Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Komunistët të hapin varrin dhe të lanë pa varr!

| E hene, 01.10.2012, 06:01 PM |


KOMUNISTËT    HAPIN  VARRIN  DHE    LANË  PA  VARR !

Në 100 vjetorin e Pavarsisë…

Nga Fritz RADOVANI

130 vjet ma parë ka lé në Shkodër At Matéa (Mati), pikërishtë me 2 Tetor 1882. Mbas mësimeve të para në vendlindje, ka vazhdue studimet e nalta në Grac të Austrisë. Asht shugurue Meshtar me 5 Prill 1904 në Kishen Françeskane të Shkodrës. Mbas një viti ka shkue famullitar në Bajzë të Kastratit. Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit, në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, një ditë të dielë mbas meshet, At Matéa çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe iu drejtue të pranishëmëve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: - Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën, o sot o kurrë, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk, që don me zharitë vëllaznit tonë!

Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matésë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër.

Me të marrun vesht, valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë raprezalje kundër shkodranëve. Imzot Guarini dërgoi  një përfaqësues me u dalë para malësorëve, që po vinin me At Maténë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë, dhe mbasi ishin marrë garancitë prej valisë, malësorët u kthyen. Shkodra shpëtoi...

At Matéa qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun... e, si tash e kam ndër veshë zanin e Tij kur këndonte “Gloria.”

Kur Imzot Lazër Mjedja shkoi në Prizren, aty nga 1908, At Matéa shkoi në Traboin, Deçiq dhe Greçë. Tue pa me sy tiparet e malësorit të kulluem, ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon shqiptarin e që e veçon nga kombet tjera: Aty ishte burrnia e besa! At Matéa ishte bashkë me At Buon Gjeçaj në Malësi me 6 Prill 1911, në krahun e djathtë të Dedë Gjo’ Lulit, në Majen e Bratilës, me Flamurin e Gjergj Kastritot të palosun në gjoksin e vet. Mbas rrethimit të Shkodrës, në 1913, kapet nga forcat e Malit të Zi dhe dënohet me varje në litar. Ai nuk i frigohet vdekjes dhe kur gjykatësi i thotë se “do të varim në litarin që ké në brez, At Matéa i pergjegjet: “Ua dij për nder me më varë në konopin tem, mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Edhe aty gjenë rasen me tregue besimin tek litari i Fratit...I falet jeta nga Krajl Nikolla mbasi  nderhyn miku i Tij At Gjergj Fishta. Kthehet në Shqipni, po asht kundershtar i shitjes së Trojeve Shqiptare nga Ahmet Zogu. Në vitin 1927 asht në burg dhe e pret pushkatimi me kryengritësit e Veriut. I falet jeta nga Zogu, me nderhymje të Provinçialit At Pal Dodaj, që kishte shpetue Zogun në Rubik.

Vazhdon sherbimin fetar në krahina të ndryshme të Shqipnisë. Në vitin 1941, bashkë me At Anton Harapin, hapë Kishen Françeskane të Tiranës. Në vitin 1943, kur At Antoni merr detyrën e Regjentit në Tiranë, At Matéa merr detyrën e Provinçialit të Françeskanëve. Në zgjedhje mendohet për At Çiprian Niken, por At Matéa e kundershton siç e shpjegon At Konrrad Gjolaj në librin “Çinarët”: “Kur u zgjodh Provinçial At Matéa, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, se asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohej, por At Matésë nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë ma parë kishte shkue deri te gryka e pushkës, madje edhe deri tek stoli i konopit në Mal të Zi.”

Në Janarin e vitit 1945, komunisti terrorist Mehmet Shehu vjen në Kuvendin e Fretenëve dhe i kerkon At Matésë shkëputjen nga Vatikani. At Matéa e kundershton. Mbas një viti, në Nandor 1946, sigurimi i shtetit komunist organizon futjen e armëve ndër Kisha dhe me atë rasë, me 15 Nandor 1946, At Matéa arrestohet, kur edhe Kuvendi i tyne u kthye në burg. Asht torturue dhe masakrue si pak kush nga hetuesit Nesti Kopali, Pjerin Kçira, Zoji Themeli, mbasi nuk ka pranue asnjë nga akuzat e sigurimit te shtetit komunist.

Zonja Terezina Pali (Zorba) tregonte se si e kishin torturue për vdekje At Maténë kur po gjironin filmin jugosllavët tek Elteri Shna Ndout me armë në dorë. Mbasi e sollën në qeli, e pashë se po çalonte. E pyeta: “Shka të banë, Padër Maté?” - Ai u përgjegj me za të ultë - mos pyet... por për mos me i kënaqë këta qej, eja të këndojmë... dhe filloi ai vetë i pari kangën “Në Shkodër tonë ka ra nji dritë”... Shpesh këndonte me za të ultë për mos me na lanë me u ligështue para torturave, ai na epte zemër dhe né, që ishim të reja, e shpesh dëshproheshim. Një ditë erdhi i lamë në gjak, se i kishte ra ballit me një hekur krimineli Nesti Kopali...Për këte arsye këtij grupi gjyqi i asht ba me dyer të mbylluna në janarin 1948, ku gjykatësi Misto Bllaci i dha “dënimin me vdekje me pushkatim”. Asht ekzekutue me 11 Mars 1948, ora 5, në Zallin e Kirit në Shkodër e as sot nuk dihet vorri me Eshtnat e Tij.

Në fjalen e fundit para ekzekutimit ka  thanë: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija! U baj hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Proces – verbal në Dosjen nr. 1302/II A, Arkivin M.P. Mbrendshme Tiranë, 1998)

Në vitin 1993...kam ba disa perpjekje me gjetë Eshtnat e Tij, tue dijtë se Ai grup u pushkatue në aren e pronarit Zef Syla, i cili ka lajmërue të mbesat e At Matesë në atë javë që komunistët e kanë pushkatue dhe varrosë në token e Tij. Ishte e pamujtun me germue me eskavator nga banorët e vendosun nga sigurimi i shtetit aty siper, që edhe na kercnuen se “po na prishni hardhijat, dhe mos eni se do të flasim ndryshej!” Ishin të armatosun dhe vrasës si atë ditë kur me automatikët e tyne kanë pushkatue 16 Burra të pafajshem...

At Maté Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit. Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé, si të gjithë Françeskanët, mbasi në zemër i vlonte Liria. E respektuen edhe armiqtë se ishte Trim!

Ideali Atdhé e Fé të len “pa varr!”...Në 1967 u prishen me Kisha edhe varrezat!

Ky ishte At Maté Prennushi, i dënuem tri herë me vdekje, i pushkatuem, pa varr!..

Melbourne, Tetor 2012.