Faleminderit
Fritz Radovani: Komunistët të hapin varrin dhe të lanë pa varr!
E hene, 01.10.2012, 06:01 PM
KOMUNISTËT TË HAPIN VARRIN
DHE TË LANË PA VARR !
Në 100 vjetorin e Pavarsisë…
Nga Fritz RADOVANI
130 vjet
ma parë ka lé në Shkodër At Matéa (Mati), pikërishtë me 2 Tetor 1882. Mbas mësimeve
të para në vendlindje, ka vazhdue studimet e nalta në Grac të Austrisë. Asht
shugurue Meshtar me 5 Prill 1904 në Kishen Françeskane të Shkodrës. Mbas një viti
ka shkue famullitar në Bajzë të Kastratit. Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve
të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit, në agoninë e
tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrje për përpjekjet
që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, një ditë të dielë mbas
meshet, At Matéa çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve me pritë në oborr
pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe iu drejtue të pranishëmëve
tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: - Kush asht burrë dhe e don me
zemër Shkodrën, o sot o kurrë, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë
me i ndalue dorën hasmit turk, që don me zharitë vëllaznit tonë!
Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matésë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër.
Me të marrun
vesht, valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë
veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë raprezalje kundër
shkodranëve. Imzot Guarini dërgoi një përfaqësues
me u dalë para malësorëve, që po vinin me At Maténë në krye. Përfaqësuesi i
klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë, dhe mbasi ishin marrë garancitë prej
valisë, malësorët u kthyen. Shkodra shpëtoi...
At Matéa
qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun... e,
si tash e kam ndër veshë zanin e Tij kur këndonte “Gloria.”
Kur Imzot
Lazër Mjedja shkoi në Prizren, aty nga 1908, At Matéa shkoi në Traboin, Deçiq
dhe Greçë. Tue pa me sy tiparet e malësorit të kulluem, ai preku me dorë gjanë ma
të çmueshme që e karakterizon shqiptarin e që e veçon nga kombet tjera: Aty
ishte burrnia e besa! At Matéa ishte bashkë me At Buon Gjeçaj në Malësi me 6
Prill 1911, në krahun e djathtë të Dedë Gjo’ Lulit, në Majen e Bratilës, me
Flamurin e Gjergj Kastritot të palosun në gjoksin e vet. Mbas rrethimit të Shkodrës,
në 1913, kapet nga forcat e Malit të Zi dhe dënohet me varje në litar. Ai nuk i
frigohet vdekjes dhe kur gjykatësi i thotë se “do të varim në litarin që ké në brez,
At Matéa i pergjegjet: “Ua dij për nder me më varë në konopin tem, mbasi me
siguri litari em ka me ma falë jetën!” Edhe aty gjenë rasen me tregue besimin
tek litari i Fratit...I falet jeta nga Krajl Nikolla mbasi nderhyn miku i Tij At Gjergj Fishta. Kthehet
në Shqipni, po asht kundershtar i shitjes së Trojeve Shqiptare nga Ahmet Zogu. Në
vitin 1927 asht në burg dhe e pret pushkatimi me kryengritësit e Veriut. I
falet jeta nga Zogu, me nderhymje të Provinçialit At Pal Dodaj, që kishte
shpetue Zogun në Rubik.
Vazhdon
sherbimin fetar në krahina të ndryshme të Shqipnisë. Në vitin 1941, bashkë me
At Anton Harapin, hapë Kishen Françeskane të Tiranës. Në vitin 1943, kur At
Antoni merr detyrën e Regjentit në Tiranë, At Matéa merr detyrën e Provinçialit
të Françeskanëve. Në zgjedhje mendohet për At Çiprian Niken, por At Matéa e
kundershton siç e shpjegon At Konrrad Gjolaj në librin “Çinarët”: “Kur u zgjodh
Provinçial At Matéa, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët
punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej t’a ruejmë At
Çiprianin për ma vonë, se asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë
detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohej, por At Matésë nuk
i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë ma parë kishte shkue deri te
gryka e pushkës, madje edhe deri tek stoli i konopit në Mal të Zi.”
Në Janarin
e vitit 1945, komunisti terrorist Mehmet Shehu vjen në Kuvendin e Fretenëve dhe
i kerkon At Matésë shkëputjen nga Vatikani. At Matéa e kundershton. Mbas një viti,
në Nandor 1946, sigurimi i shtetit komunist organizon futjen e armëve ndër
Kisha dhe me atë rasë, me 15 Nandor 1946, At Matéa arrestohet, kur edhe Kuvendi
i tyne u kthye në burg. Asht torturue dhe masakrue si pak kush nga hetuesit
Nesti Kopali, Pjerin Kçira, Zoji Themeli, mbasi nuk ka pranue asnjë nga akuzat
e sigurimit te shtetit komunist.
Zonja
Terezina Pali (Zorba) tregonte se si e kishin torturue për vdekje At Maténë kur
po gjironin filmin jugosllavët tek Elteri Shna Ndout me armë në dorë. Mbasi e
sollën në qeli, e pashë se po çalonte. E pyeta: “Shka të banë, Padër Maté?” - Ai
u përgjegj me za të ultë - mos pyet... por për mos me i kënaqë këta qej, eja të
këndojmë... dhe filloi ai vetë i pari kangën “Në Shkodër tonë ka ra nji dritë”...
Shpesh këndonte me za të ultë për mos me na lanë me u ligështue para torturave,
ai na epte zemër dhe né, që ishim të reja, e shpesh dëshproheshim. Një ditë erdhi
i lamë në gjak, se i kishte ra ballit me një hekur krimineli Nesti Kopali...Për
këte arsye këtij grupi gjyqi i asht ba me dyer të mbylluna në janarin 1948, ku
gjykatësi Misto Bllaci i dha “dënimin me vdekje me pushkatim”. Asht ekzekutue
me 11 Mars 1948, ora 5, në Zallin e Kirit në Shkodër e as sot nuk dihet vorri
me Eshtnat e Tij.
Në fjalen
e fundit para ekzekutimit ka thanë: “Jam
i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa,
Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija! U baj hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë
mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Proces – verbal në Dosjen nr. 1302/II A,
Arkivin M.P. Mbrendshme Tiranë, 1998)
Në vitin 1993...kam
ba disa perpjekje me gjetë Eshtnat e Tij, tue dijtë se Ai grup u pushkatue në aren
e pronarit Zef Syla, i cili ka lajmërue të mbesat e At Matesë në atë javë që komunistët
e kanë pushkatue dhe varrosë në token e Tij. Ishte e pamujtun me germue me
eskavator nga banorët e vendosun nga sigurimi i shtetit aty siper, që edhe na
kercnuen se “po na prishni hardhijat, dhe mos eni se do të flasim ndryshej!” Ishin
të armatosun dhe vrasës si atë ditë kur me automatikët e tyne kanë pushkatue 16
Burra të pafajshem...
At Maté Prennushi
ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis
të vorfënve të Asizit. Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé, si të gjithë Françeskanët,
mbasi në zemër i vlonte Liria. E respektuen edhe armiqtë se ishte Trim!
Ideali
Atdhé e Fé të len “pa varr!”...Në 1967 u prishen me Kisha edhe varrezat!
Ky ishte At Maté Prennushi, i dënuem tri herë me vdekje, i pushkatuem, pa varr!..