E merkure, 24.04.2024, 12:20 AM (GMT+1)

Mendime

Gjergj Meta: Our lady of Shkodra

E hene, 01.10.2012, 06:14 PM


Our lady of Shkodra

Nga Gjergj Meta

Fjalët e titullit janë të gdhendura në krye të një tatëpjete në nr. 361 të West Harstdale Avenue në New York. Kjo e tatëpjetë të çon në një kodrinë të vogël që kur e mbaron së ngjituri të shfaqet përpara Kisha Katolike e shqiptarëve të New Yorku-ut, Zoja e Shkodrës. E diela aty është një festë e vërtetë. Shqiptarët mblidhen për t’u lutur, por edhe për t’u takuar me njëri-tjetrin. Mbushet Kisha plot në të dyja shërbesat e së dielës. Është mbresëlënëse që mijëra kilometra larg vendlindjes sheh aq shumë njerëz që takohen e përshëndeten: “Mirmëngjes; Nadja e mirë; Si jeni more burra?” E më pas, kur takojnë meshtarin, i thonë në gjuhën e bukur shqipe atë shprehjen e gjallë shqiptare “Kjoftë lëvdu Krishti”.

Dom Pjetri është nga Shën Gjergji i Ulqinit, pak përtej kufirit zyrtar shqiptar, por brenda kufijve të një populli që ka ditur gjithmonë të jetojë e mbijetojë edhe në situatat më absurde të historisë së tij. Ai sot drejton famullinë katolike të Zojës së Shkodrës në New York. Ai tregon se në New York e ka filluar vite më parë Dom Zef Oroshi, pikërisht në Bronx, me capak shqiptarë prej të cilëve sot janë shumë pak, por janë bijtë e bijat e tyre që janë lindur këtu. Ishin ata që në vitet ’50-‘60 ikën prej komunizmit. Si përsëritet historia, e sidomos ndër ne shqiptarët…Kush e njeh historinë e Zojës së Shkodrës e din se ikona e saj u mor e u çua në një Kishë tjetër në Itali, sepse në Shqipëri po vinte hija e zezë e një pushtimi 500-vjeçar e për të nuk kishte më vend në Shqipëri. Po ashtu më duket sikur ata burra dhe gra të cilët vendi i tyre i përzuri, sepse nuk ishte i lirë, e morën me vete Zojën e Shkodrës drejt botës së re, ku ishte më e lirë. Ose më mirë ku ata ishin të lirë të luteshin. Dom Zefi punoi me përkushtim të jashtëzakonshëm, i dashur e pothuajse i veneruar prej shqiptarëve këtu në New York ia dorëzoi shpirtin Atij që i kishte falë jetën vetëm dy vjet para se muri i ndarjes të binte. Një Moisi që kurrë nuk mbërriti në tokën e shenjtë, një Uliks që kurrë nuk u kthye në Itakën e tij. E kujtimet këtu më vijnë nëpërmjet dom Pjetrit e nëpërmjet Gjergjit, i lindur e rritur këtu, por që edhe ai në vitin 1991, gjëja e parë që bëri ishte të vizitonte Pukën e tij ku kishin lindur baba, gjyshi e stërgjyshi. Ata tregojnë që Dom Zefi ia la stafetën dom Rrokut, i cili me mund e sakrifica bashkoi shqiptarët dhe blenë atë kodrinë që iu ngjan shumë bjeshkëve tona plot gjelbërim e freski për të ndërtuar një Kishë të re. Vite punë, mund, bujari që pak si shqiptarët dinë ta bëjnë. Ajo qendër e shqiptarëve u kthye në lidership edhe për shumë shqiptarë që katolikë nuk ishin, madje disa prej tyre kontribuuan edhe në ndërtimin e Kishës. Më pas dom Rroku ia lë stafetën dom Pjetrit, i cili i vuri themelet Kishës dhe e çoi atë deri në çati.

Por mbi të gjitha këtu përditë ndërtohet një komunitet. Një komunitet që sa vjen e rritet me shqiptarë të rinj, sikurse quhen emigrantët e pas ‘90. Ata kanë një pikë referimi sapo të vijnë e ajo është qendra Our Lady of Shkodra. E kështu brezat vijnë e kalojnë, por Zoja mbetet mbi kodrinën e Harstdale.

Mbrëmë ishte e premte! U bënë provat e përgjithshme për festën e Pavarësisë. Grupi i valleve ‘Rozafati’ me djem dhe çika Shqipnie këndej e andej kufirit, kërcen vallen e flamurit me një koreografi të veçantë të Angjelina Nikës, e shoqja e Gëzim Nikës. Është emocionuese. Shumica e tyre kanë lindur në New York, por ndjekin një ritëm, çojnë kryet e krahët lart sikur shqipja, pikërisht sikur të kishin lindur në Shqipëri. Ata do të vijnë në Tiranë për festën e flamurit, të ftuar nga Bashkia e Tiranës, e aty do t’u bashkohen miliona të tjerëve për një festë të përbashkët, për festën e Shqipërisë së lirë që Zoti na e ka dhënë.

Kisha e Zojës së Shkodrës sot ngrihet mbi një kodrinë, e rrethuar me freskinë e pemëve dhe e mbushur me zërat e shqiptarëve. Sot është e shtunë e ajo gumëzhin nga klasat e fëmijëve që mësojnë për Zotin. Këtu ata gjejnë atë çka duhet, mësimin për Zotin dhe fjalën shqip. Qendra ‘Nënë Tereza’ është mbushur plot. Në muret e saj janë të varura portrete e fotografi të një historie te kaluar: Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Pjetër Bogdani, Fishta, Koliqi, Asdreni, që duken sikur u mësojnë këtyre fëmijëve ligjërimin shqip dhe dashurinë e Zotit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora