E premte, 19.04.2024, 06:37 AM (GMT+1)

Mendime

Rudina Xhunga: Takimi me Salman Rushdie

E hene, 01.10.2012, 06:32 PM


Takimi me Salman Rushdie

Nga Rudina Xhunga

Nisi më 14 shkurt 1989.  Ditën  kur Ayatollah Khomeini shpalli FATWA-n kundër shkrimtarit të “Vargjeve Satanike”. Irani dënoi me vdekje një shtetas britanik dhe vuri shpërblim për kë e vriste. Bota u përfshi nga zhurma e vargjeve. Në emër të tyre u vra, u dogj, u rebelua. “Vargjet” ndanë Qytetërimet.  Salman Rushdie u vu nën mbrojtjen e Shërbimeve Sekrete angleze. Për 10 vjet jetoi si një hije. Ndërroi emrin. U quajt Jozeph Anton. Duke kombinuar emrat e parë të dy shkrimtarëve të tij të dashur, Joseph Conrad dhe Anton Çehov. Me këtë emër jetoi 10 vjet të rrallë. Të cilat i tregon në një libër. I tregon, sepse një shkrimtar, edhe në zemër të ferrit, e gjen një zanë që i pëshpërit te veshi: Shkruaje! Është histori e bukur!

“Joseph Anton” doli në treg më 18 shtator, njëkohësisht në të gjitha gjuhët e botës. Edhe në shqip, nga “Dudaj”. Libri tregon realitetet herë të zymta, herë komike të të jetuarit i bashkëshoqëruar me policë të armatosur, lidhjen e ngushtë me mbrojtësit, luftën e Rushdie për mbështetje dhe mirëkuptim nga qeveritë, shefat e inteligjencës, botuesit, gazetarët dhe kolegët e tij. Dhe mënyrën sesi rezistoi, derisa arriti të rifitojë lirinë. Libri tregon si ia del një shkrimtar dhe familja e tij të jetojnë me kërcënimin e vdekjes. Si ia bën një njeri i tillë të dashurojë, të ndahet dhe prapë  të dashurojë? Si ia bën të vazhdojë të punojë? Si i jep dëshpërimi formë mendimeve dhe veprimeve të tij? Si ia bën të mësojë për të luftuar përsëri? Si ia del një njeri i dënuar me vdekje të sfidojë dhe frymëzojë?

Sepse ajo që i ndodhi Salman Rushdisë ishte vetëm akti i parë i një drame, që shpaloset çdo ditë, diku në botë. Një dramë që ca i mposht dhe ca e mundin. Ai ia doli.

Kur e shtynin të tërhiqej, të kërkonte ndjesë për provokimin, nuk e bëri kurrë. Sepse nuk donte të pranonte që punoi pesë vjet me një libër, vetëm për të fyer muslimanët, njëri prej të cilëve ishte edhe vetë. Nuk pranoi asnjë kompromis, nuk  gënjeu, nuk u lut, nuk ndryshoi mendje, as rrugë, për një gjë që s’e kishte bërë. Dhe kjo e shpëtoi. Pendimi do ta kishte vrarë, edhe nëse nuk do ta kishin vrarë.

Ja çfarë shkruan te “Joseph Anton”: “Për një kohë, kishte hequr dorë nga gjuha e tij, i detyruar të fliste me shumë ngecje e shtrembërime, një gjuhë që nuk ishte e vetja. Kompromisi e shkatërron atë që e bën, por nuk e zbut armikun e paepur të tij. Njeriu nuk bëhet mënjellë, se vendos të lyejë krahët me bojë të zezë. Ai vetëm mund të humbasë fuqinë për të fluturuar, si një pulëbardhë me flatra të ngjitura nga nafta. Rreziku më i madh i një kërcënimi në rritje është se njerëzit e mirë mund t’i bëjë të vetëvriten intelektualisht dhe ta konsiderojnë këtë paqe. Njerëzit e mirë mund t’i dorëzohen frikës dhe ta konsiderojnë këtë respekt.”

Në vitin 1998 presidenti i Iranit, Mohmmed Khatami, e shpalli të pavlefshëm FATWA-n, 10 vjet pas atij 14 shkurti fatal. Rushdie tani ngul këmbë se rreziku ka kaluar. Për të. Jo, edhe për botën, Kasandra e së cilës ai u bë. Unë e intervistova  Salman Rushdie në Londër, një javë para shpërthimit të protestave kundër filmit “Pafajësia e muslimanëve”. (Një provokim aspak artistik ky, regjisori i të cilit nuk ia doli të krahasohej me Rushdie.)

Si një burrë që i ka dhënë shkas një shpërthimi të ngjashëm, si një shkrimtar i lartësuar prej lëvdatave, i fajësuar, kërcënuar, i nderuar si simbol i shprehjes së lirë, Rushdie është çuditërisht ndryshe nga ç’e pret.

Ngjan babaxhan dhe i sinqertë, as si viktimë e torturuar, as si njeri që ngjall frikë.

Përkundrazi, është një  njeri i cili ta ushqen dëshirën të flasësh gjatë.

Por nuk ke mundësi. Salman Rushdie është kryelajmi i medias ndërkombëtare dhe për çdo gazetar që ka caktuar para një viti orarin e intervistës, është lënë një orë kohë. Një orë, në zyrën londineze të agjentit  më të famshëm në botën e letrave, Andreë Wylie. Një orë për t’iu drejtuar shqiptarëve nga “Shqip” në Top Channel.

Një orë për ta kuptuar se ç’sekret ka  ky njeri. Një sekret nga ato që shesin libra, mbledhin frymëzim dhe mbarsin turma.

Ky njeri di të të flasë thjesht. Si gjithë njerëzit që kanë ç’të tregojnë….



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora