e tij të bukur, por pa jetë, në atë fytyrë pak të përskuqur, ngjanin sy dy diej në sfondin e purpurt të një perëndimi të ftohtë. Bukuroshes, e ekzaltuar nga ai takim i papritur, iu ngroh trupi menjëherë, i erdhi ngjyra dhe e kuptoi si  një surprizë të përgatitur me kujdes nga i adhuruari i saj. Kushedi sa herë ka bërë hapa para-prapa, mendoi me vete, deri sa më pa këtu. Iu hodh me vrull në qafë, pa paragjykuar asgjë në atë botë që e rrethonte. Hera e parë që i hidhej me atë guxim foshnjarak. Ai qëndroi si një mbështetëse, që mban një degë të thyer dhe vështroi rretherreth si një bishë e vogël, që ka frikë se mos bie pre e bishave grabitqare më të fuqishme. Vajza mbështeti kokën te supi i tij dhe u shkreh në ngashërime gazëllyese. Djaloshi provonte ndjenja dhe emocione nga më të përkundërtat. Valë të ftohta dhe të nxehta ia përshkonin tërë shtatin. Keqardhje, dhimbje, por edhe diçka trallisëse, që e pushtonte, e drithëronte, duke mos i bërë dot ballë. Ishte hera e parë që një krijesë kaq e freskët, kaq e butë e kaq e ëmbël lëshohej në krahët e tij pa asnjë rezervë. Ajo vajzë duhet të kishte diçka të magjishme, që kishte ushtruar mbi djemtë si Erjoni një joshje të papëballueshme. Por e mblodhi veten dhe u tërhoq, duke mos i lëshuar vetëm dorën e saj të butë e ledhatare. Nuk ia shtrëngonte, vetëm sa e mbante në pëllëmbën e tij. Ai e mbajti ashtu deri sa vajza u shkreh dhe filloi ankimet e qortimet, të cilat ai i dëgjonte me gjakftohtësi  dhenjë  frikë të mprehtë. -Ti nuk më do më! Si ke duruar dy muaj pa më takuar?...Hë fol, pse s’më jep përgjigje? Ku të ka mbetur qejfi? Ç’farë të kam bërë?  Ku kam gabuar? – Zëri i saj kishte një dhimbje të ëmbël, se ishte e përzier me ngazëllim. Ai zë mund të të zbuste çd lloj vendosmërie për të mos iu përgjigjur.-Asgjë s’më ke bërë, askund nuk ke gabuar. Gabimet janë të miat,-iu përgjigj djali. -Domethënë i pranon! Atëherë kërko falje! Hë më përqafo, më puth fort, si ato ditë para godinës sime!. -Po, kërkoj një falje të madhe,-iu përgjigj djali dhe e ledhatoi butë në faqe. Pastaj i vuri dorën në sup dhe ajo e mbështeti kokën tek ai. Ia kapi të dy duart dhe e priti fjalën e tij si ajo zoçka që prêt mëkimin e nënës së vet. Në trupin e djalit vërshoi një zjarrmi e ëmbël e paprovuar në asnjë mardhënie tjetër me vajzat e njohura prej tij. Pasioni më i maskuar, prapë se prapë tradhëton. Edhe në errësirën e tij, ai paralajmëron shtrëngata të mëdha. Bukuroshes, sikur diçka i paralajmëroi instinkti dhe u tërhoq. -E shikon? S’po më puth, -i tha ajo. Pastaj ia lëshoi duart, por në duart e djaloshit la një mbresë drithëruese, të butë, të lehtë, sa në mëndjen e tij lindi dyshimi.  Përjetimet e djalit ishin gati diçka hamletiane, ku zemra dhe mëndja ecin në kahe të kundërta. Atij i kishte mbetur në mend një shprehje e Stendalit: “Duke vepruar ngadalë, do ta shpëtosh situatën”.           -Po të rrëfehem, -filloi djali. Ajo ngriti sytë e bukur dhe e vështroi në sy, por iu duk se nuk ishin sytë e djalit që donte. Me një kureshtje të papërmbajtur priste rrëfimin e tij.        -Ne kaluam pesë muaj të magjishëm. Ishim në një ëndërr, që nuk na linte të shikonim asgjë përtej saj. Ky  rrëmbim pasionesh sikur na e verboi pak vështrimin dhe nuk pamë se përtej kësaj ëndërre kemi edhe shumë gjëra të tjera, që duhen zgjidhur para kësaj ëndërre…Vajza u drodh sikur t’ia kishin prekur mishin me një hekur të skuqur. Ajo zgurdulloi sytë e përlotur, që iu thanë menjëherë dhe me një zë të akullt, i tha:-Jo, ti s’më do më. E shikon? Të thashë që s’më do më. S’më do! S’më do!E kam ndier gjithë këto ditë, kur më përgjigjeshe në telefon me ca fjalë të thata e ca justifikime foshnjarake. Domethënë ti kishe gjëra të tjera para dashurisë sonë!-Po… jo, por mësimet, provat e aktrimit, drama që po vija në skenë,provimet,  probleme familjare,që nuk presin…     -Dhe ndonjë vajzë tjetër që nuk pret. Që nuk të lë më kohë të dëfrehesh me mua… Më thuaj a ke ndonjë vajzë tjetër dhe gjithçka merr fund, -tha vajza e zbehur si një hënë, që e ka zënë dielli në kupë të qiellit.-Po…Jo, jo, kurrë, po, si ta them, diçka e tillë, më shumë se një vajzë -filloi djaloshi kokulur, por i ngriu fjala në buzë. Para tij ishte një vajzë e re, tetëmbëdhjetë vjeç, që e kishte cipën si trëndafil. Bukuroshja kishte përjetuar një pranverë dashurie, lavdinë e mëngjesit të një dite prilli, e cila tregonte tërë bukurinë e diellit, por që përnjëherësh një re e e rrëmben të gjithë. Ai pa në fytyrën e vajzës se si u stampos një dhembje e pakufishme, por dhe një urrejtje, që ia preu fuqitë fare. Bëri të ikte me vrullin e një shpendi grabiqar, por iu morën mend edhe këmbët. Ai  e kapi nga krahët me shpejtësinë e panterës dhe i futi krahun rreth trupit, për ta mbajtur. Dhe ajo u mbajt. Në kurmin e saj rrodhën përsëri rumet më të ëmbëla të botës. Ato filluan të depërtonin edhe në dejet e djalit të matur  e të përmbajtur, mbi fuqitë dhe instinktet e tij. Por ai arriti ta komandojë veten dhe nuk e la të binte pre e subkoshiencës. E pa se nuk mund ta luante më atë lodër të rrezikshme. “Nuk di në ç’gjëndje jam! Ç’bëj!”, tha  me vete. Me vajzën për krahu iu drejtua një stoli te lulishtja buzë trotuarit.Vajza u ul përbri tij dhe i kapi menjëherë dorën me të dya duart, duke ia mbështetur në gjurin e saj. Djaloshi i kërkoi me një ëmbëlsi të shtirur të rrinin më të qetë, pasi te stoli përballë ishin disa shokë që e njihnin dhe nuk donte të bëheshin objekt i kurshtjes së tyre. Ajo kishte vënë re se ai vazhdimisht vështronte andej këndej, sikur i shfaqej një fantazmë e frikshme.-E pastaj, ç’ka se na panë ata shokët e tu? Për mua nuk ka më asnjë rëndësi se kush na shikon, kush na përgjon e kush na përgojon, -u përgjigj vajza dhe një ftohtësirë ia përshkoi trupin. Një grimëherë  ajo nuk reagoi , por pastaj veproi si i tha ai. Më mirë kështu, mendoi me vete, pasi duhej të sqaronin edhe ca gjëra.  Por nuk duroi dot pa ia kapur sërish të dya duart. Bukuroshja, me një zë të ngashëryer, buzagaz dhe e përlotur, filloi t’i kërkonte sërish shpjegime. Ishin po ato pyetje: ku kishte qënë për dy muaj dhe pse u shmangej takimeve; pse i kishte rralluar bisedat telefonike dhe dy herët e fundit nuk ishte paraqitur fare në skajin tjetër të telefonit. E të tjera e të tjera si këto, siç mund të bëjë një vajzë e dashuruar më tërë pasionin e saj, duke dyshuar se ajo po venitet. I kërkonte të dinte se ku kishte gabuar ajo, duke i lënë të nënkuptohej se ç’kishte më tepër ajo tjetra që ia kishte rrëmbyer ëngjëllin e saj. Ai përpiqej të justikohej me arsyetime nga më të ndryshmet, por kurrësesi nuk pranoi se dashuria e tij për të ishte venitur për shkak të lidhjeve me ndonjë tjetër. Bile i dha sigurinë se ai nuk shikonte më në fytyrë asnjë  vajzë tjetër. Ajo e ndërpriste, jo me pyetje, por me pohime. I tregonte të gjitha, gjer në hollësitë më të vogla, ç’kishte ndier, ç’kishte bërë për ta takuar, për të biseduar, për të sqaruar ndonjë keqkuptim. Sytë e saj aq të bukur, mbërthyer tek të tijtë, shprehnin dashurinë e thellë që ajo ushqente për të. Por rrëfimet e saj të sinqerta, gëzimet e saj magjepsëse, trishtimet  e saj të ëmbëla, dashuria e saj e pamatshme ishin pronë e dikujt tjetër. Ai e ndiente se ajo me bukurinë e saj ëngjëllore dhe me dobësitë e saj të këndëshme duhej t’i takonte e tëra atij, por…       Mugu po binte mbi kryeqytet dhe ai i kërkoi të çoheshin.  Duhet të ishin korrekt me rregullat e Qytetit Studenti dhe të godinës së saj. Ajo nuk e kishte dëgjuar herë tjetër të fliste ashtu dhe me atë ton të ftohtë. Por më tepër i gëzohej rrugës së përbashkët deri te godina e saj. Ai nxitoi të kapte urbanin e radhës dhe ajo e ndoqi me vrap, me gjunjë të këputur. Ishte e dëshiruar ta bënin rrugën me këmbë, krah më krah e dorë për dore. Para godinës ajo i kapi dorën, e tërhoqi pranë trupit të saj dhe tentoi vetë e para ta puthte, por ai u tërhoq gati me panik. Bukuroshes i kaluan rryma akulli në trup. Ndërkohë që një valë zemërimi po ia përshkonte trurin dhe i rriste tensionin e gjakut, si një pantere që i kanë rrëmbyer prenë, tha me vete: Sa i bukur është, sa i ëmbël është! Sa të ngrohtë e ka zërin! Si mund të ma marrë një tjetër pasurinë më të çmuar të jetë sime? Pastaj shkrehu zemërimin e saj me ngashërime dhe dridhje trupi. Ai përpiqej ta qetësonte. Ajo e kuptonte se ai tregohej i matur dhe i zgjidhte fjalët për të fshehur mendimin…Më në fund ai tha fjalën e fundit, para se t’i deklaronte ato fjalë fatale, që nuk guxonte t’ia thoshte: “Unë e kam fajin po  të jetë kështu”.Ajo shtangu. U ndie fajtore dhe mendoi se mos shkatërronte gjithçka me padurimin që tregonte. Por djali përfitoi nga rasti për t’i pohuar:  -Dhurata, unë nuk jam Erjoni. -Po, ju nuk jeni Erjoni, që njoh unë. Nuk jeni Erjoni im. Jeni një Erjon tjetër, -tha vajza pas një shtang’jeje.    -Dhurata, unë nuk bëj ahaka. Unë jam vëllai i tij binjak, Ermali.Ajo u tërhoq prapa sikur të kishte para një fantazmë. Mos ishte fantazma e tij dhe ishte paraqitur si ëngjëll?-Si?! Kush jeni ju?! -klithi ajo.  -Jam vëllai binjak, i Erjonit, Ermali. Këta dy muaj, që të ka munguar Erjoni, të jam përgjigjur unë në telefon. Ngjajmë shumë me njëri-tjetrin. Edhe nga zëri. Jemi identikë. E pranoj se të kam mashtruar. Por shkoja me shpresë se gjërat do të rregulloheshin. E dija dashurinë tuaj të pafajshme dhe më dhimseshit. Doja ta mbaja gjallë atë zjarr të bukur të pasioneve tuaja. Desha që e vërteta të merrej vesh gradualisht. Nuk doja të të shokoja. Koha do të bënte të sajën dhe zemra nuk do të lëndohej rëndë.Edhe Erjonit i kam folur në emrin tënd, dmth e kam mashtruar edhe atë.-Sa të ngjashëm jeni! Deri tani e dija se isha me Erjonin -tha ajo instinktivisht,sikur s’gjente dot fjalë tjetër mes asaj akullsire, që ia përshkoi trupin në atë moment dhe përmbytjeje të gjithçkaje që kishte lulëzuar në zemrën e saj .  Pastaj, përmes drithërimash dhe ngashërimesh, e pyeti si e dalldisur:-Mos Erjoni ka grabitur ndonjë vajzë dhe është arratisur nga Qyteti Studenti?       Fjala “arratisje” e drithëroi djalin, por ai mohoi me kokë.    - Ku është Erjoni? Iu hodh ajo me sy të çakërryer. -Çfarë i ka ndodhur? Eshtë i sëmurë? Ka pësuar aksident?...Hë folë, pse nguron. Më thuaj ç’i ka ndodhur?.       -Asgjë nga ato, -iu përgjidj binjaku i Erjonit. Asaj filluan t’i vërtiten në kokë mendime nga më të kobshmet. Ai u afrua, e përqafoi dhe ajo i mbështeti kokën në sup. Djali ndjeu hovet ngashëryese të gjoksit të saj. Dhimbje të tillë ai nuk kishte parë. Në çast edhe atij dhëmbja iu dyfishua. Ishte dhëmbja për vëllain dhe një motër, që i kishte lindur që herët, por ai e pa për herë të parë, kur ajo nuk do të ishte më për të.-Ma thuaj, vëllai im, çfarë i ka ndodhur Erjonit? Mos është lidhur me ndonjë vajzë tjetër kryeqytetase?-Një herë tjetër, -i pëshpëriti ai aq pranë fytyrës, sa ajo ndjeu afshin e ngrohtë të frymës së tij në fytyrë. Iu duk se ajo frymë po i ngrohte sadopak edhe shpirtin e saj.-Tani, vëlla,tani! - e urdhëroi ajo. Djalit, aty për aty, i erdhi në mend ajo shprehja stereotipe: Më mirë një tmerr me fund se një tmerr pa fund. Pastaj hodhi vështrimin andej-këndej, mos i përgjonte dikush dhe tha:- E kanë arrestuar, motër. - Si?!Çfarë the? Nuk kuptova asgjë –nuk deshi të besonte ajo, e bindur se po dëgjonte absurditetin më të madh në botë.- Jo, jo, nuk ka mundësi. Nuk është e vërtetë. Erjoni s’mund të bëj gjëra të tilla. Ai s’mund ta bënte qoftë edhe për dashurinë tonë.      -Nuk ka bërë asgjë, -ia ktheu djali.-Po pse atëherë?...          - Punë fuksash, -filloi shpjegimin binjaku. -Ai tha diçka dhe një shok i tij kishte informuar organet e Sigurimit.         -Po ç’qe ai spiun? Eshtë akoma i gjallë?-dhe vajzës i shkreptiu një vështrim si një shqiponjë që bëhet gati të rrëmbejë gjahun me çaponjtë e vet, - Po ç’tha, xhanëm? Ma thuaj, se nuk duroj dot. Dua ta çapëlyej me duart e mia.            -Hiç!...Koti…Një mbrëmje ata, një grup shkokësh, dolën në kodrat e Qytetit Studenti. Duke  vëzhguar Tiranën, Erjoni filloi të meditonte me gjysëm zëri: Ky qytet pa kufi, plot me drita të shkëlqyera dhe me kaq shumë njerëz, ma verbon shikimin. Asnjë nuk më njeh mua, një provincial të humbur, të gjithë janë më lart se unë. Më vjen koka vërdallë.- Po ç’ka këtu për ta arrestur një student të arteve?-tha Bukuroshja midis një revolte dhe zemërimi të pakonceptueshëm për moshën dhe bukurinë e saj.- Agjiatcion dhe propagandë. Erjoni është artist. Atij i flet zemra, nuk i flet mëndja. Dhe këtu është e keqja e tij, -iu përgjigj djali, duke vështruar andej-këndej, si vazhdimisht atë mbrëmje.Pastaj kishte ngashërime të thella për t’u mbajtur. Dy zemra të mallëngjyera kërkonin shërim te njëra-tjetra. E mori nisiativën bukuroshja. Ajo e përqafoi dhembshurisht.-Nesër do të shkojmë të dy bashkë të takojmë Erjonin, -tha vajza.-Jo, -tha djali, -nuk bën. Nuk bën. Nuk bën për të ardhmen tënde.-E ardhmja ime është e ardhmja e Erjonit, -u  përgjigj ajo. Por djali ishte dy vjet më i madh dhe nga përvoja e dinte se betimet më të forta të dashurisë janë kashtë për zjarrin e gjakut para disa dusheve të akullta të tabuve.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora